Nga Majlinda te Grida: Vështirësia e të bërit opozitë, kur mendon se je e bukur!

1
2265

Të bësh opozitë në fakt nuk është aspak një detyrë e lehtë. Opozita përfaqëson alternativën e qeverisë dhe si e tillë duhet të jetë ose më saktë të paraqitet në publik si një grupim që me ardhjen në pushtet do ndryshojë për mirë vendin. Por për të arritur këtë duhet punë dhe jo ajo nga zyra, se ata dinë ta bëjnë mjaft mirë të gjithë. Opozita kërkon njerëz që  punojnë në terren, që angazhohen në takime të vazhdueshme me bazën duke synuar kontakte sa më të shpeshta me qytetarët për të mundësuar sa më shumë elektorat. Dhe në situatën aktuale, kur opozita ka vendosur prej 10 ditësh çadrën në sheshin përballë Kryeministrisë, dalin në pah disa detaje lidhur me opozitarizmin.

Nga njëra anë dallohen të angazhuarit, të cilët nuk e kanë pasur aspak të vështirë angazhimin me qytetarët, e madje kanë mundësuar pjesëmarrje të lartë në protestë. Dhe nga ana tjetër bien në sy  “rangu i lartë”, një grupim i cili në opozitë më shumë se për angazhimin dallohen për servilizmin, lojën e dyfishtë dhe dëshirën e madhe për pushtet. Por mos të harrojmë se krahas këtyre opozitarëve, ka edhe nga ato PD-iste në rreshtin e femrave, që e ndiejnë veten të bukur, tërheqëse e madje sharmante. Dhe në fakt është pikërisht ky “rang” që e ka më shumë të vështirë se të gjitha grupimet e mësipërme,  për të bërë opozitarizëm.

Kështu, rasti kur mendon se je e bukur, dhe këtë pikë të dobët, ta di edhe kundërshtari politik e madje t’a përmend, opozitarizmi kthehet në një betejë të humbur. Kjo i rezultoi edhe ish-ministres, deputetes së PD-së ose ndryshe “mrs.Integrimi”, zonjës Majlinda Bregu. Mjaftoi një fjalë si pa kujdes e Ramës “se Majlinda nuk është vetëm një grua  e bukur” dhe Bregut ju pamundësua opozitarizmi. Këtë e pohoj vetë Bregu në një intervistë tek Adi Krasta. “Nëse thotë ato që beson bën shumë mirë në fakt. Unë nuk e shoh veten as mendje mbyllur e as një nga njerëzit më pak të aftë të këtij vendi. Ky është një proces i një vetëvlerësimi që njeriu duhet ta bëjë për veten”, tha ish-ministrja.

Nga këtu nuk mbeten më fjalë për opozitarizmin e Bregut, e cila që pas rënies së PD-së nga kali i pushtetit është mjaftuar vetëm me kritikat ndaj lidershipit pasi angazhimi për partinë apo në terren me bazën mbetet një “mollë e ndaluar”. Se fundi në çadrën e protestës para pak ditësh, e sapo kthyer nga udhëtimi i “lodhshëm” në SHBA , Bregu foli pro protestës, porse nuk nguroi të lëshonte shigjeta ndaj lidershipit të partisë. Dhe në fakt si mund të bënte ndryshe. Por kur e mendon shigjetat ndaj Bashës mund të ishin edhe më të forta nëse “Mrs Integrimi” do t’a kishte marrë vesh më parë komplimentin e kryeministrit përkundrejt saj. Lëvdata si këto dhe aq më tepër nga kreu i qeverisë (paçka se e ke pakëz kundërshtar kryesor politik) nuk vijnë përditë dhe si të tilla duhet përfituar maksimalisht. Pastaj ç’të keqe ka fundja fare nëse Kryeministri lëvdon një kundërshtare politike për bukurinë e saj?! Apo kemi hall se na bëhen xheloze “sharmantet” e tjera të selisë blu e rendin me vrap për të kapur komplimentin e rradhës….  Fundja kot do lodhen se komplimenta si të Bregut nuk do marrin kurrë. E ka thënë edhe vetë kryeministri që ka vlerësim e respekt maksimal për ish-ministren.

 

Por duke mbetur tek bukuria dhe opozitarizmi, duket se të njejtin fat si kolegia Bregu, rrezikon të pësojë edhe Grida Duma. Prej kohësh Duma lëvdohet në PD për bukurinë e saj, e cila nuk është se nuk qëndron, por nëse shkojmë më tej lëvdatat ngecin vetëm tek aftësia e artikulimit dhe kaq. Sidroma e vështirësisë së opozitarizmit për Gridën, si në rastin e Bregut me Kryeministrin, u shtua nga rreshti që Gjekmarkaj kishte rënditur për të në artikullin e tij. Mjaftoi kjo që Grida të ndryshonte krehjen e saj spektakolare me të cilën nderoi protestën e jashtëzakonshme opozitare.

Tani e në vazhdim na mbetet të shohim nëse Bregu e Duma do arrijnë të gjejnë ndopak frymëzim opozitar në këto ditë e javë decizive për demokratët. Do zoti nuk i teket sërish Kryeministrit ( se e ka kthyer në zakon tani) apo edhe ndonjë figure tjetër që të lëshojë komplimentin e rradhës për sharmantet e PD-së, se pastaj  do kemi të bëjmë me një “mission imposibile” …

*Rubrika “Pikante” i trajton lajmet apo çështjet me pakëz sarkazëm, ironi e nota humori

STANDARD.AL

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here