Standard.al

Tronditja Trump

0

 

 

Brikena Bogdo

Një nga vlerat më të evidentuara, sot, për fenomenin Trump, është prezenca dhe lançimi i tij jashtë politikës, duke mos e detyruar, të paguajë, apo të kthejë resto. Kjo ia lehtëson atij, të përmbushë një nga premtimet, me të cilat erdhi në pushtet, luftën anti-establishment. Në fjalimin, përgjatë inaugurimit, për në Shtëpinë e Bardhë, tingëlloi fort shprehja që, zgjedhja e tij nuk ka të bëjë me trasferimin e pushtetit, ndërmjet partive, por kalimi i pushtetit tek populli. Kjo ishte një nga shprehjet më të diskutuara dhe më të kundërshtuara nga elita politike, me konotacionin e një demagogjie populiste. Tema më e diskutuar është fakti që, Trump, sot, ekziston falë gabimeve trashanike të së majtës progresiste, që injoroi klasën punëtore, qytetarët dhe të drejtat e tyre demokratike. Situata është tragjike dhe Trump ka premtuar një përmbysje. Elitat politiko–mediatike europiane sigurisht që e shohin Trump-in si një rrezik, për urdhërin politik të stabilizuar. Në përgjithësi komentet e tyre kanë qenë fyese, me doza të forta anti-amerikane.

Nigel Farage, një nga promotorët e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, ishte nga të paktët politikanë që kuptoi rëndësinë e arritjes së Trump, në Shtëpinë e Bardhë, i cili ka ndezur një lëvizje globale më të gjerë. “Kandidatura e Trump, që është konsideuar si një ngritje e populizmit, në fakt është një rikthim i demokracisë. Nuk është vetëm një rrugëtim nga presidenti i 44-ët, në të 45-in, por është një revolucion i vërtetë”- shprehet ai.

Ndërkohë, deklarata e Marine Le Pen e përcakton fitoren e Trump, një hap drejt zhytjes në botën e re, që aspiron të zëvendësojë një urdhër të vjetër.

Në Spanjë, analisti gjeopolitik Rafael Bardaji shprehet se, presidenti amerikan ka premtuar që sot fillon një erë e re, që përbuz Uashingtonin, dhe urren mënyrën që establishmenti ka udhëhequr, deri më tash, duke mbrojtur interesat e tyre, në kurriz të qytetarëve.  Kjo mund të quhet populiste, por është e vërtetë. Në fakt, demokracia është qeveri e popullit, për popullin, por në realitet, kjo nuk po ndodh, as në Amerikë, as në Europë. Kontrata sociale e demokracisë liberale, që do të thotë më shumë prosperitet, paqe dhe siguri për qytetarët, nuk respektohet më. Gjithçka për shkak të paaftësisë së elitave politike, që të përballen me krizën ekonomike.

Në Zvicër, Roger Koppel, drejtor i një të përjavshmeje vendase, në kundërshtim me tentativën e elitës europiane që të çfigurojë Trump, hedh deklaratën që, zgjedhja e tij ishte një tronditje e nevojshme, për të ndryshuar vizionin e botës. Tashmë po diskutohen çështje tabu, për emigracionin e paligjshëm, për disfunksionin  e Europës, papunësinë. Nuk deshën të flasin paraardhësit e Trump, por folën shumica e zgjedhësve. Kjo është demokracia.

Në të njëjtën linjë, me presidentin e ri të SHBA, është dhe kryetari i PD, Z. Lulzim Basha. Ai, në një deklaratë, përpara disa ditësh, shprehej se, tashmë pushteti duhet t’i kalojë popullit. Kjo tendencw pan-botwrore po kwrkohet tw implementohet edhe nw Shqipwri nga kjo forcw e djathtw.

Ndërkohë, në Europë, liderë të partive kryesore antisistem, kanë organizuar një mbledhje, për të koordinuar një strategji politike dhe organizuar potencialisht miliona zgjedhës, të deziluzionuar, në Gjermani, Franbë, Hollandë, etj.

Revolucionet janë pjesë e historisë dhe historia ripërsërit vetveten. Përmbysjet e sistemeve janë të pashmangshme, për të frymëzuar sisteme të reja më efikase. Sistemet, përgjatë kësaj historie, kanë ndryshuar falë këtyre revolucioneve, të cilat shpesh janë quajtur populiste, me një konotacion negativ.

Elitat aktuale politike kërkojnë, të krijojnë ide të rreme për një demokraci të zhvilluar, por në fakt jetojmë sot, një demokraci të deformuar. Demokracia klasike greke, as votimin e lirë nuk e konsideronte demokratike. Demokratike, të pastër, konsideronte vetëm shortin. Shance të barabarta, përballë postit. Të gjithëve pa përjashtim mund t’i binte shorti për të drejtuar, vetëm për një vit, por sigurisht me një kontroll të një asambleje. Funksionari për punët publike të përbashëta, jepte llogari për çdo punë të tij, përgjatë ushtrimit të funksionit dhe pas largimit të tij. Sot, në epokën e globalizimit, nëpërmjet sistemeve on line, çdo veprim shndërrohet në frenetik, duke rimundësuar këto forma klasike, të zgjedhjeve dhe largimeve të shpejta dhe të shpeshta të funksionarëve. Gjithçka mund të tingëllojë utopike, por nuk përjashtohet mundësia i kthimit të formave klasike demokratike greke,  të modernizuara në kushtet aktuale on line. Në botën e re online, gjithçka është e mundur. Këtë tendencë të zgjedhjeve on line po fillon, ta praktikojë PD, për zgjedhjet e reja parlamentare, të 18 qershorit 2017.

Në të kundërt, elitat politike, në Europë, po tentojnë fort të ruajnë tejzgjatjen e pushtetit të tyre, me mandate të treta, apo të katërta, me marrëveshje, në të gjitha fushat, në favor të këtyre politikave pushtetmbajtëse. Nëse, në pushtet të stërzgjatur, është vetëm një figurë, apo janë disa figura, prodhimi dhe efekti është i njëjtë, dikaturë. Elita keqpërdori funksionin e saj, nga elitë mendimi, u shndërrua në elitë politike-pushteti. Elita është fuqi mendimi, e cila deformohet, përgjatë fuqisë së pushtetit. Këto elita abuzuan me demosin, demokracinë, lirinë.

Fenomeni “Trump anti-elitë politike” është reagim, është realitet tashmë, të cilën e rroku shpejt  presidenti i ri amerikan. Vota e qytetarëve e keqpërdorur nga establishmenti, ka arritur një përqindje të lartë, duke mundësuar ngjitjen e Trump në pushtet. Këtë masë, tashmë të madhe të demosit, nuk arriti dhe nuk deshi të shikojë establishmenti. Reagimet negativiste të kësaj elite politike, anti-Trump, tregojnë që, ata ende nuk janë të ndërgjegjësuar për këtë reagim dhe për këtë realitet anti-establishment, në një përqindje shumë të lartë popullore.

Trump, përveç sfidës së kalimit të pushtetit, në favor të popullit, ka sfidën, e fuqizimit ekonomik të Amerikës. Trump, tashmë është i ndërgjegjshëm që industria amerikane është transferuar jashtë vendit, së bashku me një pjesë të rëndësishme të prodhimit të brendshëm, me konsekuencë, shkatërrimin e ekonomisë, në nivel lokal dhe federal. Në të njëjtën kohë, reforma shëndetësore obamiane, ka dhjamur  kompanitë e sigurimeve, dhe i ka dhënë një goditje vdekjeprurëse kompanive të vogla dhe të mesme. Sot, gati 50 milionë amerikanë jetojnë me ndihmë sociale, nga 316 milion që është popullsia amerikane. Pra një e gjashta e amerikanëve vegjetojnë, në “sistemin socialist”.

Trump kuptoi që, rritja ekonomike ishte shndërruar vërtet në një ëndërr dhe e di mirë që, tashmë Amerika, është de-industrializuar, pas dhjetra dekadash politikash të çmendura, që kanë kulmuar me Obamën. Apple është një kompani amerikane, por të gjithë komponentët, nga Iphone, Ipad, Ipod, Macbook, vijnë nga Azia. Furnitorë dhe nënfurnitorë të kompanive si Ford, Chrysler, e Tesla Motors, prodhohen  jashtë Amerikës, në 60 vende të botës, kryesisht në Azi. Sigurisht, pagat e ulta në Kinë e në vende të tjera kanë përshpejtuar krizën, por Trump synon Amerikën e viteve 60, kur pagat dhe produktiviteti i një puntori amerikan, ishin më të lartat, në planet. Ky ishte motivi, i lidershipit industrial te Amerikes, i humbur sot dhe i  kërkuar të rifitohet nga Trump.

Analistë të tregut mendojnë që, e vetmja mënyrë e Trump, për të rifituar punësimin, në Amerikë, është ta bëjë atë nga ana fiskale, më konkuruese. Si? Duke eliminuar taksat mbi të ardhurat e bizneseve. Mos takso atë që rrit kapitalin, i cili, në këtë mënyrë, do të rrisë kërkesën për punë, duke ndihmuar, në këtë formë, punësimin. Duke rritur taksat, ul kërkesën për punësim, duke penalizuar punësimin. Vetëm duke eliminuar taksat, Trump mund të rindërtojë bizneset e vogla, të shkatërruara nga fisku. Është lufta e përhershme, taksim, apo jo, shtet i fortë kontrollues, apo shtet më i dobët, por me një individ të fortë dhe të pavarur nga shteti. Janë pikërisht bizneset e vogla që, krijojnë më së shumti punësimin. Duke i ulur taksimin këtyre bizneseve të vogla, iu rrit mundësinë që të bëhen të mesme dhe më pas të mëdha. Sipas analistëve të tregut, paralelisht, Trump duhet të taksojë ato biznese që, nuk prodhojnë, në vend, por jashtë tij. Kjo është një formë që të kthejë punësimin në Amerikë.

Presidenti i ri duhet të kujtojë që Amerika u bë potencë botërore, pikërisht në vitet 1913, kur u hoqën taksat mbi të ardhurat e bizneseve dhe u vunë vetëm mbi konsumin. Gjithashtu, duhet të kujtojë që, Japonia, mbas Luftës së Dytë Botërore, prej nga doli krejt e shkatërruar, së pari hoqi taksimin, mbi investimet, fitimet në kapitale dhe interesat, me bindjen që, kjo do të riinvestohej në ekonomi, ashtu si vërtet ndodhi, duke e bërë potencë ekonomike Japoninë, deri në vitet 70. Njëkohësisht, detyra më e vështitë do të jetë për Trump, të ulë shpenzimet publike, në mënyrë që të prosperohet qytetari. Tranzicioni do jetë një rrugë e gjatë.

Me këto dy premtime Trump u ngjit, në presidencën amerikane. Të dyja janë tepër të vështira për tu arritur.

 

 

 

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.