Ja ç’do të thotë fuqi e mendimit pozitiv!

0
304

Ndoshta keni vëlla më të vjetër që ka qenë student i shkëlqyeshëm. Gjithnjë ka marrë vetëm pesëshe, ndërsa ju vetëm treshe, dhe këtë gjithnjë iu kanë përmendur. Për këtë shkak, keni besuar se kurrë në jetë si ai nuk do të keni sukses. Duke marrë parasysh se ai gjithnjë ka marrë pesëshe, ndërsa ju treshe, keni përfunduar se jeni tërë jetën të dënuar me treshe. S’ka dyshim se kurrë nuk keni kuptuar se disa nga ata që kanë marrë nota jo të mira në shkollë, kanë arritur sukses më të madh jashtë shkollës.

BESONI NË VETE

Besoni në vete! Duhet të keni besim në aftësitë tuaja! Pa besim bindës ose të kuptueshëm në fuqitë tuaja, nuk mund të jeni të suksesshëm as të lumtur. Por, do të keni sukses me vetëbesim të vendosur. Ndjenjat e inferioritetit dhe të paaftësisë, e pengojnë arritjen e shpresave tuaja, por vetëbesimi udhëheq në drejtim të vetë realizimit dhe të suksesit të asaj që keni ndërmarrë. Për shkak të rëndësisë së këtij qëndrimi mendor, ky libër do t’ju ndihmojë që të besoni në vete dhe të lironi fuqinë e brendshme.

Është çudi të kuptoni se sa njerëz të mjerë janë të paaftë dhe që vuajnë nga sëmundja, të cilën populli e quan kompleks inferioriteti. Por, ju nuk duhet t’i nënshtrohuni kësaj të keqeje. Nëse ndërmerrni masa të drejta, do ta mposhtni. Besimin krijues mund ta zhvilloni në vete – besim që është i arsyeshëm.

Pas fjalimit të një konvente me njerëz afaristë, në sallën e këshillit komunal, gjersa isha në katedër duke i përshëndetur pjesëmarrësit, m’u drejtua një njeri, duke pritur shumë prej meje, dhe më pyeti: – A mund të bisedoj me ju për një temë, e cila për mua është shumë e rëndësishme?

E luta që të presë deri sa të shkojnë tjerët, e pastaj u tërhoqëm pas skenës dhe u ulëm.

– Kam ardhur në këtë qytet që të vendos për një kontratë shumë të rëndësishme në jetën time – më shpjegoi. – Nëse do të kem sukses, kjo për mua do të ishte me rëndësi të madhe. Nëse nuk do të kem sukses, do të pësoj.

I propozova që të qetësohet pak dhe i thashë se asgjë s’është e pakthyeshme. Nëse do të ketë sukses, do të ishte mirë. Nëse s’do të ketë sukses, nesër është një ditë e re.

– Kam mosbesim shumë të madh në vetvete – tha ai i thyer shpirtërisht. – Fare s’kam vetëbesim. Thjesht nuk besoj se atë do të mund ta realizoj. Jam shumë i demoralizuar dhe zemërlëshuar. Në të vërtet – ankohej ai – po thuaj se jam fundosur. Ja ku jam, i kam dyzet vjet. Përse tërë jetën më mundojnë ndjenjat e inferioritetit, mungesa e vetëbesimit dhe dyshimi në vetvete? Dje kam dëgjuar fjalimin tuaj, në të cilin keni shpjeguar fuqinë e mendimit pozitiv dhe dëshiroj t’ju pyes, si të kem pak besim në vete.

– Duhet të ndërmerrni dy hapa – iu përgjigja. – Së pari, është me rëndësi që të zbuloni pse i keni ato ndjenja, që ju bën t’ju mungojë fuqia. Kjo ka nevojë për analizë dhe do të zgjatë. Sëmundjet e jetës sonë emocionale duhet t’i trajtojmë si mjek që hulumton çfarë s’është në rregull me trupin. Kjo nuk mund të bëhet menjëherë, sidomos jo në bisedën tonë të shkurtë si atë të djeshmen, por duhet kërkuar shërim që të arrihet zgjidhje e përhershme. Por, që të tejkaloni këtë krizë momentale, do t’ju jap formulën, e cila do të ndikojë, nëse e përdorni.

– Ju propozoj, sonte, që, duke ecur rrugës, t’i përsëritni fjalitë që do t’ju them. Duhet thënë disa herë, para se të shkoni për të fjetur. Të nesërmen, pasi të zgjoheni, përsëritni tri herë, para se të ngriheni nga shtrati. Gjatë rrugës për në bisedime të rëndësishme, duhet t’i thoni edhe tri herë. Këtë bëjeni me besim dhe do të fitoni fuqi dhe aftësi të mjaftueshëm për ta zgjidhur atë problem. Pastaj, nëse këtë e dëshironi, mund të thellohuni në analizë të problemit tuaj themelor, por çfarëdo që do të zbulojmë, pas atij hulumtimi, formulën të cilën tani do t’ju jap, mund të jetë faktor i rëndësishëm për shërimin përfundimtar.

Pra, thënien që ia dhashë, ishte: »Gjithçka unë mund me ndihmën e Zotit që më jep fuqi.« (Letra drejtuar Filipinasve 4, 13). Ai, për këtë varg s’kishte dëgjuar, ia shkrova në letër dhe e detyrova ta lexojë tri herë me zë.

-Tani përmbajuni kësaj këshille dhe jam i sigurt se gjithçka do të bëhet siç duhet.

Ai u ngrit, për një çast qëndroi i qetë dhe pastaj me shumë besim tha: – Mirë, mjek. Mirë.

E kam shikuar si po largohej me krah të drejtuar në qetësinë e natës. Ishte aq i mjerë, por, megjithatë, duke u larguar mbahej sikur të kishte filluar besimi të ndikonte në mendimin e tij.

Pastaj më lajmëroi se ajo formulë e thjeshtë »ka bë mrekulli« për të, dhe shtoi: – Duket e pamundur, se disa fjalë nga Shkrimi shenjt mund të bëjnë aq shumë për individin.

Pastaj, po ai njeri i është nënshtruar analizës së shkaqeve për ndjenja e veta të inferioritetit. Konsultimi shkencor dhe ndikimi i besimit e kanë shkarkuar nga ajo barrë. E kanë mësuar si të ketë besim; ia kanë dhënë disa udhëzime që do të duhej t’u përmbahej (ato do t’i paraqes më poshtë në këtë kapitull). Gradualisht ka arritur vetëbesim të fortë, të qëndrueshëm dhe të arsyetueshëm. Edhe më tutje shpreh mahnitje se në çfarë mënyre tani çështjet po shkojnë në drejtim të tij, në vend që të largohen nga ai. Personaliteti i tij ka pranuar karakter pozitiv e jo negativ dhe ai tani nuk i largon sukseset, por, në të kundërtën, i ofron në vete. Tani ka besim autentik në fuqi të veta.

Shkaqet për ndjenjë inferioriteti janë të lloj-lloj, e disa rrjedhin që nga fëmijëria.

Një njeri afarist ka kërkuar nga unë këshillë për një djalosh për të cilin shumë i dëshiron përparim në ndërmarrjen e tij. – Por – është ankuar – atij nuk mund t’ia besoj informatat sekrete . të rëndësishme. Më vjen keq, sepse për ndryshe do ta kisha caktuar për ndihmës timin administrativ. I ka të gjitha kualifikimet e tjera të nevojshme, por po fol së tepërmi dhe pa qëllim i zbulon gjërat e natyrës private dhe të rëndësishme.

Pas analizës, kuptova se ka »folur së tepërmi« vetëm për shkak ndjenjës së inferioritetit. Për ta mbuluar, i është nënshtruar provës së lavdërimit për dijeninë e tij.

Është shoqëruar me njerëz të suksesshëm dhe që të gjithë e kishin vijuar fakultetin dhe kishin qenë në ndonjë organizatë të studentëve. Por ai djalosh është edukuar në varfëri dhe s’ka vijuar fakultet as s’ka qenë në asnjë organizatë. Për këtë shkak, veten e ka ndier më pak të vlefshëm në krahasim me bashkëpunëtorët e tij, duke marrë parasysh prejardhjen e tij të shkollimit dhe atë shoqërore. Për t’u barazuar me bashkëpunëtorët e vet dhe për të përforcuar vetëbesimin, mendja e nënvetëdijes së tij, që gjithnjë tenton të krijojë mekanizma për të kompensuar, i ka dhënë shkas për ngritje të egos.

Ka qenë në »zemër të industrisë« dhe i ka përcjellë udhëheqësit nëpër konferenca, në të cilat ka takuar njerëz të rëndësishëm dhe ka dëgjuar biseda private të rëndësishme. Për ato ka folur aq shumë, saqë bashkëpunëtorët e tij e kanë shikuar nga lakmia dhe të mahnitur. Ashtu e ka ngritur respektin e vet dhe e ka plotësuar dëshirën e vet për konsideratë.

Kur punëdhënësi i tij ka qenë i vetëdijshëm për shkakun e tiparit të personalitetit, duke marrë parasysh se ka qenë i sjellshëm dhe qëllimmirë, djaloshit ia ka shpjeguar çfarë mund të arrijë në punë me aftësitë e veta. Gjithashtu ia ka përshkruar, madje, se si ndjenjat e tij të inferioritetit, shkaktojnë jo besueshmëri për çështje të besueshme. Kjo njohje e vetvetes, nga përdorimi i sinqertë i teknikave për besim dhe lutje në ndërmarrje, e ka shndërruar në bashkëpunëtor të zellshëm dhe të vyeshëm. Fuqitë e tij të vërteta janë liruar.

Me shembullin tim personal, mund t’u ilustroj mënyrën se si shumica e fëmijëve e fitojnë kompleksin e inferioritetit. Si djalosh i vogël, kam qenë shumë i thatë. Kisha shumë energji. Kam qenë vëzhgues, kam qenë me shëndet shumë të mirë dhe këmbëngulës, por kam qenë i thatë. Kjo më ka penguar, sepse nuk dëshiroja të isha i thatë. Dëshiroja të isha i trashë.

Më quanin »thatush«, ndërsa unë s’dëshiroja ashtu të më quanin. Kisha dëshirë të isha sikur të isha i ndarë nga shkëmbi – i vrazhdë dhe i trashë. Kam bë çmos që të trashem. Kam pirë vaj të mëlçisë së bakalaros, kam gëlltitur shumë lëngje pemësh, kam ngrënë me mijëra akullore prej çokolate me ajkë dhe arra, si dhe shumë ëmbëlsira dhe pite, por e tërë kjo s’ka ndikuar në mua. Edhe më tutje kam qenë i thatë dhe për këtë, shumë net i kam kaluar në shtrat i zgjuar, duke menduar dhe vuajtur.

Mund të trashesha gjer në moshën tridhjetëvjeçarë, dhe, atëherë, papritmas u trasha. Qepjet filluan të shqepen. Atëherë fillova të jem i pakënaqur që trashesha, do të më duhej të dobësohesha njëzet kilogram, nga ato vuajtje të njëjta, që të kem prapë atë shtat të përshtatshëm. Në një vend tjetër (të përfundoj këtë analizë personale, të cilën e jap vetëm për shkak se mund t’u ndihmojë të tjerëve si shembull, si ndikon kjo sëmundje), kam qenë djali i priftit dhe vazhdimisht këtë ma kanë përkujtuar.

Të gjithë kanë mund të bëjnë të gjitha, por kur unë bëja çfarëdo – »Por, ti je biri i priftit«. Për këtë shkak nuk dëshiroja të isha biri i priftit, sepse pritej që biri i priftit të ishte djalë shumë i mirë dhe i sjellshëm. Dëshiroja të më njihnin si djalosh të vrazhdë. Ndoshta, për këtë shkak, fëmijët e priftërinjve i përcjell fjala, se me ta është vështirë, sepse ankohen që tërë kohën duhet të bartin bajrakun e kishës. Jam betuar se një gjë s’do ta bëja: kurrë s’do të bëhem prift.

Përpos kësaj, prejardhjen e kam nga fisi në të cilin thuajse të gjithë janë paraqitur shumë herë para publikut, kanë qenë ligjërues publikë, e kjo ka qenë e fundit gjë që unë dëshiroja të bëhesha. Nganjëherë më kanë detyruar të paraqitem para publikut dhe të mbaj fjalim, që më ka tmerruar për vdekje dhe ka depërtuar frikshëm. Kjo ka qenë para shumë vitesh, por, kohë pas kohe, ende rrëqethem nga mendimi kur ngjitem në tribunë. Kam qenë i detyruar të shërbehem me të gjitha mjetet në dispozicion që të arrij besimin në fuqinë që ma ka dhuruar Zoti.

Zgjidhjen për këtë problem e kam gjetur në veprimet e thjeshta mbi përdorimin e besimit që mësohet në Shkrimi i shenjt. Ato parime janë shkencore dhe të qëndrueshme, si dhe mund të shërojnë çdokënd nga vuajta e shkaktuar nga ndjenja e inferioritetit.

Nga përdorimi i tyre, i vuajturi mund t’i gjejë dhe t’i lirojë forcat që e kanë frenuar ndjenjën për paaftësi.

Disa burime, si komplekse inferioriteti, vendosin pengesat në fuqi të personalitetit tonë. Kjo mund të jetë dhunë emocionale që dikur ndaj nesh dikush e ka bërë qysh në fëmijëri; këto mund të jenë pasoja të aktit të tillë apo diçka tjetër që ia kemi bërë vetvetes. Ky hall buron nga e kaluara e mjegullt dhe nga rrethanat e turbullta të fshehura në personalitetin tonë.

Ndoshta keni vëlla më të vjetër që ka qenë student i shkëlqyeshëm. Gjithnjë ka marrë vetëm pesëshe, ndërsa ju vetëm treshe, dhe këtë gjithnjë iu kanë përmendur. Për këtë shkak, keni besuar se kurrë në jetë si ai nuk do të keni sukses. Duke marrë parasysh se ai gjithnjë ka marrë pesëshe, ndërsa ju treshe, keni përfunduar se jeni tërë jetën të dënuar me treshe.

S’ka dyshim se kurrë nuk keni kuptuar se disa nga ata që kanë marrë nota jo të mira në shkollë, kanë arritur sukses më të madh jashtë shkollës. Nëse dikush ka pesëshe në studime, s’do të thotë se ai është personi më i rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara; ndoshta pesëshet e tij do të dështojnë kur do ta marrë diplomën, ndërsa kolegu, i cili në shkollë ka marr treshe, në jetë të vërtet do të fillojë të marrë pesëshe.

Fshehtësia më e madhe gjatë mënjanimit të kompleksit të inferioritetit, që është vetëm shprehje tjetër, për dyshim të brendshëm dhe të themeluar në vetvete, është plotësimi i vetëdijes me besim. Fitoni besim të plotë në Zotin dhe kjo do t ju plotësojë me besim modest, por të fortë në vetvete./standard.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here