Intervista, Malltezi: Plani i ri urban klientelist, s’ka asnjë kufizim për ndalim të ndërtimeve në zonat urbane

0
380

 

“Plani lejon ndërtimin e kullave për interesa të caktuara, nuk ka pasur fare transparencë për publikun. Te ndërtimet e Sheshit Skënderbej janë parashikuar  ndërtime të kullave që askush nuk i di”

 

Plani i ri urbanistik ka hasur në shumë debate. Miratimi i tij në ditët e fundit të vitit ka ngritur shumë dyshime dhe ka qenë një nga temat e debatit. Plani i ri është konceptuar si afatgjatë pasi projekton Tiranën e vitit 2030.  I konceptuar si i tillë, Bashkia ka projektuar brenda tij ndërtimin e mjaft kullave. Ndërtimi i kullave nga shumë ekspertë të fushës shihet si një gjë e gabuar pasi rrit ndotjen në qytet. Një nga ekspertët që e ka kundërshtuar këtë plan është edhe Jamarbër Malltezi. Si drejtor i Departamenti të Mjedisit në Partinë Demokratike, Malltezi në një intervistë për gazetën, shpjegon pse është kundër planit dhe cilat janë pikat që sipas tij janëtë kundërta me interesin qytetar. Sipas tij ky plan ka shumë gabime dhe nuk është miratuar siç duhet, duke thyer shumë nga rregullat.

Intervistoi Anesti Barjamemaj

Në një reagim ju shkruani se plani i ri urbanistik  ka kaluar pa një konsultim të gjerë publik, duke e krahasuar me lojën “kukamçefti”. Por sipas bashkisë plani është konsultuar me grupet e interesit. Në çfarë argumentesh e mbështesni mendimin tuaj?

E them këtë gjë pasi nuk di njeri asgjë për këtë plan. As kullat nuk i di njeri se ku do jenë, dhe si do jenë. As projektin nuk e bëjnë, publik. Kur projektin nuk ua japin as këshilltarëve të bashkisë, imagjinojë të tjerat. Kjo është që plani është miratuar “kukamçefti”, kur nuk ke studim hidrogjeologjik. A mund të fillosh që të ndërtosh pa një studim të tillë? Se në sa metra nëntok do të dalin ujërat, si do i zgjidhësh ujërat nëntokësore. Nuk mjafton të ndërtosh një shtresë betoni e cila shkon 4 metra nëntokë, por çfarë do të bëjnë ujërat që shkojnë 15 metra nëntokë, do krijohen përmbytje. Kjo është një çmenduri, në rast se ti nuk merr mendimin e ekspertëve, po bën një plan “kumaçefti”, për interesa klienteliste.

Mendoni se miratimi i planit në ditët e fundit të vitit, ku të gjithë njerëzit janë në festë dhe nuk është vëmendja te punët e bashkisë, ka qenë i qëllimshëm për të shmangur pa rregullsitë e tij?

Miratimi i planit në ditët e fundit të vitit, ku njerëzit ishin atmosferë festash është argumenti më i mirë, për të mbështetur atë që kam thënë disa ditë më parë dhe e them prapë. Që ky plan është miratuar kukamçefti, pasi nuk ka pranuar mendimin e asnjë eksperti. Që është një plan klientelist, pasi lejon ndërtimin e kullave për interesa të caktuara, nuk ka pasur fare transparencë për publikun.  Këto mendoj se kanë qenë disa nga parregullsitë që ka pasur ky plan dhe prandaj është miratuat  në datat e fundit, pa asnjë transparencë.  Këtë e them edhe duke krahasuar me planin e vitit 2013, prandaj po ju jap disa nga të dhënat për planin e këtij viti. Plani me proces pjesëmarrës dhe ka pasur 50 intelektuale grup strategjik , 50 eksperte grup teknik, dhjetëra mbledhje të hapura për mediat dhe qytetarët pa logo dhe slogane partiake dhe shënimet e mbledhjeve të dokumentuara. Psh. Z. Artan Lame ka te paktën 5 ndërhyrje në 4 mbledhje me sugjerime dhe komente dhe i janë marre parasysh. VSM vuri kufizime të qarta ndaj ndërtimit (Ndalohej ndërtimi në gjithë lulishtet dhe parqet ekzistuese, zonat e rrezikshme dhe zonat e ndotura)

Sipas mendimit tuaj, do të ketë ndikim në mjedis plani i ri urbanistik dhe çfarë pritet ti ndodh Tiranës, pas miratimit të tij?

Raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis të këtij plani është i saktë vetëm në pjesën jashtë urbane. Për pjesën brenda urbane, ky vlerësim i ndikimit në mjedis për fat të keq, nga presioni i madh  i ndërtuesve të betonit, është tërhequr. Presioni për këtë plan ka bërë që Bashkia të tërhiqet në disa nga çështjet kryesore. Bashkia është tërhequr nga kriteret strikte mjedisore që të mos lejonte cënimin e asnjë metër katror lulishte dhe parkun. Por me këtë plan po ndodh e kundërta, pasi po ndërtohet në hapësira të gjelbërta. Veliaj po thyen planin e vjetër urban, pasi plani i ri nuk është miratuar ende. Po jep leje ndërtimi në zona të gjelbërta që nuk lejohen ndërtime. Plani i ri urban rrezikon që të betonizoj që gjitha parqet e qytetit. Krijimi i pyllit urban në zonën me trafikun më të dendur të Tiranës në 2012 përmirësoi ndjeshëm cilësinë e ajrit. U prish një pyll urban dhe në vend të saj do ngrihet një tepsi gjigante betoni me disa kulla që ndryshojnë vendndodhje sipas xhepit. Prishja e sheshit dhe pyllit, shtimi i radhëve të trafikut dhe krijimi i grykave të shisheve shumëfishon çlirimin e gazrave kancerogjenë nga makinat e bllokuara në trafik.  Mbulimi i tokës natyrore me beton ndalon kalimin e ujërave në shtresat e tokës duke shtuar shumë më tepër efektin përmbytje.  Kjo ndërhyrje e shtrenjtë (17 milionë euro) në Sheshin Skënderbej po kryhet për interesa të vogla dhe pa kryer asnjë studim hidrogjeologjik, modelim gazrash të dëmshëm dhe gjithashtu pa asnjë diskutim te hapur me ekspertet. Një tjetër gjë e rëndësishme është edhe se plani i ri urban nuk ka asnjë kufizim për ndalim të ndërtimeve ne zonat urbane, por veç në zonat e mbrojtura ne nivel kombëtar.

Ju jeni, kreu i departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike dhe keni qenë që në fillim kundër planit të ri urbanistik. Cilat janë specifikisht pikat që kundërshtoni?

Unë nuk kundërshtoj planin si koncept, pasi ndryshimi i kufirit administrativ bën që të miratohet edhe një plan i ri. Unë nuk mund të kundërshtoj dot planin, pasi është detyrim ligjor. Ajo që unë mund të kundërshtoj është mënyra se si erdhi ky plan. Prandaj  pikat kryesore që kundërshtoj nga ky plan janë disa. Për të qenë më i qartë  po ti them shkurtimisht: E para që kundërshtoj është planifikimin  sipas interesave klienteliste dhe jo të hapur për të gjithë me një diskutim me ekspertët. Bashkia thotë që ka bërë dëgjesa publike, por të gjitha janë bërë me logon e Partisë Socialiste. Duke pasur një logo të kësaj partie nuk mund të shkojnë ekspertë të pavarur. Nuk mund të shkojnë as publik tjetër nuk mund të shkojnë as pedagogët. Që do të thotë se nuk kanë interes të dëgjojmë  asnjë tjetër. E dyta nuk bashkia nuk ka bërë të asgjë të ditur se çfarë do të bëj. Si e prishi sheshin Skënderbej, pa miratuar planin prishi sheshin. Ishte një ndërhyrje pa leje, po kështu ndodhi edhe me parkun e liqenit. Ne nuk jemi dakord për mënyrën e qasjes, në zonat urbane, pra nuk lejomë ndërtimin brenda në qytet. Ky plan  është thjesht  një triumf i betonit të oligarkëve të Edi Ramës, sipas klientelës dhe asgjë tjetër.

Në këtë plan,  kryetari i bashkisë Erion Veliaj përmend se ka prioritet kullat shumëkatëshe. Mendoni se me ndërtimin e kullave do të ketë zhvillim qyteti?

Sa për dijeni Plani Urbanistik i Tiranës, ka parashikuar ndërtimin e kullave 30 katëshe. Por këto kulla janë thjesht sipas interesave klienteliste. Si teori, ndërtimi i kullave është absurd, sepse dendësia në këtë qytet është shumë e madhe. Ke zona të Tiranës të cilat kanë dendësi më të madhe se ne kryeqytet kryesore Evropiane.  Pra ku po shkojmë me këto dendësi, do e bëjmë Tiranën si Hong Kongu, si Manhatani. Këto janë dy vendet që kanë dendësinë më të madhe urbane në një zonë të caktuar.

Pyetja që ngrihet për  kullat është: Çfarë interesash fshihen? Pak ti ngacmosh dhe kuptohet se ku janë interesat. Interesi i kullave shumë katëshe është shumë problematik, në rast se kjo nuk shoqërohet me hapësira publike. Prandaj që të bësh një kullë duhet që kesh nëntokë, duhet të kesh ujin, duhet të kesh infrastrukturën duhet të kesh gjelbërimin. Pa respektuar asnjë kriteret gjelbërimi ne do të ndërtojmë kulla shumë katëshe. Kjo është një mbytje për banorët që kanë shtëpi të vogle pasi marrim të gjithë hapësirën e gjelbër. Po të shohësh sot Tiranën nga një ndërtesë e lartë të merr malli të shohësh një rrugicë me pemë. Në vend që ne të shtojmë lulishte , po ndodh e kundërta pasi po ndërtohen kulla.  Te ndërtimet e Sheshit Skënderbej janë parashikuar  ndërtime të kullave që askush nuk i di. Këto kulla kanë dëmtuar pyllin urban që ishte ndërtuan ngjitur me sheshin Skënderbej.

Çdo plan urbanistik  që është miratuar në Tiranë, ka hasur gjithmonë në debate. Po për këtë plan i cili ka një perspektivë shumë vjeçare, a është Tirana gati për ta mirëpritur?

Varet çfarë quhet plan, disa nga elementët për një plan janë në rregull. Por ka shumë pika të cilat i thash më lartë, të cilat janë gabim. Nëse do të flasim për ndërhyrjet që ky plan lejon në zonat e mbrojtura dhe në lulishte është një pikë e cila nuk duhet që të ishte. Ky plan lejon që të ndërtohet në hapësirë, por vetëm në parqet kombëtare/ STANDARD

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here