Standard.al

Kërcejnë çmimet e banesave, rritet mbi 4% në tremujorin e 4

0

–   Goditja me taksa të rënda varfëron shqiptarët, rrit koston e jetesës

Çmimet e banesave panë një rritje te beftë në tremujorin e fundit të vitit 2014 pas një staniacioni në tremujorin e tretë. Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të politikes monetare raportoi se indeksi i çmimit të banesave, u rrit me 4% në tremujorin e katërt. Gjatë vitit 2016, indeksi i çmimeve u rrit me 4.6% në terma mesatarë vjetorë, teksa shihet se indeksi i qirasë së banesave ka regjistruar gjithashtu rritje me 3.3% në tremujorin e katërt.

Në terma mesatarë, gjatë vitit 2016, indeksi i qirasë shënoi rënie me 4.4%. Sipas analizës së Bankës raporti i indeksit të çmimit ndaj qirasë së banesave u zhvendos lehtë në një nivel më të lartë gjatë vitit 2016, duke reflektuar ecurinë në kahe të kundërta të çmimeve dhe qirasë së banesave. Vërehet se në zonat më të lakmuara të kryeqytetit apartamentet në qendër të Tiranës po shiten me shpejtësi me para në dorë. Çmimet u shtrenjtuan në me nivele më të larta se taksat, për shkak të shtimit të kërkesës, por dhe përmirësimit të infrastrukturës. Pse u gjallërua pikërisht tani tregu dhe si veprohet “për të maskuar” shitjet cash. Në pjesën më të madhe të pallateve në zona të preferuara, kanë mbetur pak apartamente të lira, ndërsa ndërtuesit nuk ngurrojnë t’u thonë blerësve potencialë që shitjet janë shtuar së fundmi, edhe me cash – dhe nuk është aspak problem të gjenden shtigjet për të justifikuar paratë, përmes pagesave me këste.

Zona e parë e kërkimit ishte pranë digës së liqenit artificial, ku shoqëria Nderpro sh.p.k kishte objektin e saj drejt përfundimit. Çmimi për metër katror i apartamenteve për banim ishte 1800 euro. Dikur, apartamentet në atë zonë tregtoheshin rreth 1200-1300 euro për njësi matëse. Ndërtimi i rrugës së re, së fundmi, i ka dhënë një tjetër dimension kësaj zone, duke e bërë atë mjaft të preferuar. Megjithatë, pavarësisht rritjes së çmimit, numri i apartamenteve të lira për shitje ishte i vogël. Kishte shumë pak variante zgjedhje, asnjë apartament i orientuar nga perëndimi nuk kishte ngelur pa shitur, ndërkohë që objekti ende nuk kishte përfunduar.

Menaxheri i kompanisë ndërtuese, Andi, pasi tregoi mundësitë e lira për zgjedhje, pohoi se përgjithësisht apartamentet ishin blerë me shumën e plotë të parapaguar dhe siguron se fqinjët e ardhshëm do të ishin njerëz me nivel të lartë. Pasi iu tha se blerja e apartamentit mund të bëhej vetëm me ndihmën e kredisë, interesi i tij ndaj klientit ra. Shanset e një individi me të ardhura mesatare për të marrë një kredi, për një shtëpi me vlerë mbi 200 mijë euro, janë thuajse zero, teksa banka përgjithësisht nuk jep më shumë se 50 mijë euro kredi. Duke u afruar më pranë zonës së ish-Bllokut, menaxherëve të shitjeve iu tha se kërkohej të blihej një hyrje me para në dorë. Pranë stadiumit ‘Dinamo’, Ferar sh.p.k. ishte në përfundim të ndërtimit të objektit. Nga 1700 euro/m2 në fillimet e ndërtimit, çmimi për një metër katror kishte kapur nivelin e 2000 eurove. Përsëri, edhe në këtë objekt, menaxherja e shitjeve, Visa, siguroi se klientela ishte e mirë, ndërsa apartamentet e lira për shitje ishin të pakta në numër.

Zona e dytë e kërkimit, te Kopshti Zoologjik, pranë Ambasadës Amerikane, ish-Parku i Autobusëve, te Selvia dhe te zona e Shkollës së Kuqe, çmimet e apartamenteve variojnë nga 1100 në 1500 euro për m2 dhe sipas aktorëve të tregut, çmimet në këto zona janë rritur me 100 deri në 200 euro për m2, krahasuar me pak vite më parë.

Zona e tretë, ku përfshihet Komuna e Parisit, Porcelani, Liqeni i Thatë, Shkolla e Bashkuar, Kinostudio dhe Kombinati, çmimet e apartamenteve variojnë nga 700 deri në 1000 euro për m2. Pjesa më e madhe e apartamenteve në ndërtim ishin të shitura. Në zonën e Liqenit të Thatë, ndërtuesi tha se vetëm dy apartamente kishte të lira për shitje, ndërsa pak më poshtë, në zonën e Kopshtit Zoologjik, të gjitha apartamentet ishin shitur. Në varësi të pamjes së apartamentit, orientuar nga liqeni artificial i parkut të Tiranës ose jo, çmimet luhateshin nga 1200 në 1800 euro.

Komuna e Parisit është një nga lagjet e reja më të populluara të Tiranës. Në kompleksin e dytë të pallateve Kika, çmimi për metër katror është 950 euro, i diskutueshëm nëse paguhej 60% e shumës. Sokoli, administrator i kompanisë ndërtuese, tha se kërkesën për apartament e shikon në rritje dhe në kompleksin që kërkonte rreth gjashtë muaj që të finalizohej kishte shumë pak hyrje banimi të lira për shitje. Gjithashtu, ai shtoi se nuk është rritur vetëm kërkesa për shtëpi, por dhe kërkesa për të pasur shtëpi me cilësi. Po në atë zonë, pritej që të fillonin ndërtimet e kompleksit të tretë të banimit Kika, mirëpo administratori rrëfeu se ende nuk kanë vendosur se me çfarë çmimi do të dilnin në treg, por ai do të reflektonte taksën e rritur dhe kërkesën e lartë. Psh, vetëm taksa e infrastrukturës, nga 15 euro/m2 shkonte në 75 euro/m2. Zona më e shtrenjtë. Zonat më elitare të Tiranës, si ajo pranë Radio Televizionit Shqiptar, janë të cilësuara në përditshmëri si të paprekshme dhe çmimi i apartamenteve në atë zonë kap vlerën 3000 euro për m2. Aktualisht në atë zonë është vetëm një objekt në ndërtim nga firma ndërtuese “Ana sh.a.”

Shqipëria me indeks të lartë për çmimet

Të dhënat e Numbeo-s, i cili ofron statistika, tregojnë se Shqipëria ka një indeks të lartë sa u përket çmimeve të pasurive të paluajtshme kundrejt të ardhurave mesatare të familjeve. Raporti e klasifikon Shqipërinë (e cila përfaqësohet nga Tirana) në vendin e 26-të me indeks 19.16. Ky indeks bazohet në aftësinë e blerjes së apartamenteve (sa më i ulët, aq më mirë. Zakonisht llogaritet si normë e çmimeve mesatare të blerjes së apartamenteve kundrejt normës së të ardhurave mesatare për familje. Në këtë renditje, Shqipëria renditet pas qytetit Minsk në Bjellorusi, ndërsa është përpara Baku në Azerbajxhan. Nëse krahasimi orientohet ngushtësisht mes shteteve të Europës Juglindore, atëherë, për nga indeksi, Shqipëria renditet në vend të tretë, duke lënë pas qytete si Split në Kroaci, Shkupi në Maqedoni, Firence në Itali, Podgorica në Mal të Zi, etj. Indeksin më të lartë (40.98) e ka qyteti Shenzhen në Kinë dhe më të ulëtin Memfis në SHBA (1.48).

Varfërimi

Në Shqipëri, numri i personave që zyrtarisht deklarojnë se kanë të ardhura me të larta se 2 milionë lekë në vit (rreth 15 mijë euro) është shumë i ulët. Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, që i referohen personave që kanë bërë deklarimin e të ardhurave vitin e kaluar janë dorëzuar gjithsej 6341 deklarata nga individët tatimpagues. Numri i individëve që kanë deklaruar se kanë të ardhura mbi 1250 euro në muaj (15 mijë euro në vit) është minimal, në raport me totalin e të punësuarve në vend, vetëm 0.6% e tyre (në total sipas INSTAT janë mbi 1 milion të punësuar në vit, nga të cilët 417 mijë në sektorin privat jo bujqësor, 475 mijë në bujqësi dhe 165 mijë në shtet). Në bazë të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, individët me të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit duhet të bëjnë çdo vit deklarimin e tyre në tatime deri në datën 30 prill. Këtu përfshihen të ardhurat nga paga, qiraja, dividendi, interesat bankare, lotaritë, pasuria intelektuale, fitimi kapital nga dhurimi,të ardhura të realizuara jashtë territorit shqiptar.

Trendi i deklarimeve ka ardhur gjithsesi në rritje. Ky ritëm në vitin e kaluar Ishte në 11% rritje kundrejt vitit paraardhës. Në shifrat e tatimeve përfshihen vetëm individët që zyrtarisht kanë deklaruar se të ardhurat e tyre i kalojnë 1250 euro në muaj, ndërsa numri real i tyre, përfshirë të ardhurat e padeklaruara, apo ato të përfituara me korrupsion ose aktivitet ilegal është praktikisht i pamatshëm.

Tatimi më dekurajues në rajon

Shqipëria mban rekord në rajon për taksimin e individëve me paga të larta.

Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali I Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel. Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.

Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%. Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 Euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro.Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%). Në Bosnjë Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.