Vdekja e Dritëroit/ Miqtë: Vdekja tokësore nuk e ndan nga ne, do rrojë sa të rrojë letërsia

0
134

Pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, miqtë e tij shkrimtarë dhe jo vetëm shprehen se dhimbjen që këto momente po e ndjen gjithë Kombi shqiptar. Moikom Zeqo është i mendimit se figura kaq të mëdha si Agolli është vështirë t’i ndalë vdekja tokësore, pasi sipas tij, Agolli do mbetet gjithnjë i gjallë me veprat që la pas.

Moikom Zeqo: Është një dhimbje e freskët duket sikur fjalët paralizohen. si mik i tij i vjetër, si autori i një libri për të e prita lajmin me dhimbje të madhe. Njerëzit janë vdekatarë, të gjithë do vdesim, por ky lajm pati një lloj parapërgatitje, u fol për gjendjen e rënduar të tij edhe në media, por tani u bë fakt i patjetërsueshëm.

Vdekja e tij nuk është vetëm për familjen, ai hyn tek njerëzit që dhimbja bëhet tërësore, ndjehet edhe në Shqipëri këtej dhe andej Drinit siç thoshte vetë Agolli. Dhimbje e shumëfishtë, substanciale për një komb, për kulturën e tij. Ky është kryepersonazhi i letrave shqipe. Ai gëzonte respekt popullor.

Vdekja fizike është gjithmonë konvencionale, vdekja për një figurë të tillë nuk është shumë e fuqishme. Jeta e vërtetë është ajo që vjen më pas, u mbyll një portë, por ai do trashëgohet tek gjeneratat e ndryshme, vendin e ka të pashmangshëm dhe të patjetërsueshëm. Ishte pasuri për letërsinë.

DIANA ÇULI: VEPRA E AGOLLIT DO JETOJË SA TË RROJË LETËRSIA SHQIPE
Shkrimtarja Diana Çuli thotë se vepra e Dritëro Agollit do të jetojë për aq kohë sa do të rrojë letërsia shqipe. Teksa shpreh dhimbje për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Dritëro Agolli, Çuli thotë se Dritëroi ishte një njeri i madh.

“Sa të rrojë letërsia shqipe do të jetojë edhe vepra e Dritëroi. Padyshim që humbja e tij është e dhimbshme për familjarët, miqtë e tij, dhe të gjitha ata që kanë punuar me të, apo janë rritur me veprën e tij. Ai ishte modest, ashtu siç janë të gjithë njerëzit e mëdhenj. Shkrimtarët janë njerëz që i trajtojnë edhe të tjerët në mënyrë të barabartë. Të punoje me Dritëroin ishte si të bëje një universitet tjetër”, u shpreh Çuli.

FATOS KONGOLI: AGOLLI ISHTE NJË NJERI I RRALLË, PO KËSHTU EDHE VEPRA E TIJ
Shkrimtari Fatos Kongoli thotë se Dritëro Agolli ishte një njeri dhe një shkrimtar i madh.

“Kur rrije me Dritëroin ndiheshe i barabartë. Dritëroi e kishte qejf rakinë, edhe unë gjithë jetën e kam pëlqyer rakinë. E na bashkonte shpesh tavolina e bisedonim. E njoh mirë në këtë drejtim. Agolli ishte një njeri i rrallë. Edhe në veprën e tij”.

KORKUTI: MADHËSHTIA E DRITËROIT ISHTE NË THJESHTËSINË E TIJ
Kreu i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti shprehet se ndarja nga jeta e Dritëro Agollit lë pas hidhërim, por thotë se vepra e tij lë një pasuri të madhe.

“Largimi i Dritëroit nga hidhëron. Por ai la një vepër të madhe. Ai ishte i madh në letërsi. Por edhe i madh si një njeri. Nuk e dallojë dot, nëse ishte një krijues i shquar i letrave shqipe, apo edhe një akademik. Në çdo pozicion ishte i madh. Madhështia e tij, ishte në thjeshtësinë e tij. Ai kishte merak për Akademinë e Shkencave, që të bëhet më shumë në këtë drejtim”, tha Korkuti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here