Respekti për antivlerat kthim në identitet

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

 Për një kohë të gjatë kam qenë në një dilemë të madhe brenda vetes, të largohem diku, pavarësisht statusit që do të kisha, apo të qëndroja duke menduar se do të vij një ditë, që në vendin tënd të respektohen vlerat. Kur mundem e kam kohë të reflektoj, pas një ngjarjeje, shëtitje me familjen, apo kur gjumi më del e rri e flas me veten. Në mendje më shkojnë rastet e shumta kur kam fajësuar veten që nuk ika në emigracion. Por ka jo pak raste që them se nëse do të mendonin të gjithë si unë, ky vend mund të zbrazej edhe më shpjet se çfarë po ndodh në realitet. Dikush do thotë, “prit o zotëri, se nuk ikin të gjithë se nuk i respektojnë, por për pak para më shumë, për një jetë më të qetë dhe për një…., dinjitet dhe vlera që respektohen më shumë, jashtë vendit tënd”. Kjo e fundit në fakt është e para dhe i vë vulën, dilemës së dilemave, që lindin:

Të rrimë e të shohim si na nëpërkëmbin, apo të ikim dhe të shpëtojmë atë pak dinjitet që na ka mbetur?

Nuk besoj se ka dikush ndonjë recetë, përgjigje, apo zgjidhje të shpejtë të kësaj situate, por ama gjithkujt e lind e drejta të bëj një analizë. Pyetja e parë që i shtron vetes, ai që është punëtor, fermer, hidraulik, mësues, pedagog, studiues, e kushdo është: Cili është roli që ka ai më shoqëri dhe sa respektohet ky rol? A mjafton vetëm një fjalë, ca furçe bajate apo thjesht respekti dhe nderimi për aq sa meriton. Natyrisht që gjithkush besoj se mendon që nderi dhe respekti t’i bëhet për aq sa meriton dhe kjo do të ishte idealja. Por Shqipëria ndër vite ka rezervuar tjetër fat si për qytetarin e thjeshtë ashtu edhe për dijetarin, si për atë që i bie bretku në punë dhe atij që mendon se përmes dijes do të ngjisë shkallët e hierarkisë në shoqëri. Shqipëria siç thoshte patriarku i të majtës shqiptare Agolli, është vendi ku “meritokracia u zëvendësua nga shkërdhatokracia” por “edhe vendi ku gdhihesh gjeneral e erresh kapter, erresh kapter e gdhihesh gjeneral”. Prej ditës që Agolli lëshoi këtë batutë realiste e deri më sot, për fat të keq, gjendja është bërë edhe më alarmante. Në lagje, fshat, rrugicë e po të doni edhe në qytete më të mëdha njihen me emra mbiemra, targa makinash, të fortët, arrogantët, pushtetarët, kriminelët, deputetët, etj., të cilët respektohen tej mase. Ata shihen si mbajtësit në këmbë të shoqërisë. Prej tyre pritet të pihet një gotë raki ose birrë, të dëgjohet një batutë, të xhirojnë gomat, të shajnë e bërtasin pa e vrarë mendjen për polic e shtet. Ata janë bërë shembulli më pozitiv për rininë e mbarë shoqërinë. Pak kush i njeh mësuesit, inxhinierët, pedagogët e lagjes, përveç kur u bie ndonjë hall, ose rastësisht e marrin vesh se gjenden edhe përtej kësaj race inferiore në lagjen e tyre. Në qytet dihet mirë kush e bën ligjin. Rreth tij thuren legjenda marramendëse, që nëse shkruheshin nga një dorë e kujdesshme e latoheshin mirë fjalët me siguri do të përbënin një skenar të hatashëm për filma hollivudianë. Ndërkaq që raca inferiore e të shkolluarve, përmenden vetëm njëherë kur aplikojnë ose është marrë vesh që kanë ikur në Gjermani, ShBA dhe Kanada e pasatja sërish mbizotëron harresa dhe heshtja. Prandaj të diturit, të shkolluarit edhe në punëra të mira qofshin mendojnë tanimë pa hezitim: “këmbët e shpejta, faqja e bardhë prej ferrit ku e futëm të gjithë bashkë vendin e të shpëtojmë atë pak dinjitet të mbetur”? Ndoshta në vendin ku do të shkojnë nuk do të jenë mësues, inxhinierë e pedagogë, por me siguri do të ndihen të respektuar, si qenie humane dhe sikundër e meriton kushdo pjesëtar i racës njerëzore.

Për çfarë i duan të diturit dhe ata që flasin hapur e guximshëm në vendin e tyre?

Të parët që ndiejnë nevojën e tyre, që t’i mbajnë afër përkohësisht janë politikanët. Këta i nuhasin kush janë, i gjurmojnë i gjejnë edhe në vrimë të miut të jenë fshehur. Të ngratët njerëz të dijes mendojnë se më në fund erdhi dita e tyre. Çlirojnë të gjitha energjitë e venë në dispozicion të tyre. Janë gati dhe sakrifikojnë gjithçka deri në të jetuarit me pak të ardhura e në mënyrë modeste, por me kënaqësinë se kanë fituar një betejë morale. Janë idealistë e mendojnë se mendimi i tyre që po dëgjohet sot, do të jetë nesër në themel të reformave, ndryshimeve, punëve të mira që do bëhen nesër, jo për ta për shoqërinë ku jetojnë. E ecin e ecin fare pa menduar se një ditë do të prekin humnerën. Nuk e mendojnë asnjëherë ditën që do t’i fyejnë lëndojnë, shajnë prapa kurrizit, do t’i lenë në fund të derës, ose do t’i rreshtojnë në skalionin e fundit, së bashku me ushtarët që nuk dinë të mbajnë ende armën, pale të luftojnë. Marrin përsipër vetes aksionin të dalin hapur në shtyp, media vizive, të falsin e ndonjëherë të kacafyten edhe jashtë natyrës së vet, me këdo që mendojnë se shkel parimet e madje duke mbajtur edhe anësi politike, duke menduar se e drejta është në anën e tyre. Por papritur roli i tyre zbehjet, Nga prapaskena shfaqen “të kulturuarit” me xhelatinë, me të folur dhe artikulim të qartë, njerëz të popullit që dalin, e i shtyjnë në cep këdo, e madje i duan jashtë vathës së partisë. Në fund të fundit ajo që na duhej e morëm. Tani që vjen momenti i tortës, ata, që ne i “respektonim” i “falënderonim” kur na bënin raporte, sqarime, na ndihmonin të kuptonim ato që nuk dinim, as që nuk duhet të shohin ku do të ndahet torta e jo më të ulen në tryezë. Tani vijnë “të dashuruarit e politikës”, njerëz që ndryshojnë lukun, kanë lidhje direkt me të madhin, nuk i mposht rryma edhe kur notojnë në të kundërt të rrjedhës së ujit.

Në përgjithësi kjo lloj gjindje, nuk është e egër. Përkundrazi. Ata buzëqeshin i takojnë të gjithë, “falsin e kuvendojnë”, vençe. Njerëzit i njohin më së pari në televizor si opinion bërës, apo figura të shquara të institucioneve ku punojnë, pastaj përfundojnë shumë shijet në radarët e partisë dhe zbresin në bazë. Forumet bëhen për ta dhe me pjesëmarrjen e tyre, ata janë të kudo ndodhur në ngjarjet ku media është e pranishme, për të fituar kapital. Ata që jua shtruan rrugën mundohen të të ngushëllojnë: “Leri të kënaqen se nuk u bë ndonjë gjë e madhe”. Në fakt ndonjë gjë e madhe nuk është bërë. Në fund të fundit në Shqipëri jemi. Nëse pret vlerësim për punën dhe kontributin e dhënë, do të marrësh mbrapsht mirënjohjen. Nëse mendon se mosmirënjohja është e vetmja gjë që të ndodh, gabohesh. Pas saj vjen analiza se “nuk merr vesh nga politika, ka ca gjëra që nuk varen në dorën tonë, nuk është ky formati ku duhet të flasësh, të mbetet hatri kot, mos e dhit muhabetin si katundarët”. Pra shkon deri aty puna sa të mbushte mendja se fajin e ke  vet. E deri kur të provohet e kundërta të paktën kufizohu të mos flasësh hapur se mbase i bën një shërbim familjes; Ca të ardhura më shumë në mënyrë që të mos zhytësh veten në dëshpërim për bukën e përditshme. Së paku fiton dinjitetin e të qenit të respektuar në familjen tënde të vogël.

 

Lini nje pergjigje