Ja gjithë pazaret e “kupolës qeveritare” me privatet që po shkatërrojnë ekonominë

0
672

 

– Interesat e Ramës dhe kupolës së tij kanë krijuar rrjetin e borxheve me Partneritetin Publik-Privat. Sa do të na kushtojë??

Ervin Kaduku

 

Partneriteti i shtetit me subjektet private po tentohet të shitet si një gjetje origjinale për të shpëtuar ekonominë shqiptare nga kriza që e ka kapluar. Por, fakti që borxhi publik nuk po lëviz aspak drejt uljes, ndërkohë që shpenzimet buxhetore janë ulur në nivelin më të ulët historik në raport me prodhimin e brendshëm bruto dhe të ardhurat po gjenerojnë plot para në arkën e shtetit, me politika fiskale që rrjepin seriozisht banorët e varfëruar skajshëm të këtij vendi, tregon se kjo gjetje në fakt rrit borxhin e vendit. Duke e spostuar Shqipërinë frikshëm drejt një skenari grek.

 

Kostot

Cilat janë koncesionet e miratuara së fundmi dhe çfarë kostoje kanë ato? Këtë e sqaron kjo listë.

-Ofrimi i Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up) 10 vjet (2015-2024) me kosto mesatare vjetore 787.200.000 lekë.

-Ofrimi i shërbimeve të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale 10 vjet (2015-2025) 1.230.000.000 lekë

-Ofrimi i Shërbimit të Dializës 10 vjet (2016-2025) 947.100.000

-Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore 10 vjet (2017-2026) 886.300.000

-Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit 7 vjet (2015-2022) 476.186.000 lekë

-Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Fierit 6 vjet (2017-2022) 676.500.000 lekë

-Ndërtimi, Operimi dhe Transferimi (BOT) HEC mbi lumin Devoll, rimbursimi i ndërtimit të rrugëve zëvendësuese 5 vjet (2015 – 2019) 1.291.500.000 lekë

-Shërbimi i Skanimit në Dogana 15 vjet (2014-2029) 897.900.000 lekë

Përveç këtyre kontratave, një pjesë tjetër e koncesioneve nuk kanë një kosto të llogaritur për paratë që duhet të paguajë buxheti i shtetit.

-Markimi i karburanteve. Edhe pse nuk llogaritet, sasia e parave që shteti duhet t’i paguajë kompanisë Bankers Petroleum, si rezultat i detyrimit të saj për të bërë markimin e naftës bruto te koncesionari Global Fluid International është 8 milionë dollarë.

-Koncesioni i Rrugës së Kombit. Janë 70 milionë dollarë që qeveria shqiptare do t’i paguajë për 13 vitet e para koncesionarit të Rrugës së Kombit “Catalyst & Salillari”. Si kosto mesatare, buxheti i shtetit duhet të japë për vit 5.3 milionë dollarë. Edhe kjo vlerë nuk është përfshirë në detyrimet që buxheti duhet të derdhë për koncesionet PPP.

-Koncesioni i Rrugës së Arbrit. Ende nuk ka asnjë firmosje zyrtare të një marrëveshjeje për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, por në bazë të deklaratave të ministrit të Transporteve dhe kreut të Financave, kjo marrëveshje koncesionare e llojit Partneritet Publik Privat do të firmoset në muajin mars. Më parë qeveria shqiptare do të anulojë me një vendim të Parlamentit kontratën e parë të miratuar me konsorciumin kinez China Communication Construction, e më pas të firmosë atë me kompaninë shqiptare Gjoka sh.p.k. Oferta e pakërkuar për ndërtimin e kësaj rruge kap një shifër prej 190 milionë eurosh që kompania do të investojë për ndërtimin e kësaj rruge, ndërsa ende nuk është e qartë se sa para do të japë buxheti i shtetit për kompensimin e kostove nga fluksi i munguar i mjeteve që do të kalojnë në këtë rrugë.

-Rruga Gjirokastër – Kardhiq – Sarandë, është një tjetër vepër që pritet t’i jepet me PPP një kompanie private për t’u ndërtuar. Ky aks do të shmangte Qafën e Muzinës për të lidhur Sarandën me Gjirokastrën. Deri tani janë disa kompani që kanë kërkuar ndërtimin e saj, por ende nuk është vendosur se kush do ta marrë dhe cilat do të jenë kostot e munguara që qeveria do të paguajë për këtë koncesion.

Në raportin e muajit janar 2016, Fondi Monetar Ndërkombëtar identifikon 55 kontrata koncesionare të cilat qeveria shqiptare duhet t’i llogaritë si detyrime në buxhet. “Janë të paktën 55 koncesione të formës Partneritet Publik – Privat të cilat janë nënshkruar, 14 prej të cilave sjellin detyrime në vlerë afro 7% të PBB-së. Kompania shtetërore e prodhimit të energjisë, KESH, ka hyrë në kontrata me prodhues të energjisë hidro (pagesat për to shkojnë në 4% të PBB-së). Aeroporti i Tiranës është duke operuar për një periudhë 30-vjeçare si koncesion që filloi në 2005-n dhe nga ku koncesionari përfitoi 9 milionë euro garanci dhe një monopol në fluturimet ndërkombëtare. Ka po ashtu një kontratë për shërbimin e skanimit (2% e PBB-së), është shërbimi kombëtar i check-up në shëndetësi (1% e PBB-së) dhe një projekt në menaxhimin e mbetjeve në Elbasan. Shumë projekte të tjera janë duke filluar ose duke u planifikuar, përfshirë këtu rrugën Milot – Morinë dhe atë të Arbrit, projekti i kësaj të fundit ka një kosto të afërt me 2% të PBB-së”,- shprehet FMN. “Qeveria është duke financuar disa investime publike në formën e Partneritetit Publik – Privat, ku dhe duhet të paguajë kostot e instalimit të këtyre investimeve ose të garantojë të ardhurat që koncesionarët do të mbledhin nga pagesat e shërbimeve që ofrojnë. Modeli modern i llogaritjeve fiskale kërkon që qeveritë të regjistrojnë investimet, për të paktën disa nga këto projekte, si borxh – financim nga shpenzimet buxhetore. Tradita e llogarive të qeverisë shqiptare nuk e bën këtë llogari. Ka po ashtu edhe gropa lidhur me informacionin që duhet dhënë për kostot e investimeve publike që financohen, të cilat marrin më shumë se tre vite në horizontin e shpenzimeve buxhetore. Një shembull është edhe krijimi i detyrimeve të mëdha të prapambetura në këtë fushë gjatë viteve të fundit”, – thotë gjithnjë FMN, në shqetësimin e saj, në raportin e sipërpërmendur.

 

Borxhet

Në fakt, është logjike që qeveria duhet të llogaritë detyrimet e PPP-ve si borxh. Por qeveria nuk i raporton obligimet nga koncesionet në formën e PPP-ve. Ligji kërkon që Ministria e Financave të mbajë një regjistër të këtyre koncesioneve dhe të llogaritë ndikimin në buxhet të tyre përpara nënshkrimit të kontratave, por qeveria nuk publikon një regjistër të tillë dhe nuk llogarit pagesat e mundshme për këto projekte gjatë kohës që zgjatin këto kontrata. Sot, regjistri i koncesioneve është i përgatitur dhe funksional, por jo të gjitha kontratat janë publikuar. Edhe kostoja e kontratave koncesionare është bërë si llogari për disa prej tyre dhe vetëm për një vit buxhetor. Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve ka finalizuar regjistrin online të koncesioneve. Deri tani janë hedhur 16 kontrata koncesionare, nga 116 që janë gjithsej.

Rreziqet fiskale

Në shumicën e kontratave koncesionare të lidhura në Shqipëri, garancitë për të siguruar riskun e kompanisë nga autoriteti shtetëror janë shumë të larta, çka ka bërë që dhe zbatimi i kontratave nga një kompani të mos ketë interes të gjenerojë rritje të aktivitetit ekonomik për shkak se ka fitimin të siguruar.

 

Koncesionet e dështuara

Bankers Petroleum

Kompania koncesionare e prodhimit të naftës në fushën e Patoz Marinzës firmosi marrëveshjen me shtetin shqiptar në vitin 2004. Në atë kohë, çmimi i naftës bruto në treg ishte 30 dollarë për fuçi, ndërsa administrimi shtetëror këtë zonë e kishte lënë jo vetëm me një sasi të ulët të prodhimit të naftës, por buxheti i shtetit paguante afro 20 milionë dollarë për të mirëmbajtur këtë uzinë dhe për të paguar punëtorët. Në kohën e nënshkrimit, marrëveshja u konsiderua një sukses, pasi asnjë kompani nuk mund të vinte dhe të merrte përsipër riskun që ofronte tregu i naftës. Pavarësisht se kontrata nuk ishte modeli më i mirë dhe kishte hapësira për abuzim fiskal në të ardhmen, koncesionimi i kësaj fushe naftëmbajtëse shpëtoi prodhimin dhe fuqinë punëtore, në një kohë që askush nuk mund të afrohej për të marrë këtë zonë.

Termocentrali i Vlorës

Shembujt se si bëhet një kontratë për të shpëtuar një zonë momentalisht, pasi shteti nuk di ta menaxhojë si duhet dhe në kurriz të burimeve natyrore koncesionare të marrin të ardhura të konsiderueshme, por ka dhe nga ato raste kur shteti ka marrë një kredi të butë financiare dhe vepra ka dështuar duke mos u vënë asnjëherë në punë. Ky rast është TEC-i i Vlorës. Janë 130 milionë euro kredi që qeveria shqiptare mori në vitin 2007 nga Banka Botërore, BERZH dhe BEI për të ndërtuar këtë vepër, e cila në fuqinë e prodhimit të energjisë mund të përballonte 2/3 e bizneseve me furnizim. Fuqia e instaluar për këtë TEC është 97 MË. Por pavarësisht parave të hedhura në këtë vepër, sot buxheti i shtetit vazhdon të japë rreth 2 milionë euro të tjera për procesin e konservimit të tij. Vepra nuk është vënë asnjëherë në punë. Arsyeja kryesore është fakti që kosto e prodhimit të energjisë me këtë TEC është më i lartë edhe se çmimi i importit të energjisë. Vepra mund të bëhet funksionale në kohën që do të përfundojë projekti TAP, pasi ka alternativë për të punuar me gaz natyror. Por kjo për fatin e mirë të vetë TEC-it, në kohën e përfundimit, konsorciumi Shah Deniz vendosi që projekti fitues për gazsjellësin në Europë do të ishte TAP. Korporata elektorenergjetike është prej vitesh në proces ankimimi në arbitrazh me një kompaninë italiane “Tencimont” lidhur me përgjegjësitë e prishjes së turbinës me ftohje. Asnjë seancë nuk është realizuar deri më sot, pasi pavarësisht shpalljeve të KESH, nuk ka asnjë firmë të interesuar për të bërë ekspertizën se kush e ka pasur fajin në momentin e dorëzimit të TEC-it, kompania e ndërtimit, apo korporata që e mirëmbajtjen. Defekti u zbulua në vitin 2012, një vit pas marrjes në dorëzim.

 

Linja e interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë

Një projekt që i ka kushtuar Shqipërisë dhe Kosovës 75 milionë euro, sot nuk është funksional. Faji në këtë rast është politik, pasi Serbia nuk njeh pavarësinë e operatorit të transmetimit në Kosovë duke bërë që paratë për përdorimin e linjës të shkojnë për buxhetin e saj. Në këtë rast, as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë futur në punë linjën.

 

Koncesioni i TVSH-së

Instalimi i disa serverëve të cilët do të bënin përmirësimin e zinxhirit të monitorimit të shitjeve duke ndjekur gjurmët e TVSH-së do të bënte që kompania M-POS të merrte një pjesë të mirë të parave të të ardhurave. Formula do të bazohej mbi nivelin e rritjes së të ardhurave, ku rritja 11% konsiderohej si niveli fillestar. Nëse rritja e të ardhurave do të varionte nga 11% deri në 15%, M-POS do të merrte 90% të kësaj shtese. Nëse do të varionte nga 15% në 17%, atëherë kompania do të merrte 65% të shtesës. Sa më e madhe të ishte rritja, aq më shumë do të ulej përqindja që do të merrte kompania M-POS. Vlera e investimit të saj shkonte në 9.5 milionë euro, kosto e operimit 8.2 milionë euro ndërsa fitimi që pritej të siguronte në një vit ishte minimalisht sa gjithë vlera e investimit. Pas këmbënguljes së FMN-së, Ministria e Financave është tërhequr nga ky koncesion i formës PPP.

 

Skanimi në dogana

Një tjetër koncesion nga i cili buxheti i shtetit duhet të derdhë para është ai i skanimit të mallrave në dogana. Përveç garancisë që ka kompania, e cila kryen këtë shërbim, gjatë rishikimit të kontratës me qeverinë, firma S2, e cila bleu aksionet nga Rapsican, kërkoi rimbursimin e fitimit të munguar. Marrëveshja fillestare përqendrohej në nisjen e instalimit të skanerëve në dogana dhe për çdo deklaratë doganore biznesi duhet të paguante 39 euro. Pas negociatave, Ministria e Financave arriti që të ulë këtë tarifë në 22 euro. Por, përveç kësaj, u përjashtuan nga pagesa e kësaj tarife industritë fason dhe pagesat që duhet të bëheshin dy herë për shkak të kalimit të mallrave transit. Për këtë arsye, buxheti i shtetit paguan 8 milionë euro çdo vit si fitim të munguar për kompaninë, e cila ka një vlerë investimi për skanerat minimale dhe merr paratë për një shërbim që nuk e kryen. Kompania merr paratë për skanimin e energjisë elektrike, por edhe për deklaratat doganore të mallrave që kalojnë transit, por që në fakt nuk skanohen. Në Portin e Durrësit ka pasur skaner, po pavarësisht kësaj, koncesionimi i tyre iu dha një kompanie private. Vlera totale e një skaneri shkon në 1.5 milionë euro, ndërsa fitimi i kompanisë për 15 vite është 280 milionë euro.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here