Mijëra abuzime/ Si “Rilindi” Benet Beci, Fondi i Zhvillimit prej 4-vitesh punon si levë elektorale e Ramës

1

Nga Ervin Kaduku

Loading...

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është shndërruar tashmë në levën realizuese të synimeve elektorale të qeverisë Rama. Institucioni në fjalë sapo ka shpallur planet e tij për të investuar në infrastrukturë një shumë prej 82 milionë eurosh. Sipas planit që vetë FSHZH ka shpallur zyrtarisht shuma do të investohet në 10 projekte, që përfshijnë infrastrukturën rrugore. “Në kuadër të iniciativës së Qeverisë Shqiptare për financimin e projekteve prioritare të infrastrukturës rrugore, FSHZH është angazhuar për përgatitjen e paketës së financimit e procedurave te tenderimit te cilat do ti hapin rrugë fillimit të punimeve civile në terren. Aktualisht janë shpallur procedurat për tenderimin e punimeve civile 10 segmente rrugore”, thuhet në planin e investimeve për vitet 2017-2018 të FSHZH-së.

 

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve të akorduara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Gjatë viteve 2014-2015 janë miratuar 63 objekte të ndryshme me vlerë totale 7.09 miliardë Lekë, të cilat zbatohen nga FSHZH. Këto financime janë fokusuar në disa drejtime prioritare: 38 Projekte për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe asaj urbane, (Hyrjet e Tiranës nga Durrësi dhe Elbasani, Sistemimi i 2 shesheve në Tiranë, Unaza e Divjakës, Rruga Transballkanike në Vlorë, Mbushja me rërë e plazhit Vlorë, rruga e Dajtit, Sheshi i Kukësit, Shëtitorja Himarë, etj);

 

Programi “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, bashkëfinancuar nga Banka Botërore, Qeveria Shqiptare dhe Donatorë të tjerë në vlerën 368 milionë USD, synon të rrisë përpjekjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në vend si dhe për rritjen e aksesit ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veçanërisht në zonat rurale nëpërmjet rehabilitimit të rrjetit rrugor dytësor dhe lokal.

Programi, deri në Dhjetor 2015, është financuar në shumën rreth 368 milionë USD dhe ka avancuar në të gjithë komponentët e tij.

 

Ja projektet që do të financohen gjatë 2017-2018 nga Fondi i Shqiptar i Zhvillimit

 

1- “Sistemim asfaltim i rrugës Kastriot – Arras”

2- “Ndërtim i unazës se qytetit bashkia Vau Dejës”

3- “Rikonstruksioni i rrugës Fushe Kruje-Thumanë”

4- “Rikonstruksioni i rrugës “Taulantet”, pedonales dhe KUZ ne UBT”

5- “Rehabilitim dhe veshje me asfalt i rrugës Fushë Arrëz (K/Hadroit) – Reps (Rotonda)”

6- “Ndërtim Asfaltim i rrugës Cërrik – Belsh – Dragot – Kuçovë – Urë Vajgurore (Segmenti Degëzim Grekan – Dragot)”

7- “Rikonstruksioni i rrugëve 2; 3; 4 dhe paralele në Golem, Kavajë”

8- “Sistemim Asfaltim Rruga Qafë Plloçë-Pogradec dhe Unaza Pogradec”

9- “Sistemim asfaltim rruga Unaza Korçë- Voskop-Polenë-Korçë”

10- “Ndërtim i rrugës Unaza e Re, Peshkopi”

 

Abuzimet

 

Pikërisht për shkak se i është përgjigjur me besnikëri çdo “investimi elektoral”, Rama vijon të mbajë në krye të Fondit Shqiptar të Zhvillimit një drejtor, për të cilin tashmë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar shkjelje skandaloze. Benet Beci duhet të shpallet rekordmen sa i përket jetëgjatësisë së tij në drejtimin e njerit prej institucioneve më të rëndësishëm investuese me fonde publike dhe të donatorëve. Por si e ka drejtuar ai Fondin Shqiptar të Zhvillimit? Një raport i korrikut të vitit të kaluar i auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se në shumë projekte janë bërë shkelje me dëm ekonomik për shtetin, duke bërë të qartë se, pavarësisht nga puna e bërë, ka patur shpërdorime me paratë e vëna në dispozicion. Ja çfarë konstatoi kontkretisht ekipi i KLSH.

 

1 – Nga auditimi i marrëveshjeve të financimit dhe konkretisht referuar korrespondencës së Ministrisë së Ekonomisë me nr. 17658/1; nr. 17658/2; nr. 17658/3, dërguar në KfW më datë 19.12.2013 me objekt shtyrje të afatit të disbursimeve për projektin “Fondi i Investimeve Sociale IV”, financuar nga KfW, konstatohet se: KfW ka dhënë miratimin e saj për shtyrje të afatit të disbursimeve deri në datën 30.06.2017. Afati i disbursimeve për fondet IPA, përcaktohet nga data e fundit për ekzekutimin e planit të veprimit të punimeve siç përcaktohet në marrëveshjet me BE-në dhe për këtë arsye nuk mund të shtyhet përtej datës 08.04.2016. KfW në përgjigjen e saj zyrtare i ka tërhequr vëmendjen Ministrisë së Ekonomisë dhe FSHZH-së, se pavarësisht shqetësimeve të tyre, për ecurinë e ngadaltë të implementimit të projektit, kjo vonesë në implementimin e tij nuk mund t’i atribuohet KfW-së, dhe për këtë arsye, nuk ofrohet më shtyrje e afatit të disbursimeve mbas kësaj date. Realizimi i huasë deri në momentin e auditimit është në masën 64%. Për mungesë menaxhimi me efektivitet të këtij projekti dhe vonesa në implementimin e tij, ngarkohet me përgjegjësi FSHZH

 

2 – Në një rast dhe konkretisht për nën projektin “Rikonstruksioni i rrugës së fshatit Qesarakë” vërehet se është pranuar dhe paguar vlera e situacionit të paraqitur nga ana e supervizionit, në një kohë kur ky situacion përmbante vlera për punime të kryera jasht periudhës së përcaktuar në kontratë, për të cilat ende nuk ishte marrë miratimi i donatorit për shtyrjen e kësaj periudhe. Miratimi për këtë urdhër ndryshimi nga Donatori është bërë një muaj pas pagesës së situacionit.

 

3 – Nga auditimi me zgjedhje për shpenzimet operacionale, rezultoi se për zërin dieta, financuar nga kredia e IDB dhe Qeveria Shqiptare, mungojnë urdhër pagesat nga titullari dhe urdhër shërbimet për dërgimin e punonjësve jashtë qendrës së punës apo programet e punës. Këto pagesa janë kryer bazuar vetëm në faturat e hoteleve të paraqitura dhe në një format “Shërbimi jashtë qendrës së punës” ku përcaktohen vetëm afatet e qëndrimit jashtë vendit të cilat mbajnë vetëm firmën e drejtuesve të departamenteve. Po kështu, gjatë shqyrtimit të këtyre transaksioneve, u konstatua se i gjithë dokumentacioni i vënë në dispozicion, nuk përmban numrin, datën dhe vulën e protokollit në kundërshtim me nenin 12 dhe 13 të “Normave tekniko-profesionale për Arkivat.

 

4 – Në tenderin “Rikonstruksion i rrugës Qeparo-Kudhës-Kuç, segmenti Qafe Shper-Kudhës, Qarku i Vlorës” njoftimi për zhvillimin e tenderit në faqen web të BERZH mban datën 23.09.2014. Në këtë njoftim, ndër të tjera bazuar në Komponentin 1 të marrëveshjes “Punimet civile për segmente në prioritet për rrugë dytësore dhe lokale” përcaktohet se: “Ndërhyrjet sipas këtij komponenti përfshijnë rehabilitimin ose konstruksionin. Për rikonstruksionin, e gjithë shtresa do të rindërtohet me shtresa të reja asfalti me nënshtresat e domosdoshme. Për rehabilitimin, punimet do të konsistojnë në shtresë të re bazë me shtresë të re asfalti, ku është e domosdoshme, si dhe infrastrukturë të sigurisë rrugore të përfshira”. Sa më sipër, është vepruar në kundërshtim me marrëveshjen e financimit, duke prokuruar rikonstruksionin e një rruge pa shtresë asfalti.

– Në dokumentet e tenderit pika 22. 2. b, është vendosur kriteri: “Mesatarja vjetore e volumit për punimet e gërmimit, për vitet 2009 deri 2013 duhet të jetë 656,000 m3”. Rezulton se për një periudhë 5 vjeçare operatorët ekonomikë duhet të kenë realizuar mesatarisht 3,280,000 m3 gërmime. Shprehur në vlerë, indirekt është kërkuar të realizohen punime të ngjashme rreth 7 milionë Euro, ndërkohë që në kërkesën përkatëse për punime të ngjashme është kërkuar vlera 3.9 milionë Euro. Kërkesa për realizimin e punimeve të ngjashme në këtë vlerë është shumë e madhe dhe vetëm një numër i vogël operatorësh ekonomikë mund ta plotësojnë. Ky veprim është në kundërshtim me Udhëzuesin “Rregullat dhe politikat për projekte të financuara nga BERZH”, Pika 3.1 ku përcaktohet: “Dokumentet e tenderit janë baza për informimin e ofertuesve me kërkesat specifike për shërbime mallra apo punime, kështu që duhet të japin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të lejuar ofertuesit të paraqesin oferta të përgjegjshme. Dokumentet e tenderit duhet të përgatiten në mënyrë që të inkurajojnë garë ndërkombëtare. Ato duhet të definojnë qartë fushën e punimeve, furnizimeve apo shërbimeve, të drejtat dhe detyrimet e blerësit apo furnizuesit, kushtet që duhet të plotësohen në mënyrë që një ofertues të deklarohet i përgjegjshëm dhe nuk duhet të vendosen kritere diskriminimi për zgjedhjen e ofertuesit fitues. Detajet dhe kompleksiteti duhet të variojnë në përputhje me madhësinë dhe natyrën e kontratës…”. Si pasojë e vendosjes së këtij kriteri, është skualifikuar nga gara një operator ekonomik, si dhe është limituar mundësia për pjesëmarrje të operatorëve të tjerë të mundshëm në këtë procedurë prokurimi.

– Rezulton se një bashkim operatorësh ekonomikë është kualifikuar edhe pse në dokumentet e tenderit të paraqitura ka patur mangësi (është paraqitur vetëdeklarim për xhiron vjetore, të pa konfirmuar nga organet tatimore). Ky fakt duhet të trajtohej në raportin e vlerësimit dhe duhet të kërkoheshin shpjegime. Për këtë rast, nuk ka një trajtim të barabartë për operatorët ekonomikë, sepse për një tjetër operator ekonomik ky kriter është konsideruar kualifikues.

 

5 – Nga auditimi i zbatimit të procedurës së prokurimit “Rikonstruksion i Rrugës Shishtavec Loti 3” konstatohet se Operatori Ekonomik është tërhequr nga gara, veprim i cili është shoqëruar me konfiskimin e garancisë së ofertës. Garancia e ofertës është vendosur me vlerë 6.8 milionë lekë, ose 1.5 % e çmimit të kontratës. Vendosja e garancisë në nivelin 1.5 % dhe jo 2 % siç aplikohet në këto raste, ka bërë që institucioni të jetë më pak i mbrojtur nga tërheqja e mundshme e operatorëve ekonomikë, në kundërshtim me udhëzuesin e procedurave të prokurimit të donatorit Pika 4.14.

FSHZH si pasojë e tërheqjes së operatorit ekonomik nga oferta, ka pësuar humbje financiare me vlerë 2,277,000 lekë, vlerë e cila përfaqëson fitimin e munguar nga mos përcaktimi i sigurimit të ofertës në masën 2 %. Po ashtu vendosja e një vlere të ulët të sigurimit të ofertës ka bërë që operatori të tërhiqet më lehtësisht nga gara, veprim i cili ka bërë që FSHZH të detyrohet të nënshkruajë kontratën më ofertën më të ulët ndjekëse më Operator tjetër me vlerë 344,927,800 lekë, duke shkaktuar realizim të punimeve me vlerë më të lartë në shumën 52,133,620 lekë .

 

6 – Nga auditimi i zbatimit të procedurës së prokurimit “WL Rec 142. “Rikonstruksioni i rrugës nr. 1, Lagje nr. 4, Sarandë”, afati i vendosur për realizimin e objektit sipas kësaj procedure 6 muaj. Referuar përmasave dhe volumit të punimeve, vendosja e këtij afati ka sjellë pasoja në lidhje me periudhën e vënies në eficiencë të investimit, si dhe kostos që lidhet me shpenzimet e përgjithshme të kontratës.

-Nga çmimi i kontratës me vlerë 77,058,333 lekë është ngurtësuar vlera 13.3 milionë lekë ose 17.2 % e vlerës së preventivit, vlerë e cila nuk është argumentuar me analizë çmimesh, duke mos u dhënë mundësinë operatorëve ekonomikë të ofertojnë dhe të paraqesin çmimet e tyre, veprim në kundërshtim me dokumentet e tenderit.

 

7 – Nga auditimi i zbatimit të procedurave të tenderit “Rikonstruksioni i rrugës Tamarë-Vermosh Loti I” nga FSHZH është kërkuar që operatorëve ekonomik me oferta më të ulëta të paraqesin analiza çmimesh bazuar dokumenteve të tenderit. Operatori me ofertë më të ulët në analizat e dhëna prej tij, ndryshon çmimet nga oferta fillestare, ku janë paraqitur më të larta dhe nga ana e Autoritetit Kontraktor është gjykuar si shkak për s’kualifikim. Me rritjet e çmimeve nga operatori ekonomik, përsëri oferta e këtij operatori të papërgjegjshëm ngelet më e ulët.

-Nga Autoriteti Kontraktor nuk është marrë asnjë masë për verifikime të mëtejshme apo konfiskimin e sigurimit të ofertës në vlerë prej 10,800,000 lekë si operator i papërgjegjshëm, për të mbrojtur institucionin nga ofertuesit që tërhiqen para përfundimit të periudhës së vlefshmërisë së ofertës së tyre, ose për refuzimin e nënshkrimit të kontratës. Për këto mosveprime, FSHZH-së i është shkaktuar një humbje prej 35,372,546 lekë nga diferenca e ofertës më të ulët me ofertën pasardhëse.

 

8 – Nga auditimi i zbatimit të procedurave të tenderit “Rikonstruksioni i rrugës Tamarë-Vermosh Loti II ” u konstatua se nuk pasqyrohet vlera e përllogaritur e kontratës në dosjen e prokurimit, si dhe mënyra si është përcaktuar si dhe nuk është respektuar periudha e njoftimit për gabime, të meta dhe defekte sipas kontratës, 30 ditë pas fillimit të punimeve.

 

9 – Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile në tenderin “Rikonstruksion i rrugës Iballë, Loti II” u konstatuan se nuk ka përshkrim për kushtet gjeologjike të zonës, problemet teknike dhe propozimet për sigurinë e qëndrueshmërisë së skarpatës, si dhe u konstatua një shkarje e një masivi shkëmbor i cili ka dëmtuar një gjatësi muri prej 12.2 ml, në disa seksione të shkarjeve rrjeta mbrojtëse është e dëmtuar dhe disa hyrje të tombinove janë të mbushura me material të skarpatave.

 

10 – Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile në tenderin “Rikonstruksion i segmentit Kukës-Shishtavec, loti II” u konstatuan se në punimet e skarpateve, nuk ka përshkrim për kushtet gjeologjike të zonës për sigurinë e qëndrueshmërisë së skarpatës. Gjithashtu për shkak të shkarjeve (rrëshqitjeve) të shkëmbinjve e dherave në skarpatat anës rrugës, u dalluan disa prishje të shtresave asfaltike. Konkretisht në pikën 9+100 u konstatua rrëshqitje e skarpatës e cila rrezikon këtë segment rrugor.

 

11 – Nga auditimi i dosjes teknike të zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Rikonstruksioni i rrugës Qeparo-Kudhës-Kuç” Vlorë, deri në momentin e auditimit për 3 situacione pjesore, u konstatua se është shtyrë afati i përfundimit të punimeve duke mos dhënë asnjë justifikim apo relacion argumentues nga kontraktori, supervizori dhe menaxheri i kontratës për vonesa në realizim e objektit. Në administrimin e pjesshëm të dokumentacionit të punimeve mungojnë korrespondencat e palëve për miratimin, konsultimin e urdhërit të ndryshimit për zgjatjen e përfundimit të punimeve.

 

Ekskluzive standard.al

 

Loading...

1 Koment

  1. Gazetaret e sotem pa nivel dhe pa profesionalizem, marrin persiper te gjykojne institucionin elite te ketij vendi.
    Mjafton nje perballje me FSHZH dhe kupton frymen pozitive dhe punedashese te atij institucioni te vleresuar nga donatoret ne mbare boten dhe kulturen europiane te te punuarit, qe padyshim rrjedh vetem nga nje drejtues largpames dhe puentor.

Lini nje pergjigje