Zbulime mahnitëse, do të rishqyrtoni gjithçka që keni besuar

0
720

past_extinctions

A është truri njerëzor me të vërtetë aq unik? A mund të krahasohet me proceset e të menduarit të një zgjoi bletësh? Apo me këmbimin e informatave në rrjetet shoqërore? Dy hulumtime të reja imponojnë pyetje, të cilat së paku do të ju shtyjnë të mendoni thellësisht rreth tyre.

Shkencëtarët dhe mjekët sot dinë më shumë mbi trurin njerëzor se kurrë ndonjëherë më parë në histori. E dimë se shfrytëzojmë 100 për qind të trurit, dimë se për çka shërbejnë rajone të caktuara, e dimë madje se si ato komunikojnë ndërmjet vete, por një mister i trurit njerëzor edhe më tej gjendet thellë në fushë të profesionalizmit të filozofisë, është fjala për dukurinë e vetëdijes. Vetëdija është diçka që është shumë vështirë të përshkruhet shkencërisht, së pari nga shaku i semantikës. Të gjithë mendojmë se e dimë se çka është vetëdija, por se nuk jemi në gjendje ta definojmë saktësisht. Disi e nënkuptojmë se kjo do të thotë ’të jesh i vetëdijshëm për veten dhe ekzistencën vetanake’, por sipas këtij definicioni, të vetëdijshme do të duhej t’i konsiderojmë edhe gjallesa të numërta, si shumicën e primatëve, elefantët, delfinët dhe balenat, e madje edhe sorrat.

Në qoftë se vetëdijen e definojmë më shumë si një grup i proceseve intelektuale, të menduarit racional e abstrakt, atëherë të vetëdijshme do të duhej t’i konsiderojmë edhe makinat e numërta, si superkompjuterin Watson të IBM-së, i cili i ka mundur kampionët e kuizit ‘Sprova’, ndërsa sot ‘punon’ si diagnostifikues në qendrën spitalore për onkologji Sloan-Kettering në Nju Jork.

Rrjetet e neuroneve në trurin njerëzor nuk janë strukturë unike, tendenca e evolucionit drejt konvergjencës në kushte të ngjashme apo analoge do të thotë se ekziston mundësia solide që mekanizma të tillë të shfaqen në secilin sistem i cili organikisht mund të zhvillohet drejt efikasitetit më të mirë (riprodhues).

Biologu i njohur, Richard Dawkins, qysh në vitin 1976 ka vërejtur se edhe këmbimi i ideve ndërmjet njerëzve mund të konsiderohet proces evolutiv.

Rrjetet e neuroneve dhe rrjetet e kompjuterëve në të vërtetë janë vetëm mekanizma për këmbimin e informatave, ndërsa mekanizma të tillë shfaqen edhe të insektet eusociale, milingonat, bletët, anzat dhe termitet.

Sa është nocioni i vetëdijes njerëzore dhe të qenit unik i trurit njerëzor në të vërtetë është relativ dhe subjektiv, tregojnë edhe dy hulumtime më të reja, të cilat merren me tematikë të ngjashme, ndonëse në dy fusha krejtësisht të ndara të shkencës.

Truri është rrjet shoqëror në kokë?

Një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve në revistën ‘Neuron’ ka publikuar hulumtimin, i cili për herë të parë hedh dritë mbi mekanizmin e procesit të krijimit të funksioneve më të larta kognitive brenda trurit.

Për të përcjellë këmbimin e të dhënave ndërmjet segmenteve të numërta në trurit njerëzor, kanë shfrytëzuar algoritme, të cilat deri më tash janë shfrytëzuar për të shqyrtuar përhapjen e informatave në Twitter.

Duke shfrytëzuar modelin e njëjtë për shqyrtimin e këmbimit të informatave, shkencëtarët kanë zbuluar hallka (lidhje) specifike dhe pika shpërndarëse, të cilat janë meritore për funksione më të larta kognitive.

“Secili mendim apo veprim përfshin sinjale të numërta, të cilët si valë përhapen nëpër tru, dhe ndezin qendra tjera shpërndarëse deri sa përhapen. Në vendet ku këto valë takohen shkaktohen integrime të shumëfishta të sinjaleve. Besoj se ky integrim është shenjë e funksioneve më të larta kognitive,” ka thënë profesori Olaf Sporns nga Universiteti i Indianas.

“Ky hulumtim tregon se përgjigjet në pyetjen se ku zhvillohen funksionet më të larta të trurit gjenden në mënyrën në të cilën këto rajone janë bashkuar në rrjet. Kjo është e pamundur të vërehet duke e shikuar rrjetin statik, është e nevojshme të shikohen modelet dinamike,” ka deklaruar ai.

“Ky model na mundëson të përcjellim sinjalet dhe të shikojmë se si udhëtojnë nëpër rrjetin e neuroneve në tru, si dhe ku takohen, ndërsa këto pika, si duket, paraqesin ‘rajonet e nivelit më të lartë’ në hierarkinë e trurit,” ka thënë Bratislav Mišić, bashkëpunëtor në hulumtim.

Shkencëtarët edhe më parë kanë supozuar se truri funksionon më pak si qendër unike e vendosjes, e më shumë si sistem ‘demokratik’, në të cilin vendimet dhe mendimet kalojnë me pranimin e shumicës nga ana e sistemeve të ndara në tru. Por, me zhvillimin e rrjeteve shoqërore, duke se kemi gjetur një analogji më të mirë për funksionimin e trurit sipas të cilës, ai nuk është parlament, po rrjet shoqëror, në të cilin vendimet përfundimtare në të vërtetë paraqesin temat më të popullarizuara — ‘trending’.

Për çfarë mendojnë zgjojet e bletëve dhe foletë e buburrecave?

Vetëm një ditë më herët prej kolegut nga Universiteti i Indianës, ekipi i Universitetit Drexel ka shtruar edhe një pyetje interesante, a i shfrytëzojnë insektet shoqërore bashkërisht trurët e tyre?

Paralelisht i kanë studiuar anzat shoqërore, të cilat jetojnë në koshere, dhe llojet e anzave, të cilat jetojnë individualisht. Te primatët, ndër ta edhe njerëzit, delfinët, balenat dhe gjallesa të numërta shoqërore, trurët janë rritur gjatë evolucionit ashtë si janë rritur edhe madhësitë e grupeve shoqërore. Por, te insektet shoqërore, rajonet e trurit për përfundime qendrore kanë filluar të zvogëlohen, gjë që i ka shtyrë shkencëtarët në idenë se insektet trurët i tyre i shfrytëzojnë bashkërisht.

“Duke u mbështetur në kolegët e tyre brenda grupit, anëtarët e kolonisë së insekteve mund t’ia lejojnë vetes të investojnë më pak në trurët individualë. Këtë hipotezë e quajmë kognitivitet të shpërndarë,” ka thënë profesori Sean O’Donnell nga Universiteti Drexel.

Në hulumtimin të cilin e kanë botuar në revistën ‘Proceedings of the Royal Society B’, O’Donnel dhe kolegët kanë zbuluar se lloji i anzave të pavarura kanë ‘trupa skrrajorë’ më të mëdhenj në trurët e tyre, të cilët janë të lidhur me lidhjen e shqisave, të mësuarit asociativ dhe mbamendjen hapësinore, prej çka kanë konstatuar se insektet shoqërore mbështeten në përfundimet e përbashkëta.

Tashmë është e njohur se buburrecët i përcjellin informatat e thjeshta nëpërmjet tentakuleve dhe gjurmëve feromone, ndërsa sjellja e tyre në këmbimin e informatave është e krahasueshme me dizajnin e infrastrukturës së Internetit. Si një organizëm më i madh, ‘i rrjetëzuar’, zgjojet e bletëve dhe foletë e bubrrecave janë në gjendje të zgjidhin probleme të ndërlikuara logjike dhe të marrin vendime të ndryshme mbi zbatimin e aktiviteteve, si shpërngulja, kërkimi i ushqimit apo lufta me kundërshtarët në bazë të informatave të algoritmuara, të cilat i bartin individët – sërish, shumë ngjashëm me temat ‘trending’ në rrjetet shoqërore.

Mirësevini në Brainbook, me 86 miliardë anëtarë

A është truri njerëzor vërtet i ngjashëm më rrjetin shoqëror, 86 miliardë neuronet e të cilit paraqesin ‘anëtarët’ individualë të cilët bëjnë ‘like’, ‘ retweet’ dhe i këmbejnë informatat? Jo, natyrisht. Dhe po, në njëfarë mënyre.

Ende jemi shumë vite larg të kuptuarit të plotë të trurit njerëzor. Me gjithë përpjekjet e shkencëtarëve, mezi jemi në gjendje të krijojmë një simulim të papërsosur të një truri njerëzor, ndërsa vetëm atëherë do të mund të kuptojmë vertët në thellësi mënyrën në të cilën vepron truri ynë.

Por, deri sa të mos jemi në gjendje të zhvillojmë modele më të ndërlikuara të shqyrtimit, analogjia me rrjetet shoqërore është jashtëzakonisht e dobishme. Sot e dimë se Toka nuk është sferë, por gjeoid – më e gjerë në mes dhe e shtypur në pole, por ky ndryshim nuk është i rëndësishëm për askë pos për shkencëtarët. ‘Sfera’ mjafton për të gjithë ata që nuk janë gjeodetë, gjeografë apo fizikanë. Në mënyrë të ngjashme, ‘rrjeti shoqëror’ do të duhej të jetë i mjaft i mirë për të gjithë ne që nuk jemi neurologë, kirurgë, psikologë apo psikiatër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here