Nga “Mos e dhëntë  Zoti” tek “ Zoti të ruajt”  

0
1037

 

Nga Gëzim Saliugezim saliu

 Mos e dhëntë Zoti që amerikanët ta zgjedhin Trump sepse do ishte një President që do ti bënte dëme të mëdha Amerikës dhe do ishte kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”.  Kjo ishte padyshim një ndër deklaratat më të forta që kryeministri Rama ka bërë në këto tre vite e gjysmë pushtet sa i përket qëndrimeve lidhur me politikën e jashtme. Ky qëndrim i cili kaloi deri në ofendim për kandidatin Trump në atë kohë (turp i madh për Amerikën dhe një turp i madh për qytetërimin tonë- cit.Rama) u glorifikua edhe më shumë në kushtet kur ishte e ditur botërisht se në garën presidenciale ishte jashtë çdo norme ndërhyrja në favor apo kundër një kandidati.

Por përtej kësaj pike, (pasi pati qëndrime të disa liderëve të tjerë , megjithëse asnjëri deri në masën e deklarimeve të kryeministrit shqiptar)  ajo që duket se krijoi përshtypje të fortë në vend dhe jashtë tij ishte tonaliteti dhe qëndrimi thellësisht fyes i përdorur nga Rama ndaj kandidatit për garën presidenciale në Amerikë! Po po, pikërisht ndaj kandidatit për postin më të fuqishëm në botë!

Në kohën kur përgjatë 25-viteve, politika shqiptare ka shkuar deri në “përpëlitje” për mbështetje nga SHBA-ja, në kohën kur ambasadori amerikan ndër vite është respektuar me raste edhe më shumë se Presidenti i vendit, deklarata e kryeministrit krijoi jo pak habi. Ndoshta edhe vetë Rama, tashmë kur i risheh ato qëndrime të pak kohëve më parë habitet me veten se si shkoi deri aty sa të fyente një kandidat në garën Presidenciale, duke e cilësuar si një fatkeqësi për amerikanët dhe kërcënim për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Megjithatë duhet thënë se ky qëndrim i kryeministrit nuk erdhi krejt papritur. Ashtu si shumica, edhe kreu i qeverisë shqiptare ishte thuajse i bindur se në zgjedhjet në Amerikë fituese do shpallej kandidatja demokrate Hilary Clinton. Në këtë kushte më një llogaritje të thjeshtë, kryeministri ndoshta kishte menduar se aktivizimi i tij i fortë në garën presidenciale amerikane do ti sillte të mira shtesë në raport me administratën e re amerikane të drejtuar në supozim nga Clinton ( sidomos kur para ishin edhe zgjedhjet e përgjithshme).

Ndërkohë zëra të ndryshëm flasin edhe për një arsye underground të këtij aktivizimi me zell të kryeministrit në garën presidenciale amerikane ( shtysë e ardhur nga rrjeti i miliarderit George Soros, i cili ishte ndër sponsorër kryesorë të kandidates demokrate).

Por përpos aludimeve, mbetet fak se qëndrimi i kryeministrit ishte më së paku jashtë çdo norme.  Si mund të shkojë deri në akuza, kryeministri i një shteti me 2 milionë e 900 banorë përkundrejt një kandidati për garën presidenciale të SHBA-ve, një bashkësie shtetesh që kanë një popullsi prej 306 milionë qytetarësh?

Në këtë kontekst, duhet nënvizuar se politika e vasalitetit dhe e qëndrimit kokëulur ndaj aleatëve apo partnerëve nuk është asnjëherë e duhura. Por kalimi nga ekstrem në ekstrem, duke arritur deri në akuza e fyerje për një kandidat  i cili kishte gjasat e tij për tu bërë Presidenti i Amerikës ( gjë që ndodhi) nuk përbën së paku një politikë të mirë menduar. Në këto kushte, kryeministri ose është keqkëshilluar nga faktorë të jashtëm ose është detyruar të përfshihet në “lojë” ose ndoshta ka parapëlqyer për tu kthyer në faktor. Ciladoqoftë përgjigja, ajo që mbetet në fund janë faktet dhe këto të fundit janë vërtet kokëforta.

Tanimë që ndodhi ajo që nga shumë pak pritej, kreu i qeverisë shqiptare vetvetiu është ndjerë nën presion. Pas fitores së Donald Trump, akuzat dhe ofendimet e kryeministrit ndaj kandidatit amerikan u transferuan tek opozita, e cila sipas tij po mundohej ta përcillte si një humbje të madhe të Ramës fitoren e kandidatit republikan. “Këta lëshohen nëpër banaqe të më sulmojnë mua sikur janë çunat e lagjes që u ka dalë vëllai i madh nga burgu dhe i thotë shikojini ça do t’ju bëj”- kishte pohuar Rama.

Në fakt nuk mund të mohohet se tek demokratët ekzistoi një farë deliri pas fitores së Trump, delir ndoshta i pranueshëm për një opozitë që kërkon të përfitojë sa më shumë nga çdo keq veprim i kryeministrit.  Megjithatë përtej këtij deliri opozitar, qëndrimi plot nerv dhe akuzues i kryeministrit ndaj të djathtëve pas fitores së Trump ( thua se ishin ato fajtor për deklaratat e tij) ishte sërish i pajustifikuar. Ndoshta kjo ishte një tentativë e tij për të treguar se fjalët për kandidatin presidencial ishin thjesht deklarata të zakonshme politike, siç rëndom përdoren këtu tek ne. Por në SHBA nuk funksionon aspak kështu!

Ky efekt i presionit të brendshëm është vënë re edhe tek sjella e kryeministrit gjatë kohës tranzitore të kalimit të pushtetit në SHBA.  Kështu ai nuk ishte i ftuar në ceremoninë zyrtare, por ndërkohë as nuk preferoi të blinte një ftesë për eventin.  Ndërkohë kanë kaluar tre ditë që nga ceremonia e betimit të Presidentit Trump në Capitol Hill dhe  kryeministri Rama ende nuk ka shprehur një urim për marrjen e detyrës së kreut të ri të SHBA-ve, vendin me të cilin Shqipëria ka lidhjet më të ngushta në këto 25 vite.  Ndonëse situata e sikleteshme ku ndodhet kryeministri në këtë rast është e kuptueshme, duke marrë parasysh se ai që u zgjodh President i SHBA u cilësua nga Rama si turp për Amerikën dhe qytetërimin, sërisht kreu i qeverisë shqiptare duhet të dalë mbi këto shqetësime vetjake dhe të respektojë traditën.

Ndërkohë ende mbetet mister se cila do jetë marrëdhënia e qeverisë “Rama” për këto kohë që kanë ngelur deri në zgjedhjet e 18 qershorit, me administratën e re “Trump”. Megjithëse prioritetet e këtij të fundit janë shumë herë më të mëdha, nuk mund të mohohet ndërlidhja mes dy shteteve, kryesisht në kuadër të ndihmës së vazhdueshme që jep SHBA me njerëz, fonde  e mjete për institucionet, reformat dhe nismat e ndryshme që ndermerren.   Po ashtu Trump e tregoi sa erdhi në detyrë se krahas politikës së brendshme, edhe ajo e jashtme do jetë në qendër të veprimtarisë së tij në muajt e parë të detyrës.  Firmosja në ditën e parë të detyrës e urdhrit për shkarkimin e 80 ambasadorëve të emëruar nga administrata Obama në vende të ndryshme të botës ishte padyshim një akt që e vërtetoi këtë gjë.

Tanimë mbetet të shihet se cila do jetë ecuria e fabulës, e cila nëse do të kishte një titull, me shumë gjasë, do mund të quhej: Nga “mos e dhëntë  Zoti” tek “ Zoti të ruajt”!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here