Liçencimi i dyshimtë i Abi Bank/ Pse BSH licencoi një bankë nga parajsat fiskale?

0
1027

Sistemi bankar në Shqipëri numëron 16 banka, por vetëm njëra prej tyre vjen nga kompani offshore. Ajo është Banka Amerikane e Investimeve, në bordin drejtues të së cilës pak muaj më parë u emërua bashkëshortja e kryeministrit, zonja Lindita Rama.

Banka Amerikane e Investimeve përbën një risi të çuditshme në sistemin financiar shqiptar, e cila ka habitur jo pak ekspertët.  Pronësia e saj është e pagjurmueshme, pasi kalon përmes parajsave fiskale.

Të gjitha bankat e liçencuara në Shqipëri zotërohen nga grupe të mirënjohura financiare kryesisht nga Europa Perëndimore. Pronësia e tyre është transparente dhe aksionerët që i zotërojnë janë të njohur publikisht.

Por në rastin e ABI Bank, çuditësisht kjo traditë u thye, duke ngritur dyshime të forta edhe ligjore për liçencimin e bankës në dhjetor të vitit 2015.

Pronësia e panjohur   

Banka Amerikane e Investimeve zotërohet 100 për qind nga një fond financiar i quajtur Tranzit sh.p.k. Por ky i fundit, zotërohet nga 3 aksionerë, një shtetas shqiptar me emrin Andi Ballta dhe dy fonde të tjera, NCH Balkan Fund dhe New Century Holding.

Të dy këto fonde, të cilat zotërojnë 70 për qind të Bankës Amerikane të Investimeve janë të regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Cayman.

NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, pra në ishujt Cayman është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit sh.p.k, Neë Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711.

Askush nuk e di se kush qëndron pas NCH Balkan Fund dhe New Century Holdings, për shkak të sekretit që ofrojnë parajsat fiskale. Ky fakt ngre dyshime të forta. Kush qëndron pas Abi Bank dhe pse BSH pranoi të liçensojë një bankë nga parajsat fiskale?

Pikëpyetje të mëdha ligjore

Baza ligjore që rregullon liçensimin e bankave është “Politika e licencimit të subjekteve bankare”. Në këtë dokument  përshtatshmëria e aksionerëve konsiderohet si një nga kushtet kryesore për liçencimin e një banke.

“Banka e Shqipërisë në shqyrtimin e kërkesave për licencë vlerëson kapacitetet financiare, integritetin dhe reputacionin etik dhe profesional të aksionerëve (themeluesve) të subjektit bankar, për arsye se këto elemente janë të rëndësishme dhe ndikojnë direkt në besueshmërinë e publikut ndaj bankës dhe ndaj sistemit bankar, në përgjithësi,” thuhet në rregulloren e liçencimit, e cila ka fuqinë e ligjit.

Syri.net kontaktoi një nga ekspertët më të njohur të sistemit financiar në vend, i cili në kushtet e anonimatit konfirmoi plotësisht dyshimet mbi liçencimin e bankës.

“Ka një arsye shumë të thjeshtë se pse rregullorja kërkon transparencën e aksionerëve. Banka është një institucion besimi. Por si mund t’i vlerësosh aksionerët kur ata janë të panjohur,” deklaroi ai.

Pse Banka e Shqipërisë pranoi të liçencojë një bankë me aksionerë fantazmë? Kush qëndron pas Bankës Amerikane të Investimeve? Dhe a është rastësi që një vit pasi guvernatori Gent Sejko i dorëzoi publikisht liçencën Abi Bank, në bordin drejtues të saj ulet bashkëshortja e kryeministrit të vendit?

Këto janë pikëpyetjet që ngre liçencimi i dyshimtë i Abi Bank dhe përfshirja e familjes kryeministrore në këtë institucion. Pikëpyetje, të cilat me gjasa do të marrin përgjigje gjatë muajve në vijim. Afera Abi Bank sapo ka shpërthyer.  /SYRI.net/

Image

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here