Dështojnë sërish Gjiknuri e Rama, askush nuk do të bëhet palë në vjedhjen e “arit të zi”

0
401

Nga Ervin Kaduku

Mësohet se qeveria ka rihedhur edhe një herë për interes blloqet e lira të naftës, por këtë herë janë më shumë sesa një apo dy pre tyre. Në hartën e rifreskuar në fund të janarit 2017 Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës qartëson edhe panoramën. Sipas kësaj harte vazhdojnë negociatat për Dumrenë dhe Bllokun 4 me kompanitë e interesuara respektivisht Shell dhe Delek Grup ndërkohë që për të disatën herë interesi për Bllokun 5 dhe bllokun Panaja është zero. Këto të fundit sëbashku me Blloqet e tjera të lira që llogariten të jenë 11 janë të lira për interesin e investitorëve.

Ajo që ka dekurajuar shprehjen e interesit sipas ekspertëve por edhe institucioneve kanë qenë çmimet e ulëta të arit të zi në tregjet globale duke i tkurrur planet e investimeve jo vetëm të aktorëve mesatarë por edhe gjigandëve të kësaj industrie. Por kjo është maja e ajsbergut. Ajo që tremb më së shumti investitorët seriozë, që mund të shkojnë në çdo vend ku ka naftë, por në Shqipëri nuk po vijnë më, është fakti se këtu të kërkohet të bëhesh palë në vjedhjen e paskrupullt të pasurive të nëntokës. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka deklaruar se tashmë në vazhdim do të ndjekë një politikë të ndryshme nga ajo e mëparshme duke lënë të hapur mundësinë e shprehjes së interesit nga investitorët në çdo kohë.

Por kjo nuk është hera e parë që qeveria Rama dështon të tërheqë investitorë në një sektor, që po lakmohet shumë sot në botë. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore shtyu për të disatën herë datën e pranimit të ofertave për dhënien në shfrytëzim ndaj kompanive private për nxjerrjen e naftës në Panaja dhe në Bllokun 5 nëpërmjet një marrëveshje hidrokarbure. Në një njoftim zyrtar më 21 shtator të vitit të kaluar AKBN bëri me dije se afati për dorëzimin e ofertave për  shtyhet më 30 tetor. Burimet nga institucioni bëjnë me dije se shtyrja e afatit është bërë për shkak se nuk ka pasur të interesuar për shfrytëzimin e fushës. Më tej, ekspertë nga sektori i hidrokarbureve bëjnë me dije se, ky nuk është një moment i përshtatshëm për investime në nxjerrjen e naftës. AKBN e kishte hapur garën për dhënien e kësaj fushe që në fillim të vjeshtës, por kanë munguar ofertat. Fusha naftëmbajtëse shtrihet nga Gadishulli i Karaburunit deri në Sarandë, ku përfshihet edhe kërkimi në detin Jon.

Të gjitha depozitat e naftës që ekzistojnë në gjendjen e tyre natyrore në shtresat tokësore brenda juridiksionit të Republiksë së Shqipërisë janë pronë ekskluzive e shtetit shqiptar. Me ligj, qeverisë i lejohet të negociojë me privatë për shfrytëzimin e pasurive të nëntokës. Sipas kushteve të kontratës, kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit është deri në 5 vjet dhe mund të zgjatet deri në 7 vjet, në përputhje me “Ligjin e Hidrokarbureve”. Kontraktuesi nuk mund të kalojë te faza pasuese pa plotësimin e detyrimeve dhe angazhimeve financiare. Kohëzgjatja e secilës fazë të periudhës së hulumtimit është subjekt i negociatave. Në rast zbulimi, periudha për zhvillimin dhe prodhimin është njëzetepesë vjet dhe mund të zgjatet më tej siç parashikohet në ligji.

 

Treg kaotik

Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani.

Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjellta apo shit-blerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies. Mjafton që një sipërmarrje të blejë disa bote me naftë dhe xhiron shuma të larta. Taçi Oil (më pas I.S.C. Petroleum -IT Oil) , Tea Construction & Petrol kanë qenë dy nga kompanitë tipike, që pasi arritën xhiro të larta vjetore, falimentuan, duke lënë pas një mal me detyrime e kredi.

 

Mashtrimi

Kohët e fundit falimentimi i firmave që operojnë në fushën e naftës po bëhet diçka e zakonshme. Pas largimit të Bankers Petroleumit, Banka Kombëtare Tregtare njoftoi se ka kërkuar sekuestron e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të kompanisë Bolunmez Petrol, pasi kjo e fundit nuk i ka kthyer kredinë, ndërkohë që banka ka vënë në ruajtje pronat e hipotekuara, teksa kompania ka ndalur punën dhe i ka braktisur këto prona. Bolunmez Petrol, me aktivitet në fushën e naftës, që zotëronte depozitat e karburantit në Shëngjin, ka marrë fillimisht një kredi prej  rreth 2.4 milionë dollarë në qershor 2014 dhe më pas një kredi në janar 2016 , prej rreth 8.5 milionë dollarë. Për të dyja kreditë ka hyrë dorëzanës edhe kompania ORYAP ORM.INS.SAN.VE.TIC.

Mosshlyerja e kredive ka detyruar BKT-në që në nga tetori 2016 të çojë çështjen në përmbarim dhe të kërkojë ekzekutimin e pronave të shumta që janë vënë në hipotekë.

Nga raporti rezulton se të gjitha pronat janë braktisur. “Në datën 19.01.2017 njoftohemi nga pala kreditore, që pronat janë braktisur nga pala debitorë dhe nga shoqëria private e rojeve e kontraktuar nga pala debitorë, duke mos u kujdesur për pronat e hipotekuara në favor të palës kreditore të cilat janë objekt i ekzekutimit. Ky fakt u konstatua në vend nga përmbaruesi gjyqësor në favor të palës kreditore dhe forcave të rendit, ku u konstatua se pronat nuk ishin në punë, duke mos pasur asnjë gjendje inventari dhe nuk kishte energji elektrike, duke mos realizuar të ardhura. Të gjitha dyert e objektit janë të mbyllura, të cilat u vulosën dhe me vulën përmbarimore”, thuhet në raportin e kompanisë përmbarimore Justicia.

Për këtë arsye, përmbaruesi ka vendosur caktimin e një kompanie sigurie (Octapus Security) për të ruajtur pronat.

Pronat e vëna në hipotekë janë pesë depozita karburanti në Shëngjin, një depozitë uji, një depozitë dekantimi, tubacione nafte, si dhe truall e ndërtesa, të gjitha në Shëngjin. Bolunmez Petrol është hapur në fund të vitit 2013, pra kur erdhi dyshja Rama-Gjiknuri në pushtet, si shoqëri aksionare me aktivitet në tregtimin e hidrokarbureve, me zyra në Shëngjin dhe aksioner Mehmet Murat Bolunmez. Kompania, sipas ekstraktit në QKB ka si objekt kryesor të aktivitetit krijimin, instalimin, dhe vënien në shfrytëzim sipas kushteve teknike, të pajisjeve, impianteve, stacioneve, reparteve dhe linjave të ushtrimit dhe tregtimit të hidrokarbureve brenda dhe jashtë vendi. Sipas mediave turke, në vitin 2009 Mehmet Murat Bolunmez ka qenë pjesë e një grupit të hetuar për kontrabandë nafte në Greqi.

Kompania Bolunmez Petrol ka parë një rritje të të ardhurave në 1.6 miliardë lekë në 2015-n, nga 330 milionë lekë në 2014-n, duke u renditur ndër 200 kompanitë më të madhë në vend (e 154-a). Pavarësisht rritjes së shpejtë në 2015-n, viti 2016 ka qenë problematik për kompaninë. Në fund të tetorit të vitit të kaluar BKT filloi marrjen e masave, duke e çuar çështjen në përmbarim dhe duke kërkuar vënien e sekuestros konservative në aktivitetet e palës debitore.

 

Agjencia

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) ka konstatuar një nivel shumë të lartë të kostove që i konsideron të parregullta, pra të kryera jo në përputhje me licencë-marrëveshjen nga auditimet e kryera për 10 kompani hidrokarbure në kërkim dhe prodhim. Vlera e këtyre kostove është tepër e lartë, mbi 500 milionë dollarë llogariten kostot e parregullta, që janë shprenzime të parregullta (të fryra dhe të pajustifikuara). Për shembull për disa shërbime, që duhet të kryhen duke bërë më parë me tender të hapur, AKBN ka konstatuar që këto procedura janë evituar. Ka pasur dhe raste të tjera të ngjashme, ndërsa nuk ka pasur asnjë mekanizëm që rregullonte eficiencën e kostove. Sipas AKBN Po të llogarisim në përqindje, rreth 70% e të gjitha kostove të audituara kanë qenë me probleme, ndërsa në vitin 2013 ky konstatim ishte sa 1% e kostos së audituar.

 

KLSH

Ministria e Energjisë dhe Industrisë duhet të propozojë miratimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve në Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim sigurimin e një modeli dhe treguesve të tyre me mbështetje sa më të gjerë, si dhe të shmangë mbylljen e ciklit të vendim-marrjes brenda qeverisë, kjo për shkak dhe të kohëzgjatjes me periudha që tejkalojnë mandatin e një qeverie”. Në këtë përfundim ka arritur Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka përfunduar auditimin e performancës për “Procedurat dhe rezultatet e marrëveshjeve hidrokarbure në Shqipëri”. Në këtë material voluminoz prej 153 faqesh, KLSH konstatonte ndër të tjera se ndikimi në ekonomi i shfrytëzimit të pasurive nëntokësore ka qenë minimal, si për sa i përket efektit në punësim dhe të ardhurave në buxhet.

Sipas ligjit aktual, Ministria mundet të hyjë në Marrëveshje Hidrokarburesh me çdo Person dhe “Person” do të thotë një person fizik a juridik, partneritet, njësi korporate apo ndonjë shoqatë tjetër. Një përcaktim i tillë, duke ligjëruar lidhjen e marrëveshjes me person fizik, nuk motivohet aspak juridikisht me qëllimin e marrëveshjeve hidrokarbure dhe praktikën ndërkombëtare. Zhvillimi i sektorit të naftës dhe gazit nëpërmjet marrëveshjeve hidrokarbure kërkohet kryesisht në kushtet e vendeve që kanë mungesë të kapaciteteve teknike, njerëzore dhe financiare vendase, duke ia ofruar rrjedhimisht investitorëve të huaj të fushës. Sipas përcaktimeve aktuale ligjore, pasuritë tona nëntokësore mund të merren në shfrytëzim edhe nga një shoqatë apo korporatë e cila nuk është e specializuar në fushën e industrisë nxjerrëse të naftës. Praktikat ndërkombëtare përcaktojnë se shtetet zotëruese të pasurive natyrore nëntokësore hyjnë në marrëveshje hidrokarbure me kompani të specializuara në fushën e hidrokarbureve, kryesisht ndërkombëtare.

Ligji aktual i lë hapësira evazive vendimmarrëse Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për t’u “bindur” se Personi me të cilin do të lidhet Marrëveshja e Hidrokarbureve disponon ose mund të sigurojë burimet financiare dhe kompetencën teknike të kërkuar për të përmbushur detyrimet e Kontraktorit nën Marrëveshjen e Hidrokarbureve. Në këtë mënyrë, edhe nëse nuk ka burime financiare, por i siguron ato më pas, personi mund të marrë për kërkim dhe shfrytëzim vendburime të naftës, pa pasur ndonjë artikulim ligjor se si mund të sigurohen dhe sa garanci ofron për kosto optimale të hidrokarbureve.

Për shkak të kolapsit ekonomik të viteve ’90 janë ndërmarrë lëvizje ristrukturuese drejt privatizimit, si dhe janë bërë përpjekje për ofrimin e investitorëve të huaj, duke diktuar nevojën emergjente për ndryshime në fushën e legjislacionit, si një mjet rregullator për mënyrën e menaxhimit dhe të perspektivës së sektorit hidrokarbur. Mbi këtë bazë, në vitin 1993 u krijua hapësira ligjore për të bërë të mundur transferimin e veprimeve (prodhimit) nga shteti drejt investitorëve cilësorë me Ligjin nr. 7746, datë 28.07.1993 “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”.

– Edhe pse ky ligj ka pësuar ndryshime 6 herë deri në periudhën aktuale, vazhdon të shfaqë probleme në lidhje me:

Përkufizimin e Marrëveshjeve me Ndarje Prodhimi, si marrëveshje e cila parashikon mbulimin e plotë të kostove hidrokarbure, pa hapësira në një nivel të caktuar përqindjeje deri në mbulimin e plotë të tyre;

Nuk është në përputhje me strategjinë e thithjen e investimeve dhe investitorëve të huaj me përvojë ndërkombëtare në fushën e hidrokarbureve, por e lë evazive angazhimin në marrëveshje të tilla dhe me persona fizikë dhe shoqata;

Nuk është i qartë dhe konciz në lidhje me vendimmarrjen e ministrisë së linjës për përcaktimin e investitorëve të fushës së hidrokarbureve, pasi nuk përcakton kritere, por e lë mbi bazën e “bindjes”, si dhe krijon mundësinë e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve me investitorë pa kapacitetet e nevojshme financiare, por që mund t’i sigurojnë ato gjatë zbatimit;

Nuk ka përcaktime ligjore mbi nivelin kufi të nënkontraktimit të punëve, mallrave dhe/ose shërbimeve, duke sjellë në vëmendje se nënkontraktimet rrisin kostot hidrokarbure dhe për pasojë shtyjnë në kohë dhe zvogëlojnë përfitimet e shtetit nga pasuritë nëntokësore të veta;

Nuk ka karakter detyrues për ministrinë në hartimin dhe miratimin e rregulloreve dhe kontratave model, mungesa e të cilëve ul ndjeshëm efektivitetin e kuadrit rregullator në përfitueshmërinë e shtetit shqiptar nga marrëveshjet hidrokarbure; Marrëveshjet hidrokarbure të prodhimit, megjithëse zgjasin më shumë se një çerekshekulli dhe pretendohet të shpenzohen qindra miliona dollarë (ose euro), krahas problemeve të tjera, vazhdojnë të bëhen efektive me vendim të Këshillit të Ministrave, duke e mbyllur ciklin e tyre brenda qeverisë së radhës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here