Shote Galica, si u paragjykua luftëtarja nga mentaliteti i kohës

0
642

7a7eca18-81e9-4818-91f8-bf585ac35bc2 p4599199

Është një nga figurat e pavdekshme historike, emri i së cilës do të përmendej në kohën e fateve të Ballkanit. Lufta që bëri për drejtësi kundër forcave serbe për të vetmin qëllim, çlirimin e Kosovës. Cila ishte Shote Galica? Cili ishte fati i gruas ku stolitë e vetme që mbajti ishin koburja dhe gjerdani me fishekë? Si erdhi ajo në Shqipëri dhe çfarë thonë për të pasardhësit e saj?

Vetëm një kilometër nga qyteti Fushë-Krujës, gjatë rrugës që lidh këtë qytet me Laçin ndodhet dhe përmendorja e heroinës së popullit shqiptar Shote Galica. Përpara se të hysh brenda është një gardh rrethues prej hekuri, i cili është i mbuluar me një masë të madhe ferrash, gjë që e bën të vështirë dallimin me sy të lirë. Nëse do të ecësh pak më tutje do të shohësh lloj-lloj lulesh, që nuk ia di emrin, dhe vetëm të bukura që nuk janë.Deri para një viti, ndoshta dikush mund të pretendojë që ky lapidar nuk është ai i Shotës dhe kjo me të drejtë, pasi në pjesën ballore të saj mungonin shkronjat, ato madje ishin hequr që andej dhe nuk identifikonin pothuajse asgjë. Ndërsa sot është sistemuar ky lapidar, është veshur me mermer dhe janë vënë shkronjat që identifikojnë heroinën e popullit shqiptar. Rreth pjesës kryesore të lapidarit është vënë një flamur i Kosovës, por aty mungon flamuri i Shqipërisë, kjo tregon se pala kosovare është më e interesuar për këtë figurë që dha jetën në Fushë-Krujë. Ndërsa militantët entuziastë të partive kanë dënjuar të përdhosin këtë objekt fisnik, ndoshta pa dashur ta politizojnë figurën e saj, ndoshta e kundërta. E vërteta është se aty gjendet një mbishkrim me ngjyrën blu. Pamja që na serviret më tej është e zymtë. Pllaka të thyera, copa betonësh të rrëzuara përdhe dhe pluhur i kodondodhur apo baltë, lënë dhuratë nga përmbytja e fundit në Fushë-Krujë. Ndërsa në pjesën e pasme, duhet të mbështetesh te përmendorja, pasi rrezikon humbjen e ekuilibrit dhe kjo për shkakun se këmbët e tua përpihen nga uji, si fundi i një ajsbergu. Si duket, nderimi i figurës së luftëtares heroike të kombit shqiptar, është zgjedhur pikërisht në atë rrafsh toke, që deri para pak kohësh kish qenë kënetë. Por sërish duhet të ngushëllohemi me faktin, që kësaj pjese toke nuk i ka dalë ende pronari. Pemët e larta tanimë janë rralluar, por dhe ata pak që kanë mbetur duket se janë në fundin e ciklit të tyre. Ndërkohë shteti shqiptar e shpalli Heroinë të Popullit, por qeveria e Kosovës, nuk ka bërë asnjë tentativë konkrete dhe serioze që eshtrat e Shote Galicës t’i kthejë në vendlindjen e saj, pranë varrit të Azem Galicës.

Si u paragjykua Shota?

Shote Galica u përball me mentalitetin kosovar. Atë e quajtën herë si të përdalë e herë si acaruese. Kjo për faktin se Shota, merrte pjesë shpeshherë në kuvendin e burrave, aty ku bëhej plani i luftës dhe ku pihej duhani me llullë. Gruaja kosovare mbante gjithmonë veshje meshkujsh dhe mbante në kokë një qeleshe të bardhë, madje ky është imazhi që mbahet mend nga njerëzit edhe sot.Gjithmonë ajo e mbante gërshetin e saj nën kësulën e bardhë dhe pjesën tjetër e mbulonte me shall. Kjo për arsyen e thjeshtë që të mos dallohej nga të tjerët që Shota është femër, pasi në atë kohë në kuvendin e burrave nuk lejoheshin femrat. Shote Galica sistematikisht u përball me paragjykimet e luftëtarëve kaçak. Emrin që ka, e ka fituar vetëm më gjak, duke marrë pjesë fizikisht në betejat më të rrezikshme, duke thyer kështu mendjen e çdo skeptiku. Burrnesha shqiptare quhej e përdalë sepse ajo shoqërohej gjithmonë vetëm me trimat e Azemit dhe shoqërohej rrallë me femra. Gruaja dhe nëna shqiptare, në vend të parfumeve europiane, përdori barotin. Stolitë e saj ishin koburja dhe gjerdani me fishekë. E tillë ishte Shota dhe si e tillë vazhdoi këto rrugë pa u luhatur, edhe pas vdekjes së burrit e shokut të jetës së saj Azem Galicës.

Luftëtarja e pavarur

Shote Galica merrte edhe vendime më vete. Kjo ndodhte kur ishte larg Azemit, në mungesë të komunikimit për shkaqe gjeografike, sidomos kur Azemi ndodhej në vise të ndryshme të Kosovës, për çështje organizimi ose edhe në Shqipëri, për çështje armatimi e komunikimi me forcat përparimtare e demokratike të kohës si me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, e të tjerë. Një hap të tillë Shota e kishte marrë për likuidimin e një zyrtari të lartë të Serbisë. Së bashku me Mehmet Deliun dhe me dy tre shokë tjerë, kishin hyrë në zyrë të eprorit serb, mu në qendër të qytetit të Mitrovicës dhe me dorën e vet e kishte vrarë. Serbi kishte bërë sa e sa masakra mbi popullatën shqiptare që po përpiqej për lirinë e vetë. Ajo i tha Azemit më pas: “E vrava Azem! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emer të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që ka lënë pa vëllezer, në emër të lirisë së Kosovës”. Pas vdekjes së Azemit, Shote Galica iu priu luftëtarëve të lirisë në sa e sa aksione të rrepta ballë për ballë me armikun. Shote Galica në fundin e dimrit të vitit 1926, të një dimri të ashpër, e lodhur dhe e dërmuar e me zemër të plagosur, shoqëruar nga Mehmet Deliu e me pak shokë të tjerë, kishin mësyrë Shqipërinë, duke e lënë Kosovën nën kthetra të pushtuesit serb, me shpresën se do të ktheheshin me pranverën e parë.

Shpërngulja në Shqipëri

U vendos në katundin Shullaz të Krujës. Me vete kishte edhe disa fëmijë të shokëve të rënë, fëmijë të mbetur jetim të cilët Shota kishte marrë përsipër t’i rriste dhe t’i edukonte me frymën atdhetare. Duhet të mos harrojmë që Shota ishte një 32 vjeçare, në këtë kohë. Me shpresën se do të gjente mbështetjen e qeverisë së Ahmet Zogut priti, por më vonë u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse. Si duket, Shota nuk e kishte të qartë se kishin ndryshuar rrethanat, se Zogu ishte borxhli ndaj Krajlit të Serbisë i cili e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hotel Bristoli i Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë! Shote Galica e përballur me tmerrin e varfërisë, rrethuar nga harresa, mjerimi dhe inferioriteti i një regjimi mbretëror zogollian, i shkroi një letër qeverisë në fjalët “Unë jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës , kam dhe kater femijë jetim me vete. Janë femijët e luftëtarëve të vrarë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrënguar tiu vë në dijeni se jam duke vdekur nga uria së bashku me femijët jetim”.

Azem Galica (1889 – 1924)

Luftëtar i shquar për çlirim e bashkim kombëtar, organizator i lëvizjes së armatosur në Kosovë 1912 -1924. Veprimtarinë e tij patriotike e filloi në vitet 1910-1912, kur mori pjesë në kryengritjet antiosmane. Luftoi më 1912-1915 kundër pushtuesve serbë, dhe më pas, më 1915-1918 kundër pushtuesve austriakë e bullgarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore drejtoi luftën e çetave kundër rivendosjes në Kosovë të pushtetit të borgjezisë serbomadhe. Sipas direktivave të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në vitin 1919 mori pjesë në organizimin dhe drejtimin e Kryengritjes së Rrafshit të Dukagjinit, më 1921-1923 mbrojti Zonën Neutrale të Junikut, që shërbente si bazë e kryengritësve të Kosovës e të Malësisë dhe përkrahu kryengritjen e malësorëve të Shqipërisë së Veriut. Vdiq nga plagët që mori në luftimet e përgjakshme të korrikut 1924. për mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here