Kampioni i Ballkanin Smajlaj: Te Himni, në Beograd u çuan në këmbë dhe duartrokitën

0
164

Një prej ëndrrave të tij më të mëdha ishte ngritja e flamurit shqiptar në zemër të Serbisë dhe ia arriti qëllimit. Sapo ka mbërritur në Shkodër, kampioni i Ballkanit në atletikë Izmir Smajlaj rrëfen në një intervistë për “Panorama Sport” emocionet, ndërsa tregon se tifozët serb e duartrokitën ndryshe nga historia e dronit. Në kërcim së gjati arriti rezultatin 7.98 metra, duke marrë kështu medaljen e arit.

Cili është emocioni i parë pas triumfit si kampion i Ballkanit?

Të them të drejtën ishte një emocion i paparë, emocionet ishin shumë të mëdha. Ishte hera e parë që më ndodhi që të ngrihej flamuri shqiptar nga unë. Besoj se ky ishte një rezultat shumë i kënaqshëm që gëzon shqiptarët dhe besoj mjafton që u ngrit flamuri ynë kuqezi në mes të Beogradit.

Si ishte ngritja e flamurit në mes të Beogradit?

Dua të falënderoj popullin e Beogradit për mikpritjen që na bënë. Në momentin kur u ngrit flamuri, të gjithë u ngritën në këmbë dhe duartrokitën. Nuk e prita këtë gjë realisht, por ia që ndodhi.

Nuk ishte si në rastin e dronit të famshëm në Serbi?

Jo, jo, nuk ishte ashtu. S’kishte asgjë për t’u shqetësuar. Nuk kishte asnjë lloj provokimi nga ana e tyre.

Çfarë do të thotë ky rezultat për ju?

Është rezultat i një niveli europian apo edhe botëror. Javën tjetër kemi Europianin dhe besoj që do të arrij në zonën e medaljeve edhe atje.

E prisnit ju medaljen e arit në kampionatin ballkanik?

Nuk është se e prisja, por gara është garë. Kisha konkurrentë shumë të fortë, por isha në një gjendje shumë të mirë fizike dhe kisha një shpresë se edhe mund të fitoja realisht. Plus që isha në Beograd dhe ishte ëndrra ime të ngrija flamurin shqiptar atje dhe mora më shumë kurajë dhe zemër.

Izmir Smajlaj kampion

Kishte një drithërimë më shumë të konkurroje në mes të Beogradit?

Po, po ishte. Shumë madje.

Si e përjetuat?

Thjesht me këtë garë kam jetuar për disa muaj dhe mezi e kam pritur për të fituar këtë medalje të arit dhe për të lartësuar flamurin shqiptar në Serbi.

Si ishin ato minutat përpara kërcimeve?

Shumë emocionuese. Unë nuk e kisha mendjen askund tjetër vetëm se të ngjitesha në podium.

Shumë shpejt, siç e thatë edhe ju, është kampionati europian. Prisni edhe atje një medalje?

7.98 m në kampionatin ballkanik është një rezultat që premton shumë. Besoj se ka shumë mundësi duke parë edhe gjendjen time fizike, formën time dhe me një kërcim mbi 8.00 m mendoj se arrihet në zonën e medaljeve.

Nga 7.77 m ju keni shkuar në 7.98 m, cili është rezultati që pretendoni në Europian?

Nuk mund ta them të saktë se sa pretendoj, por ajo që di, është se rezultati im do të jetë mbi 8.00 m dhe jam shumë i bindur për këtë gjë, por pastaj është në dorë të Zotit sepse gara është garë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here