Situata politike/ Besnik Mustafaj: Shqipëria rrezikon skenar si i Maqedonisë

0
195

Një nga zërat e fuqishëm të Partisë Demokratike, shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj ka analizuar nga studio e News24 situatën politike në vend dhe protestën e opozitës.

I rishfaqur pas shumë vitesh mungesë në skenën publike, Mustafaj thotë se Shqipëria rrezikon një skenar si i Maqedonisë dhe një krizë të gjatë. Ai shpjegon se vetëm maxhoranca ka në dorë të zgjidhë çështjen dhe të rikthejë besimin e opozitës, raporton “BalkanWeb”.

“Rrezikohen zgjedhjet dhe rrezikon një skenar i njohur në Ballkan, si ai i Maqedonisë. Zgjedhjet pa prezencën e opozitës nuk kanë kuptim jo se nuk mund të bëhen nga ana formale. Humbasin vlerën zgjedhjet si institucion demokrat për të ardhmen e pushtetit.
Ligji e parashikon që mospjesëmarrja e opozitës mund të kapërcehehet nga ana ligjore.
Nëse do të zbatohet skenari maqedonas atëherë duhet të përgatitemi për një kohë të gjatë. Unë besoj se kjo protestë tregon me gjithë atë çka po ngërthen se mosbesimi mes dy palëve ka arritur në një pikë ku bashkëbisedimi zgjidhja e krizës është bërë e vështirë, në mos e pamundur”, deklaron Mustafaj.

Ai ‘kritikoi’ qëndrimin e kryeministrit Edi Rama si gjakftohtësi të tepruar e gjithashtu edhe të aleatit në qeveri, kryeparlamentarit Ilir Meta.

“Çfarë duhet bërë, këtë mund ta ketë në dorë vetëm maxhoranca. Në asnjë vend nuk e ka opozita. Maxhoranca duhet të japë prova për të fituar besimin e opozitës, në këtë rast për administrimin e zgjedhjeve. Po shohim një gjakftohtësi të tepruar të kryeministrit por edhe Metës. Meta ka shfaqur analiza të nuancuara në lidhje me protestën. Ka bërë thirrje më të drejtpërdrejta. Deklaratat e përsëritura të Bashës dhe të figurave të tjera të opozitës se nuk shtrohet çështja për një ministër, apo një zgjidhje të pjesshme të krizës e maksimalizojnë kërkesën e opozitën. Kur mohohet gjetja e kompromisit atëherë gjendja është kritike”, u shpreh ai.

Lidhur me debatet dhe gjuhën e përdorur në parlament, Mustafaj tha se janë të provokuara nga kryeministri.

“Parlamenti ka qenë vazhdimisht një arenë e polarizimeve ekstreme dhe polarizime të provokuara në shumicën e rasteve nga kryeministri me gjuhën e tij”, tha diplomati.

Ai u shpreh se qëndrimi i opozitës ka ardhur pas situatës së krijuar në vend, sidomos me çështjen e drogës.

“Ky është një vit specifik për arsye të parave të drogës. Ka qenë viti absolutisht i lulëzimit të kanabisit. Thuhet se ka 2 mld euro në qarkullim dhe të gjitha kompromiset e pjesshme sipas shqyrtimit të opozitës, nuk ka rrugë tjetër vetëm duke i hequr pushtetin kësaj qeverie. Është një arsye që e çon në skaj mosbesimin e opozitës”, deklaroi Mustafaj.

Për sa i përket çështjes së Vettingut, Mustafaj tha se ligji parashikon zgjidhje në rast të mospjesëmarrjes së opozitës. Gjithsesi për të ka një dritë në fund të tunelit për zgjidhjen e krizës.

“Në momentin që u hartuan ligjet dhe që u pranua kërkesa e opozitës që përfaqësimi në komisionet vlerësuese të ishin 50/50 ligji parashikoi edhe daljet e veta për të mos bllokuar procesin.

Unë e shoh nga jashtë sepse nuk jam pjesë e lidershipit dhe strukturave drejtuese. Gjithmonë ka mundësi kompromisi, ndërmjetësimi. Ne jemi në një situatë që asnjë nga palët nuk kanë treguar me gisht ndonjë ndërmjetësues të mundshëm, dhe as palët si BE, OSBE nuk kanë shfaqur mundësi ndërmjetësimi”, tha ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here