Pani i përgjithshëm i Tiranës, Gentian Kaprata: Janë të interesuar vetëm për pallatet dhe jo për banorët

0
467

 

“Rritja e numrit të kateve nuk do të thotë se rritet sipërfaqja e pa ndërtuar për banor, sepse sa më shumë rriten katet e ndërtesës, rritet edhe numri i banorëve, shtimi i numrit të shton nevojën për sipërfaqe të hapura e të gjelbërta”

Gentian-Kaprata

 

Tirana është qyteti për të cilin diskutohet më shumë për çdo projekt që miratohet. Kjo ndodh pasi e gjithë vëmendje politike është aty. Si çdo çështje tjetër, edhe plani i përgjithshëm vendor është çështje e cila, po diskutohet ende në debatin publik. Pas miratimit në datën 30 dhjetor 2016, Plani i Përgjithshëm po kalon në shumë diskutime ekspertësh. Shumë urbanistë janë shprehur kundër këtij plani pasi sipas tyre ka shumë probleme dhe shton  problemet ezksituese në qytet. Një prej urbanistëve që është shprehur kundër këtij plani që nga fillimi është Gentian Kaprata. Në një intervistë për gazetën, autori i “Urbanizmi dhe Demokracia”  shpjegon të gjitha defektet e këtij plani dhe si mund të rregullohej.

Intervistoi Anesti Barjamemaj

Plani Urbanistik i Tiranës është miratuar mes debatesh. Shumë flasin për probleme te shumta që ka ky plan. Në  një shkrim ju shpreheni se ky plan nuk ka asnjë interes për banorët. Përse thoni që ky plan është kundër interesit të banorëve?

Po e nis përgjigjen me një pyetje retorike: a keni dëgjuar, në këto 14 muaj të procesit të hartimit të këtij materiali (që nuk e kuptoj pse e quajnë Plan) fjalën ‘banorë’? Nuk besoj. Askush, as ndjekësi më i vëmendshëm nuk e ka dëgjuar ndonjëherë këtë fjalë në daljet publike për këtë temë. Dhe kjo është e paprecedentë në historinë qindra vjeçare të shkencës së urbanistikës në botë. Këtë e them me siguri të plotë, jo sepse kam bërë ndonjë studim a vëzhgim të gjithë proceseve planifikuese urbane a territoriale në botë, porse nuk ka kuptim teknik të ndërmarrësh një proces hartimi të një instrumenti planifikimi territorial dhe të mos flasësh për banorët që do të ushtrojnë aktivitetet jetësore në këtë territor për të cilin po hartohet ky Plan.

Kjo është njësoj si ju gazetarët të shkruani një artikull mbi një ngjarje të caktuar dhe të mos e përmendni fare atë ngjarje. Nuk bën kuptim për ju gazetarët, apo jo!? Në të njëjtën shkallë nuk bën kuptim për urbanistët edhe fakti (tashmë i konsumuar) që mund të hartosh Planin e Përgjithshëm vendor të një bashkie dhe të mos përmendësh fare nevojat dhe interesat e qytetarëve të kësaj bashkie! Në të kundërt, një Plan i Përgjithshëm Vendor bën vetëm dy gjëra. E para: shpërndan aktivitete të banorëve të asaj njësie vendore (të grupmoshave e grup interesave) nëpër njësitë urbane që formojnë qytetin. Dhe e dyta: në raport me banorët që do ti përdorin, planifikon rrjetet e infrastrukturave inxhinierike, të cilat i përgjigjen kësaj shpërndarje aktivitetesh njerëzore në territor (përdorimeve të tokës urbane). Pra kryefjala e Planit të Përgjithshëm është ‘banori’.

pp

Në të kundërt, gjithçka që ne njohim nga procesi i hartimit të këtij dokumenti është për ndërtesat. Së pari, kemi intervistën e arkitektit Italian në Top Channel sipas të cilit që të vendosej një rregull i ri urban duhet të prisheshin pallatet e Enverit dhe ndërtuar pallate të reja. Dhe së dyti, deklarata e z. Veliaj se kullat dhjetëkatëshe janë më produktive për dimensionin urban të qytetit. Pa hyrë fare në vlerësim të tyre si zgjidhje të problematikave konkrete urbane, fakti na thotë që ata janë të interesuar vetëm për pallatet dhe jo për banorët. Po le të themi se ky plan e zgjidh çështjen e strehimit të banorëve, po funksionet e tjera jetësore? A do të punojnë këta banorë? Ku? A do të arsimohen e shkollohen këta banorë? Ku? A do të ushtrojnë aktivitete sportive? Ku? A do vdesin? Ku do varrosen? Dhe kështu mund të vazhdoja gjatë. Kjo është arsyeja bazike që unë në një nga shkrimet e ciklit tim prej dhjetë shkrimesh (shtatë nga të cilat të botuara tashmë) për planin e Tiranës  kam theksuar se ky nuk është plani për banorët, por për fjetoret.

Po në shkrimin tuaj, ju theksoni se plani është miratuar pa  konsultim me publikun, duke bërë që ky plan të miratohet në fshehtësi. Në çfarë argumentesh e mbështesni këtë mendim? 

Do ta nis përgjigjen me një parantezë, në të kundërt përgjigjja do jetë shumë e thatë dhe pak e vlefshme. Një nga tezat e mia teorike është nevoja e ri konceptimit të kulturës shqiptare të planifikimit urban. Ne, për shkak të shkëputjes për 50 vjet nga bota perëndimore, trashëgojmë një kulturë të planifikimit urban që i përket viteve 60-të shekullit të kaluar. Kohë kur disa arkitektë, të cilët janë baballarët e urbanistikës shqiptare mbaruan studimet në vendet lindore. Ndërkohë, urbanistët e rinj që po diplomohen në vitet e fundit në perëndim nuk janë ndeshur në debate apo teza në ndihmë të këtij kapërcimi shkencor, sepse vendet ku ata studiojnë i kanë kaluar këto procese demokratizuese dekada më parë. Në këtë kuptim, ne sot trashëgojmë praktikat shqiptare të planifikimit urban që konsiston në ‘projektimin urban’ si aktivitet shkencor i profesionistëve dhe menaxhimin urban si aktivitet i elitës politike.

Realisht, dy janë dimensionet e urbanistikës bashkëkohore: njëra janë dijet shkencore të grumbulluara në shekuj, dhe e dyta janë proceset ciklike dhe gjithëpërfshirëse në të cilat Planet hartohen. Le të themi se arkitekti Italian Boeri (përfshirë ekipin e tij) është ajka e urbanistikës botërore. Le të themi gjithashtu se ai dhe ekipi i tij janë njohësit më të mirë të kulturës shqiptare të planifikimit urban dhe të problemeve e disbalancave urbane që shqetësojnë sot Tiranën. Pra, megjithëse e pamundur në çdo aspekt, le të themi se dimensioni i dijes shkencore është i realizuar. Po dimensioni i proceseve të gjithëpërfshirëse të palëve të interesuara dhe të prekura nga zhvillimet e propozuara nga ky dokument? Përfshirja e palëve që do të paguajnë për implementimin e këtij dokumenti (nëpërmjet taksave dhe investimeve të drejtpërdrejta) dhe palëve që do të kontribuojnë nëpërmjet pronësive në prona të paluajtshme?

Nisur nga kjo tezë teknike e imja, dokumenti për të cilin po flasim nuk ka asnjë vlerë reale. Urbanistikë bashkëkohore do të thotë ‘kompromis’. Pra kuvendim mbi çështjet që shqetësojnë publikun (palët e interesuara) dhe arritja e kompromisit midis palëve të ndryshme që kanë interesa të ndryshme, në fund protokollimi i kompromiseve të arritura në harta grafike apo rregulla të shkruara. Praktika e hartimit të këtij dokumenti, tashmë njihen nga të gjithë, ai u hartua nga një grusht njerëzish (qofshin ata edhe profesionistët më të mirë të botës) në fshehje të plotë nga palët e interesuara. Gjithçka që autorët quajnë ‘këshillim publik’, për këtë dokument, konsiston në dy takime me njerëz të përzgjedhur në të njëjtën ditë!!! Standard ky që është më antidemokratik dhe antishkencor edhe se çfarë detyronte ligji bolshevik i 1978, i cili në neni 6 të tij përcaktonte se ‘…planet rregulluese….., para se të miratohen, i nënshtrohen gjykimit të masës për një periudhë kohe një mujore’!  Pra edhe në diktaturë, për një muaj, banorët kishin të drejtë të njihnin se çfarë do të bëhej me qytetin e tyre, duke konsultuar hartat e varura në Komitetin Ekzekutiv. Kurse në demokracinë e sotme mjaftojnë dy-tre orë, dhe jo të gjithë banorët!

Në këtë plan, Veliaj përmend se ka prioritet kullat shumëkatëshe. Mendoni se me ndërtimin e kullave do të ketë zhvillim qyteti?

Sikurse u mundova të shpjegoj në përgjigje të pyetjeve të mëparshme, por edhe në ciklin e shkrimeve të mia për këtë temë, në kuptimin teknik Plani i Përgjithshëm nuk duhet të flas për ndërtesa banimi shumë familjare, sikurse janë pallatet. Plani i Përgjithshëm flet për banorë dhe për aktivitetet e tyre jetësore në territor. Çdo aktivitet (në raport me numrin e banorëve që e ushtron këtë aktivitet) kërkon sipërfaqet e hapura apo të ndërtuara për tu kryer. Për çdo njësi formuese urbane të qytetit, Plani i Përgjithshëm përcakton numrin e banorëve. Këto, dhe rrjetet inxhinierike përcakton Plani i Përgjithshëm. Më tej, për çdo njësi urbane hartohen Plane Pjesore, të cilat flasin edhe për ndërtesat, sepse aktivitetet njerëzore përkthehen teknikisht e praktikisht në sipërfaqe ndërtimore apo të hapura (të pa ndërtuara). Në këtë pikë vijmë te diskutimi nëse këto sipërfaqe ndërtimore është mirë të organizohen në ndërtesa 5 apo 10 katëshe. Por ne jemi shumë larg këtij momenti dhe unë nuk mund ti lejoj vetes të bëj të njëjtin gabim si z. Veliaj, arkitekti Boeri apo këshilluesit e tyre teknik dhe të jap mendim mbi këtë çështje.

Sidoqoftë, ka diçka teorike e të përgjithshme që mund ta them për lexuesit tuaj: raporti i sipërfaqes së ndërtuar me sipërfaqen e pa ndërtuar në një shesh ndërtimi (i famshmi koeficient i përdorimit të tokës), nuk ka lidhje të vetme e të drejtpërdrejt me numrin e kateve të ndërtuara. Pra, rritja e numrit të kateve nuk do të thotë në vetvete se rritet sipërfaqja e pa ndërtuar për banor (e hapur dhe e gjelbër), sikurse e argumenton këtë tezë z. Veliaj. Kjo, sepse sa më shumë rriten katet e ndërtesës, rritet edhe numri i banorëve për njësinë e sipërfaqes, dhe sa më i madh numri i banorëve aq më e madhe nevoja për sipërfaqe të hapura e të gjelbërta. Kjo, sepse çdo gjë shkon në raport të drejtë me numrin e banorëve. Dhe kjo që sapo theksova është një argument pse një dokument nuk mund të quhet Plan i Përgjithshëm Urban nëse nuk orientohet nga ‘banori’.

Për këtë plan thuhet se ka shumë probleme, por gjithmonë ngelet në çështje teknike dhe të pa kuptueshme për publikun. Mund të na thoni disa nga problemet e planit të ri me terma të thjeshtë?

Së pari, në detyrim dhe respekt të profesionalizmit të pedagogëve të mi dhe kolegëve të mi të Institutit i Studimeve e Projektimeve Urbane por edhe më gjerë, unë refuzoj ta quaj këtë dokument ‘Plan Urban’. Dhe në këtë kuptim, e kam të pamundur ti gjej anë pozitive apo mangësi. Sepse, për së pari, duhet që një gjallesë të jetë  mace që dikush të opionojë nëse është një mace e bukur apo jo! Apo të marrim një shembull tjetër: a do kishte kuptim të shpreheshim ‘problemi i parë i kësaj tavolinë është se nuk ka këmbë’! Jo, sepse në rastin më të mirë kemi të bëjmë me një sofër por jo me një tavolinë. Sidoqoftë, në një kornizë të gjerë lexuesit tuaj do të gjejnë informacion mbi opinionin tim modest për këtë dokument në përgjigjet e pyetjeve të mëparshme.

Për të qenë pak më konkret dhe për ta lidhur me përgjigjet e pyetjeve të mëparshme: gjëja e parë që bën Plani i Përgjithshëm është përcaktimi i numrit të banorëve të qytetit të ardhshëm (qytetit që po planifikohet të zhvillohet). Kur kemi pranuar një skenar (që e vlerësojmë më të mundshmin) të numrit të banorëve, kemi pranuar gjithashtu edhe numrin e njerëzve për secilin grupmoshë (pensionistë, njerëz në moshë për punë, të rinj, fëmijë, etj). Të gjithë këto grupmosha kanë interesa të ndryshme e kryejnë aktivitete të ndryshme, dhe çdo aktivitet për tu kryer, ka nevojë për hapësira të hapura, infrastruktura apo për ndërtesa. Prandaj, në çdo manual, guidë, rregullore urbanistike në botë çdo tregues, udhëzues apo kushtëzim teknik shprehet në banorë për metër katror/ metër kub/ hektar /etj). Si përfundim: përderisa ky dokument nuk prek asnjë nga këto çështje bazike, atëherë ai nuk është gjë tjetër veçse një set i pafundmë problemesh.

 

Çdo plan urbanistik  që është miratuar në Tiranë, ka hasur gjithmonë në debate. Po për këtë plan i cili ka një perspektivë shumë vjeçare, a është Tirana gati për ta mirëpritur?

Këtu kemi dy çështje shumë të rëndësishme. Për çështjen e parë ‘planet e miratuara që kanë hasur gjithmonë debat’ mund të them se ky është produkt i kulturës tonë të planifikimit dhe zhvillimit ndërtimor. Fatkeqësisht debatet nuk vijnë midis dy shkollave teknike të urbanistikës, gjë që do ishte normale dhe pozitive. Ato vijnë prej nevojës së partive politike për të bllokuar mundësinë e partisë tjetër në pushtet që të fuqizohet e pasurohet nëpërmjet leje dhënies ndërtimore. Pra, praktika jonë e zhvillimit ndërtimor ka lidhje vetëm me atë pjesë ku sigurohen para’. Që në rastin konkret me ndërtimin dhe shitjen e apartamenteve të banimit apo njësitë e shitjes me pakicë, duke anashkaluar të gjitha aktivitetet apo nevojat e tjera shoqërore. Në këtë kuptim, nuk do të ndodhi ndryshe për sa këto tentativa përjashtojnë palët e interesuara e të prekura nga zhvillimi potencial i propozuar në këto dokumente. Nëse duam që kjo gjë të ndryshoj duhet të ndërmarrim iniciativën e ri konceptimit të kulturës tonë të planifikimit urban.

Për çështjen e dytë ‘a është Tirana gati për ta mirëpritur këtë plan’ unë mendoj se kjo është sfida më e madhe politike e qytetarëve të Tiranës! Ata ose do pranojnë se janë thjeshtë banorë. Dhe në këtë kuptim të mbledhin paratë që kanë grumbulluar në vite (në Shqipëri apo emigracion) apo të marrin ndonjë kredi për të blerë apartamentet që kasta do të ndërtojë në kullat e saj dhjetë katëshe. Edhe pse sot në Tiranë ka 20 mijë apartamente pa shitur e mijëra familje shqiptare kanë projekt familjar të ikin nga Shqipëria! Ose do të përfshihen në një ri ngritje kulturore si qytetarë të lirë të një vendi të lirë dhe të kundërshtojnë këtë provokim idiot të kastës sunduese prej 25 vjetësh. E cila në paaftësi të plotë për të ideuar një model kombëtar zhvillimi rrotullohet rreth vetes e kthehet e rikthehet te e vetmja gjë që di të bëj, te ‘ndërtimi i fjetoreve kolektive’ dhe pasurimi nga shitja e tyre. Personalisht jam për rrugën e dytë, e në këtë kuptim, i bëj thirrje organizatave joqeveritare të bëjnë punën e tyre e të formulojnë një peticion publik kundër miratimit të këtij dokumenti në Këshillin Kombëtar të Territorit, i cili është organi që i jep vlerë ligjore.

Sipas jush, ky plan ka vdekur që kur është hartuar. Përse jeni kaq pesimist? 

Në fakt, unë jam shumë larg i të qenit pesimist. Si në shkrimet e mia edhe në përgjigjet që i kam dhënë pyetjeve tuaja, unë jam munduar të jem shumë i rezervuar në përcaktime apo përkufizime negative mbi këtë çështje. Bile, mbi çdo çështje urbane për të cilën unë jam shprehur ndonjëherë. Kjo sepse njohja e përgjithshme e shoqërisë shqiptare mbi çështjet urbane (që duhet të ishin më të rëndësishmet), është minimale dhe e deformuar me qëllim nga palë të interesuara për padije shoqërore. Prandaj unë jam gjithmonë shumë i rezervuar, në mënyrë që shqetësimet, problematikat dhe zgjidhjet që unë modestish propozoj të mos kalojnë pa u konsideruar nga publiku i gjerë. Ndërkohë që realiteti është akoma më i dhimbshëm se kaq.

Vërtetë mendoni se problemet e vetme të Tiranës urbane, apo të qyteteve të mëdha të Shqipërisë janë mungesa e lulishteve, këndet e lojërave për fëmijë, parkingjet publike. Nëse po, atëherë më thoni a keni nevojë për një ekspert të urbanistikës t’ua thotë këtë? Ju këtë mund ta perceptoni vet. Kjo është njësoj si të shkoni të mjeku dhe ti thoni se ju dhemb koka, e ai t’iu diagnostikojë me sëmundjen “ju dhëmb koka” dhe t’iu “kurojë” me aspirina. Mirëpo, koka në mënyrë të përsëritur mund të dhembi edhe nga sëmundje vdekjeprurëse po nuk u kuruan si duhet e në kohën e duhur. Këtë kërkoni nga mjeku: pas analizave të detajuara t’iu thotë nga se ju dhemb koka dhe tu kurojë për sëmundjen që e sjell si pasojë dhembjen e kokës. Vetëm duke kuruar sëmundjen shkak mund të shpëtojmë edhe nga pasoja e dukshme e dhimbjes së kokës. Me urbanistikën është e njëjta gjë/ STANDARD

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here