Mësues të dhunshëm dhe mësues të dhunuar nga të gjitha anët

0

 

Loading...

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Që në fillim të këtij shkrimi më duhet të them se nuk dua të mbroj, as të flas, as të interpretoj,  as të komentoj, e as të bëhem palë me atë që dhunon një fëmijë dhe aq më tepër kur ai është prindi ose mësuesi. Nuk kam ndërmend gjithashtu të flas se sa e rëndë, traumatike, cilat janë pasojat e dhunës në institucionet arsimore dhe në familje, se kemi dëgjuar boll për to. Por ama nuk mund të qëndrosh gojëmbyllur, kur çdo dy muaj gjendet gjithnjë mësues që dhunon dhe një nxënës, klasë apo disa nxënës. Duke mos vënë në dyshim qëllimin e mirë të emisioneve investigative, revoltën që kanë si prindër drejtuesit e saj, ndjeshmërinë publike, një pyetje të lind natyrshëm:

Pse mësuesit janë bërë kaq të dhunshëm? A është ky një fenomen lokal apo i shtrirë në nivel kombëtar?

“Dhuna pjell dhunën” . Kjo thënie është ndoshta kaq e vjetër sa vetë njerëzimi. Nuk mund të ketë mësues të lumtur, të kënaqur me punën, të dashuruar pas profesionit të tyre ( që për të qenë të saktë është më shumë mision se sa profesion), mësues që u krijohet një mjedis sa më komod në punën e tyre, që papritur u lind instikti i kafshërisë dhe e shfryjnë atë tek nxënësit. Ashtu sikundër dhuna nuk justifikohet, pavarësisht gjithë rrethanave që krijohen. Por a kanë investiguar ndonjëherë media, a është shqetësuar shoqëria, komuniteti i prindërve, pushtetit lokal, OJF-të e ndryshme e deri tek organizmat ndërkombëtarë që merren me sektorin e arsimit, kushtet e punës së mësuesit, pagat e tyre, ngarkesën mësimore, problematikat që kanë në ushtrimin e profesionit?

A është folur ndonjëherë për presionin e madh në të cilin ndodhen mësuesit sot? Kush nga aktorët dhe fajtorët e mësipërm, ka marrë në analizë, disa fakte konkrete: Përse nxënësit dhe prindërit kërkojnë notë të pa merituar dhe hakërrehen tek mësuesi? Si ka mundësi që ende sot vazhdon të jetë në lulëzim biznesi i kurseve private dhe shteti është i pafuqishëm që ta ndali? Sa prej nxënësve kanë dhunuar verbalisht dhe fizikisht mësuesit dhe cilat janë masat e marra prej tyre? Sa shkolla kanë infrastrukturë të përshtatshme për t’i quajtur stalla lope dhe derrash, por jo institucione arsimore? Cili është raporti që kanë sot drejtuesit e MAS me sindikatat e mësuesve? Cili është raporti i drejtuesve të shkollës me mësuesit, komunitetin e prindërve dhe pushtetin vendor? A ka një analizë të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit për shkaqet e dhunës gjithnjë e në rritje në institucionet arsimore?

Natyrisht që MAS, IShA, IZHA dhe të gjitha institucionet që kanë detyrim kushtetues të bëjnë punën e tyre, akne detyrim të na kthejnë përgjigje për të gjithë problematikën që ka arsimi sot, që gjeneron dhunë çdo ditë dhe jo të mjaftohet me shprehjen standarde e bajate “do të marrim masat e dyshuar. Ju falënderojmë si media për punë  që bëni dhe jemi të hapur për bashkëpunim.”  Në 2013 e më tej u premtuar prej qeverisë e në veçanti prej Ministrisë së Arsimit dhe Sportit se do të kishim një shërbim psikologjik më të mirë e më efikas për shkollën. Madje do të shtoheshin edhe punonjësit social. Sot ne nuk kemi asnjë raportim të shërbimit psikologjik në shkolla, në lidhje me situatën në shkolla, cilat janë problemet që shoqërojnë të rinjtë tanë, a janë mësuesit të përgatitur për t’i përballuar, trajnimet e personelit mësimor me psikologët etj. Në mungesë të këtyre përgjigjeve gjithkush flet në erë, pa asnjë fakt dhe bazuar mbi perceptime vetjake, ose ato që dëgjon në kafenenë e lagjes e i përkthen si perceptim të opinionit publik.

Ajo për të cilën keni fakte boll është dhuna institucionale e qeverisë dhe MAS ndaj mësuesve.

Prej shtatorit 2013 e deri më sot mësuesit si gjithë sistemi arsimor, janë shndërruan në kavie, ku dozat e helmit sa vinë e shtohen, për t’i parë si përpëliten derisa zhduken si qenie e gjallë. Mësuesve ju ndryshua disa urdhra e udhëzime, të cilat, godisnin drejtpërdrejti autonominë profesionale, vinin nën kontrollin politik trupën mësimore, cenonin dinjitetin dhe integritetin e mësuesin dhe rrënojnë gjithnjë e më shumë autoritetin e tyre në sytë e publikut dhe nxënësit. Për t’i rënë më shkurt u tentua dhe vazhdon të konsolidohet lufta sistematike për ta kthyer mësuesin në një skllav të bindur të shtetit dhe jo besnik të vlerave dhe idealit që përfaqëson misioni i tij i shenjtë në edukimin e njerëzve. Këtë aksion Ministria e Arsimit e kreu me plot dëshirë, mund e përkushtim, duke angazhuar të gjithë hierarkinë e asaj në të ashtuquajturat inspektime me qëllim mbajtjen nën terror të mësuesve.

Ndërrimi i përvitshme për të mos thënë dy herë në vit i drejtuesve të shk0ollave, ndryshimi i personelit, shpërndarja e tij në shkolla të ndryshme, pushimet nga puna, pezullimet pa kurrfarë arsyetimi, u bënë moto e punë së MAS dhe institucioneve të saj të vartësisë. Pastaj u shtuan shkresa e portofole pafund, për nxënësit, evidenca, tekste që nuk i kupton askush, për të torturuar mësuesit. MAS organizoi kryqëzatën kundër të ashtuquajturve mësues pa arsim përkatës, për t’i zëvendësuar, ata që vërtetë ishin mësues, me infermier, veteriner, mekanik, etj. Drejtues të arsimit në rrethe dhe ën shkolla vinin nga sektori i shitjes me shumicë e pakicë të brekëve dhe tangave, të syzave të diellit dhe atyre optike, punonjës të postës, aktor të emisioneve humoriste, me pak fjalë nga të gjitha fushat dhe të gjitha profesionet, por që nuk ishin marrë asnjë ditë me arsimin e mesëm, apo kishin vite që kishin shkëputur marrëdhëniet me të.  Jo më larg se pak ditë më parë, sindikatat e arsimit, kërkuan shpërblimin e fund vitit. Ministrja vetë mori në dorë lojën e ka kush e ka dhe më së fundi i mashtroi pa asnjë droje dhe pikë turpi, ata që dikur i kishte koleg.

Po përse të gjithë kundër mësuesve

Sepse me të tjerët nuk jua mban. Një mësues rraset në burg menjëherë pas një video, ndërsa një politikan që qëllon në mes të qytetit, lirohet e shkon madje të votoj edhe reformën në drejtësi në parlament. Në mësues kryqëzohet në sytë e opinionit, ndërsa një ish-gazetar tani politikan, fiton miliona e askush nuk merret të investigojë rastin e tij. Një mësuesi i bëhet gjyq popullor, një vajze i jepet e drejta të vrasë fëmijë më makinë në gjendje të dehur e të japi konferenca shtypi në prani të ministrit të drejtësisë. Një mësues bëhet tabelë qitje, për një javë resht, njerëzit që vjedhin, vrasin, presin, dhunojnë, prokuror që marrin para, shijojnë lirinë, të respektuar si bosat që dinë të përshtaten me kohën. Mësuesi është në qendër të vëmendjes, jo për shkak të impaktit që ai ka në shoqëri, se për këtë nuk pyet kush, por për arsyen se është pre e lehtë për të gjithë: njerëz të thjeshtë, gazetar, politikan, administrator njësie, drejtor shkollash, drejtor arsimi në rrethe, ministre, kryeministër, pasi atë nuk e mbron askush. Përkundrazi, ai vazhdon të mbetet kavie, për eksperimentin e radhës të një qeverie dhe të një shoqërie që hesht dhe nuk e kupton dëmin që i bën vetes me sulmin frontal e të pa paprecedentë ndaj mësuesve.

Një rast, dy, dhjetë e po të doni pak më shumë se kaq, nuk mund të njollosin punën e 34 mijë njerëzve, që luftojnë çdo ditë në kufijtë e mbijetesës ekonomike dhe profesionale. Mos i respektoni nëse nuk dini se cili është misioni i tyre në një shoqëri të lirë, por të paktën heshtni dhe lëreni në hallin që i ka zënë.

Loading...

Lini nje pergjigje