Dosja hetimore/ Skandali i përdhunimit, si nisi sherri mes “Stresi-t” dhe Leonard Bombajt

0
306

Regjisori Leonard Bombaj i akuzuar për përdhunim nga një nxënëse e akademisë së tij artistike, e ka filmuar të miturën 16-vjeçare teksa ajo kërkonte ndjesë për deklaratat e saj. Ky fakt përmendet në dosjen penale që ka mbërritur dje në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me pesë persona të akuzuar për “gjobëvënie” ndaj regjisorit Leonard Bombaj.

Këngëtari Arkimed Lusha, i njohur me emrin Stresi, por edhe vajza 16-vjeçare, e cila e akuzoi Bombajn për përdhunim, ndodhen në listën e të pandehurve, së bashku me tre persona të tjerë. Sipas prokurorisë, të akuzuarit e kanë kryer veprën penale në dëm të regjisorit Leonard Bombaj në datat 22-23 korrik 2010. Prokuroria pohon se ka faktuar kallëzimin e Bombajt për kanosje e gjobëvënie, ndërsa nuk ka arritur të provojë asgjë nga akuzat që vajza ka bërë për përdhunim. Sipas dosjes së mbërritur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, vajza 16-vjeçare me ekspertizë ka dalë se ka kryer mardhënie seksuale, por sipas prokurorisë, nuk ka qenë e mundur të përcaktohet koha dhe personi me të cilin ka ndodhur akti seksual.

 

Si filloi historia

Në dosjen e mbërritur dje në Gjykatë, e cila u është dhënë edhe avokatëve, citohet se:

Shtetasi Leonard Bombaj është me banim në qytetin e Tiranës dhe në vitin 2003 ka krijuar qendrën artistike të fëmijëve “Sirea Film”, me seli në qytetin e Tiranës.

Objekti i punës dhe aktiviteti i kësaj qendre ka qenë identifikimi, zbulimi dhe shkollimi i talenteve të reja në fushën e artit, muzikës, dramës, aktrimit, ku si drejtues i kësaj shkolle ka qenë vetë shtetasi Leonard Bombaj.

Krahas nxënësve që janë regjistruar në këtë qendër arti, është aktivizuar dhe e pandehura A. Xh, e cila rezulton të ishte vajza e shtetasit Albert Xh. Hetimi ka provuar se me datë 30.08.2010, bordi drejtues i qendrës artistike “Sirea Film” ka vendosur përjashtimin e të pandehurës A.Xh nga kjo qendër me motivacionin ulje të nivelit artistik dhe dëmtim të imazhit artistik të “Sirea filmit”. Këtë vendim të stafit të qendrës ka marrq përsipër t`ia komunikojë shtetasit Albert Xh. vetë drejtuesi i qendrës, Lonard Bombaj .

Pasi kanë biseduar në telefon ku ka lënë vendin dhe orën e takimit, shtetasit Leonard Bombaj dhe Albert Xh. janë takuar në një zyrë avokatje te pazari i ri, në prani të shtetases Gjystina Golloshi, e cila rezultonte të ishte avokate e qendrës “Sirea Film”.

Takimi është zhvilluar në fillim të muajt shtator, 2010, ku të pranishëm në këtë takim kanë qenë Leonard Bombaj, Albert Xh. dhe avokatja Gjystina Golloshi. Nga ana e shtetasit Leonard Bombaj, i është komunikuar shtetasit Albert Xh. vendimi i bordit drejtues të qendrës “Sirea Film”, sipas të cilit ishte vendosur përjashtimi nga qendra e të pandehurës A.Xh. për shkelje etike dhe disipline.

Një vendim i tillë nuk është pritur mirë nga Albert Xh. dhe ky i fundit, duke u ndjerë i fyer, ka fyer dhe sharë shtetasin Leonard Bombaj për vendimin që ai dhe bordi i qendrës që drejtohej prej tij kishin marrë në adresë të vajzës së tij. Pasi ka mësuar për vendimin e marrë nga bordi drejtues i shkollës “Sirea Film”, shtetasi Albert Xh. është larguar nga zyra e avokates Gjystina Golloshi dhe ka shkuar në qytetin e Burrelit, ku vajza e tij dhe nxënësit e qendrës po jepnin shfaqen koncertale “Kripmjaltëzat”.

Shtetasi Albert Xh. ka marrë vajzën e tij dhe e ka sjellë atë në Tiranë, pa e lejuar të jepte shfaqen për të cilën kishte shkuar në Burrel. Nga ana tjetër, shtetasi Leonard Bombaj, duke konsideruar se ishte fyer e kanosur nga ana e shtetasit Albert Xh., është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr.1 ku dhe ka bërë kallëzimin përkatës në ngarkim të shtetasit Albert Xh.

Një ditë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi Leonard Bombaj, më datë 05.09.2010, në Komisariatin e Policisë Nr.1 është paraqitur e pandehura A. Xh., e cila në prani të xhaxhait të saj, shtetasit Kastriot Xh., dhe psikologes, ka paraqitur kallëzimin përkatës.

 

Akuzat e vajzës

Në kallëzimin e saj bërë në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë, A. Xh., ndër të tjera, pretendon se është aktivizuar në qendrën “Sirea Film” në moshën 8-vjeçare.

Më pas, në moshën 10-vjeçare, për shkak të afrimitetit familjar të krijuar ndërmjet saj dhe shtetasit Leonard Bombaj, gjithnjë sipas saj, shtetasi Leonard Bombaj ka kryer kundra dëshirës së saj marrëdhënie seksuale në ambientet e apartamentit te tij. Vajza tregon se nga fundi i muajt dhjetor 2009 është ftuar nga Leonard Bombaj në banesën e këtij të fundit.

Pasi kanë hyrë në banesë, ku nuk ndodhej asnjë njeri, sipas vajzës, shtetasi Leonard Bombaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Sipas A. Xh., në muajin mars të vitit 2010, shtetasi Leonard Bombaj ka kryer përsëri marrëdhënie seksuale me dhunë me të në një nga hotelet në rrugën nacionale Tiranë–Elbasan.

Sipas vajzës, Leonard Bombaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të me dhunë më datë 22.07.2010, në banesën e tij.

Sipas prokurorisë, në lidhje me marrëdhënien seksuale të kryer ndaj saj nga Leonard Bombaj, shtetasja A. Xh. ka vënë në dijeni shtetasin Arkimed Lushaj, me të cilin kishte lidhje shoqërore. Në bisedën e zhvilluar, i pranishëm ka qenë dhe Relado Kurti.

Në fund të muajit korrik të vitit 2010, me kërkesë të vajzës është zhvilluar një takim me shtetasin Leonard Bombaj në prani edhe të Arkimed Lushaj e Relado Kurti, ku personat janë takuar dhe kanë biseduar me njëri-tjetrin. Më 22 korrik 2010, vajza ka shkuar në banesën e shtetasit Leonard Bombaj për t’u sqaruar dhe për të marrë një vërtetim që Leonardi kishte për t’i bërë për babain e saj, pasi ky vërtetim i duhej familjes së saj për kredi.

Së bashku me vajzën, kanë shkuar dhe të pandehurit Arkimed Lushaj, Relado Kurti, Erlis Bashaj, Sevastjan Kallabaku, i thirrur me nofkën “Andi Arusha” dhe një person i paidentifikuar me emrin Mersin.

Arsyeja që sipas vajzës 5 personat kanë shkuar në banesën e Leonardit kishte të bënte me faktin se ata duhej ta detyronin Leonardin të tërhiqte vendimin që stafi i “Sirea Filmit” kishin marrë për pezullimin e saj nga shkolla, si dhe t’i kërkonin që të mos i binte më në qafë.

 

Bie “përdhunimi”

“Nga ana e organit procedues janë kryer një numër i madh veprimesh hetimore në lidhje me akuzën e ngritur nga ana e A.Xh. në adresë të shtetasit Leonard Bombaj. Në lidhje me pretendimet e shtetases A. Xh., janë pyetur shtetasit Renaldo Kurti e Arkimed Lusha, të cilët kanë lidhje shoqërore me këtë shtetase.

Në deklarimet e tyre, shtetasit Relado Kurti e Arkimed Lusha ndër të tjera, deklarojnë se kanë mësuar nga ana e vajzës se shtetasi Leonard Bombaj ka kryer marrëdhënie seksuale kundra dëshirës së saj dhe me dhunë. Gjithnjë sipas shtetasve Renaldo Kurti e Arkimed Lusha, pasi kanë mësuar këtë gjë nga ana e shtetases A.Xh., ata kanë mundur të komunikojnë me shtetasin Leonard Bombaj dhe sipas tyre, Leonardi i shmangej sqarimit të problemit.

Në bazë të aktekspertimit mjeko-ligjor Nr.946, datë 06.09.2010, mbi ekzaminimin e shtetases A. Xh. ka rezultuar se kjo shtetase është e defloruar e vjetër dhe se kjo shtetase e ka arritur pjekurinë seksuale.

Një konkluzion i tillë nuk mund të provonte kohën e saktë dhe periudhën e deflorimit të të pandehurës A. Xh. Nga të gjitha provat e grumbulluara gjatë hetimeve, ka rezultuar se kallëzimi i vajzës mbetej i vetëm, i pambështetur në prova të tjera dhe jo i vërtetë, veçanërisht në datat dhe vende ku e dëmtuara pretendon se është dhunuar psikologjikisht dhe seksualisht nga Leonard Bombaj.

Organi procedues, megjithëse ka kërkuar prova gjatë gjithë fazës së hetimit, veç kallëzimit të A. Xh. nuk ka arritur të sigurojë asnjë fakt të drejtpërdrejt apo të prejardhur që të provonte kryerjen e veprës penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë nga shtetasi Leonard Bombaj, në dëm të saj.

Duke qenë se gjatë hetimeve të kryera në funksion të kallëzimit të të dëmtuarës nuk është arritur të provohet kryerja e veprës penale nga Leonard Bombaj, çështja penale ndaj tij është pushuar më dt. 20.09.2011, me argumentin se nuk provohet që Leonard Bombaj të ketë kryer këtë vepër penale.

Njëkohësisht, meqenëse nuk është arritur të identifikohej personi i 6-të i thirrur me emrin Mersin, i cili rezulton të ketë marrë pjesë në ngjarjen e dt. 22 dhe 23.07.2010 në banesën e shtetasit Leonard Bombaj, procedimi penal nr. 89 është ndarë në procedimin penal nr. 89/1, me autor të pandehurit A. Xh., Arkimed Lushaj, Relado Kurti, Erlis Bashaj, Sevastjan Kallabaku.

Hetimet e procedimit penal nr. 89/1 kanë vazhduar për të dokumentuar rolin e secilit prej të pandehurve në këtë ngjarje si dhe për të provuar plotësisht akuzën në ngarkim të 5 të pandehurve .

Njëkohësisht, në funksion të procedimit penal nr. 89 po kryhen verifikime të mëtejshme në kuadër të procedimit penal nr. 89, për zbulimin e autorit të 60-të të veprës penale, konkretisht të shtetasit me emrin Mersin, gjeneralitet e të cilit nuk është arritur të gjenden deri në këtë fazë të hetimeve .

Në funksion të këtij procedimi, organi procedues i ka kushtuar një vëmendje të rëndësishme kallëzimit të të dëmtuarit Leonard Bombaj, kallëzim që kishte të bënte me dhunën fizike e psikike që është ushtruar në banesën e tij, më dt. 22 dhe 23 korrik 2010.

Sipas prokurorisë, ngjarjet kanë ndodhur si më poshtë:

Vajza ka qenë nxënëse e tij dhe është aktivizuar në qendrën kulturore “Sirea Film” që në moshën 8-vjeçare. Për talentin dhe dhuntitë artistike që ka pasur kjo nxënëse, shume shpejt është promovuar artistikisht në qendren “Sirea Film”.

Në harkun kohor 2009 -2010, nga ana e stafit pedagogjik të “Sirea Filmit” është vënë re një shthurje artistike e shtetases A. Xh., shthurje që kishte lidhje dhe me aspektin disiplinor të kësaj nxënëseje. Në lidhje me këtë fakt, duke u nisur dhe nga shoqëria jo e rregullt që kishte zënë A. Xh., stafi i Sireas e ka thirrur dhe e ka këshilluar të hiqte dorë nga shoqëria që kishte zënë, si dhe ti kthehej rrugës së artit.

Vetë Lonard Bombaj ka komunikuar me vajzën, duke i thënë se nëse vazhdonte në këtë rrugë, ajo mund të pezullohej nga shkolla për një periudhë 6-mujore. Me një vendim të tillë, nxënësja nuk ka qenë dakord dhe për këtë ka komunikuar dhe i ka kërkuar ndihmë Arkimed Lushës, me të cilin ishte njohur në verën e vitit 2009.

Duke parë humbjen e përkrahjes artistike të qendrës “Sirea Film” faktin e lënies në role dytësore, vetë vajza ka kërkuar të takohej me shtetasin Leonard Bombaj, në prani të pandehurve Arkimed Lusha dhe Rrelado Kurti, ky i fundit ishte lidhje miqësore e familjare e shtetasit Arkimed Lusha.

Të katër personat janë takuar në një lokal ku gjatë bisedës së zhvilluar mes tyre, Leonard Bombaj nuk ka pranuar të kishte pasur lidhje me A. Xh. Nga Arkimed Lusha dhe Relado Kurti i është kërkuar Leonard Bombajt që vajza të mos ngacmohej e vetë Leonardi është kërcënuar me jetë nëse babai i vajzës do të mësonte vendimin që do të merrte stafi i Sireas për pezullimin e saj 6 muaj, Leonardi do kishte probleme serioze dhe me jetën.

Më datë 22.07.2010, vajza me qëllim që të hakmerrej ndaj Leonard Bombajt, në lidhje me vendimin që ai kishte marrë për ta pezulluar nga shkolla për një periudhë 6-mujore, shoqëruar nga të pandehurit Arkimed Lusha (thirret Stresi) Relado Kurti, Erlis Bashaj dhe Sevastjan Kallabaku thirret me nofkën “Andi Arusha” dhe një person të cilin hetimi nuk ka arritur ta identifikojë i thirrur “Mersin”, kanë hyrë në banesën e shtetasit Leonard Bombaj dhe e kanë dhunuar atë fizikisht dhe psikologjikisht.

Pasi kanë hyrë në banesë, nën kërcënimet psikologjike dhe fizike, personi i thirrur Mersin kishte një armë pistolet në dorë, i kanë kërkuar Leonard Bombajt që të paguante një shumë prej 20 000 eurosh, me qëllim që të mos bëhej publik skandali tij me nxënësen, ndonëse Leonardi nuk pranonte ekzistencën e një marrëdhënieje të tillë.

Personat e kanë shantazhuar Bombajn, duke i thënë se e kishin filmuar dhe se nëse nuk paguante shumën 20000 euro, do ta shihte veten në rrjetin kompjuterik “Youtube”.

Personat e kanë kërcënuar Leonardin se nëse do ndërmerrte ndonjë veprim për pezullimin ose përjashtimin e vajzës nga shkolla, e nëse ky i fundit do t’i tregonte babait të vajzës në lidhje me sjelljen e saj, Leonardi dhe familja e tij do të zhdukeshin fizikisht.

Në bisedën që është zhvilluar në apartamentin e Leonard Bombajt, vajza pasi ka kontrolluar në çantën e Leonardit, u ka treguar bashkëpunëtoreve të saj me të cilët kishte hyrë në shtëpi një kartë krediti të Leonard Bombajt, duke u thënë se paratë Leonardi i ka në bankë dhe u ka dorëzuar atyre karten e kreditit të Leonard Bombajt.

Po atë ditë, nën kërcënimin e vazhdueshëm të 5 të pandehurve, shtetasi Leonard Bombaj i shoqëruar nga shtetasit Erlis Bashaj, Relado Kurti dhe Sevastjan Kallavaku, kanë shkuar në bankomatin që ndodhet te ETC Tirana, tre të pandehurit Relado Kurti, Erlsi Bashaj dhe Sevastjan Kallabaku e kanë detyruar Leonard Bombajn të tërheqë një shumë prej 50 000 lekësh, nga numri i llogarisë së tij. Një fakt i tillë është më se i provueshëm nga filmimi i kameras së bankës si dhe konfirmimi i sjellë nga filiali i kësaj banke për llogari të procedimit 89, viti 2010.

Hetimi ka provuar se nga banesa e shtetasit Leonard, deri te bankomati, tre prej të pandehurve Relado Kurti, Erlsi Bashaj dhe Sevastjan Kallabaku ( i thirrur Andi Arusha) kanë shkuar me makinën e Leonardit, konkretisht autoveturen Benz Mercedes E Clas E270 CDI, me targë TR 9485L.

Ndërsa A. Xh., së bashku me të pandehurin Arkimed Lushaj dhe personin e pa identifikuar të thirrur me emrin Mersin janë larguar me makinën e Arkimedit për të pritur tre të pandehurit e tjerë te lokali “Prada” që ndodhet te Rruga e Dibrës. Pasi kanë tërhequr shumë e lekëve nga bankomati, tre të pandehurit, së bashku me shtetasin Leonard Bombaj kanë shkuar përsëri në banesën e shtetasit Leonard dhe pasi kanë lënë aty shtetasin Leonard, janë larguar me automjetin e këtij të fundit për t’u takuar me Arkimed Lushajn dhe të pandehurën A. Xh., të cilët i prisnin te bar “Prada” në Rrugën e Dibrës.

Nga personat që kanë shkuar në banesë, shtetasi Leonard Bombaj ka mundur të identifikojë të pandehurit Arkimed Lusha, Rolado Kurti, Elis Basha, personin e thirrur “Andi Arusha”, i identifikuar me pas me emrin Sevastjan Kallavaku dhe një person tjetër i paidentifikuar, i thirrur Mersini.

Me qëllim që të përfitonin shumën prej 20000 eurosh, që i kishin kërkuar të 5 të pandehurit më datë 23.07.2010 të pandehurit Arkimed Lushaj ,Erlis Bashaj, Relado Kurti dhe Sevastjan Kallabaku e kanë marrë dhe e kanë detyruar shtetasin Leonard Bombaj të shesë autoveturen e tij tip “Benz Mercedes” E clas në vlerën 5000 euro, shtetasit Gazmend Canaj dhe Dionis Jazaj (këta dy të fundit, lidhje miqësore me njëri-tjetrin). Hetimi ka provuar se shtetasi Leonard Bombaj, ditën e nesërme, më datë 23.07.2010, rreth orëve të paradrekës, i kanë shkuar në banesë shtetasit Sevastjan Kallabaku, Arkimed Lusha, Relado Kurti dhe Erlis Bashaj, të cilët ishin me automjetin e shtetasit Leonard, që ia kishin marrë një ditë më parë.

Këta persona i kanë kërkuar shtetasit Leonard që të shkonin së bashku me ta te Drejtoria Rajonale e Shërbimit Transportit Rrugor, me qëllim që të tërhiqnin certifikatën e pronësisë së automjetit. Pasi kanë mundur të sigurojnë këtë certifikatë, këta persona kanë shkuar te një noter ku kanë nënshkruar një kontratë shitje të automjetit me targë TR 9485 L.

Në prani të këtyre personave, në zyrën noteriale të noteres Shpresa Goci, është përpiluar nën dhunë psikike, akti noterial i shitjes se automjetit me shitës shtetasin Leonard Bombaj dhe blerës shtetasin Dionis Jazaj, Tiranë.

Pas përpilimit të kontratës, e cila duhet thënë i është marrë nën presion psikik të dëmtuarit Leonard Bombaj blerësi Dionis Jazaj ka shkuar së bashku me të pandehurit Arkimed Lushaj, Sevastjan Kallabaku, Erlis Bashaj dhe Relado Kurti te Shkolla e Bashkuar, ku ka srevisin kunati i tij, Gamend Canaj dhe Gazmendi u ka dhënë 4 të pandehurve Sevastjan, Arkimed, Relado dhe Erlis shumën 5000 euro, shumë të cilën e kishin vlerësuar makinën e Leonard Bombajt të 4 të pandehurit.

Hetimi ka provuar se në prani të Dionis Jazajt, Gazmend Canajt dhe 4 të pandehurve është kryer shkëmbimi i makinës me shumën e 5000 eurove, shumë të cilën e ka marrë personi i thirrur “Andi Arusha”, i identifikuar gjatë hetimit me emrin Sevastjan Kallabaku.

Meqenëse brenda dy ditëve shtetasi Leonard Bombaj është dhunuar fizikisht, psikologjikisht, si dhe ka humbur paratë dhe makinën, ai ka komunikuar menjëherë me shtetasin Sali Lusha, babai i të pandehurit Arkimed Lusha, ku e ka vënë në dijeni atë në lidhje me ngjarjen që atij i kishte ndodhur. Dy ditë më pas, gjithnjë sipas shtetasit Leonard Bombaj, shtetasi Sali Lusha i ka kthyer shtetasit Leonard automjetin me targë TR 9485 L., automjet të cilin ia ka marrë shtetasve Gazmend Canaj dhe Dionis Jazaj të cilët këtë mjet e kishin blerë me kontratë të rregullt shitje te noteria Shpresa Goci.

Hetimi ka provuar gjithashtu se shtetasi Leonard Bombaj ka komunikuar me sms me të pandehurin Erlis Bashaj, i cili pas ngjarjeve të datës 22 dhe 23.07.2010, i ka kërkuar Leonardit një shumë prej 3000 Euro me qëllim që të mbyllte problemin me organet e Drejtësisë, por një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga ana e të dëmtuarit Leonard.

Më dt. 22.07.2010, kur ka hyrë në banesën e Leonard Bombajt, i pandehuri Erlis Bashja është prezantuar si shef i Policisë Kriminale të Komisariatit Nr.2, Tiranë. Në lidhje me këtë fakt, gjatë dhunës fizike dhe psikike që ushtrohej në banesën e Leonard Bombajt, i pandehuri Erlis Bashaj në një fletë formati A4, ka përpiluar me shkrim dore një “Deklaratë Kallximi”, dt. 22.07.2010, ku në të ka shkruar emrat dhe gjenaralitetet e Leonard Bombajt dhe A. Xh. deklaratë e cila është sekuestruar në funksion të këtij procedimi penal. Për të provuar faktin se shkrimi në deklaratë i përket Erlis Bashajt në ambientet e Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë janë marrë dorëshkrime të lira dhe eksperimentale këtij të pandehuri. Nga akt-ekspertimi grafik nr. 8004, dt. 26.09.2011 është konkluduar se deklarata e kallëzimit dt. 22.07.2010, duhet të jetë shkruar nga i pandehuri Erlis Bashaj.

I pyetur në lidhje me akuzat e ngritura nga vajza, shtetasi Leonard Bombaj dëshmon se këto akuza janë një hakmarrje personale e nxënëses në lidhje me faktin e largimit të saj si imazh artistik i “Kripmjaltëzave” dhe cenim i figurës së saj artistike pas vendimit që stafi i “Sirea Filmit” kishte marrë në lidhje me përjashtimin e saj nga kjo qendër arti .

Në funksion të hetimeve të kallëzimit të shtetasit Leonard Bombaj, organi procedues ka thirrur dhe pyetur në cilësinë e deklaruesve nxënëset e qendrës artistike “Sirea Film”.

Nga pyetjet e nxënëseve Fabiola Nuro dhe Joana Doda, ka rezultuar se këto nxënëse kanë mësuar nga A.Xh. marrëdhëniet e saja me profesorin Leonard Bombaj.

Vajza u ka treguar këtyre shtetaseve se gjate momentit kur ka qenë duke regjistruar një këngë në studion e Kristi Popës, ajo është konfliktuar me profesor Nardin, duke shkëmbyer me të në fillim fjalë fyese e meë pas janë konfliktuar, duke u goditur me shpulla dhe grushte.

Të dy dëshmitaret dëshmojnë se vajza për këtë konflikt i ka kërkuar ndihmë Arkimed Lushës dhe së bashku me Arkimedin dhe shokët e tij i kanë shkuar në shtëpi profesorit. Referuar thënieve të vajzës, në deklarimin e tyre thuhet se me dt 22.07.2010 ajo ka shkuar në shtëpinë e Leonardit dhe kur Leonardi ka tentuar ta prekë në vende intime, ajo ka shkuar dhe ka hapur derën e shtëpisë së tij, ku brenda shtëpisë kanë hyrë çunat në mënyrë të dhunshme.

Gjithnjë sipas vajzës, Arkimed Lusha i ka kërkuar Leonard Bobjat llogari në lidhje me faktin se përse kishte dhunuar të dashurën e tij (kështu e kishte prezantuar ai A-në atë ditë në shtëpinë e Leonardit) dhe e ka kërcënuar Leonardin se do ta nxirrte në “Yutube” e do ta filmonin duke dhunuar A. Në dëshmitë e tyre të dy dëshmitarët hedhin dritë dhe në lidhje me sjelljen e A. Xh., veçanërisht gjatë vitit 2010. F. N. dhe J. D. dëshmojnë se në vitin 2010, vajza kishte ndryshuar krejtësisht në sjellje, në luk dhe veçanërisht në performancën e saj. Gjatë vitit 2010, ajo filloi të shoqërohej me djem të rritur, djem “të dhunshëm” e djem “të fortë”. Nxënësja filloi të vishej në mënyrë ekstravagante dhe kishte sjellje jo të përshtateshme për qendrën artisike Sirea. Në muajin maj 2010, vetë A. u kishte thënë këtyre dy deklarueseve se …”do t’i bëjmë një video profesor Nardit t’i nxjerrim bojën nëpër media”. Te pyetur në lidhje me marrëdhëniet e A. me Leonard Bombajn të dy dëshimitaret mohojnë kategorikisht eksistencën e një marrëdhënieje afektive mes profesorit dhe vajzës, duke theksuar se profesor Leonardi ka qenë një prind për atë dhe ajo ka qenë imazhi real i “Kripmjaltëzave’ dhe i “Sirea Filmit”, falë ndihmës dhe përkushtimit të profesorit.

 

Filmimi i vajzës

Sipas prokurorisë, më datën 08 gusht 2010, vetëm 2 javë pas ngjarjes, nxënësja A. Xh. ka shkruar me dorën e saj një deklaratë ku kërkon falje dhe ndjesë publike qendrës “Sirea Film” dhe veçanërisht profesor Nardit në lidhje me të gjitha akuzat që ajo kishte hedhur në adresën e tij.

I shtyrë nga Leonard Bombaj, deklaruesi T. Ç. fton vajzën në qendrën Sirea dhe deklaraten publike që ajo kishte shkruar me shkrimin e saj e materializon në një incizim audioviziv ku nxënësja është filmuar duke kërkuar falje si Leonardit, ashtu dhe stafit pedagogjik “Sirea” në lidhje, me akuzat dhe shpifjet që kishte hedhur në adresë të gjithë stafit pedagogjik.

Me qëllim që të provonte autoresinë e së miturës A. Xh. dhe për të pasur një provë të fortë mbrojtjeje për vete, i dëmtuari Leonard Bombaj bisedon me dëshmitarin T. C. dhe të dy vendosin dhe incizojnë në disa raste, pa dijeninë e saj, vajzën që në shumë prej shpjegimeve të saj, përveçëse provon përpjekjet për të denigruar figurën artistike të Leonard Bombajt, provon njëkohësisht dhe akuzat që Leonard Bombaj hedh për të dhe bashkëpunëtorët e saj në ngjarjet e dt. 22 dhe 23.07.2010. /Panorama/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here