EKSKLUZIVE/ Skandali te Ministria e Financave: Nga 2013-2016 shpërdorime dhe abuzime pa fund

2
2181
Kryeministri Edi Rama, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtise dhe Sipermarrjes, Arben Ahmetaj dhe Ministri i Financave Shkelqim Cani, gjate nje takimi me strukturat tatimore te perfshire ne aksionin kunder informalitetit dhe evazionit fiskal./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, Minister of Economic Development, Tourism, Trade and Entrepreneurship, Arben Ahmetaj and Shkelqim Cani, Minister of Finance, during a meeting with tax structures involved in action against informality and tax evasion.

 

Ervin Kaduku

Lëmsh skandaloz në Ministrinë e Financave: ndryshime destinacionesh të fondeve, rritje shumë të mëdha të shpenzimeve për aparatin krahasuar me vitet e mëparshme, rrëmujë me punonjësit me kontratë: të gjitha këtu dhe shumë më tepër ka konstatuar grupi i audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ka qëmtuar dokumentat për vitet 2013-2016 në këtë dikaster. Fatura që dublohen, plot 418 herë, në thesarin e shtetit, pagesa për gjyqet e humbura nga shteti në Strasburg, por që vonohen në mënyrë të pashpjegueshme nga ministria, çka përkthehet në kosto të rritur të kamatëvonesave, etj, etj.

Është e tepër të thuhet që barra e rritur e taksave ka rënduar mbi shpatullat e shqiptarëve tre vjetët e fundit, por kjo nuk po sjell heqjen dorë të drejtuesve të ministrisë së Financave nga shpërdorime dhe abuzime metodike. Por kemi të drejtë të besojmë, gjithashtu, se kjo që konstatohet mund të jetë vetëm maja e ajsbergut…

 

Thesari

Të dhënat e publikuara e të gjeneruara nga databaza e Thesarit në faqen e Ministrisë së Financave për vitin 2015 nuk reflektojnë transaksionet reale, sipas KLSH. Vetëm për të dhënat rreth transaksioneve të Apartit të Ministrisë së Financave u konstatuan 418 transaksione të përsëritura, e konkretisht: dubluar 73 raste në shumën totale 773.856.793 lekë (5.7 milionë euro!); përsëritur 3 herë, 19 raste për shumën 17.544.445 lekë (128 mijë euro!); përsëritur 4 herë 18 raste, për shumën 44.148.784 lekë (322 mijë euro!); përsëritur 5 herë 25 raste, për shumën 408.458.665 lekë (3 milionë euro) dhe përsëritur 6 herë, 3 raste për shumën 74.715.416 lekë (545 mijë euro). Kjo situatë e konstatuar cenon transparencën institucionale. Nga ana tjetër, ndërkohë që gjatë vitit 2015 e në vijim, investimet e Ministrisë së Financave për zhvillimin dhe suportin e Sistemit të Thesarit kanë qenë të konsiderueshme, gjenerimi të dhënave nga ky Sistem (i reflektuar në faqen e MoF) jo saktë ve në pikëpyetje eficiencën dhe efektivitetin e përdorimit të fondeve të investuara për zhvillimin e tij. Po vështirë të besohet se kjo bëhet vetëm për paaftësi.

Nga auditimi i pasqyrave financiare është konstatuar se është përfshirë në zërin e “Fondeve Buxhetore kapitale” shuma prej 237.846.600 lekësh dhe jo 167.512.600 lekë, sipas çeljes së thesarit, duke reflektuar pa të drejtë 70.334.000 lekë më shumë në “Arkëtimet e vitit cash”. Kjo diferencë i takon “Projektit për mbështetjen dhe zgjerimin e Thesarit të Shqipërisë”, për të cilën nuk është bërë çelje në thesar gjatë vitit 2014. Si e tillë nuk duhej të reflektohej në Pasqyrën e lëvizjes së parasë. Përsa më sipër, Pasqyra e Lëvizjes në Cash për vitin 2014, edhe pse paraqet drejt rezultatin, nuk reflekton drejt transaksionet financiare.

 

Shpenzimet

Nga auditimi i realizimit të buxhetit të vitit 2015, për shpenzimet korrente për “Mallra dhe Shërbime”, konstatohet se fillimisht u planifikua në nivele pothuajse të përafërta me vitin ushtrimor paraardhës, konkretisht 1.503.939.000 lekë (rreth 1% më pak), por në vijim buxheti u rishikua, duke u rritur në 2.797.214.000 lekë (ose rreth 184% më shumë se viti 2014 dhe rreth 19% nga buxheti fillestar i vitit 2015!), nga të cilat u realizua në masën 2.725.871.000 lekë (ose realizuar rreth 98%).

Nga auditimi i shpenzimeve korrente për mallra dhe shërbime u konstatua se, sa u takon pagesave të detyrimeve ndaj vendimeve të gjykatave, për çështjen “Ll” janë paguar 90.343.000 lekë apo 660 mijë euro, por alokimi i tyre nuk është bërë nga të ardhurat nga privatizimi, por janë përdorur fondet e planifikuara për “Blerje mallra e shërbime”! Në këtë proces është konstatuar se, së pari, nga ish-Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave nuk janë trashëguar të ardhurat për të mundësuar rritjen e autorizuar për kthimin e detyrimit dhe, së dyti, nuk ka një vendim gjykate për të mundësuar kthimin e kësaj vlere nga të ardhurat jashtë limitit.

Nga auditimi në Aparatin e Ministrisë së Financave për periudhën 2014, 2015 dhe 6/mujorin e vitit 2016 për blerje mallrash dhe shërbimesh, rezultoi se për vitin 2015 janë harxhuar më shumë se viti 2014: Pagesa për dieta brenda vendit prej 574 mijë lekë, ose 21% më shumë; Pagesa për dieta jashtë vendit prej 3.038.000 lekë, ose 26% më shumë; Pagesa për blerje kancelari e materiale prej 711 mijë lekë, ose 15% më shumë; Pagesa për blerje shërbime të ndryshme prej 33.048.000 mijë lekë, ose 45% më shumë; Pagesa për të tjera shërbime prej 4.082.000 lekë, ku vlen për t’u përmendur në këtë grup zërash larje e automjeteve, që për këtë vit është rritur për 597 mijë lekë, ose sa 5-fishi i një viti më parë; Pagesa për pritje përcjellje prej 289 mijë lekë, ose 17% më shumë; Pagesa për njoftime e të tjera prej 3.640.000 lekë, ose 6.3 herë më shumë; Pagesa për mirëmbajtje automjeti prej 512 mijë lekë, ose 55% më shumë.

 

Shkelje ligjore

Nga auditimi i dietave jashtë vendit, u konstatua se urdhërat e titullarëve ishin hartuar në bazë të VKM nr.870, datë 14.12.2011 “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit” dhe UMF nr.22, datë 10.07.2013 “Mbi zbatimin e VKM nr.870, datë 14.12.2011 “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit”. Por rezulton se ky Udhëzim nuk është botuar deri më sot në fletore zyrtare, duke sjellë konfuzion në lidhje me zbatueshmërinë e tij, duke pasur parasysh këtu edhe nenin 117, pika 1, e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në të cilin përcaktohet që: “Ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave, të ministrive, të institucioneve të tjera qendrore, marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare”.

 

Strasburgu

Impaktin më të madh në shtesat e konsiderueshme të shpenzimeve e kanë pasur shpenzimet e ekzekutuara me VKM të veçanta, si ato që lidhen me pagesa të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (për periudhën objekt auditimi 3 miliardë lekë, nga të cilat rreth 76% likuiduar në vitin 2015), likuidime që Ministria e Financave bën për rritjen e aksioneve të Republikës së Shqipërisë, në Bankën e Detit të Zi (per periudhën objekt auditimi rreth 393 milionë lekë, nga të cilat rreth 85% likuiduar në vitin 2015), apo pagesa për shërbimin e asistuar në lidhje me administrimin e doganave të Shqipërisë kundrejt Croën Agents (rreth 692 milionë lekë gjatë vitit 2014). Këto shpenzime të paparashikuara në buxhetin fillestar të Ministrisë së Financave, duke u miratuar rast pas rasti me VKM, mbeten jashtë autoritetit të Aparatit, nga buxheti i të cilit në përfundim këto fonde ekzekutohen. Sa më sipër gjithashtu tregojnë formalitetin e procesit të planifikimit që si i tillë rezulton në fakt të ndryshohet vazhdimisht, duke mos u bërë një mjet i besueshëm i reflektimit të politikave fiskale të vetë institucionit.

Nga auditimi i ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) u konstatua se, në vendimet që datojnë në vitin 2014 e tutje, parashikohet interesi për vonesën. Gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2016 janë ekzekutuar vendime të kësaj gjykatë, duke përfshirë edhe vlerën e penaliteteve njëkohësisht, shumat e të cilave rezultojnë të paidentifikuara me ndonjë kod të dedikuar llogarie thesari (por janë të përfshira në të njëjtin kapitull me detyrimin “e pastër”). Këto vendime, duke u ekzekutuar përtej afateve të parashikuara në vendimet respektive të GJEDNJ, kanë përllogaritur penalitete likuiduar në vitin 2015, në shumën 28.831.573 lekë (210 mijë euro).

Nga auditimi u konstatua se është prekur Fondi i Kontigjencës për pagesa ndaj vendimeve të Gjykatës Evropiane të të drejtave të Njeriut, dhe për pagesa të Arbitrazhit Ndërkombëtar dhe jo për nevojën e financime të reja, apo për të përballuar efektet e mosrealizimit të ardhurave, sikundër e kërkon Ligji organik të Buxhetit. Sipas ligjit, Fondi i Kontigjencës manaxhohet vetëm nëpërmjet 4 programeve si më poshtë: Kontigjencë për rritjen e investimeve; Kontigjencë për rritje pensionesh; Kontigjencë për ruajtjen e deficitit dhe Kontigjencë për rritjen e pagave dhe Fondi i Vecante i Pagave, ku asnjë nga programet e mësipërme nuk i dedikohet kësaj kategorie shpenzimesh.

 

Burimet njerëzore

Nga auditimi u konstatua se, referuar të dhënave mbi strukturat organike të MF, rezulton një numër i konsiderueshëm vendesh vakante, vazhdimisht në rritje, të cilat janë konsideruar në planifikimin fillestar, por në vijim me rishikimin me akte normative fondet e papërdorura për këtë zë shpenzimi, janë rishpërndarë mes zërave të tjerë buxhetorë. Ky fenomen ka ndodhur që nga viti 2013 deri në vitin 2016, çfarë gjithashtu tregon për planifikime jo reale të ndryshimeve strukturore të cilat më pas nuk realizohen.

Nga auditimi me përzgjedhje i dosjeve të punonjësve u konstatua se, për disa raste të punonjësve me kontratë të përkohshme pune, dosjet e këshilltarëve kanë qenë pjesërisht jo të plota, pasi mungojnë një pjesë e dokumenteve të kërkuara; si edhe disa nga dosjet e punonjësve me kontratë të përkohshme të larguar nuk janë të ruajtura nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore.

Nga auditimi u konstatua se, disa nga punonjësit, të cilët janë punësuar me kontratë pune të përkohshme kanë vijuar të rinovojnë kontratat me afate 2, 3 mujore apo 12 mujore, praktikë kjo që riskon të shndërrohet në një fenomen të përhershëm, si një praktikë paralele dhe mbivendosje e funksioneve institucionale të DAP.

Nga auditimi konstatohet edhe se nuk mbahet bordero e veçantë për punonjësit me kontratë të përkohshme, por listë pagesash bashkë, si për punonjësit e përhershëm edhe për ata të përkohshëm. Këto listëpagesa janë dorëzuar në Thesar pa u nënshkruara nga punonjësi i caktuar me menaxhimin e burimeve njerëzore.

Përgjatë vitit 2014, pesë punonjës që fillimisht kanë kaluar në listë pritje nga sektorë të ndryshëm, për arsyen e suprimimit të pozicionit dhe ndryshimeve në organikë, janë rikthyer në vendin e punës me vendim gjykate të formës së prerë, për të cilët Ministria ka likuiduar një pagesë totale për detyrimin, në shumën prej 1.164.066 lekësh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

2 COMMENTS

  1. O Standardi qe vetem standard nuk keni.
    Po lufta ndaj informalitetit? Po mbledhja e taksave?
    Ulja e borxhit? Rritja ekonomike 3.4%?
    Lehtesimi i procedurave fiskale?
    Peiresimi i klimes se biznesit sipas Standard and Poors?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here