Burri e rrihte, pronari e mashtroi, 46-vjeçarja: Rrezikoj të ngelem me vajzën në mes të rrugës

0
243

Historia e saj e vuajtjeve është jo e rrallë në Shqipëri por ndërsa dikush gjen një dritë në fund të tunelit apo një rreze shprese, Mimoza ka kaluar gjithmonë nga një tunel në tjetrin. Ajo rrëfen problemet e saj sociale dhe ekonomike në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 të gazetares Evis Ahmeti.

Mimoza Karamani është 46 vjeçe dhe vjen nga Drenova e Korçës. Viti 1999 do të ishte për të viti i ndryshimeve të mëdha. U martua me Qetësorin dhe ndërtuan së bashku një jetë të përbashkët të re. Por pikërisht atëherë kur priste që t’i gëzohej çdo çasti, gjithçka mori një tjetër rrjedhë. U njoh me përbuzjen, fyerjen, dhunën permanente fizike dhe psikologjike. Bashkëshorti abuzonte me alkoolin dhe nën efektin e tij bëhej i dhunshëm.

Kjo situatë vazhdonte edhe kur në jetë erdhi vajza e tyre Maria. E detyruar dhe e gjendur në të tilla kushte u divorcua, gjykata vendosi që ajo të kishte në kujdestari të bijën dhe apartamenti i tyre i vogël të ndahej në 2 pjesë, raporton “BalkanWeb”.

Për shkak të mospagesave të pensionit ushqimor shtëpia kaloi e gjitha në emrin e Mimozës. Me përpjekjet e shumta të sajat dhe ndihmat nga familjarë të afërm dhe komuniteti arriti të rriste Marian e cila sot është 18 vjeçe. Por problemet e tyre vazhdojnë ende. Prej disa vitesh ajo punonte në një punishte ëmbëlsirash dhe pronari ka vendosur në një kredi emrin e saj dhe të punonjësve të tjerë. Aktualisht është dhënë një vendim gjykate, pronari është arrestuar, por ajo po rrezikon shumë dhe nëse nuk arrin dot të shlyejë detyrimin ndaj bankës, do të humbasë shtëpinë.

Mimoza bën apel që kjo situatë të zgjidhet në mënyrë që ajo dhe Maria të mos përfundojnë në rrugë.
Mimoza kalvari jot ka nisur që në moshën 6 muajshe?
Jam paralizuar në moshën 6 muajshe. Kam arritur të shkollohem me sakrifica të mëdha. Në 1999 jam martuar dhe kam lindur edhe një vajzë. Kam përjetuar drama familjare duke pasur dhunë fizike të vazhdueshme, burri ishte i alkoolizuar deri sa u divorcova. Vajza ime Maria është maturante sot.

Çfarë ndodhi me ty?
Më goditi poliomieliti, përjetova një rritje temperature. Goditjen e pata në anën e këmbeve, fatmirësisht jo në tru. Me kalimin e viteve jam ngritur më këmbë. Kam ecur me shoqërinë. Në moshën 2 vjeç e gjysmë jam ngritur më këmbë.

Je paragjykuar për problemet?
Gjithmonë e kam ndjerë veten mes njerëzve. Kam qenë e rrethuar nga njerëz të mirë. Kam ndjekur të mesmen për ekonomik. më kanë trajtuar në mënyrë të përsosur, si një person normal. Pas mbarimit të shkollës, kam hyrë llogaritare në një ndërmarrje të furnizimit të punëtorëve por ndërmarrja u mbyll. Hyra në një firmë private, paguhesha 2 mijë lekë. Krijoja mundësi të ecja më para. Arrita të pozicionohesha në punë të mira. Në moshën 25-vjeçare unë u fejova, ishte zgjedhje e familjes, me mblesëri.

Si ka qenë takimi i parë me burrin?
Në takimin e parë i kam thënë që këto fatkeqësi kam, këto mundësi kam, si dhe ku do jetonim. Ai ishte nga fshatrat e Përmeti, por unë nuk jetoja dot atje. Ai tha që do vinte në Korçë. Ndenjëm 2 vjet të fejuar për të njohur njëri-tjetrin. pas 2 vjetësh u martuam, blemë një apartament, 2 milionë dhe u punësuam të dy tek i njëjti pronar. Vazhduam jetën normale. Personi në fjalë punonte në ujësjellës por për shkak të alkoolit u fut në borxh të madh tek kjo ndërmarrje dhe nisëm punë tek biznesi.

Babai i Marias i ka para borxh Ujësjellësit?
Po se pinte. E mësova nga drejtori i ndërmarrjes. Ish-bashkëshorti im e pranoi fajin dhe ne i shlyem borxhet me sakrifica.

Në fillimet e veta, a konsumonte alkool bashkëshorti?
Nuk më treguan por e zbulova vetë. Që në momentin që u martuam. Tek puna e shtoi më shumë konsumin e alkoolit dhe krijonte shenjat e para që ishte i alkoolizuar.

Kur filloi të ushtronte dhunë ndaj teje?
Qëkur nisi të pinte, filloi dhuna. Pa lindur vajzën, disa muaj pas martese. 5 vite e gjysmë ka zgjatur dhuna ime. Ecja me bindjen se do ndryshojë. Mendoja për vajzën, nuk doja që një familje që e krijova me mundim por ai arriti deri aty sa nuk mundja ta mbaja. U mundua të linte alkoolin por ishte e kotë. Madje ka marrë edhe hape për të mos pirë por nuk i bënë efekt.

Kur i dhatë lajmin që do divorcoheshit, si e priti?
Asnjëherë nuk e ka pranuar divorcin me mua. As tani nuk e koncepton dot idenë që jemi të ndarë. Ecën me atë mendim që unë do rikthehem me të. Por, kjo nuk mund të ndodhë më. Unë jam rikthyer disa herë me të që të mos shkatërroja familjen por duke parë se çfarë bënte nuk munda më.

Divorci u bë në 2004, aktualisht si i keni marrëdhëniet?
Të mira. Divorcin nuk e pranon por në lidhje me vajzën mundohem të mos i krijoj urrejtje ndaj babait. I kam thënë që ti do respektosh se është babai jot, çfarë do që të ndodhë por nuk i ka shlyer detyrimet që i takojnë ndaj vajzës.

Duket sikur ti ja ke dalë mbanë pavarësisht problemeve?
Po jam aktiviste, kryetare e shoqatës për persona me aftësi të kufizuara. Luftojmë për të drejtat e personave me probleme.

Kur mendove se ishte e fortë pavarësisht problemeve?
Gjithmonë jam munduar të eci me kokën lart. Edhe vajzës i kam krijuar një jetë normale që mos t’i mungonte gjë. Më ka ndihmuar familja shumë. Gjithmonë kam punuar.

Kur e mësove që re pre e mashtrimit?
Duke qenë se ishim punonjëse pronari na thotë se duhet të merrte një kredi për të vazhduar punën. Duke parë që shoqatat nuk jepnin kredi të mëdha, duhet të merrte në bankë. Ai na kërkoi që të ishim garant dhe ne pranuam, firmosëm një aktmarrëveshje. Nuk bëmë asnjë veprim ligjor, firmosëm tërheqjen e lekëve, 2 milionë lekë të vjetra. Ai filloi duke thënë se ju nuk do keni asnjë problem, këto lekë do i shlyej vetë. Deri sa një ditë na vjen njoftimi, që ju keni pa shlyer një këst kredie 40 mijë lekë të reja se keni hedhur firmë dhe ishin mbajtur nga paga.

Unë e kundërshtova këtë dhe hapa gjyq se unë isha e dëmtuar e mashtruara që të dëmshpërblehesha. Gjykata i kërkoi pronarit t’i shlyente edhe mua për të më shlyer lekët banka. Në vendimin e Gjykatës, së formës së prerë në vitin 2010 ishte që mua të më shlyhej pagesa 740 mijë lekë të vjetra nga banka por banka se shlyeu asnjëherë.

Për momentin je në punë?
Jo nuk jam në punë. Me punishten i kam ndërprerë prej kohësh. Brenda vitit të marrjes së kredisë.

Shoqeve të tjera ua ka dhënë likuidimin?
Jo nuk ua ka dhënë, por ato nuk janë në rrezik të dalin jashtë. Mendoj se ato kanë gjetur metoda të tjera, mund të kenë bërë marrëveshje. Ndërsa unë kam përdorur rrugët ligjore. Edhe mua edhe ish-bashkëshortit na vijnë fletëthirrje nga Përmbarimi, Banka. Mua më kanë lënë afat deri në fund të muajit që të lidh një marrëveshje ose ndryshe do më nxjerrin nga shtëpia. Unë kërkoj të më jepet e drejta ime, pasi rrezikoj të hidhem në rrugë të madhe bashkë me vajzën.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here