“Trumponomiks“: Ja si do ta ringjallë ekonominë amerikane presidenti i ri

0
266

“Pikat kryesore të platformës që ka filluar të zbatojë Presidenti i ri i SHBA”

Më 20 janar 2017, Presidenti i ri i SHBA-ve Donald Trump u betua dhe nisi punën. Idetë e tij për shndërrimin e ekonomisë amerikane do të kenë ndikim jo vetëm në këtë ekonomi, por edhe në ekonominë e të gjithë botës. Asnjëherë si deri tani planet ekonomike të një presidenti të porsazgjedhur në SHBA, të quajtura unanimisht nga mediat dhe analistët me termin “Trumponomics” nuk kanë tronditur dhe lëvizur mbarë rruzullin, sikurse po ndodh sot me deklaratat, planet dhe këshilltarët ekonomikë që po thërret rreth vetes Trump.

 Tregtia sipas Trump

Trump ka kritikuar gjatë gjithë fushatës së tij zgjedhore politikën tregtare të ndjekur deri tani nga SHBA-të. Ai është shprehur se kjo politikë i ka dërguar vendet e punës të kompanive prodhuese amerikane jashtë vendit. Në veçanti ai ka sulmuar marrëdhëniet tregtare me vendin fqinj Meksikën, duke e quajtur Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë për Amerikën e Veriut (NAFTA) si “marrëveshjen tregtare më të keqe të miratuar ndonjëherë në këtë vend”, gjatë debatit të parë presidencial në shtator 2016. Marrëveshja, e nënshkruar nga presidenti Bill Klinton në vitin 1993, pakësonte barrierat tregtare mes Meksikës, SHBA-ve dhe Kanada-së. Kur njoftoi kandidaturën e tij për President në qershor 2015, Trump premtoi se do të vendosë një tarifë doganore 35 % për automobilat Ford të importuar nga Meksika. Këtë premtim e përmendi dhe gjatë konferencës së tij të parë për shtyp si President i zgjedhur. Trump duket i vendosur të ribisedojë kushtet e NAFTA-s, ose të tërhiqet nga ajo, nëse Meksika dhe Kanadaja refuzojnë kushtet e reja të SHBA-ve.Presidenti i zgjedhur ka kritikuar Kinën, duke pretenduar se ky vend e mban qëllimisht të ulët vlerën e këmbimit të monedhës së tij, jenit, për të fituar avantazhe në eksport. Trump synon ta deklarojë Kinën një vend manipulator të monedhës dhe të vendosë tarifa doganore deri në 45% mbi eksportet kineze. Presidenti shpreson që me një dumping të tillë mbi prodhimet kineze të lehtësojë situatën e prodhuesve amerikanë në vend dhe të rrisë kërkesën vendase për produktet e tyre.

 Taksat sipas Trump

Në politikën fiskale të brendshme, plani i taksave i Presidentit të ri synon të pakësojë shtatë nivelet e sotme të taksimit federal mbi të ardhurat në vetëm tre nivele. Ai do të rrisë kufirin e taksueshëm federal nga një e ardhur vjetore 12,600 dollarë amerikanë në 30,000 dollarë, pra gati tri herë. Zbritjet nga taksat do të nisin nga deklaruesit bashkëshortë me nivel të ardhurash mbi  200,000 dollarë. Për deklaruesit individualë(të pamartuar) shuma do të përgjysmohet. Trump ka në plan të heqë taksën për kryefamiljarin e pamartuar të një shtëpie që mban një person tjetër. Në tërësi, në nivel të qytetarëve, plani i taksave i Trump do të ulë taksat për pjesën më të madhe të amerikanëve, por do të rrisë taksat për disa familje të mëdha dhe prindërit e vetëm, për shkak të eliminimit të disa përjashtimeve nga taksat. Presidenti me idetë më të fuqishme ekonomike në historinë e SHBA-ve kërkon po ashtu të shfuqizojë taksën mbi dhuratën dhe taksat ndaj pasurive të patundshme, të cilat ai i quan “taksa vdekjeje”, ndërsa do të taksojë fitimet kapitale mbi 10 milion dollarë që mbahen deri në vdekje(pra, pa u përdorur). Ai do të ndalojë kontributet e aktiveve të vlerësuara të biznesit privat për bamirësi private, të cilat mund të përdoren për të shmangur taksat mbi fitimet kapitale.

Tre nivelet e taksave të Trump

Deklarues bashkëshortë /  Deklarues të pamartuar/  Taksa mbi të Ardhurën  /Taksa mbi Fitimin Kapital

Deri në $75,000                    Deri në $37,500                       12%                                        0%

$75,000 deri në $225,000    $37,500 deri në $112,500      25%                                     15%

Mbi  $225,000                        Mbi $112,500                           33%                                      20%

Burimi: Fortune

Plani i taksave të Trump do të eliminojë një shteg evazioni, duke e taksuar interesin e mbajtur si e ardhur e rregullt, edhe pse ndikimi neto mbi investimet private dhe fondet e investimeve mund të mos jetë i madh. Taksa më e lartë kufi për biznesin do të ulet nga 35% që është sot, në 15 %. Këto ndryshime synojnë nxitjen e kompanive amerikane, sidomos atyre prodhuese, që të investojnë fitimet e tyre në SHBA. Presidenti propozon heqje takse për kompanitë që i riatdhesojnë fitimet e tyre nga aktivitetet jashtë SHBA-ve, duke i vënë sidomos kompanitë e mëdha prodhuese përpara alternativës: ose të paguajnë taksa mbi interesat e fituara nga kapitalet e mbajtura në bursa, ose të investojnë pa taksa brenda territorit të SHBA-ve.

Investimet në infrastrukturë

Trump ka premtuar të rrisë ndjeshëm investimet në infrastrukturë. Projekti i tij më i dukshëm është muri për të ndërtuar përgjatë kufirit me Meksikën, projekt që e përsëriti edhe në konferencën e tij të parë për shtyp si President i Zgjedhur në 11 janar 2017. Presidenti kërkon nga qeveria meksikane të financojë murin me një pagesë 5 ose 10 miliardë dollarë, në këmbim të mosndryshimit të Aktit Patriotik që i lejon emigrantëve meksikanë të riatdhesojnë kursimet e tyre në atdhe pa u taksuar. Gazeta “The Washington Post” e ka vlerësuar më lart koston e ndërtimit të murit në 25 miliardë dollarë.

Planet e Trump për infrastrukturën përfshijnë investimet në hekurudhat, autostradat, aeroportet, urat, tubacionet (duke përfshirë tubacionin Keystone), rrjetin e energjisë, telekomunikacionit, ujë të pastër dhe infrastrukturën e sigurisë. Për 100 ditët e para të detyrës, Presidenti premton një plan 10-vjeçar investimesh me një vlere 1 trilion (një mijë miliardë) dollarë, me investime që do të burojnë(me anë të bonove të infrastrukturës) nga partneritetet private-publike, nga shkurtimi i burokracisë dhe duke eliminuar shpenzimet e kota.

Shëndetësia publike

Trump ka premtuar se do të shfuqizojë dhe zëvendësojë Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, të njohur botërisht si “Obamacare“. Natyra e saktë e këtij zëvendësimi është ende e paqartë. Dy ditë pasi u zgjodh, Presidenti i ka habitur amerikanët duke treguar për “Wall Street Journal“ se ai do të mbajë disa pjesë të njohura të sistemit “Obamacare“. Trump ka përjashtuar mbajtjen e mandatit individual të “Obamacare“, i cili kërkon që ata qytetarë që mund ta përballojnë financiarisht ta blejnë siguracionin e sistemit, ose të paguajnë një gjobë. Ai ka thënë vazhdimisht se dëshiron të financojë “Medicaid“ (Ndihmën Shtetërore Mjekësore) përmes granteve bllok të shteteve të SHBA-ve, duke i lejuar të siguruarit të shesin sigurimet e tyre në të gjitha shtetet. Premtime të tjera përfshijnë lejimin e qytetarëve që t’i zbresin primet e sigurimit shëndetësor nga kthimi i parave prej tatimeve, që të blejnë trajtimet mjekësore më efektive nga ana e kostos, etj.

Tregu i rregulluar sipas Trump

Presidenti Trump është krejtësisht kundër rregullimeve financiare të tregut të kapitaleve, të cilat i ka konsideruar si të tepruara dhe mbytëse për operatorët e tregjeve. Në premtimet e tij për njëqind ditët e para, ai synon të anullojë dy rregullore ekzistuese federale për çdo të rregullim të ri që është futur. Trump ka qenë veçanërisht kritik ndaj rregullimeve në tregun e energjisë, për të frenuar ndotjen dhe ndryshimin e klimës. Presidenti ka premtuar të çmontojë Aktin “Dodd-Frank“ të Bursave në Wall Street të Reformës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Kandidati i Trump për sekretar të Thesarit, Steven Mnuchin e ka cilësuar këtë ligj si “mënyrë shumë e komplikuar dhe që pengon kreditimin”.

 Borxhi publik

Presidenti Trump ka kritikuar vazhdimisht rritjen e borxhit kombëtar publik amerikan, i cili qëndron në 19.8 trilionë dollarë! Në mars 2016, Trump i tha “Washington Post“ se ai mund ta eliminojë borxhin brenda tetë vjetësh. Gjatë debatit zëvendëspresidencial, zëvendëspresidenti i ri, Mike Pence tha se “kur ne të kthehemi në 3.5 ose 4 për qind rritje ekonomike, dhe me planin Trump do ta bëjmë, atëherë do të kemi burime për të përmbushur nevojat e vendit tonë brenda dhe jashtë vendit, dhe do të kemi mundësinë për të ulur borxhin kombëtar”. Në maj 2016, Trump deklaroi se do ta konsideronte shlyerjen më pak se shuma e plotë e borxhit që SHBA-të kishin huazuar. Kjo ngjalli shqetësime tek kreditorët e mëdhenj të SHBA-ve dhe Trump nxitoi të sqaronte se nuk ishte “duke folur për një rinegocim”, por, argumentoi ai, “ju mund të bleni mbrapsht me ulje, ju mund të bëni gjëra me ulje”.

Nëse do të arrijë të ulë disa taksa, Trump do të bëhet presidenti i parë amerikan pas ish-aktorit Ronald Regan, i cili do të ulë taksat në ekonominë amerikane. Megjithë pengesat e shumta që priten në realizimin e premtimeve të “Trumponomiks“, tregjet amerikane të bursave i kanë dhënë të drejtë synimeve të Trump. Obligacionet 10-vjeçare shtetërore të SHBA-ve u ngritën nga 1.6% të periudhës para zgjedhjeve në 2.36% të ditëve të para të janarit 2017, duke treguar shpresën e madhe të investuesve amerikanë dhe të huaj në politikat ekonomike që administrata e re do të ndërmarrë pas 20 janarit 2017. Ndërkohë, treguesi i besimit konsumator në SHBA është në nivelin e tij më të lartë të 13 viteve të fundit. Ndonëse shumica e studiuesve amerikanë nobelistë në ekonomi, si Jozef Stiglitz (nobelist në vitin 2001) apo Edmund Phelps (nobelist në vitin 2006) tregohen mosbesues dhe kritikojnë idetë ekonomike të Trump, që shumë shpejt do të shndërrohen në politika, pjesa më e madhe e botës është optimiste. Ekonomistë të njohur të Bankës Botërore parashikojnë rritjen e prodhimit botëror në 2.7 për qind për këtë vit, nga 2.3 për qind që ishte në vitin 2016. Në këtë rritje do të kenë ndikim, sipas kësaj Banke, edhe politikat e administratës Trump për uljen e taksave dhe rritjen e investimeve publike. Një prodhim botëror në rritje për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, edhe për shkak të “Trumponomiks“ ka parashikuar edhe Organizata Evropiane  për Bashkëpunim dhe Zhvillim OECD. Në tërësi, ekonomistët në vende të ndryshme të botës bashkohen në gjykimin se për një periudhë afatshkurtër, përpjekjet e administratës së presidentit të ri amerikan do të sjellin rritje ekonomike në SHBA dhe në botë. Mirëpo ndërkohë shumica e tyre ndjehen të shqetësuar për pasojat negative që një politikë shumë agresive dumping-u apo minimi të disa marrëveshjeve të deritanishme tregtare mund të sjellë. Po për ekonominë tonë, çfarë mund të sjellë Trumponomiks? Një klimë më optimiste rritjeje ekonomike dhe besimi konsumator në Evropë, sidomos në Bashkimin Evropian, e ndikuar edhe nga zhvillimet në SHBA, nuk ka si të mos jetë me përfitim edhe për ekonominë tonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here