Ish-deputeti, Koço Kokëdhima deklaroi se Partia Socialiste rrezikon të humbasë në zgjedhjet e 18 qershorit, pasi sipas tij nuk merr dot as 60 mandate.
“Por edhe pse kjo është e vërtetë, ajo reduktohet e zvogëlohet çdo dy vjet. Në këtë rrugë që ecën, PS rrezikon që të prekë, në zgjedhjet e qershorit, pozitën e vet më të keqe historike. Ajo rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve”, nënvizoi Kokëdhima.
Në një takim me mbështetës në Fier, Kokëdhima pohoi se udhëheqja e PS-së është arrogante, duke sulmuar kështu kreun e kësaj partie, Edi Ramën.
“Partia e udhëheqjes e shalon këtë partinë e bazës dhe pushtetin që prodhojnë qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Zgjidhja kërkon që njerëzve t’u thuhet e vërteta, që në parti të flitet hapur, të ketë debat, të dëgjohen të gjithë, jo vetëm kryetari dhe ministrat e tij. Udhëheqja jonë është arrogante, e mbyt debatin, i kërcënon e shantazhon dhe i pushon nga puna ata socialistë e qytetarë që kanë dhe flasin mendime të tjera nga kryetari”, u shpreh Kokëdhima.