Prapaskenat e një konflikti: Debati shpërthyes Llalla- Lu dhe molla e sherrit “Soros”

0

Po pse Llalla flet për presione sorosiane dhe cila është arsyeja që Kryeprokurori përmend  miliarderin filantrop 86-vjear në debatin me ambasadorin Lu në lidhje me reformën në drejtësi?

Loading...

Padyshim debati i shpërthyer sot në publik mes ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu dhe  Kryeprokurorit Adriatik Llalla është një ndër më të fortët që kanë ndodhur në Shqipëri në këto dy dekadat e fundit. Hapjen e “petave të byrekut” e nisi sot ambasadori me deklaratat e tij akuzuese , veprim i cili erdhi sipas indicieve pasi kryediplomati amerikan u vu në dijeni paraprake për letrën e dërguar nga Llalla ndaj Nishanit e Metës për presione e shantazhe nga Lu. Akuzat e një ambasadori të një vendi partner ndaj kreut të organit të akuzës, fuqiplotë në rolin e tij në bazë të Kushtetutës, nuk ishin parë e dëgjuar në këto 20 vite. Dhe në të njejtën linjë ishin edhe kundërpërgjigjet e Kryeprokurorit për implikime personale të ambasadorit Lu me shantazhe ndaj organit të akuzës dhe në mbrojtje të kompanive të ndryshme apo pushtetarëve. Por mbi të gjitha akuzat e Kryeprokurorit, ajo që rëndoi më së shumti ambsadorin amerikan ishte ajo e lidhjes së tij me rrjetin sorosian, duke ju referuar lidhjeve të provuara dhe pranuara të Fondacionit me ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi.

Akuzave të ambasadorit Lu për bllokim dhe kundërshti të reformës në gjyqësor, Kryeprokurori ju përgjigj me qëndrimet sipas të cilave kryediplomati amerikan përmes presioneve tipike sorosiane kishte kërkuar nga Llalla të mbante qëndrime hapur pro paketës, ehde në rastet kur pikat e saj ishin në kundërshti  me normën kushtetuese. Po pse Llalla flet për presione sorosiane dhe cila është arsyeja që Kryeprokurori përmend  miliarderin filantrop 86-vjear në debatin me ambasadorin Lu në lidhje me reformën në drejtësi?

Pak sqarim

Reforma kushtetuese u ideua dhe u konceptua nga Fondacioni Soros në Tiranë. Për këtë qëllim, Fondacioni hartoi, që në vitin 2013, një plan të qartë strategjik, ku planifikoheshin të gjitha hapat e nevojshëm teknik dhe politik që duhet të ndërmerreshin për të realizuar reformimin e Kushtetutës së Shqipërisë. Mijëra emaile dhe dokumente të rrëmbyera elektronikisht nga rrjeti i organizatave të miliarderit dhe aktivistit politik Xhorxh Soros u bënë publike kohë më parë nga grupimi DC Leaks. Mes tyre gjenden dhjetra dokumenta që i përkasin aktivitetit të Fondacionit Soros në Shqipëri, përfshi një dokument të rëndësishëm të titulluar Plani Strategjik 2014-2017 i Fondacionit Shoqëria e Hapur Shqipëri (OSFA). Dokumenti i cili është hartuar në verën e vitit 2013, pas zgjedhjeve parlamentare, por para miratimit në Kuvend të qeverisë Rama—përmban strategjinë e Fondacionit Soros në Tiranë për projektet dhe iniciativat kryesore strategjike për periudhën 4-vjeçare, e cila përputhet në kohë me mandatin e qeverisë Rama. Ndërhyrja kryesore prioritare e planifikuar për t’u realizuar nga Soros në Shqipëri ishte “reformimi i Kushtetutës” së Shqipërisë, e përshkruar si një nga “idetë e mëdha” që organizata do të çonte përpara në vend.

Por cila është lidhja mes palëve?

Kryeministri Rama njihet si njeri i afërt dhe bashkëpunëtor i fondacionit Soros në Tiranë. Kryeministrit i duhej një grup i besuar për të ndërtuar skemën që do të dukej si reforme e thellë mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, por në fakt që do rezultojë një rrëmbim brutal i këtij shërbimi publik për ta përdorur politikisht. Për të bërë këtë, kryeministri përdori “ekspertët e nivelit të lartë” që njihen për lidhjen e ngushtë me Fondacionin Soros. Kristaq Traja si ish anëtar i Bordit ekzekutiv dhe kryetar i Bordit të Programit të Ligjit në Fondacion, Gent Ibrahimi si ish-drejtor programi në Fondacion, Sokol Sadushi, si përfitues projektesh dhe anëtar bordi i programit të ligjit, Aurela Anastasi si anëtare bordi, Arben Rakipi, si i përfshirë në disa projekte të Fondacionit dhe Ardian Dvorani si pjesëmarrës në disa projekte të Soros ishin pjesë e “armatës” së kryeministrit për të marrë Drejtësinë.  Vetë Fondacioni Soros ishte sponsori i punës së ekspertëve që u quajtën edhe si të “nivelit të lartë” dhe që u konfirmua publikisht nga Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të posaçmë parlamentare për reformën në drejtësi. Romana Vlahutin u sugjerua në krye te Delegacionit të BE-së nga miqtë Sorosianë të Ramës.Ajo ishte në mënyre eksesive e angazhuar edhe në Komisionin e Venecias, për të detyruar këtë të fundit të shkruante në vlerësimin e tij shprehej dhe paragrafë që i interesonin reformës së Ramës e “grupimit”. Dhe këtu del pikërisht edhe roli i ambasadorit Lu, i cili pavarësisht tentativave të tij për të mos u përfshirë në grupime, mbeti pjesë e lobit Sorosist që sponsorizohej nga demokratët amerikanë. Në shumë raste kujtojmë se ambsadori është investuar personalisht në mbështetje të “ekspertëve të lartë” duke pohuar se mbështeste projektin e tyre.

Por i gjithë ky grupim mori goditjen e pare nga Komisioni i Venecias, i cili i ktheu thuajse 60 % të draftit fillestar mbrapsht , duke i bërë ndryshime të mëdha. Më pas ishte kundërvënia e opozitës dhe qëndrimi strikt i LSI-së për një reformë me konsensus që e rrëzoi planin fillestar të “grupimit” . Po ashtu decisive në proces ishte edhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e partnerëve, përmes ndihmës sekretares Nuland dhe komisionerit për zgjerim Hahn, të cilët i lane në “waiting” rolin e të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së në Tiranë ( Vlahutin e Lu).

Duke marrë shkas pikërisht nga këto përpjekje, Kryeprokurori bëri të ditur sot se shantazhet ndaj tij për të pranuar një draft që në shumë pika binte në kundërshtim me normën kushtetuese, ishin tipike presione sorosiane. Ndonëse në gjithë këto kohë, pra që nga nisja e diskutimeve për reformën në drejtësi e deri në votimin e saj, përplasjet dhe shantazhet ishin mbajtur të fshehura për publikun, ata dolën sot në dritë pas rritjes së presioneve mes palëve. Pllaka e fundit e murit që qëndronte në këmbë me vështirësi ra sot. Pse pikërisht tani do pyesni?

Sepse tani është faza më e rëndësishme e implementimit të reformës dhe grupimi “sorosian” i cili pësoi humbje të thellë në votimin e ndryshimeve kushtetuese në parlament po mundohet të rikuperojë sa më shumë në proçesin e ndërtimit të institucioneve të reja. Dhe pikërisht në votimin e parë për institucionet e reja, pikërisht KED, pala sorosiane nuk pëlqeu përfundimin e proçesit.  Ndonëse shorti ishte live dhe u krye sipas procedurës, grupimi shprehu kundërshti duke vënë në pikëpyetje transparencën e proçesit. Në këtë pikë sipas akuzave që bën Kryerprokurori, ambasadori ka thirrur në zyrë Llallën për ti bërë presion lidhur me proçedurën që duhej të ndiqte organi akuzës. “Prokuroi u kërkua me urgjencë në Ambasadën Amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë”, thuhej në deklaratën e sotme të Prokurorisë.

Ndërkohë në arsyetimin e tij ambasadori Lu pretendoi se qëndrimi i Llallës sipas tij kundër reformës në drejtësi u verifikua me votimin për KED. “Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua nga sekretarja e Kuvendit, bazuar në Kushtetutë. Por prokurori i Përgjithshëm solli një liste vetëm me 3 anëtarë. Kushtetua përcaktonte se anëtarët duhet të përzgjidheshin me short, dhe secili solli listat më të gjata për këtë pozicion. Në dallim me to, prokurori i Përgjithshëm zgjodhi vetëm 3 emra, përzgjedhur pa preferencë për të plotësuar 3 poste”, tha ai.

Presioni dhe mbrojtja

Ndërkohë ajo që u vu re tek deklaratat e Prokurorisë ndaj ambasadorit amerikan ishte akuza për presione që ka kryer Lu ndaj Llalës për mbylljen e hetimeve mbi disa kompani private si edhe tentative për të mbrojtur të pushtetshmit( këtë të fundit sipas organit të akuzës të dyshuar për lidhje me krimin).

Në rastin e presionit për hetimet e organit të akzuës, Prokruroria përmendi specifikisht rastin e “Bankers Petrolium”.  “Nëse është mësuar të jetë zot në ambientin e politikës nuk mund ta bëjë në ambientet e prokurorisë. Zoti Lu mendon se ka në dorë fatin e Prokurorisë kur shantazhon për viza. Presionet janë tipike sorosiane.  Gjithashtu, Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare. Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bere publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”.  Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre.  Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm”- thuhej në reagim.

Ndërkohë që akuza tjetër e Prokurorisë duket edhe më e rëndë, pasi ambasadori amerikan cilësohet si një person që po tenton të mbrojë persona me pushtet në Shqipëri të dyshuar për lidhje me krimin. Padyshim që kjo përbën edhe akuzën më të rëndë të organit të akuzës.  “Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu. Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë”, thuhej në deklaratën e Prokurorisë.

Padyshim që akuzat e mësipërme, aq më tepër kur ato bëhen nga organi i akuzës, duhet të merren në konsideratë nga të gjitha palët e institucionet  drejtuese të vendit, qoftë në rastin kur mund të rezultojnë të vërteta dhe qoftë në rastin kur mund të përfundojnë si fallso. Nuk duhet harruar se ato janë drejtuar ndaj ambasadorit amerikan, njeriut që presupozohet të mbrojë nga “Olimpi” ruajtjen e demokracisë dhe vlerave te shtetit të së drejtës në Shqipëri ( do ishte fakteqësi për vendin nëse ai do rezultonte njeriu që investohet personalisht në mbrojtje të kompanive apo pushtetarëve të dyshuar të lidhur me krimin sic thotë akuza e Prokurorisë). Në këtë kontekst nuk duhet neglizhuar dhe kurajo e Kryeprokurorit ( pa gjykuar vërtetësinë e akuzave) për të shprehur hapur në publik disa qëndrime dhe akuza që targetojnë pikërisht kryediplomatin më të rëndësishëm të akredituar në vend. E në fakt nuk duken krej të rastësishme që këto debate po vijnë pikërisht tani kur Presidenca amerikane mori tjetër kthesë dhe që pritet të drejtohet në katër vite nga Donald Trump, njeriu që e konsideron armikun numër 1 George Soros.

Loading...

Lini nje pergjigje