Historia e Vatikanit përmes shekujve, sekrete përvëluese nga dhomat e errëta

0
203


Arkivi i fshehtë i Vatikanit ruan një pasuri unike në botë. Në 85 kilometrat e rafteve të tij, në fakt, janë vendosur dorëshkrimet origjinalë që kanë shënuar historinë e Kishës, por jo vetëm, duke filluar nga shekulli VIII: bëhet fjalë për dekrete shkishërimi, proces verbalë (për procese si ai kundër Templarëve), privilegje perandorakë e shumë të tjerë.
Ndodh, ndonjëherë, që të mundësh të rijetosh kohëra të largëta nga dëshmitarë okularë dhe pa artificin e realitetit virtual. Një rast i jashtëzakonshëm, pikërisht në këtë kuptim, shfaqet këto kohë nëpërmjet dokumenteve sensacionalë të ekspozuar për herë të parë për publikun në Muzetë Capitolini të Romës, në Campidoglio: që nga Dictatus Papae i Gregorit VII tek dekreti i dëbimit për Frederikun II, që nga aktet e procesit kundër Templarëve francezë deri tek miratimi i rregullit të San Francesco d’Assisso, që nga Privilegium i Ottonit I deri tek origjinali i Concordato di Worms, nga Unam Sanctam e Bonifacit VIII deri tek akti i shkishërimit të Martin Luterit, shkruan standard.al.

Ekspozita epokale që mban emrin Lux in arcana, përmban 100 dorëshkrime të çmuara me burim Arkivin e Fshehtë të Vatikanit dhe parashtron ngjarjet e mëdha të historisë së Kishës, nga Mesjeta deri në Nëntëqindën. Vetëm disa studiuesve të përzgjedhur, për qëllime kërkimesh shkencorë, u ishte lejuar në të kaluarën të admironin këta tekste. Askush, në fakt, nuk kishte mundur ndonjëherë të konsultonte dokumentet në të ashtuquajturën “periudhë e mbyllu”, pra nga 1939 deri në ditët tona, edhe këta të shfaqur në itinerarin e ekspozitës.

Zgjedhja e vendit të ekspozimit ka një domethënie simbolike të veçantë: Lindja e Muzeve Capitolini në fakt i detyrohet një Pape, Sisto IV i cili në vitin 1471, i dhuroi disa thesare të rëndësishme artistike dhe arkitektonikë qytetit të Romës. Me iniciativë të vetë Sisto IV papët kishin filluar të ruanin në një vend të sigurtë dokumentet e historisë së Kishës, shumë kohë përpara krijimit të Arkivit të Fshehtë, duke u lënë kështu pasardhësve një pasuri shumë të madhe dëshmish të drejtpërdrejta.

Ekspozita është e ndarë në seksione tematikë. Çdo dorëshkrim është i shoqëruar nga materiale multimedialë, të nevojshëm për të inkuadruar kontekstin e gjerë historik. Mund të thellohesh më tej me ndihmën e teknologjive të reja duke shkarkuar, për shembull, një aplikacion në smartphone apo në tablet. Pothuajse të gjithë seksionet kanë dokumente të shumtë të periudhës mesjetare, që po i paraqesim në mënyrë të detajuar dhe në mënyrë kronologjike. Është si të shfletosh, që nga fillimi, faqet e një libri magjik, autorët e të cilit janë aktorët protagonistë të historisë së rrëfehet.

Teksti i censuruar

Analiza e shkrimeve që i përkasin epokës së Mesjetës fillon me një formular letrash papnore të shekullit VIII që shkaktuan skandal në mjediset eklesiastike. Teksti, me emrin Liber diurnus Romanorum Pontificus, sjell një dënim formal të shprehur nga Këshilli i Tretë i Kostandinopojës i vitit 680, kundër papës Onorio I, i konsideruar përgjegjës se kishte favorizuar, ndonëse në mënyrë indirekte, përhapjen e monotelizmit (tezë heretike që pohonte praninë në Krisht të vetëm vullnetit hyjnor). Ai dënim përbënte një pikëmbështetje të rëndësishme për ata që kontestonin parimin e pagabueshmërisë së Papës dhe mbizotërimin e linjës së tij politika ndaj vendimeve të këshillave. Ja përse publikimi i formularit, i transkriptuar në vitin 1646 nga një studiues gjerman pas një serie rrethanash misterioze, u bllokua nga censura eklesiastike. Në 1700 origjinali gjeti vend në Arkivin e Vatikanit dhe vetëm në 1889 u bë i mundur publikimi, shkruan standard.al.

Një prej “xhevahirëve” të ekspozitës i përket shekullit X dhe sjell një epokë dobësie të papëve kundrejt perandorisë: bëhet fjalë për pergamenin shumë të bukur ngjyrë të purpurt e me gërma të arta që përmban tekstin e Privilegium të Ottone I. Me këtë akt Papa, në një moment të parë, mori prej perandorit gjermanik njohjen e parë të pronave të Kishës në gadishullin italian.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here