Mësuesi që s’ka dhënë ndonjëherë  mësim, kërkon të tallet me mësuesit që sakrifikojnë çdo ditë

0
1906

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Në seancën e radhës në mungesë të plotë të opozitës, deputetë e ministra të Partisë Socialiste, vërshuan në foltore për të folur, mbi arritjet dhe sukseset imagjinare të qeverisë dhe partisë së tyre. Të veshur e krehur, por të vrerosur në fytyrë, si viktimat para pushkatimit, kërkuan të na mbushin mendjen se akne bërë shumë për këtë popull, që mesa duket nuk jua di kimetin edhe tani që po mbushen 4 vjet në qeverisje. Më i “shquari” në artikulim, pas Ballës, mbetet ministri mësues i financave, Arben Ahmetaj, ose siç e thërrasin rëndom Beni i vogël i Gjirokastrës.

Po pse më habiti mësuesi i anglishtes që nuk ka dhënë një ditë mësim?

Mes arritjeve të mëdha të qeverisë ku ka (ç) nderin të bëjë pjesë edhe vetë Beni i vogël, është rritja e rrogës për mësuesit, që sipas dhaskalit të anglishtes, “është më e madhja në gjithë këto vite”. Dike diskutuar me patosin e njeriut që e njeh “ekonominë kombëtare dhe ndërkombëtare, si vrimat e shtëpisë vet”, Beni na suprimoi me një fakt, që nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë: “Me uljen e tatimit mbi rrogën e mësuesit, këta të fundit përfitojnë rrogën e trembëdhjetë”. Më plaçin sytë që e tha vetë Beni. Do thoni ju a ka njeri ta besojë, këtë? Po ç’rëndësi ka kjo. Mjafton që e ka thënë Beni. E lapsi dhe mendja e mprehtë e Benit nuk gabon. Beni i bën të holla hesapet. Nga shtatori 2013 që ka ardhur në qeveri, e deri sot, mësuesit priten të marrin një rritje rroge në muajin prill si një lëmoshë e qeverisë dhe në mënyrë të posaçme të Ben anglishtfolësit, për zgjedhjet e qershorit. Mirëpo ndarë në katër vite me një llogaritje të trashë, i bie që Beni dikur ministër ekonomie dhe sot i financave, t’i ketë shpërblyer mësuesit vetëm me 2.5% rritje rroge, që nuk i justifikon dot as inflacionin vjetor. Por edhe kjo nuk ka rëndësi. Më e rëndësishme është që 10% , i Ben financierit, është më shumë se 40 %  e rritjes së rrogës së mësuesve në vitet 2009-2013, pa përfshirë 10 mijë lekë të reja në fundin e vitit. Beni ka një zgjidhje origjinale: E nxjerr rrogën e 13-të, përmes uljes së tatimit???!. Sesi del llogaria, pyesni Benin, se njeri normal dhe ekonomist mediokër që e kupton, nuk ka.

Po pse Beni mësues me diplomë, kërkon të tallet me mësuesit që sakrifikojnë çdo ditë?

Me pak fjalë, përgjigja e menjëhershme do të ishte: Për sa kohë nuk ka asnjë arritje në profesionin për të cilin është diplomuar, normalisht që të sulmojë këdo që ka sado pak arritje dhe përkushtim. Në mungesë të opozitës në sallë, gjeti kohë të tallet me mësuesit. Mësuesi i anglishtes, të cilit nuk i ka thënë hala njeri “puna mbarë”, në profesionin e tij, u tall, i nëpërkëmbi, e madje u tregoi sesa të pasur ishin mësuesit, por këta të fundit nuk e kuptonin. Doni të thoni se Beni e bëri nga padija?Jo. E bëri nga ligësia. Nga zyra e tij luksoze, plot bardhësi, luks e rehati, Beni i vogël i zhytur në kolltuk, nuk e di se çdo të thoit të sakrifikosh çdo ditë, minutë orë, për edukimin e fëmijëve. Nuk e di dhe nuk ka për ta mësuar asnjëherë, sa orë pa gjumë rrinë mësuesit, prej merakut, dëshirës e pasionit që dita e nesërme të jetë më e mirë për ata dhe për nxënësit. Beni që zhyt menderen në kolltukun e larë me djersën dhe gjakun e këtij populli, nuk e di dhe nuk ka për ta kuptuar as në këtë botë e as në tjetrën se çdo të thotë të jesh mësues, çdo të thotë të sakrifikosh çdo ditë, çdo të thotë të japësh gjithçka prej vetes e të marrësh shumë pak. Kjo shumë pak është një përgjigje e saktë, një mësim i përvetësuar mirë nga nxënësit, një lavdërim përpara kolektivit të mësuesve nga drejtori i shkollës, një fjalë e mirë e prindit, një përshëndetje në shkallët e pallatit, respekti i komunitetit, e kështu me radhë.

Beni i financave u tall paq me mësuesit. Po Mimoza, Ben Blushi, ministrja Nikolla, pse nuk u ngritën të përgënjeshtronin Benin e vogël?

Mimoza Hafizi e ka të vështirë të thitë qoftë edhe një fjalë të vetme. Në katër vite ajo nuk foli as edhe një fjalë për pedagogët, studentët me të cilët ndeshet çdo ditë, e jo më të kujtohet për mësuesit. Moza nuk foli as për ligjin e arsimit të lartë. Moza nuk mori mundimin të shkonte të bashkohej me maturantët që protestonin për të drejtën e tyre për arsimim. Moza nuk kërkoi një interpelancë me kryeministrin dhe ministren e arsimit, për sistemin mizerabël të pranimeve. Përse nuk e bëri Moza këtë? Arsyet i di vetë ajo, por Moza nuk ka folur dhe nuk për të folur, ndonjëherë për hallet e mësuesit. Edhe Ben Blushi nuk ka arsye të flas. Sa kohë ishte ministër arsimi, siç hyri doli. Mbahet mend për njëfarë fodullëku me tepricë, e për asgjë tjetër në krye të ministrisë së arsimit. Kundërshtoi vetëm ligjin e arsimit profesional dhe vetëm kaq. Nuk ka mbajtur e nuk ka për të mbajtur ndonjë qëndrim për mësuesit, pasi ashtu si Beni i financave dhe Beni i “Libra-s”, nuk ka qenë ndonjë ditë mësues. Asnjëherë në parlament Beni nuk ka shfaqur ndonjë ide, pale më pika programi për arsimin. As si kryetar i “Libra-s” nuk është shprehur ndonjëherë për arsimin. I dashuruar pas taksave të ulëta dhe votimit elektronik, edhe Beni i Blushëve, ka harruar arsimin dhe mësuesit. Nga ministrja Nikolla nuk është se pret ndonjë gjë të madhe. Ndonëse ka qenë mësuese dhe drejtuese shkolle, për të ajo duhet si një kohë shumë e largët. Jeta luksoze e siguruar prej minibashkisë dhe shuam më tepër prej ministrisë, e ka larguar shuam prej profilit të mësuese. A ju mbahet mend sesi i talli deri në ekstrem mësuesit dhe sindikatat për 100 mijë lekë të vjetra, mësuesja Nikolla dhe Beni i financave, në fund të dhjetorit që shkoi?

Kështu që Nikolla është në rolin e saj. Ndërkaq Beni i financave duhet të kuptoj një gjë të paktën: Mos u përpiq t’i burokrat i vogël e pa pikë rëndësie në këtë vend të tallesh me mësuesit. Nëse nuk di t’i respektosh nuk është nevoja t’i lëndosh me llogaritjet e tua mediokre. Rri i zhytur në kolltuk, për aq kohë sa ky popull të durojë në kurriz. Kur të zbresësh uroj të mos thyesh qafën, jo nga rrëzimi por mallkimi i njerëzve të mirë të këtij vendi, mësuesit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here