Shkollat 9-vjeçare, ministria ndryshon datat e provimeve të lirimit

2

Ndryshojnë datat e provimeve të lirimit për nxënësit që janë në përfundim të arsimit të detyruar 9-vjeçar. Në një udhëzim të miratuar dy ditë më parë, MAS ka ndryshuar datat, në të cilat do të jepen provimi i matematikës dhe ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë.

Loading...

Sipas udhëzimit të ri, provimet do të nisin me 12 qershor ku nxënësit do të testohen për njohuritë në një nga katër gjuhët e huaja që kanë zhvilluar në shkollë, e që janë gjuha angleze, gjermane, italiane, si dhe frëngjishtja. Pas 10 ditësh, përkatësisht në datën 22 qershor, nxënësit do t’i nënshtrohen provimit të dytë, në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë.

Provimet e arsimit të detyruar do të mbyllen me 27 qershor, me testin e matematikës. Për të orientuar nxënësit në lidhje me temat që duhet të përvetësojnë gjatë periudhës parapërgatitore, autoritetet e MAS kanë detajuar edhe programet orientuese, me temat nga ku do të merren pyetjet e provimit për katër testet e gjuhëve të huaja, si dhe testiteve të matematikës dhe gjuhës shqipe.  Nxënësit e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase), do të japin edhe një provim të katërt, që është testi i gjuhës amtare, e që do të zhvillohet në 16 qershor.

Për secilin provim, është përcaktuar se 40 për qind e pyetjeve do të jenë të nivelit bazë, 40 për qind të nivelit mestar,  si dhe 20 për qind e pyetjeve do të jenë të një niveli më të vështirë për të vlerësuar dijet e nxënësve me rezultate të larta. Kohëzgjatja e secilit prej provimeve do të jetë 2 orë e 30 minuta, ndërsa procedurat do të jenë të njëjta me ato të administrimit të provimeve të maturës. Për të shmangur rrjedhjen e informacioneve, në rregulloren e provimeve kombëtare të arsimit bazë, përcaktohet se personat që do jenë të përfshirë në të gjitha nivelet e administrimit të procesit, duhet të deklarojnë me shkrim se nuk kanë konflikt interesi me nxënësit që japin këto provime, (nuk duhet të kenë fëmijë të tyre, apo të tjerë të njohur në provim).

Mësuesit që do të korrigjojnë këto teste duhet të kenë eksperiencë mbi 5 vjeçare pune në lëndën përkatëse, të jenë me arsimin universitar përkatës, të mos kenë konflikte interesi, si dhe të kenë qenë të përpiktë në korrigjimet e viteve të shkuara. Çdo test do të kalojë në duart e dy korrigjuesve, kur ka mospërputhje të pikëve do të ketë edhe një vlerësues të tretë që do të vendosë. Sikundër ndodh edhe me maturantët, nxënësit e 9-vjeçare kanë të drejtë që të kërkojnë fotokopje të testit të vlerësuar, për të verifikuar korrigjimin dhe pikët e marra.

Për këtë, në rregulloren e provimeve të arsimit bazë për 2017, saktësohet se:

“Nxënësit e pakënaqur kanë të drejtë që 5 ditë pas marrjes së vlerësimit, të bëjnë kërkesën për tërheqjen e kopjes së korrigjuar të testeve. Çdo nxënës që është kalues në provimet kombëtare të arsimit bazë do të pajiset me Dëftesën arsimit bazë, e cila lëshohet nga drejtori i shkollës.

Ndërsa nxënësi që nuk arrin të marrë nota kaluese, ka të drejtë që t’i japë sërish në sezonin e vjeshtës dhe pasi të marrë rezultate kaluese do mund të vijojë procedurat e regjistrimit për vijimin e studimeve të shkollës së mesme”.

Struktura e testit të gjuhës së huaj

Testi për lëndët e gjuhëve të huaja hartohet në përputhje me planin mësimor të lëndës, që në arsimin e mesëm të ulët është trajtuar si gjuhe e huaj e detyruar dhe do të jetë i nivelit gjuhësor A2.  Për nxënësit e klasave të 9-ta, parapërgatitiore për seksionet dygjuhëshe italiane, gjermane dhe frënge, sqarohet se janë të lirë që të zgjedhin midis gjuhës së huaj të parë që kanë zhvilluar në klasën e tretë, dhe gjuhës së huaj të seksionit përkatës të filluar në klasën e gjashtë.

Struktura e testit të gjuhës shqipe

Testi për lëndën e gjuhës shqipe do të jetë i strukturuar me tre seksione. Pjesa e parë do të ketë në përmbajtje pyetjet rreth njohurive të një teksti letrar, pjesa e dytë pyetjet rreth një teksti joletrar të dhënë, ndërsa pjesa e  tretë do ketë pyetjet për njohuritë rreth sistemit gjuhësor. Fragmentet, ose tekstet në test janë të panjohura për nxënësit dhe nuk janë pjesë e teksteve mësimore. Pyetjet për tekstet, ose për fragmentet testojnë aftësinë e nxënësit për të kuptuar, analizuar, reflektuar dhe gjykuar mbi to.

Struktura e testit të matematikës

Testi i matematikës do të jetë i fokusuar në pyetjet rreth pesë tematikave kryesore, siç janë numri dhe veprimet me to, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni, si dhe pyetjet rreth mbledhjes, organizimit dhe përpunimit të të dhënave, e probabilitetit. Në vijim të shkrimit gjendet e detajuar edhe pesha në përqindje që ka secila nga këto tematika në përzgjedhjen e pyetjeve finale të testit të matematikës

Loading...

2 Komente

Leave a Reply to megisa Anulo pergjigje