Ku përfundoi mega-projekti i portit transoqeanik të Kavajës?

1

Nga Ervin Kaduku

Loading...

“Fjala është për një pastrim parash të radhës, me kompani të dyshimta nga parajsa fiskale, që marrin përsipër projekte gjigande, për t’i realizuar ato vetëm në letër”

Në datë 14 korrik të vitit të kaluar opinioni publik mësoi për një projekt jashtëzakonisht ambicioz të qeverisë shqiptare. Me thënë të drejtën, ai ishte aq ambicioza, sa zor ta besonte njeri se ishte realist. Por, aktualisht, edhe më optimistët nuk kanë më mëdyshje: fjala është për një pastrim parash të radhës, me kompani të dyshimta nga parajsa fiskale, që marrin përsipër projekte gjigande, për t’i realizuar ato vetëm në letër, ndërkohë që nën hijen e tyre transferohen miliona, në mos miliarda, euro jashtë Shqipërisë. Paratë e korrupsionit, të cilin Rama me shokë përbetohen çdo minutë ta luftojnë.

Me një lëvizje të papritur, qeveria shqiptare ka lënë në heshtje të gjitha planet e mëparshme për zhvillimin e porteve të Durrësit, Vlorës apo Shëngjinit drejt standardeve të qendrave të mëdha portuale të vendit, apo pika fundore të Korridorit VIII Pan-Evropian. Zhvillimi i tyre i mëtejshëm nuk përjashtohet, por e gjithë vëmendja u tha se do të përqendrohej në realizimin e një mega-projekti “Morgan”, të panjohur nga publiku i gjerë deri tani dhe të propozuar nga privatët, që parashikon krijimin e një super-porti të ri në Karpen, në bregdetin e Kavajës. Objekt, që do të shoqërohej edhe nga një TEC i madh me gaz, një stacion rigazifikimi, si dhe nga një zonë ekonomike prej 1.700 hektarësh. Kjo u bë e ditur kur një projektligj mbërriti në Kuvendin e Shqipwrisë, por nuk ishte bërë më parë i njohur në njoftimet e zakonshme nga Kryeministria, që referon normalisht të gjithë projektligjet e kaluara nga qeveria. Projektligji “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë ‘Star Bridge Port Developments Limited’ me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike” në fakt kërkoi leje nga Parlamenti shqiptar që qeveria të mund të nisë procesin e negociimit me një subjekt të huaj, që ende nuk është regjistruar në Qendrën Kombëtare shqiptare të Biznesit, për një projekt të pakërkuar nga pala shqiptare. Për më tepër, qeveria njoftoi se kërkon një procedurë “të veçantë” për negociatat, duke specifikuar se Star Bridge Port Developments Limited është një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe i përbërë nga kompani prestigjoze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve e më gjerë, të tilla si AECOM, SFTA, Ramboll, RVT Architects, Summa. Sipas relacionit, nga një vlerësim i dokumentacionit del qartazi serioziteti i këtij grupi shoqërish për realizimin e projektit, por, duke qenë se në këtë fazë nuk kanë asnjë siguri nga shteti shqiptar se ky projekt do të pranohet, kompanitë janë në fazë diskutimi me investitorë të ndryshëm për realizimin e projektit. Projektpropozimi parashikonte se do të ofrohej garanci financiare prej 5 milionë USD për performancën e kompanisë në realizimin e projektit sipas afateve. Dokumente të mëtejshme do t’i kërkohen operatorit nga KNK-ja. Komisioni i Negociimit të Kontratës do të asistohej nga një konsulent i huaj, i cili do të bëjë “due diligence” ligjore dhe financiare të propozimit të paraqitur dhe kontratës që do të lidhet. Përzgjedhja e konsulentit do të bëhet nga Avokatura e Shtetit.

 

Investimi

Kanë qenë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë që kanë marrë iniciativën e përcaktimit të një procedure të veçantë, me qëllim mundësimin e realizimit në një kohë të shpejtë dhe në mënyrë efiçente të një kontrate me subjektin në fjalë. Dikasteret, nga një vlerësim paraprak i projektit “Morgan”, të paraqitur nga aleanca e kompanive të njohura në fushën e projektimit, ndërtimit dhe operimit të porteve strategjike në botë, të përfaqësuara nga subjekti për qëllime të veçanta “Star Bridge Port Developments Limited”, sugjerojnë se propozimi i sjellë përbën një investim strategjik, i pari i këtyre përmasave në Shqipëri dhe një mundësi unike zhvillimi, si për zonën ku është menduar të realizohet, edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Projekti “Morgan” parashikon ndërtimin e një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një centrali për prodhim energjie, përkatësisht: Projekti “Deep Ëater Port” – Porti detar me thellësi të madhe dhe Projekti “Port Centric Logistics and Enterprise Zone” – Zona ekonomike. Ky projekt përfaqëson një investim në total prej 5 miliardë USD-sh për një periudhë 5-10 vjet. Porti propozohet të ndërtohet në zonën e Karpenit, për të lejuar hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për thellësi prej 20 m. Për realizimin e qëllimit të këtij porti, është e domosdoshme të ndërtohen edhe zona ekonomike, e cila në përfundim të projektit është parashikuar të këtë një shtrirje prej 1700 hektarësh. Zona e portit parashikohet të përbëhet nga ambientet mbështetëse të portit (magazina, terminale, qendër logjistike), nga një zonë e re banimi pranë kompleksit, një serë me teknologji te lartë dhe akademi sporti. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi edhe i një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase).

 

Porti

Sipas qeverisë, asnjë port në detin Mesdhe nuk i ka mundësitë për të pritur në mol anijet e gjeneratës së fundit post-Panamax, të cilat janë anijet kargo që përdoren sot nga industria moderne e transportit detar. Disa porte i presin këto anije në ankorazhe me bova larg dokut, por kjo gjë krijon problematika logjistike dhe operacionale që rezultojnë në inefiçenca gjatë proceseve të ngarkimit dhe shkarkimit.

Karpeni është zgjedhur pasi Porti i Durrësit nuk i ka kapacitetet dhe nuk ka mundësi zgjerimi për kargo. Zhvillimi i një porti të ri pranë Durrësit preferohet pasi shumica e investimeve të huaja ndodhen afër zonës Tiranë/Durrës dhe një port ekzistues në Durrës nevojitet për elementet mbështetëse që ai ofron, si krahu i punës, shoqëritë e transportit, agjentët e anijeve etj., të cilët janë tashmë të atashuar në atë zonë. Për më tepër, Karpeni është i lidhur me rrugët kryesore (SH4) – që i shërben Durrësit, por edhe Fierit, ku ndodhet dhe stacioni terminal i TAP-it. Rafineria e naftës në Ballsh dhe burime të tjera të gazit që ndodhen aty pranë, janë një tjetër avantazh i kësaj zone. Ky projektpropozim është në përputhje edhe me kontrata të tjera koncesionare që ka lidhur qeveria shqiptare, pasi Karpeni shtrihet në një zonë jashtë gjirit të Durrësit. Projekti synon që, duke ndërtuar një port të ri, modern, të thellë, të shoqëruar me një park ekonomik, do të bëhet i domosdoshëm për shumë nga vendet evropiane të Mesdheut dhe për zhvillimin e ardhshëm të shumë vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore pa dalje në det, duke arritur kështu edhe një transit më ekonomik të mallrave. Plani i ndwrtimit: Ndërtimi do të fillojë ndërmjet muajit të 12-16. Faza e ndërtimit do të marrë 5-6 vjet, por porti do të bëhet operacional brenda kësaj periudhe. Qeveria parashikonte edhe ndërtimin e një zone ekonomike. Kjo zonë do të përmbajë ambiente mbështetëse të portit (magazina, terminal etj.), si dhe një zonë industriale, tregtare dhe një zonë rezidenciale pranë kompleksit.

Objektet e tjera

Për vijueshmërinë e operacioneve tregtare dhe industriale projekti parashikon edhe ndërtimin e një centrali të ri për prodhimin e energjisë në Karpen, së bashku me zhvillimin e një zinxhiri furnizimi me energji të shumëllojshme, të tillë si një terminal rigazifikimi me gaz natyror të lëngshëm, për t’i shërbyer nevojave më të gjera të vendit dhe rajonit të Ballkanit. Portit dhe zonës ekonomike që do të ndërtohet u nevojiten afërsisht 120-130 MW. Sipas parashikimeve të projektpropozimit, sasia e prodhuar e energjisë që tejkalon nevojat e zonës së portit, do të tregtohet brenda vendit ose do të eksportohet në vendet e rajonit, sipas kontratave bilaterale që investitori mund të nënshkruajë me palët e interesuara. Nëse këto kontrata lidhen, prodhimi nga ky central do të rritet afërsisht në 1200 MW, çka do të sjellë kërkesën e një terminali rigazifikimi LNG. Propozimi aktual për ndërtimin e ambienteve mbështetëse të portit dhe zonës rezidenciale është parashikuar të këtë një shtrirje prej 750 ha-sh, me parashikim për t’u zgjeruar me 450 ha brenda 12 muajve, si dhe 500 ha shtesë brenda 5 vjetëve. Në total, parashikohet që zona të shtrihet në 1700 ha. Projekti parashikon disa alternativa për ristrehimin dhe shpërblimin e pronarëve të tokave ku do të realizohet zona ekonomike. Sipas propozimit, në zonën ekonomike janë regjistruar një total prej 220 strukturash (banesa, ndërtesa të braktisura, ferma, një stacion karburanti i braktisur dhe disa cisterna karburanti). Alternativat e propozuara përfshijnë ndërtimin e një sere moderne me teknologji të lartë për të rritur produktivitetin e fermerëve ekzistues, duke siguaruar fitim neto vjetor më të lartë se ai që fitojnë aktualisht, trajnim dhe punësim në zonën ekonomike, ose kompesim për tokën e tyre sipas vlerës së tregut. Të gjithë rezidentëve do t’u ofrohet një akomodim alternativ i përshtatshëm, me cilësi më të mirë se pasuritë e tyre ekzistuese. Sipas hartuesve të projektit, vetëm faza e ndërtimit do të sjellë një investim vjetor të barabartë me 57% të PBB-së çdo vit, dhe 6 200 vende pune. Në përfundim të realizimit të projektit, parashikohet të gjenerohen 70.100 vende pune për ekonominë shqiptare, që përfaqësojnë një rritje të nivelit të punësimit me 6.4%.

Problematika

Kuptohet që një projekt i tillë do të haste edhe në kundërshti për shkak se nuk përjashton krijimin e disa problemeve. Së pari, fakti që zona në fjalë është një zonë turistike, jo e zhvilluar aktualisht, por që ka perspektivë në këtë drejtim. Në këtë kuptim, projekti do të haste kundërshti nga ambjentalistët. Por dhe nga banorët e zonës, që, sipas projektit, do të shpronësohen, jo vetëm nga toka, por me sa duket edhe nga banesat. Dhe këtu qendron problemi i dytë. Një problem tjetër më i madh ishte transparenca, pasi subjektin nuk e njeh askush në Shqipëri dhe origjina e financimit do të jetë një e panjohur e mëtejshme.

Po kështu, nuk kuptohet ideja e krijimit të një stacioni rigazifikimi, kur shumë afër prej andej do të kalojë gazi i TAP-it. Përballë këtyre të panjohurave, parashikohet të zhvillohet një debat jo i vogël dhe jo vetëm në Kuvend.

Loading...

1 Koment

Lini nje pergjigje