Faktin e ke brenda

0
216

Nga Andi Bejtja

Teksa protesta e opozitës që kërkon qeveri teknike për të hyrë në zgjedhje me kushte të barabarta po vazhdon, kryeministri Rama, në monologjet e tij të përjavshme në Facebook, nënvizoi se nuk ka fakte që vërtetojnë se qeveria po tenton të manipulojë zgjedhjet. Përkundrazi, theksoi ai, këto do jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë. Kjo deklaratë, u bë si për ironi, kur dy ditë më parë në brigjet italiane u kap një nga sasitë më të mëdha të marijuanës, rreth 10 tonë.

E gjithë kjo histori të sjell ndërmend atë barcaletën e famshme, ku burri e kapi gruan me dikë tjetër përsipër dhe e çoi në gjyq. Në gjykatë, gruaja e kapur mat kishte paguar gjykatësin dhe ky i fundit i thoshte vazhdimisht burrit të martuar: fakte, fakte….Dhe burri pasi u stërlodh duke përshkruar situatën, më në fund i tha: “Çfarë fakte do më tepër zoti gjykatës, faktin e ke brenda”.

Dhe fakti është brenda. Shqipëria, ndryshe nga shumë vite më parë, kur kishte një zonë të izoluar ku mbillej kanabis, tashmë ka një hartë gjeografikisht të shpërndarë në çdo rreth të vendit. Sasitë kanë qenë marramendëse ashtu sikurse dhe mjetet e shpërndarjes. Për herë të parë ne pamë avionë dhe pista fluturimi në këtë biznes. Jo vetëm media shqiptare, por dhe ajo ndërkombëtare e këtu nuk flasim për media periferike, por nga ato më prestigjiozet, kanë vërtetuar, se ky në më të shumtën e rasteve, është një biznes i kthyer nga lart-poshtë dhe jo nga poshtë-lart. Këto media kanë vërtetuar me fakte përfshirjen e policisë shqiptare. Dhe për herë të parë sidomos në median europiane kemi dhe analiza që flasin për dyshime të forta të Brukselit, se zgjedhjet mund të manipulohen pikërisht nga zhvillimi i biznesit të kanabisit nga segmente të krimit. Edi Rama do të ishte sot në një pozitë shumë më komode nëqoftëse do kishte dëgjuar këshillën e ish ministrit të LSI-së Ylli Manjani për përfshirjen e ushtrisë në ç’kanabizimin e vendit dhe natyrisht kjo opozitë që proteston sot do të ishte në pozitë më të vështirë.

“Fakti brenda” nuk mbetet me kaq. Ka shumë kolegë të mi gazetarë, që mendojnë që vetëm fakti që sot kemi media të kapura më shumë se kurrë mjafton për të mos e bërë garën të barabartë. Por nuk është vetëm qeveria Rama që vuan nga këto simptoma, në fakt ashtu si edhe çdo qeveri e mëparshme, por për shkak të arrogancës dhe një skeme më të sofistikuar propagande, kjo qeveri edhe më shumë se të tjerat, ka disa vepra e akte në shërbim të manipulimit indirekt të zgjedhjeve. Është bërë e zakonshme të shohim pak muaj përpara datës së zgjedhjeve të bëhen amnisti, të falen gjoba etj, që nuk janë zakone vetëm të kësaj qeverie për të qenë të sinqertë. Shikojmë si rastësisht përshembull se si në shumicën e qyteteve shqiptare e ashtëquajtura Rilindje Urbane, rikonstrusionet e shesheve i mbaron pikërisht një muaj para zgjedhjeve, duke nisur që nga kryeqeqyteti.

Në këtë sfond dhe me këtë kërkesë, kërkesën për të hyrë në zgjedhje në kushte të barabarta, kjo protestë e opozitës është një nga protestat më civile të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Ndryshe nga i famshmi 21 Janar i Rilindjes ku pamë demonstrues që godisnin policinë në mënyrë të dhunshme, që sulmuan shtetin në mënyrë të dhushme, kjo është një protestë qytetare. Mund të ketë të përbashkët çadrën, por asgjë tjetër. Në 21 Janar Rama e kishte të qartë, që fitorja e tij vinte me gjak, shkoi për gjak dhe mori gjak. Këtë herë opozita po shkon thjesht dhe vetëm për të kërkuar, konsoliduar demokracinë, po kërkon as më pak e as më shumë: rregulla demokratike për të hyrë në garë në kushte të barabarta. Ndaj në këtë këndvështrim kjo ditë mund të jetë dhe një ditë historike pse jo dhe një revolucion. Në ç’kuptim them revolucion? Ka jo pak vende në botë ku tre muaj përpara zgjedhjeve, qeveria zhvishet nga funksionet politike dhe merret me përgatitjen e infrastukturës zgjedhore. Tranzicioni i gjatë e i deformuar shqiptar ka treguar, se një qeveri teknike, për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike është një domosdoshmëri. Në këtë periudhë të Rilindjes së kanabizuar po e po, por dhe në çdo kohë tjetër. Mos ka ardhur koha që pikërisht këtë qeverinë teknike 3 muaj para zgjedhjeve, ta fusim si opsion legal në kushtetutën tonë? Një qeveri që do ndalonte çdo tender, çdo inaugurim për efekte zgjedhore, një qeveri që do të bënte rregullat e garës sa më transparentë, që do të caktonte numërues të pavarur, që mund të organizonte dhe numërimin elektronik e të tjera si këto. Personalisht mendoj që do të ishte një operacion plotësisht i shëndetshëm për demokracinë e papjekur shqiptare. Për të gjitha këto, kjo protestë meriton një duartrokitje të madhe. Vullneti i mirë mund ta shndërrojë këtë ditë jo thjesht në një bonus për opozitën aktuale, por në një shërbim të madh për demokracinë, shqiptarët dhe Shqipërinë. Prandaj në atë çadër mund ta gjejë veten kushdo.

Shkruar për Syri.net 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here