Ndërtimet/ Erion Veliaj thyen disa ligje njëherësh, jep leje ndërtimi pa kaluar ende në KKT

0
1559

“Erion Veliaj thyen disa ligje njëherësh me lejet e ndërtimit që janë dhënë në Tiranë, pasi nuk ka kaluar ende në KKT, Plani i Përgjithshëm dhe ka pasur një moratorium”

 

Në fund dhjetorin e vitit të shkuar u miratua Plani i Përgjithshëm vendor për Tiranën e madhe, por ky plan ende nuk ka marrë fuqi për të vepruar. Për të filluar zbatimi i tij duhet edhe miratimi nga KKT, gjë që ende nuk ka ndodhur. Prandaj derisa ky plan të miratohet, ka një vakum ligjor dhe çdo veprim që bëhet është i pabazuar në një ligj.  Sipas disa ekspertëve të fushës, lejet e ndërtimit që janë dhënë gjatë kohës së moratoriumit, para dhe pas miratimit në Këshillin Bashkiak të Planit të përgjithshëm, janë të jashtë ligjshme.

 

Paligjshmëria   

 

Në vitin 2015 u miratua një vendim nga Këshilli i Ministrave që ndalonte të gjitha ndërtimet në vend, për arsye të ndryshme. Në këtë vendim thuhej qartë që nuk do të lejoheshin ndërtime të cilat nuk do të ishin të rëndësishme dhe që nuk prisnin dot derisa të binte fuqia e moratoriumit. Prandaj çdo leje ndërtimi që është dhënë asaj kohe është nul. Por gjatë kësaj kohe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka dhënë leje për tu ndërtuar pallate.

Dhe në këtë rast ngrihet pyetje a janë të paligjshme apo jo?  Duke parë vendimin mund të themi se këto leje janë të paligjshme.  Edhe nëse kanë qenë të ligjshme këto leje, mund të bien në kundërshtim me planin e ri dhe këto leje të dalin të paligjshme. Pasi në ato zona që është dhënë leja pas planit të ri mund të dalin zona të mbrojtura apo zona që nuk janë për ndërtim.  Por përsëri lind një pyejte tjetër: Pas miratimit të planit të ri, i  cili ende nuk ka efekt pasi nuk ka kaluar në KKT, mund të jepen leje dhe me çfarë baze ligjore jepen këto lejë, apo përsëri janë të paligjshme? Nga bashkia nuk kemi marrë informacion, por nga vëzhgimi kemi identifikuar disa pallate të cilat po ndërtohen në zona të ndryshme, dhe lejet e tyre janë të miratuar anë data pa u miratuar plani i ri urbanistik.  Përsëri lejimet ishin të vogla dhe mund të quheshin ndërtime vetëm për raste emergjente. Ky vendim kishte efekt në të gjitha bashkitë dhe të gjithë kryetarët e rinj të bashkisë duhet që ta zbatonin, deri në monumentin që do miratonin planin e ri vendor. Por gjatë një vëzhgimi që kemi bërë në qytetin e Tiranës rezulton se ky vendim nuk është zbatuar nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj. Nga vëzhgimi rezulton se Veliaj ka dhënë leje zhvillimore për ndërtimi ne pallateve përpara datës 29 dhjetor 2016, ku u miratua plani i përgjithshëm. Në kemi mundur që të zbulojmë disa raste konkrete ku në tabelën e vendosur për njoftimin e punimeve është firma e Erion Veliajt dhe data e dhënies se lejes është përpara se të miratohej plani i Tiranës. Në këtë rast lind pyetja në çfarë kuadri ligjor janë dhënë këto leje?

Përse janë këto leje përgjat kësaj kohe?

Çfarë fshihet pas tyre? A është respektuar vendimi i 2015 i miratuar nga KKT, për pezullimin e të gjitha ndërtimeve në Shqipëri? A do të dënohet Veliaj si qytetarët e thjeshtë të cilët, u burgosën se do ndërtonin çatinë e rënë nga tërmetet? Të gjitha këto pyetje duhet ta mërrin një përgjigje, nga ana institucionale.

 

Rastet konkrete

 

Gjatë vëzhgimit që kemi bërë, por edhe nga denoncimet e qytetarve, rezulton se Veliaj ka dhënë leje ndërtimi të jashtëligjshme. Për të vërtetuar këtë gjë, po ju tregojmë më anë të fotove dhe sqarimet e tjera të nevojshme se në rastet që po denoncojmë leja është dhënë përpara datës së miratimit të planit urbanistik të ditëve të fundit të vitit 2016.

 

Rasti 1

 

Në rrugën Siri Kodra ka disa javë që ka nisur ndërtimi i një pallati shtatëkatësh, i cili në letrën informuese mban firmën e Erion Velaijt, dhe data e cila është miratuar leja është 28.09.2016, që është përpara miratimit të planit të përgjithshëm.  Në këtë vend ka qenë një furrë bukë brenda një ndërtese përdhese, e cila nuk pengonte as pamjen dhe jepte një hapësirë për pallatet e tjerë. Por duka parë fotot që kanë dalë nga projekti aty do të ndërtohet një pallat shumë katesh i cili do të ketë një hapësire jo më shumë se 1 metër nga godina ngjitur. Hapësira që është rrethuar për tu ndërtuar është me e madhe nga hapësira  e cila ka qenë furra e bukës dhe kjo gjë sjell ngushtimin e rrugës dhe mungesën e hapësira të gjelbra.  Në këtë rast lind pyetja a është studiuar vendi përpara se të niste ndërtimi i këtij pallati , apo kjo leje është dhënë pa studim. Por sipas disa burimeve shumë të rezervuara kemi mësuar se në atë zonë po projektohet të ndërtohet një tjetër pallate shumë katësh disa metra më tutje.

 

Rasti 2

 

Në afërsi të rrugës 1 maj, po ndërtohet një pallat i cili sipas letrës informuese tregon se leja e ndërtimit është dhënë në datën 27 12 2016, përsëri pa u miratuar plani i përgjithshëm i Tiranës. Në atë kohë kryetar ka qenë Erion Veliaj i cili përsëri ka thyer vendimin për pezullimin e ndëtirmeve.  Kjo zonë sipas banoreve ka qenë një hapësirë për të gjithë, por pas disa kohësh aty do të ndërtohen një seri me kulla.

 

Rasti 3

 

Në foton e tretë është përsëri një ndërtim që po bëhet në një rrugë në Tiranë, dhe shihet se edhe në këtë rast leja zhvillimore është dhënë përpara miratimit të planin. Në tabelën informuese tregohet që leja është dhënë në datë 07 11 2016, datë që thyen përsëri vendimin për moratoriumin e ndërtimeve. Edhe këtë herë kryetari i bashkisë së Tiranës, ka dhënë një leje për një pallat 12 katësh, jashtë kuadrit ligjor.

 

Rasti 4

 

Përsëri në rrugën Ali Demi është ngritur një tabelë e cila informon se do të ndërtohet një pallate shumëkatësh. Sipas informacioneve që jepen në këtë njoftim rezulton se leja është dhënë në datën 11 10 2016. Sërish në këtë rast, Veliaj ka thyer vendimin  e KKT për moratoriumin e ndërtimeve.


 

Denoncimet/ Në Tiranë ndërtohet pa tabelë informuese, bashkia nuk jep informacion

 

Javën e shkuar publikuam një rast ndërtimi,  i cili nga të dhënat që morëm dhe nga vëzhgimi në terren, linte mjaft vend për dyshime. Informacionet për këto punime ishin të pakta dhe nuk dihet se kush i bën, çfarë do të bëhet dhe për çfarë do të shërbejnë. Nga informacione që mundëm të merrnin, zbuluam se këto punime kishin lejen përkatëse, por nuk na u tha asgjë më shumë.  Këto ndërtime u denoncuam edhe nga opozita në këshillin bashkiak të Tiranës. “Banoret denoncojnë se ndërtimi qe po kryhet jo vetëm është pa leje zyrtare, por madje ka futur ne sherr policinë e shtetit me atë bashkiake.”, shkruante kreu i ta djathtëve në këshill, Leonard Olli.

Vëzhgimi për rastin

 

Duke parë këtë postim, por edhe duke ju referuar denoncimit të një prej banorëve të pallatit ngjitur me këtë shesh ndërtim, ne shkuam në vend ngjarje për të verifikuar. Nga vëzhgimi që bëmë në atë zonë rezultonte se në atë shesh ishin duke u hapur gropa, dhe e gjithë pjesa ishte e rrethuar. Edhe pse brenda saj ishte një traktor i cili ishte duke punuar, përsëri nuk kishte asnjë tabelë informuese, se çfarë do ndërtohej në atë zonë. Punimet po vazhdonin pa asnjë problem edhe pse banorët e zonës ishin të shqetësuar nga zhurmat dhe kishin kërkuar që këto punime të ndalonin. Gjatë bisedave më banorë të pallatit, na treguan se nuk kishin shumë informacion të shumtë, pasi çdo gjë po mbahej sekret.

Por një banor i cila na kërkoi që të qëndronte anonim për shkak se ishin kërcënuar më parë kur ata kishin dalë në protesta, na tregoi se në këtë vend pritet që të ketë ndërtesë të re. Banorja tha se do nisë një kërkesë për të marrë informacione në lidhje me këtë ndërtim në Bashkinë e Tiranës, e cila do të përmbaje të gjithë firmat e banorëve të cilët janë të shqetësuar për këtë ndërtim. “Ne që po ju shkruajmë jemi banorët e pallatit 222-224 rruga Mine Peza përballë shkollës Harry Fultz, bashkangjitur po iu çojmë kërkesën tonë për shqetësimin që kemi”. Kjo kërkesë është nisur në bashkinë e Tiranës që në datën 27 shkurt, dhe përmbante të gjitha firmat e banorëve të pallatit. Ne e disponojmë këtë kërkesë, në të cilën shprehen të gjitha shqetësime e tyre në lidhje më këtë ndërtim.  Sipas banorëve të këtij pallati është lajmëruar policia e shteti e cila është ndeshur disa herë dhe me policin bashkiake. “Është lajmëruar policia shumë herë. Por vijnë dhe ikin, shohin ca letra që kanë në dorë i marrin me vete dhe mbas 1 ore fillon puna prapë. Në çdo ndërtim vihet një tabelë ku është projekti, firma, licenca etj. Gojarisht pleqve i thonë jemi bashkia do bëjnë lulishte që nuk besoj, po të ishte Lali Eri do e bënte publike për ta përdor për publicitet. Disave që nuk e hanë sapunin për djathë i thonë një pjesë lulishte një pjesë lokal të bëhet lulishte. Janë të gjithë dakord por lokal jo”, na tregoi një prej banorëve të pallatit që kërkoi deri në fund që mbetej anonime.  Në letrën drejtuar bashkisë, këta banorë kërkojnë se cili po ndërton, çfarë do të bëhet. Do të jetë një lulishte apo një lokal (bar kafe) apo po projektohet të ngrihet një tjetër pallat.  Edhe pse kërkesa në bashkinë e Tiranës është nisur që në datën 27 shkurt ende banorët nuk kanë marrë informacionin  zyrtar. Bashkia e ka detyrim që të informoj këta banorë për  këtë ndërtim, pasi punimet po kryhen poshtë dritares së tyre dhe ata çdo ditë dëgjojnë zhurmën e traktorëve që punojnë pa pushim. Hapësira ku po ndërtohet ka qenë një hapësirë e përbashkët dhe banorët nuk kanë asnjë informacion zyrtar. Derisa të marrin një njoftim zyrtar këta banorë do të kënaqen me informacionet që jepen në rrugë konfidenciale nga punëtorët.

Shkeljet për rastin

Sipas informacioneve që arritëm të merrnim për këtë rast, rezultoi se për ndërtimet në atë zonë ekziston një leje, por ne nuk mundëm ta disponojmë. Deri këtu gjithçka duket në rregull, pasi dikush ka një leje dhe po ndërton. Por edhe në këtë rast janë thyer disa rregulla. Çdo ndërtim që bëhet me një leje të caktuar duhet të ketë një  tabelë e cila tregon disa detaje nga projekti. Në tabelë shënohet: investitori, projektuesi, nisja dhe përfundimi i punimeve, vlerën e punimeve, numrin e lejes dhe një fotokopje të kësaj leje më firmën e kryetarit të bashkisë. Në këtë rast,  asnjë nga këto pika nuk është respektuar, pasi kjo tabelë nuk ishte e afishuar në asnjë nga pjesët e punimeve. Bashkia e ka të detyruar që të njoftoëj subjektin që kërkon të ndërtojë dhe ta detyrojë atë që të të vendos këtë leje. Bashkia apo qeveria kur jep një leje, i cakton subjekit madhësinë e tabelës dhe të gjitha detajet në lidhje me të. Por në këtë rast institucioni përkatës që është bashkia ka shkelur këto rregulla pasi ka lejuar ndërtuesin, i cili ka një leje që të filloj punimet pa përmbushur të gjitha rregullat.

Urbanisti Gent Kaprata: Lejet e ndërtimit janë të paligjshme

 

Debatet për lejet e ndërtimit në Shqipëri kanë ngjallur gjithmonë debate, pasi shpesh janë dhënë leje abuzive dhe jashtë ligjit. Ka pasur raste kur janë dhënë leje për në zona të cilat  janë të mbrojtura. Një nga rastet është ndërtimi në Parkun e Liqenit, zonë e cila është e mbrojtur dhe nuk lejohen ndërtimet.  Kjo nuk është leja e vetme e dhënë nga Erion Veliaj e cila ka hasur në kundërshtime të mëdha nga shumë personazhe, pasi disa urbanistëve janë shprehur kundër. Një prej tyre është edhe Gent Kaprata, i cili është shprehur shumë skeptik në lidhje më lejet e dhëna nga Veliaj. I kontaktuar nga “Standard”, ai shpjegoi se të gjitha lejet që ka mbajnë firmën e Veliaj janë të paligjshme.  “Të gjitha lejet e ndërtimit: Këndi i lojërave te liqeni, stadiumi Qemal Stafa, sheshi Skënderbej, bulevardi i ri, e të gjitha punimet e tjera publike apo pallatet qe po ndërtohen janë me leje (nëse kane një formular qe e firmos vet Veliaj) të paligjshme. Sepse ligji detyron ‘pezullimin e zhvillimit’ (pra bllokimin e leje dhënieve  ndërtimore) për sa kohë zgjat procesi i hartimit dhe miratimit të Planit Urban. Edhe me tej, bashkia duhet të hartoj planet pjesore për zonat ku do japi leje ndërtimi, të cilat duhet të jenë në përputhje me përcaktimet, kushtëzimet dhe detyrimet e Planit. Lejet jepen vetëm në përputhje me planet pjesore”- ishte ky reagimi i Gapratës për Standard. Për pas ai shtopi se ligji nuk e lejon që të jepen këto leje pasi vendimi i mëparshëm nuk e lejon.  “Argumenti i parë është se vet ligji njeh një ‘instrument të veçantë zhvillimi’ që  quhet ‘pezullim zhvillimi’, i  cili bllokon lejedhënien për gjatë procesit te hartimit të Planit të Përgjithshëm”- përfundoi reagimin e tij urbanisti Gent Kaprata./A.B/

 

============================================

Shtesat/ Pallatet në Tiranë ndryshojnë çdo ditë, çdo mëngjes u shtohet nga një kat pa leje

 

 Shqipëria është një nga vendet që cilësohet si më informal. Shpesh janë bërë ligje për formalizime,por përsëri nuk ka ndryshuar asgjë. Ndërtimi është një nga çështjet më të ndërlikuara në Shqipëri, pasi shumë godina janë jashtë çdo standardi. Në çdo qytet sipas ekspertëve të ndryshëm janë bërë maskara urbanistike, në lejet e pallateve dhe me mos ndërhyrjet për të prishur ndërtime të cilat kanë qenë jashtë çdo norme ligjore. Ndërtimet janë kryer në zona të mbrojtura dhe në zona të cilat kishin rrezikshmëri të lartë për përmbytje pasi janë ndërtuar edhe në brigjet e lumenjve. Tiranë dukë qenë dhe qyteti më i madh ka pasur problemet më të mëdha më ndërtimet.

Në shumë zona të Tiranë me sy të lirë shikon ndërtime të cilat duken që janë të jashtë ligjshme. Në lagjen e quajtur “Selvia” Njësia Administrative 8, mund të shikosh shtesa pallatesh jashtë çdo lloj kriteri. Këtë fenomen e kemi trajtuar edhe disa muaj më parë, por nuk ka pasur asnjë zgjidhje nga institucionet përkatëse. Në bllokun e pallateve të vjetra në rrugën “4 Dëshmorët”, janë disa pallate të cilat kanë edhe nga një kat të shtuar, kohët e fundit. Punimet të cilat janë të pambaruar tregojnë që këto kate janë të ndërtuara kohët e fundit. Nuk është vetëm një pallat i cili ka një kat të shtuar vitet e fundit, por janë shumë. Është njësoj si shprehja: “Shikon rrushi rrushin dhe piqet”, edhe në këtë rast: “Shikon pallati pallatin dhe shton ndonjë kat pa leje”.

 

Për këtë gjë kemi pyetur banoret e lagjes dhe na kanë treguar që janë ndërtuar vitet e fundit, por nuk dinë se si i kanë marrë lejet. Përveç kateve shtesë këto pallate kanë edhe dhoma shtesë, pasi ballkone janë bërë si dhoma dhe hapsish mes pallateve është bë ballkon. Këto godina kanë ngushtuar hapësirat mes njëra tjerave dhe krijojnë probleme  nga më të ndryshmet.  Po e sjellim edhe njëherë në vëmendjen e publikut këtë çështje, pasi problemi është shumë i madh, dhe duhet të marrë një zgjidhje të menjëhershme. Këto shtesa përveç se shëmtojnë pamjen e qytetit, i heqin mundësi banorëve në katet e fundit të shohin rrezet e diellit. Prandaj i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të shikojnë gjendjen që ndodhen këto pallate, ku nga 6 janë bërë të gjitha shtatëkatëshe, dhe hapësira e cila ka qenë e konsiderueshme nga një pallat në tjetrin është ngushtuar tmerrësisht shumë. Por kulmi ka arritur,  përsëri në këtë zonë, ku në një hapësirë mes dy pallateve është ndërtuar një tjetër pallat më të njëjtat përmasa me dy të parët, i cili sipas banorëve është ndërtuar kohët e fundit dhe nuk ka një leje./A.B/

 

 

 

*Gazeta Standard

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here