Cili ishte pirati me i famshëm shqiptar?

0
380

shpella-e-haxhi-aliut1-vlore haxhi-ali-ulqinaku

Historia e tij si zot brigjeve detare shqiptare, madje edhe gjithë Mesdheut për shumë vite, është e dokumentuar nga kundërshtarët e tij, venetikasit, në raportet që jepeshin në atë kohë. Ndërsa në anën tjetër, në atë shqiptare, në mungesë të letrave, ai u përjetësua në tregimet, legjendat dhe këngët e folklorit popullor. Edhe sot, pas 4 shekujsh, detarët shqiptarë apo të huaj kur kalojnë afër shpellës me emrin e tij në Karaburun  iu bien sirenave të anijeve, hedhin në det bukë, shishe me vaj apo me verë në kujtim të Haxhi Aliut.

Kush ishte Haxhi Aliu

Haxhi Ali Ulqinaku ishte një nga kapedanët më të shquar të detit Mesdhe. Ai u lind në Ulqin rreth vitit 1569, por origjinën e kishte nga shqiptarët e Kalabrisë, në vitet 1587-1593, kreu shërbimin ushtarak në Forcat Detare osmane. Gjatë viteve 1594-1597, vazhdoi studimet në shkollën ushtarake të Detarisë në Stamboll. Disa vite shërbeu në Flotën Detare Ushtarake të Perandorisë Osmane në Mesdhe. Në ato kohë Mesdheu rrihej kryq e tërthor nga piratët e huaj: italianë, grekë,portugezë, spanjollë e francezë që popullli i njihte me emrin “frëngj”. Pikërisht të njëjtën gjë rrëfen edhe misionari italian De Camilis, udhëtues në brigjet tona e gati në gjithë Mesdheun. “Gjatë udhëtimit tim në këto vise nuk hasa pengesa, megjithëse Deti Mesdhe gjatë asaj kohe ishte plot me piratë” – do të shkruante ai, për udhëtimin e tij në brigjet tona. Bëhet fjalë për vitin 1668, kur De Camilis udhëtoi nga Italia për në Dhërmi e Himarë, ku edhe shërbeu si misionar.

Pasha i deteve

Trimëritë dhe bëmat e Haxhi Aliut ishin të njohura nga shumë detarë të huaj. Kapedanët e deteve e kishin si një kryekapedan. Një ndër legjendat e shumta tregon se një pirat osman me orgjinë algjeriane nga Afrika i dërgon një letër Haxhi Aliut, ku e kërcënonte se po e ndeshi në ndonjë nga udhët e detit do t’ia rripte lëkurën dhe do ta shtronte mbi syret e kuranit. Haxhi Aliu në përgjigjen që i jepte piratit algjerian shkruante: “Kafkën tënde unë do ta bëjë kokë për çibukun dhe do të pi duhan me të”. Për merita të posaçme që i atribuoheshin këtij kapedani në zhdukjen e piraterisë venedikase, greke e malteze, Sulltan Selimi e gradon pasha (admiral) që është grada më e lartë në veprimtarinë e detarisë.

Mes të vërtetës dhe legjendës

Thuhet se varri i tij dhe i të birit është në Sazan, ndërsa gojëdhëna të tjera thonë se varri i tyre ndodhet në det të hapur, aty ku nxin fundi i detit midis Kepit të Karaburunit dhe Ishullit të Sazanit. Në tokë, barinjtë e Karaburunit deri vonë në vjeshtën e dytë të vitit, në shënjë kujtimi dhe respekti të kapedanit të shquar, u hiqnin zilet dhe këmborët bagëtive, gjë që e bënin rrallë për ndonjë fatkeqësi tepër të madhe. Rapsodët vlonjatë në kujtesën e tyre kanë ruajtur kujtimet lidhur me veprimtarinë e këtij kryepirati. “Kush e njeh Haxhi Alinë/ Ky në det kishte kufinë/ Haxhi Alia, kaçak i detit/ I doli zot tërë miletit/ Midis detit të Sezanit/ Luftoi e vdiq kapidani. Në shpellë xhind u ba Limani…”. “Haxhi Aliu me të birin/porsi mbreti me vezirin”, thotë një këngë tjetër e vjetër për atë pirat madhështor. I frymëzuar nga legjenda e Haxhi Aliut dhe Shpella e tij, shkrimtari i njohur i Bregut, Petro Marko bëri romanin “Shpella e Piratëve”.

Për vite me radhë zot i vetëm i Otrantos

Në vitet 1609-1624, në Kepin e Karaburunit, Haxhi Ali Ulqinaku u vendos së bashku me te birin dhe dy testana (anije me vela), që përdoreshin nga detarët shqiptarë në shekujt XVI-XVIII. Ai luftoi kundër Ushtrisë franceze e veneciane që kërkonin zotërimin e brigjeve të Adriatikut e Jonit. Në të dy anët e Karaburunit, Haxhi Aliu bashkëpunoi me kapedanët himariotë të detit dhe me barinjtë vendas kundër piratëve të huaj që sulmonin këto brigje. Pylli i Karaburunit ishte furnizuesi i Haxhi Aliut me lëndë druri për ndërtimin e anijeve luftarake, anije, të cilat me veprimtarinë e tyre ishin përqendruar kryesisht në mezokanal. Sipas gojëdhënave, Haxhi Aliu me anijet e tij të shpejta rrihte brigjet veriore të Afrikës deri në Misir e Spanjë. Vendi ku ai strehohej në Karaburun ishte një shpellë karstike, prej tij ajo mori edhe emrin Shpella e Haxhi Aliut.  Rreth viteve 1623-1624, në brigjet e Otrantos u ndesh me anijet e Venedikut dhe të Anglisë, në një ekspeditë ushtarake të pabarabartë, e cila kishte për qëllim eleminimin e të gjitha mjeteve lundruese rebele nga brigjet e Mesdheut. Megjithëse ata ishin të shumtë e të pajisur me mjete të fuqishme lundrimi, Haxhi Aliu u rezistoi dhe ata nuk arritën ta thyenin apo ta zinin rob.

Fundi i Haxhi Aliut

Perendim-dielli-ne-Lepe-Country-ParkBeteja e fundit ka qenë ajo e vitit 1625 në Kanal të Otrantos, ku kundërshtari ishte superior në mjete dhe forca. Në këto kushte të vështira Haxhi Alia me anijen e tij të shpejtë mundi ta çajë rrethimin dhe t’i afrohet kepit të Gjuhzës, i ndjekur hapa pas hapi nga kundërshtarët, deri tek vendi i quajtur “Maja e Frengut”, mbi shpellë në Karaburun, ku edhe u vra së bashku me të birin duke luftuar me shpatë në dorë. Në tetor 1962 detarët shqiptarë (pjesëtarë të marinës luftarake) i ngritën një bust brenda repartit, përballë hyrjes në portin e Ishullit të Sazanit, duke e konsideruar kështu si një shëmbulltyrë të detarisë së vjetër shqiptare. Busti u hoq pa asnjë arsye në vitin 1974 – 1975!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here