Problemet me urbanët e Tiranës/ Realiteti i vështirë që përballen çdo ditë qytetarët në udhëtimet me urban

0
578

Përtej fasadës që publikon në “Facebook” kryebashkiaku Erion Veliaj, urbanët e Tiranës ka në një sërë problemesh, të bartura dhe të shtuara të cilat, mundojnë çdo  ditë qytetarët. Ankesat, sharjet, fyerjet, janë nga më të ndryshmet çdo ditë kur dikush zgjedh urbanin për të  kryer udhëtimet e tij në qytet. Një cilësi e dobët që nuk e justifikon çmimin e rritur të biletës mbizotëron në të gjithë urbanët e Tiranës. Çdokujt i ka rastisur të udhëtojë me urbanet e kryeqytetit e po çdokush ka vënë re dhe shumë probleme që shoqërojnë gjatë ditës këtë transport. Mbipopullimi, vjedhjet, era e rëndë për shkak të mos ajrimit, vonesat në orare etj, janë vetëm disa prej shqetësimeve me të cilat qytetarët përballen çdo ditë në autobusët e linjave urbane. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës nuk duket të jetë aspak e shqetësuar mbi këtë realitet që duhet të përjetojnë qytetarët e kryeqytetit, të cilëve iu duhet të shtyhen e të shtypen si sardele nëpër urbane të linjave të ndryshme. Linjat kryesore ku shfaqen probleme të tejskajshme të pasagjerëve janë Unaza, linja e Institutit, Kombinatit dhe Saukut, Qyteti Studenti  ndërsa më pak problematike, megjithëse evident si problem situata paraqitet në linjën e Tiranës së Re.

Popullimi në orët e para të mëngjesit është më i rënduar, pasi është orari kur qytetarëve iu duhet të udhëtojnë në shkollë apo për në punët e tyre të përditshme. Por ky popullim është edhe në oraret e drekës kur të gjithë kthehen për në shtëpitë e tyre. Duke qenë se popullimi është shumë i madh, shumë nga autobusët nuk ndalojnë fare në disa stacione pasi e kuptojnë që nuk kanë vende për të marrë njerëz të tjerë. Por kjo situatë krijon dhe shtim të njerëzve që presin derisa të vijë urbani tjetër.

Pritja e njerëzve shtohet edhe nga trafiku i rënde që ka përfshirë prej disa muajsh kryeqytetin.  Një vajzë 22 vjeçare i cili jeton në “Kombinat” na tregon rrugëtimin e tij çdo ditë me urbanin të cilin e përdor çdo mëngjes, pasi i duhet që të shkoj në punë të cilën e ka në  “Komunën e Parisit”. Ajo tregoi se për çdo mëngjes duhet të përballet me një panoramë të shëmtuar, ku njerëzit gjenden të ngjeshur me njëri-tjetrin, dhe kjo gjë duhet të durohet për shumë minuta me radhe pasi vonesat janë të shumta, nga trafiku.  Po ashtu ajo na tregoi se për shkak të orarit kur të gjithë njerëzit lëvizin për në destinacione të ndryshme në të njëjtin orar, përballen me një ngjeshje dhe një shërbim që lë shumë për të dëshiruar. Për 22 vjeçaren nga “Kombinati”, kjo gjë është kthyer në rutinë dhe në neveri, ku ndodh shpesh që ai për këtë arsye të refuzoj që të hipi në urban në mëngjes. Dori nga “Kombinati” na tha se ai në shumë ditë zgjohet më shpejt që të eci në këmbë vetëm për të mos u përballur  me panoramën e shëmtuar që ka çdo ditë urbani që ai përdor.

Vonesat

Problematikë tjetër po kaq me rëndësi mbetet edhe vonesa e urbaneve, gjë që vajzës  nga Kombinati i kushton edhe mungesë në minutat e parë në punë, gjë që i ka sjell disa herë edhe probleme me eprorët e tij. “Ndalesat e shpeshta nga trafiku i rënduar bëjnë që të humbas edhe ditën e punës. Sikur të mos mjaftonte fakti se në brendi të urbanit të linjës Kombinat – Kinostudio asfiksohesh nga turmat e mëdha të ngjeshura ngushtë mes njëri-tjetrit, më duhet të rri në këmbë përgjatë gjithë udhëtimit me një trafik jashtëzakonisht të rënduar të orëve të para të mëngjesit”, na tregon ajo.  Lidhur me vonesat, një studente që përdor urbanin shpesh për të shkuar në shkollë na tregoi se asaj i ka kushtuar shumë udhëtimi me urban, pasi ka humbur shumë orë mësimi të cilat e kanë penalizuar. Ajo na tha se zgjohet gjithmonë dhe më herët, por përsëri ajo shkon vonë në shkollë. Ashtu si vajza dhe djali kanë të njëjtin problem që janë vonesat  në orare dhe u kushtojnë atyre punën dhe shkollën.

Urbanet në kaos, gjysmë ore për 800 metra

Një tjetër  student deklaroi  se urbanet në Tiranë janë në kaos total dhe me një rrëmujë që për të është mjaft shqetësuese. “Më duhet të marrë çdo ditë autobusin në qendër për të shkuar deri tek fakulteti im, rrugë që është një distancë jo më tepër se 800 metra. Trafiku bën që kjo rrugë kaq e shkurtër me urban të më shkojë jo pak, por ka raste që udhëtimi zgjat deri edhe gjysmë ore. Përveçse më duhet të qëndroj në këmbë gjatë gjithë kohës, mund të them se gjendja në urban është e rënduar, pasi linja e Saukut nuk ka kondicionerë”, na tregoi ai. Sipas tij, kjo rrugë ka kaq kohë që është në këtë gjendje dhe bashkia nuk ka ndërhyrë për ta rregulluar gjendjen e rëndë. Ditoni shton më tej se deri më tani kjo linjë ka patur probleme, pasi vendi ku është momentalisht stacioni i urbanit të Saukut ka qenë i dërrmuar nga punimet që janë bërë në këtë pjesë nga bashkia. Ai shpreson që situata momentale të marrë fund dhe udhëtimi i përditshëm drejt fakultetit të mos jetë më aq stresant sa ç’është momentalisht.

Vjedhjet dhe sherret

Përveç vonesave të cilat janë të shpeshta qytetarët gjithashtu kanë ankesa për kthimin e urbaneve në qendra të vjedhjeve, ku jo në pak raste në linja të ndryshme janë shënuar veprime të tilla. Jo vetëm vjedhja është e zakonshme në urbanet e kryeqytetit, por siç shprehen qytetarët, edhe rrëmujat e grindjet janë kthyer më se të zakonshme në urbane, si rrjedhojë e keqkuptimeve në mes të rinjve apo në mes pasagjerëve dhe stafit të urbanit.  Shumë qytetarë janë ankuar se sherret duhet që të shmangen në urbane, pasi shqetësojnë të gjithë udhëtarët. Para disa ditësh kur po udhëtojë në urbanin e kombinatit për të parë nga afër gjendjen e urbanëve, ndodhi një zënkë mes një udhëtari dhe fatorinos. Në momentin që fatorino ju drejtua qytetarit, për lekët e biletës, qytetari ju kthye me një ton të ashpër dhe më pas u ngritën tonet. Debati mes tyre zgjati disa minuta dhe të gjithë të tjetër filluan me ankesa për shqetësimin që ata patën. Edhe pse qytetari dhe fatorino e kuptuan se shqetësuan të tjerët vazhduan me debatin e tyre.

Mbi popullimi i urbaneve

Një i moshuar që ishte bashkudhëtari jonë në udhëtim, shprehu shqetësimin e tij qytetar lidhur me urbanet dhe i bëri një apel edhe instancave përkatëse. “Ka disa vjet që jam me sëmundjen e astmës dhe madje edhe kurohem me ilaçe nga astma. E kam të vështirë të udhëtoj në linjën e Kombinatit, pasi aty gjithmonë ka shumë njerëz. Mua më merret fryma dhe mezi marr frymë në ajër të pastër, e jo më në një ambient aq të mbyllur dhe të mbushur përplot me udhëtarë. Dua ti bëj apel bashkisë së Tiranës që ta shohë si problem dhe të ndërhyjë që të mos ketë më mbi popullime të tilla që po na marrin frymën ne pensionistëve”, tha i moshuari, duke apeluar për zgjidhje të problemit.

Qytetari  me vështirësi tregoi se prezenca e shumë udhëtarëve në këtë linjë bën që ai ta vizitojë më pak djalin e tij, pasi për çdo herë që udhëton ka vështirësi në frymëmarrje. Ai përsërit edhe njëherë apelin e tij për bashkinë e kryeqytetit, duke thënë se problemi është vërtetë i madh dhe bashkia është e nevojshme të ndërhyjë sa më shpejt që kjo situatë të marrë fund. Shqetësimi i mbipopullimit nuk ishte vetëm nga i moshuari, por edhe nga një studente e cila çdo ditë përdor dy urbane për të shkuar në shkoll. Anxhela është një studente e anglishtes në në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Tiranës. Ajo udhëton në dy linja të ndryshme të Tiranës që të mund të shkojë në fakultetin e saj. “Zgjohem që në 6 të mëngjesit nga shtëpia që e kam në Laprakë dhe marr linjën e Institutit, një linjë që ka kohë që është problem dhe ku nga rradha e madhe e njerëzve mezi mbyllen edhe dyert e urbanit. Rruga nga Lapraka për në qendër është një ferr i vërtetë, pasi urbanet janë krejtësisht të vjetër dhe nuk kanë ndryshuar prej vitesh nga bashkia. Aq më tepër, gjendja brenda urbaneve të kësaj linje bëhet më e rënduar nga zhurmat që shkaktojnë motorët e autobusëve, që shpërndajnë në ambientet e brendshme të urbanit erën e naftës”, në tregoi Anxhela. Ajo e indinjuar tregon këtë rrugë që përshkruan çdo ditë e që i është shndërruar në një makth, i cili, sipas saj duhet të marrë fund sa më parë.

Banorët e kryeqytetit çdo ditë detyrohen të përdorin transportin urban, si të vetmen mundësi të transportit publik, ndryshe nga kryeqytetet e tjera evropiane dhe më gjerë, që ofrojnë mundësi të ndryshme të këtij transporti publik. Numri i personave që detyrohen të përdorin çdo ditë autobusët është mjaft i lart. Ndërsa mungesa e ofrimit të shërbimit sipas standardeve të duhura është prezentë dhe e dukshme. Situata paraqitet kaotike në linjat më kryesore, siç janë urbanët që mbulojnë zonën e Unazës dhe Tiranën e Re, ku numri i qytetarëve që lëvizin sidomos në mëngjes për në punë ose destinacione të ndryshme, është më i madh se kapaciteti që mund të përballohet nga autobusët.

 

Problemet kryesore në transportin urban në Tiranë

Mungesa e sistemit të larmishëm të ofrimit të shërbimeve sa i përket transportit publik në Tiranë, ku mund të realizohet përmes trenit, tramit etj. i përball qytetarët të cilët nuk kanë makina private dhe detyrohen të udhëtojnë me autobus shpeshherë me vështirësi. Problemet kryesore sipas qytetarëve të cilët u prononcuan për gazetën, është mbipopullimi i pothuajse të gjitha linjave që operojnë në Kryeqytet. Një nga qytetarët i cili ndodhej në linjën e Unazës thekson se “numri i njerëzve të cilët hipin në urban është shumë i lartë, dhe kjo na detyron të qëndrojmë ngjitur e njeri-tjetrin, duke i favorizuar edhe hajdutët të cilët janë prezent në urban”. Por mbipopullimi i urbanëve nuk është i vetmi shqetësim për qytetarët, pasi nuk janë të pakta rastet ku ata detyrohen të qëndrojnë gjatë në stacion të autobusit, për shkak të trafikut të renduar dhe numri jo të mjaftueshëm të autobusëve. Në një kohë që frekuenca e autobusëve nga njëri stacion në tjetrin duhet të jenë nga 4-8 minuta, ky afat nuk respektohet në të shumtën e rasteve.

Mungesa e korsive të dedikuara

Mungesa e korsive të veçanta për qarkullimin e urbanëve, është një tjetër fenomen problematik që i vështirëson transportit urban ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve, në pritshmërinë e këtyre të fundit. Edhe pse është premtuar nga të dy partitë politik kryesore që kanë drejtuar Bashkinë e Tiranës, si të majtët ashtu edhe të djathtët që do të investohet sa i takon zgjedhjes së problemit të korsive të veçanta, ende ky premtim nuk është realizuar, ndërsa qytetarëve u mbetet të përballen çdo ditë më vështirësi sa i përket këtij sektori. Në Tiranë funksionojnë aktualisht 10 linja të transportit urban. Linjat që mbulojnë lëvizjet në Tiranë janë “Kombinat – Kinostudio”, “Tirana Re- Stacioni Trenit- Unaza Doganës-Tirana Re”, “Unaza”, “Porcelan”, “Sauk”, “Laprakë”, “Uzina Traktori”, “Tufinë”, “Institut Bujqësor” dhe “Sharre”. Sipas statistikave, dy nga linjat më të frekuentuara janë ato të Unazës dhe Kombinat-Kinostudio. Në periudhën nga muaji nëntor në mars, autobusët e unazës nisin lëvizjen nga ora 5:30 deri në 24:00, ndërsa në pjesën tjetër të vitit, prej orës 5:00- 24:00.

Kushtet e këqija

Duke kërkuar për kushtet në urbane, në redaksinë tonë na erdhën disa foto të cilat tregonin që në linjën e Qytetit Studenti, autobusi ishte i amortizuar. Në një prej ditëve të fundit që pati reshje shiu dolën disa probleme për një nga urbanët e kësaj linje. Shiu që binte jashtë, binte dhe brenda, pasi tavani ishte i dëmtuar. Shoferi dhe fatorino ishin kujdesur që ta ngjisnin me ngjitëse këtë çarje, por përsëri reshjet e shiut e dëmtuar. Pas disa minutash udhëtim qytetarët e panë veten të lagur nga pikat e ujit që kullonin nga  tavani.  Plasmasi dhe ngjitësi u shkëputën nga tavani edhe pse personeli kujdesej që herë pas here të shkonte dhe ta ngjiste, por pa arrtit rezultat. Kjo ishte vetëm në një nga urbanët pasi kemi parë që shoferi duke patur shumë të vështirë që të ndez kondicionerin në verë lë dyert hapur gjatë udhëtimit. Ndërsa në dimër për shkak të mungesës së dritareve, qytetarët duhet të përballojnë edhe të ftohtin.

Radhët e gjatë për të hipur në urban

Kohët e fundit për shkak të rritjes së çmimit të biletës është “rritur” edhe cilësia në urbanet  e kryeqytetit. Për shkak të cilësisë që është shumë e lartë, qytetarë të shumtë zgjedhin këtë mjet për të lëvizur. Kultura e të lëvizurit me urban është shtuar shumë dhe për këtë shkak krijohen radhë të gjata, për qytetarët të cilët dëshirojnë të lëvizin me këto mjete. Fotoja që tregohet është shkrepur afër qendrës së Tiranës, edhe pse njerëzit janë larg përsëri në fytyrat e tyre duket një gëzim i madh kur shohin që pranë tyre kalojnë  urbanët. Kjo foto është realizuar një dit, pasi kryetari Erion Veliaj pas disa muajsh ecje me makinë zgjodhi që në një ditë të shkonte në punë me urbanë. Më saktë ishte kronika magjike e radhës, dhe si arsye dytësore ishte shkuarja në punë. Qytetarët pasi panë që kushtet në urbanë ishin shumë të “mira” dhe nuk ishte shumë njerëz të gjithë treguan një interes për të udhëtuar me urban. Të gjithë u mahnitën nga pamjet e “rastësishme”,  tregohej që në urbanët e Tiranës kishte kushte shumë të mira. Por duke parë këto kushte të gjithë u drejtuan urbanit për të udhëtuar dhe tani të gjithë shpresojnë që të gjejnë një vend në urbane, sepse cilësia “e lartë” të bën që kesh dëshirë të lëvizësh me mjetet e transportit publik.  Megjithëse se shumë njerëz presin për urbanin, përsëri vonesat janë të shumta dhe ky shqetësim ka disa ditë që është prezent në Tiranë. Por cilësia “e lartë” bën që qytetarët të mos ngrenë zërin për një problem të “vogël” si vonesa, sepse pritja e tyre do të shpërblehet kur të hipin në urbanet me kushtet “më të mira në Evropë”.

………………………………………………………………………………………

Rritje e çmimit të biletës

Paralajmërimi për rritje të re të biletës së urbanit në Tiranë

Kryeqyteti është i vetmi qytet në Shqipëri që ka biletën e urbanit 40 lekë, pas vendimi të një viti më parë nga Këshilli bashkiak të Tiranës. Në atë kohë u quajt një indeksim i çmimit pasi ishte rritur shumë kostoja për një person që udhëton. Në ditët e para kur u pësua kjo rritje pati reagime të shumta nga të gjithë të cilët nuk ishin dakord me këtë vendim. Nga ana e tyre kompanitë e transportit e justifikonin rritjen me çmimin e lartë të naftës dhe taksat e shumta. Ndërsa bashkia si justifikim kishte rritjen e cilësisë e cila do të vinte menjëherë pas marrjes së vendimit. Kanë kaluar më shumë se një vit nga ky vendim po duket se asnjë gjë nuk ka ndryshuar, por vetëm ka pasur përkeqësime.  Por pasi kanë kaluar disa kohë që nga marrja e këtij vendimi kompanitë e transporti duket se nuk janë të kënaqura me këtë rritje dhe kërkojnë që të çmimi të pësoj përsëri indeksim. Autobusët urbanë në Tiranë kërkojnë rritjen e çmimit të biletës. Kjo për shkak të zgjatjes së linjave drejt periferive dhe shtimit të kostove për ta. Kërkesa vjen pasi ky shpenzim nuk mbulohen nga indeksimi i çmimit të një viti më parë që bëri bashkia e Tiranës. “Rritja e fluksit nuk është propocionale me rritjen e kostos së shërbimit për arsyen e shërbimit, lind nevoja e rishikimit të çmimit të biletës, premtim i kryetarit të bashkisë, bashkia kërkon rinovim të flotës por ne kemi kërkuar 10 vite që të marrim financimet e duhura.”, ka deklaruar para disa ditësh në media Alush Lame, kreu i shoqatës së Transportit.

Shoqata e Transportit kërkoi rritje të lejes nga 5-10 vite që investimi i tyre të jetë i sigurt. Drejtori i Transportit në Bashkinë e Tiranës ka pranuar problemet me linjat urbane. Transporti në Tiranë, strukturë mikes dhe kaotike, licenca të shumta nga komunat dhe bashkia dhe organizim kaotik dhe miksim i transportit publik me atë privat. Deri në fund të vitit do të vijoje kjo situatë për shkak të rikonceptimit me faza. Linjat janë rikonceptuar me frekuenca orare, autobus me kapacitet të lartë, në përfundim të fazës në fillim të 207, nr i autobusëve nga 203 në 290 autobusë dhe mjete me kapacitet të lartë”, tha ai. Deklarata publike e bërë për herë të parë pritet të konkretizohet dhe t’i shkojë zyrtarisht kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here