“Sherri” PS-LSI, kërcënon deputeti i PD: Me bukë në trajsë do u ngjitemi nga pas, pranga në Rinas i presin

0
345

Mes replikave nga 2 forcat e maxhorancës PS-LSI ka ardhur edhe një reagim nga Partia Demokratike. Deputeti Oerd Bylykbashi ka reaguar nëpërmjet një statusi në Facebook, duke e quajtur këtë përplasje mes dy aleatëve të qeverisë si një prishje në pazare.

Bylykbashi thotë se akuzat që po bën sot LSI i ka bërë shumë kohë më parë PD por pavarësisht kësaj nuk ka gjetur mbështetje dhe e bën fajtore njësoj sa PS-në.

Ai përmend edhe akuzat ndaj kryebashkiakut të Durrësit. Në fund Bylykbashi ka edhe një ‘kërcënim’ për dy partitë. Ai thotë se për të ‘çdo vepër korrupsioni që kanë bërë e ka të gjatë afatin e parashkrimit të ndjekjes penale. Edhe po t’ia mbathin në Bahamas apo ishujt Kayman, prangat në Rinas i presin!”
“E kam thënë herë tjetër: me bukë në trajsë do u ngjitemi nga pas dhe të shohin si do t’u shkojë halli!”, thotë Bylykbashi.

STATUSI I PLOTË
Po ndahen dhe shqyhen mes vedit!
Si i thonë llafit, “plasi në Kuçovë”! Po na dalin këta të LSI tani dhe gjoja po u tregojnë munxet aleatëve socialiste! I akuzojnë për korrupsion, për trafiqet e drogës, për blerjen dhe vjedhjen e votave, për abuzim me policinë, për shkatërrimin urban nëpërmjet betonit, për mjekësinë e shpartalluar e të vjedhur, për varfërinë, të pastrehët dhe papunësinë, e ku di çfarë tjetër!

Ndërkohë Rama u thotë: “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”. Ja si shqyhen tani!
Po kush i mbajti këta hajdutë në pushtet? Po ku ishin deri para një jave, një muaji, gjashtë muajsh, një viti, para dy vjetësh a më herët akoma kur këto akuza i ngriti me prova PD dhe këta ose heshtën ose votuan së bashku dhe më pas ndanë paratë dhe pushtetin, përzunë bashkërisht njerëz nga administrata etj? Kur mbreti është i keq, edhe ai që e mban në karrige është po aq.

Madje LSI kane filluar sulmin kundër PS edhe në Durrës! Dako i korruptuar, po mbulon me beton qytetin, se sheshi para Bashkisë ishte skandal, se policia është pjese e trafiqeve të drogës në majat e saj, se krimi ka kapur Dakon dhe qytetin etj!

Po kur i thonim ne gjatë gjithë këtyre viteve pse nuk dolën të na mbështetnin nëse na qenkan kaq parimorë? Kur prishen pazaret dhe fillon shahesh, nuk ka vlerë asgjë sepse të gjithë e kuptojnë se është qaravitje për pazaret e prishura. Po ashtu nuk ka asgjë parimore të presësh prillin për të bërë parimorin! Të thuash të vërtetën nuk të bën automatikisht të jesh i vërtetë!

Po sikur të ishte kaq, hajde de. Nëse ajo Vela e betonit e Dakos që kushton 6 milion USD e që do mbulojë murin antik dhe do i zërë frymën Torrës Veneciane, kur me ato para zgjidheshin halle të përditshme të durrsakeve, kur fondet e buxhetit shkojnë vetëm për betonizim të qendrës së Durrësit por asgjë për hallexhinjtë që vdesin në të ftohtë, për të pastrehët, për banoret e ish-komunave që përmbyten por kanalet nuk u pastrohen, kur asgjë nuk investohet për plehrat që digjen në qiell të hapur dhe që helmojnë ajrin e durrsakëve, etj, pse LSI miratoi buxhetin e Dakos? Sa vlejnë këto akuza një javë pasi mbyllën pazaret se si do ndahen paratë e buxhetit të durrsakëve?

Këta të kësaj mazhorance mos i dinë durrsakët apo shqiptarët në përgjithësi se janë dele apo si është puna? Na paskan hallin se kush do dali i pari, PS apo LSI se nuk duan t’ia dinë për PD. Të presin. Çdo vepër korrupsioni që kanë bërë e ka të gjatë afatin e parashkrimit të ndjekjes penale! Edhe po t’ia mbathin në Bahamas apo ishujt Kayman, prangat në Rinas i presin!

E kam thënë herë tjetër: me bukë në trajsë do u ngjitemi nga pas dhe të shohin si do t’u shkojë halli! Edhe kriminelëve që i mbështesin, edhe atyre maskarenjve drejtorë që kanë vënë si rreshterë për të blerë vota dhe karta identiteti! Edhe oficerëve të policisë që i mbështesin në trafiqet e drogës!
Për kauzën tone morëm mbështetje të plotë në EPP në Bruksel dhe në Bundestag dhe CDU në Berlin. Koha e palaçollëqeve ka marrë fund! Të presin se do ta shohin shpejt!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here