FOTO/ Basha dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu përurojnë bulevardin “Donald J. Trump” në Kamëz

2
3411

Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, dhe kryetari i Bashkisë dhe i PD Kamëz, z. Xhelal Mziu, inauguruan sot bulevardin “Donald J. Trump” në lagjen e Frutikulturës. Ky bulevard është një investim i Bashkisë Kamëz, i cili u vjen në ndihmë mijëra qytetarëve. Dhe për të treguar mirënjohjen e tyre për këtë investim të Bashkisë, mijëra qytetarë të Frutikulturës, por edhe të lagjeve të tjera të Kamzës ishin të pranishëm në këtë ceremoni. Kujtojmë se në nëntor të vitit që kaloi, Bashkia Kamëz shpalli “Qytetar Nderi” Presidentin Donald Trump, ndërsa sot, me emrin e tij është emërtuar edhe një prej investimeve më të rëndësishme të kësaj Bashkie.

Në fjalën e mbajtur para bashkëqytetarëve të tij, z. Xhelal Mziu falënderoi përzemërsisht banorët dhe bizneset e Kamzës për partneritetin që kanë pasur dhe për pagesën e taksave dhe tatimeve. Ai u shpreh: “I nderuar z. Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, por njëherazi edhe Kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë!

“Ndihem shumë i privilegjuar që sot ju jeni këtu, në mesin tonë, në inaugurimin e një rruge shumë të rëndësishme, investim i Bashkisë, që ka kushtuar më shumë sesa 1 miliard lekë, me gjatësi prej 1 km dhe që ka emrin “Donald Trump”!

Në fakt, Kamza ishte mësuar në tetë vite, por jo vetëm Kamza, edhe Shqipëria, me inaugurime rrugësh, tunelesh, shkollash, kopshtesh, çerdhesh, por ka 4 vite që Shqipëria ka harruar këto lloj investimesh, përveç fasadave. Por Kamza në këto 4 vite, 0 lekë investime ka marrë. Nuk ka marrë asnjë qindarkë për asnjë shkollë, asnjë kopsht, asnjë çerdhe, as ujësjellës, as kanalizim, madje as nuk e ka parë këtë qytet. Sot Kamza ka 200 mijë banorë. Jemi qyteti i 6-të në Shqipëri. Është persekutuar më shumë se asnjëherë tjetër. Një banor i Kamzës nga buxheti i shtetit merr 33.5 herë më pak lekë sesa mesatarja e Shqipërisë, por nëse u referohemi disa bashkive të majta, diferenca shkon edhe me 200 herë.

Unë si kryetar Bashkie, por edhe si kryetar partie, i angazhuar maksimalisht për të përdorur më së miri taksat e qytetarëve, gjej rastin për t’i falënderuar përzemërsisht banorët dhe biznesin e kësaj zone për partneritetin që kanë pasur dhe për pagesën e taksave dhe tatimeve. Por këto taksa, këto tatime në këto 4 vite kanë qenë i vetmi burim i këtij qyteti dhe vetëm vitin që shkoi dhe këtë vit që ne jemi në vazhdim, janë bërë e po bëhen më shumë sesa 50 segmente rrugore, më shumë sesa 45 segmente të kanaleve të ujërave të zeza dhe të angazhuar maksimalisht për të bërë jo vetëm investime, por për të qenë pranë qytetarëve edhe me shërbime, sepse qytetarët e Kamzës ndihen të persekutuar jo vetëm në investime, por ndihen të persekutuar edhe në mbështetje financiare. Nuk ka ndodhur në këto 25 vite që një popull të distancohet kështu nga qeveria dhe të mos harrojmë që më shumë sesa 45% apo rreth 50% e këtij komuniteti janë të majtë; por edhe të djathtët, edhe të majtët janë persekutuar nga kjo qeveri.

Unë ndihem krenar sot që ju jeni këtu, ndihem krenar që sot ky bulevard ka emrin e Donald Trump-it dhe besoj që fryma ka filluar nga Kamza. Ashtu siç filloi fryma me fitoren e Donald Trump-it në Amerikë, e njëjta situatë ka filluar nga Kamza, ka filluar te Çadra, te Kushtetuta e Re dhe te Republika e Re dhe jam i sigurt që qytetarët e Kamzës mezi presin që ju në zgjedhjet e tanishme që do të realizohen të konfirmohet fitorja dhe fitorja do të fillojë nga Kamza dhe do të mbarojë në gjithë Shqipërinë. Më lejoni edhe një herë të falënderoj për këtë vrull të madh që u ka dhënë jo vetëm demokratëve, por mbarë popullit shqiptar Kryeministri i ardhshëm, Lulzim Basha!”- tha fjalen e tij kryebashkaiku i Kamzes Xhelal Mziu.

Në fjalën e tij drejtuar qytetarëve të Kamzës, kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, u shpreh: “Mirdita dhe mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja në këtë ditë të bukur pranverore këtu në Kamëz, qytetin e 6-të të Shqipërisë, që është mbi të gjitha mrekullia e punës, djersës suaj, të kryefamiljarëve, të burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave të Kamzës, për të cilët shpreh respektin, mirënjohjen dhe dashurinë time!

Sot, bashkë me kryetarin e Bashkisë, Xhelal Mziun, jemi këtu për të inauguruar një tjetër vepër infrastrukturore. Për vite me radhë, ky qytet, i 6-ti në Shqipëri, ka njohur një bum investimesh, që e kanë shndërruar atë me të vërtetë në një qytet të parametrave gjithmonë e më të pranueshëm, me rrugë të reja, me bulevarde, me shkolla, me qendra kulturore, me ujësjellës dhe kanalizime dhe kështu duhet të jetë sa herë që qytetarët vendosin të themelojnë një qytet të ri, siç ju keni themeluar prej fillimit këtë qytet të ri, që sot është i gjashti në vend, shteti, qeveria dhe pushteti vendor duhet t’i përgjigjen.

Por ky investim sot mban vetëm vulën tuaj dhe të pushtetit vendor, sepse prej ardhjes në pushtet 4 vite më parë, Edi Rama i shpalli luftë Kamzës dhe qytetarëve të saj. I shpalli luftë politike, i shpalli luftë raciale, u shpalli luftë stigmatizuese banorëve që simbolizojnë më shumë se kushdo tjetër lirinë, sepse ishte liria që ju mundësoi juve të ndërtonit nga fillimi një jetë të re këtu në Kamëz. Është liria ajo që ju motivon në çdo hap tuajin, në çdo investim tuajin personal, familjar, politik apo bashkiak. E pra, liria është armiku i tiranisë, që përmbysëm para 27 vitesh; është edhe armiku i tiranisë së krimit, armiku i tiranisë së drogës dhe armiku i tiranisë së varfërisë, që Edi Rama dhe një grusht pushtetarësh të korruptuar dhe të inkriminuar duan t’i imponojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Tirania ka edhe një armik tjetër, tash 200 vjet. Dhe ky armik i tiranisë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot shoh të valëviten në ajër flamujt kombëtarë të Shqipërisë dhe mikut tonë, aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe unë dua t’ju falënderoj për këtë gjest!

  1. Basha, ndër të tjera tha se është më mirë që rrugëve e shkollave t’u vihen emra që përfaqësojnë demokracinë sesa emra të xhelatëve e kriminelëve të komunizmit. “Më mirë emrin e lirisë e demokracisë që përfaqëson Donald Trump sesa emrat e xhelatëve e kriminelëve të komunizmit që mbajnë rrugët e shkollat tona. Se Mziu është njeriu që e do lirinë, demokracinë ndaj e sulmojnë më shumë nga të gjithë. Para disa muajsh me guximin e të korruptuarit, të droguarit dhe të inkriminuarit, Edi Rama vendosi të sulmonte Presidentin amerikan. E bëri këtë i nxitur jo nga interesat kombëtare, por ato personale. Dy ditë më parë, kur mbarë Shqipëria e mori vesh gjestin tuaj për të emëruar këtë rrugë për Presidentin amerikan, u hodhën në sulm konet e tij. Harron se ai vetë dhe paraardhësit e tij kanë emëruar rrugët e sheshet e shqiptarëve me emra kriminelësh, me emra xhelatësh dhe emra kriminelësh të vrarë në pusitë e krimit të zi. Ky njeri që tregohet me gisht nga shqiptarët si njeriu që ngriti karrierën e tij në aleancë me krimin e organizuar, ka guximin të sulmojë vendimin tuaj për t’i dhënë këtij bulevardi emrin e kampionit të lirisë. Kjo tregon se sa e thellë është kriza morale e Edi Ramës. E falënderojmë Presidentin amerikan Donald Trump”, – tha z. Basha.

Bulevardi i përuruar sot nga z. Basha dhe z. Mziu, ka një gjatësi prej 1 km dhe i pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme mbitokësore dhe nëntokësore, duke qenë kështu një investim me standarde bashkëkohore. Më e rëndësishmja është se ky investim u shërben mijëra familjeve dhe qytetarëve të Kamzës, por edhe të zonave përreth, duke qenë një arterie e rëndësishme lidhëse mes lagjeve të këtij qyteti, por edhe me kryeqytetin, me aeroportin e Rinasit etj. Një rëndësi të madhe merr ky bulevard, pasi me ndërtimin e tij do të ketë zhvillim të vrullshëm biznesi, për rrjedhojë do të ketë më shumë të punësuar dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve të zonës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

2 COMMENTS

  1. Haloo Suomi. yhtäarvoikkata on suurvalta johtajat.Jotka ajattelee ainoastaan omaa kansaa,Ei kokomaailman parantaja voi valtiot olla.Vääristynyt kuva ei kestä resurssit,aikansakutakin sanoi pässi kun päätäleikattiin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here