Standard.al

Liria e protestës dhe protesta e lirisë

0

Nga Dr. Albano Zhapaj

 Vala e madhe e zemërimit popullor më në fund plasi, qindra mijëra qytetarë zbarkuan në shesh në 18 Shkurt dhe i treguan pushtetit se është duke ecur në rrugën e gabuar. Presioni i frikës pothuaj katër vjeçare më në fund u thye dhe vlerat qytetare i dhanë një leksion demokracie “prijsave rilindas” që, jo vetëm do të mbahet mend gjatë, por do të shërbejë si precedent qytetarie jo vetëm këtij pushteti, por çdo lloj qeverie që do të marr këtej e tutje në dorë fatet evropiane të shqiptarëve.

Liria e protestës dhe shteti ligjor

Liria e protestës është e njohur dhe garantuar nga të gjitha kushtetutat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe gjithë shteteve moderne të botës. Në Deklaratën  Universale të të Drejtave të Njeriut, atë të vitit 1948, firmëtare e së cilës është edhe Shqipëria, gjejmë plot dy nene që trajtojnë të drejtën e protestës, si e drejtë themelore e mendimit dhe veprimit të një populli të lirë.

Natyrisht që pushteti e pranon teorikisht dhe nuk e ndalon ligjërisht këtë të drejtë, por ajo që ndodh në realitet është ndryshe. Në një vend të vogël dhe të varfër si Shqipëria, ku ekonomia e shumë familjeve varet nga rroga mujore e punës, sidomos asaj në shtet, shumë njerëz detyrohen nëpërmjet ushtrimit të presionit pushtetar të frikës se nëse merr pjesë në protestë humbet vendin e punës. Nga kjo kuptohet lehtë se asnjë familjar shqiptar nuk e ka luksin të ndërpresë të ardhurat ekonomike të fëmijëve dhe familjes së tij, nëpërmjet humbjes së vendit të punës. Presioni i frikës në këtë mënyrë kthehet në ambivalent të së drejtës së mendimit dhe veprimit qytetar, duke e detyruar qytetarin të pranojë në heshtje shtypjen pushtetare dhe njëkohësisht të ndjejë brenda vetes se gjithçka që po ndodh nuk është e drejtë.  Është pikërisht ky momenti i duhur kur opozita e një vendi, me kurajë e qytetari duhet të bëhet flamurtare e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të vendit dhe t`i ndohmojë ata të mposhtin frikën dhe të kuptojnë se të drejtat e tyre janë të pamohueshme dhe në qoftë se nuk ngrihen t`i kërkojnë, e ardhmja e familjeve dhe fëmijëve të tyre është në rrezik serioz.

Si po e pengon pushteti “de facto” ushtrimin e lirisë së protestës?

Pushteti i sotëm nën etjen  e pandalshme të përdorimit të shtetit për përfitime korruptive të një kaste të ngushtë njerëzish, në kurriz të ekonomisë dhe pasurive të këtij vendi, ka nënshtruar dhe vënë nën kontroll edhe lirinë e qytetarëve, duke i kthyer këta nga qytetarë në klientë. Monopolet e krijuara për këtë qëllim fillojnë nga arsimi, shëndetësia, pasuritë natyrore dhe duke përfunduar tek taksat e rënda, shërbimet e mos dhëna, doganat, tatimet, etj.

Kërcënimi i refuzimit të pjesëmarrjes në protestat e lira me heqjen nga vendi i punës është mënyra më klasike dhe e rëndomtë që përdor një pushtet antishtet dhe antiqytetar, për të penguar qytetarët e thjeshtë të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore. Biles arrihet deri aty sa nënpunësve dhe specialistëve të thjeshtë t`i gjejnë pjesëtarët e tjerë të familjes, duke përdorur edhe “libër shtëpie”, për të cilët i bën përgjegjës ata vetë, nënpunës e specialistë, nëse familjarët e tyre dalin në protestë.

Më tej nëpërmjet policisë pengojnë, vonojnë dhe krijojnë barriera nga më të ndryshmet të gjitha ato automjete që marrin përsipër të transportojnë qytetarët drejt vendit të protestës. Nuk mungojnë këtu as mediat propushtetare të cilat mundohen ta ridikolizojnë një protestë, ta banalizojnë dhe ta opinionojnë si një protestë të kotë, si një gjë të pavlerë, apo edhe si një kauzë të humbur. Më tej akoma nëpërkëmbin dinjitetin e qytetarit të zhytur në varfëri duke i ofruar “ndihmë ekonomike shtetërore”, ndonjë lëmoshë monetare të tillë që të nxjerr një muaj nga “halli”, dhe duke devijuar kështu lirinë e mendimit të atyre pak qytetarëve, buka e fëmijëve të të cilëve është më e rëndësishme se sa fjalët e bukura apo filozofia politike opozitare.

18  Shkurti si protestë e lirisë.

Nuk jam aspak dakord që kjo mund të quhet një protestë e Partisë Demokratike apo e vetëm popullit të djathtë. Kjo është protesta e qytetarëve dhe opozita me të drejtë i është bashkuar për të ndihmuar qytetarët në thyerjen e frikës dhe në fitimin e vetëbesimit dhe të lirisë. Një shoqëri nuk e bën dot as pushtetit dhe as opozita, ato mund të ndihmojnë natyrisht, por një shoqëri e bëjnë qytetarët, dhe mund ta bëjnë vetëm kur janë të lirë, të lirë të mendojnë, të punojnë, të veprojnë e të bashkëveprojnë, të ndërtojnë të ardhmen dhe lumturinë e tyre në atë copë qiell që Zoti u ka falur, me punë të ndershme dhe me djersën e ballit.

Një shoqëri demokratike kurrsesi nuk mund të quhet, konceptohet apo ndërtohet me marifete e marifetçinj, duke mbjellë apo prodhuar hashash,  drogëra dhe helme të tjera, qofshin edhe fitimprurëse, sepse kurrësesi mirëqenia e familjeve tona dhe fëmijëve tanë nuk mund të ngrihet mbi helmin që u shesim familjeve dhe fëmijëve evropianë.  T`i japësh mundësinë një populli të ndërtojë lumturinë e tij mbi punë të pandershme dhe në kurriz të fatkeqësive të familjeve të vendeve fqinjë, pasi droga që u shesim mos të menojmë se i përmirëson ato, është një krim shoqëror përveç se ligjor, është një pabesi që ne i bëjmë shoqërive të tjera, psesë e së cilave aspirojmë të jemi. Lumturia personale e çdo njeri dhe e çdo familjeje ndërtohet vetëm nëpërmjet punës së ndershme, dhe shteti ka detyrimin të sigurojë kushtet e nevojshme që qytetarët të punojnë me dinjitet dhe të sigurojnë të ardhurat për fëmijët dhe familjet e tyre.

Protesta e lirisë si rizgjim i ndërgjegjes qytetare.

Kushdo në Evropë apo Amerikë që ka menduar, qoftë për shkak të historisë, qoftë për shkak të dizinformimit, se shqiptarët kur protestojnë janë të dhunshëm, kësaj radhe morën një leksion të ri, njëleksion që vetëm një popull qytetar di ta japë. Është një moment me të vërtetë reflektimi mbi qytetarinë, që na çon të mendojmë se ëndrrat për të cilat u ngritën studentët e dhjetorit 1990 nuk janë shuar. Liria dhe dinjiteti qytetar vlejnë më tepër se çdo parrullë pushtetare që mashtrueshmërisht ndriçon antivlerat dhe i shet për vlera, që ndriçueshmërisht mashtron me fasadat që i shet për reforma, dhe këtë qytetarët e kanë kuptuar.

E kanë kuptuar jo vetëm ata që në 18 Shkurt dolën në shesh, por edhe ata qindra mijëra të tjerë që u pozicionuar përpara ekraneve, jo nga mos dëshira për të dalë, por sepse ende nuk e kanë thyer frikën ndaj pushtetit, jo nga dëshira për të mos qenë prezent, por nga meraku se dalja në shesh mund të dëmtojë fëmijën, vëllain, kushëririn, xhaxhain apo dajën që mund të jenë të punësuar në shtet. Meraku se mos na shohin “spiunët” është real, pasi pushteti ka lançuar një armatë spiunësh besnikë për të linçuar lirinë e veprimit qytetar të nënpunësve e specialistëve të sektorit publik, dhe për ta bërë kurbanin e radhës në pushimin nga puna. Mijëra mesazhe solidarizuese kanë mbushur inbox-et e protestuesve dhe ky është treguesi më i qartë i analizës së mësipërme.

Opozita përballë (s)provës së lirisë.

Opozita dhe krerët e saj kanë marrë një mision sa të rëndësishëm aq edhe të vështirë e delikat. Mbështetja e lirisë qytetare duhet çuar deri në fund, pa kompromise që cënojnë qytetarinë dhe të ardhmen e vendit. Shumë prej nesh ju bashkuan protestës së lirisë me bindjen se opozita e sotme do të mbajë premtimet e veta, ato të ç`bërjes së të këqijave që solli pushteti katër vjeçar i rilindjes, çbërjes së Ligjit famëkeq të Arsimit të Lartë, konçensioneve korruptive në shëndetësi, kthimin popullit pasurive të popullit, garantimin e lirisë së sipërmarrjes, uljes së taksave, ringritjes së shtetit ligjor dhe kthimin e institucioneve në shërbim të qytetarëve.

Opozita të tregojë që Shqipëria është evropiane por që është pikë së pari e shqiptarëve, të tregojë se pushteti buron nga qytetarët dhe i shërben atyre, se liria e mendimit dhe veprimit janë jetike për shoqërinë tonë. T`i tregojë dhe ne qytetarët do ta mbështesim pa kufij, jo thjesht për faktin e të ardhurit në pushtet, por për të ndërtuar një Shqipëri të lirë dhe Evropiane.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.