Votimi elektronik, e keqja më e vogël

0
154

Në vend të një replike me qëndrimin zhgënjyes të Edi Ramës për zgjedhjet

Votimi elektronik, e keqja më e vogël

Astrit PATOZI

Ndoshta më takonte ta falenderoja kryeministrin, që iu përgjigj shpejt interpelancës sime imagjinare, por nuk kam ndëmend ta bëj, pasi e konsideroj detyrim dhe përgjegjësi të tijën dhe vetëm të tijën. Jo karshi meje, si deputet i opozitës, por përpara cdo votuesi shqiptar, pavarësisht bindjeve politike, që të japë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe meqë e nisa si interpelancë, rregulli i saj e do që, si kërkuesi, ashtu edhe i thirruri, të kenë edhe një mundësi tjetër për t’u shprehur, pasi kanë dëgjuar parashtrimin.
Zoti kryeministër,
E lexova me shumë vëmendje përgjigjen tënde, por mbeta thellësisht i zhgënjyer prej saj. Natyrisht, nuk kam gjë me stilin, i cili mund të mos ketë të sharë, por me përmbajtjen kam shumë. I ke lejuar vetes të thuash fjalën e fundit të parën dhe kjo, sipas meje, nuk është zakon i burrave të shtetit, por i njerëzve të ngutur, pa eksperiencë, ose të atyre që e kanë ndarë mendjen për të bërë keq. Sepse ke mbyllur derën kryesore të komunikimit, pa dhënë asnjë shpjegim të arsyeshëm, njësoj si ata që thonë se kjo nuk bëhet, se ashtu është një punë. Dhe pasi i ke vënë dry portës për opozitën i thua asaj hajde bisedojmë nga frëngjia, se mbase do ta gjejmë anën.Së pari, nuk është argument se ti nuk e paske kërkuar votimin elektronik para dhjetë vjetësh, ndaj edhe opozita sot duhet të imitojë patjetër Partinë Socialiste të 2007-ës apo 2009-ës. Jo thjesht për shkak të evolucionit digjital, të cilin e pranon dhe vetë, por mbi të gjitha për ndryshimet drastike të kontekstit politik në vend. Kryesisht për “meritën” tënde Shqipëria ka rrëshqitur në parametra të frikshëm anormaliteti, gjë që e shpjegova gjërë e gjatë në paraqitjen time pararendëse dhe nuk dua t’i kthehem prapë.Dhe kjo gjëndje e jashtëzakonshme, që po i shtyn shqiptarët prej vitesh të ikin nga sytë këmbët prej atdheut të vet, kërkon një zgjidhje të jashtëzakonshme. Opozita nuk po të kërkon ndonjë gjë të vecantë, por “revolucion” teknologjik për të garantuar zgjedhjet, nëse mund ta quajmë kështu votimin elektronik. Ndonëse, historia na ka treguar në dhjetëra raste një qeveri e keqe i meriton të gjitha llojet e reagimeve.Por ti po e paraqet atë sikur futja e makinave në procesin tonë elektoral do t’i nxjerrë ujin e zi, jo vetëm Shqipërisë, por edhe rajonit e më gjerë. Dhe e gjitha kjo, pa na dhënë asnjë argument të qenësishëm, përvec tregimeve për negociatat e para 10 apo 5 vjetëve për këto cështje, që nuk të ndihmojnë hic.Ndërkohë që me kërkesën e vet opozita është bërë bashkëpërgjegjëse me ty për integritetin e procesit, sepse është ajo që sot po këmbëngul për votimin elektronik. Ndaj edhe nuk bind askënd në këtë vend, kur thua se nuk e merr dot përsipër atë rrisk, ngaqë ke frikë se do të akuzohesh, në rast dështimi. Në një kuptim, i bie që është Partia Demokratike ajo që po merr kosto në këtë histori, duke marrë një pjesë të përgjegjësisë, ndërkohë që ajo në fakt të takon e gjitha ty për t’u mbajtur.Sa për fundin e hidhur, që paralajmëron në rast ndryshimi të mënyrës së votimit, e ke shumë të sforcuar. Sepse në ka një gjë që dihet me siguri në këtë vend, por jo vetëm, është që në rast se do të ruhet statukuoja, zgjedhjet pa më të voglën dilemë do të ekzekutohen pa gjyq.Ndërkaq, ti nuk mund të prezantohesh kurrë si dashnor i përvëluar i standarteve zgjedhore, sepse ke qenë problematik, si në opozitë, ashtu edhe në pushtet. Nuk ka kaluar një shekull, por vetëm 10 vjet, kur i shtyve për disa muaj zgjedhjet lokale, dhe stresove gjithë shoqërinë shqiptare me paranojën e certifikatave, dhe të mendosh se kishe vetëm hallin e mandatit tënd si kryetar bashkie, ndërkohë që socialistët të kishin zgjedhur si kryetar të opozitës. Dy vjet më vonë, na e plase buzën prapë, do futem, s’do futem, derisa u binde dhe pranove në castin e fundit dhe zgjedhjet u mbajtën në kohë. Por menjëherë pas tyre, vetëm për shkak se nuk fitove, bëre atë që me siguri do të shënohet si protesta më absurde në historinë elektorale në botë. Lëvizjen “hap kutitë ose largohu”, e cila e la Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste 6 muaj jashtë Kuvendit dhe coi në zgrip mandatin e mbi 60 deputetëve.Tani që koha i ka zbehur e emocionet, është më e lehtë për të gjykuar cfarë ishte ajo. është njësoj si një ekip futbolli të humbë finalen dhe të kërkojë pas ndeshjes që të ndryshojnë rregullat e lojës. Fjala vjen, që gol të mos quhet, kur topi kalon vijën fatale, por vetëm atëherë kur e pranon edhe portieri që e ha si të tillë. Në zgjedhjet e 2013 nuk le llaf pa thënë dhe gjë pa bërë për rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve, por kur i fitove ato, nuk u ndjeve më, të paktën të kërkoje ndjesë, që kishe lëshuar një alarm fals. Por tani që kanë kaluar 3 vjet e gjysëm nga ligji i dekriminalizimit të kanë rënë shumë “dëshmorë” dhe gati cereku i mazhorancës, ose ka ikur fare tashë, ose pret me zemër të ngrirë se mos i dalë emri tek lajmet e radhës me burim nga prokuroria. Këta janë ata me të cilët 4 vjet më parë na thoje se do t’i vidhte zgjedhjet Partia Demokratike. Përfytyro Aldo Bumcin duke i rrëmbyer vota Prengës dhe Ndokës. E sa e sa të tjerë si ata i promovove në nivelet më të larta të administratës.Pastaj kur e more vetë në dorë fuqinë, nuk u mendove dy herë. Në Korcë, në Dibër dhe në zgjedhjet lokale të 2015, binde edhe më skeptikun se ishe mjeshtër dhe kreativ në manipulimin e votës. Dhe e gjitha kjo solli në krijimin e një përceptimi kombëtar se në këtë vend nuk ka më asnjë vlerë se cfarë thua, cfarë bën dhe si qeveris, por rëndësi ka se si i blen apo i vjedh zgjedhjet.Ndaj edhe opozita, jo thjesht si palë e interesuar, por më shumë si zëdhëse e një shqetësimi të madh publik, u mobilizua në këtë lëvizje të re që ka vetëm një qëllim, shpëtimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Memorandumi i saj është koncentrim i disa propozimeve, që hidhen për diskutim, jo në formën e shantazhit dhe as të ultimatumit. Sepse ne e dimë se për të kërcyer tango nuk mjafton një njeri. Por, natyrisht, kjo nuk do të thotë se ato mund të injorohen apo anashkalohen lehtë, sic ke lënë të kuptohet ti në përgjigjen tënde.
Zoti kryeministër,

Ti kishe detyrimin t’u jepje përgjigje një vargani problemesh të rënda, që ne kemi me zgjedhjet, të ngritura prej opozitës në përgjithësi, por edhe prej meje në interpelancën e munguar. Ndaj jam i zhgënjyer nga qëndrimi yt për reformën zgjedhore. Ti ishe i detyruar të sqaroje shqiptarët se si do ta shmangësh shit-blerjen e votës, gati si në pazar të fruta perimeve, votimin kolektiv, marrjen peng të kartave të zgjedhësve, korrupsionin aktiv dhe pasiv të komisionerëve dhe numuruesve, masakrën mbi votën e partive të vogla, dhe mbi të gjitha zvarritjen e nxjerrjes së rezultatit. Do të ishte minimumi që qytetarët e këtij vendi prisnin sot nga kryeministri i tyre.Sepse ti dhe vetem ti ke detyrim që të gjesh zgjidhje, edhe sikur të ishe krejtësisht dorëjashtë nga ambjenti armiqësor dhe mosbesues, që është krijuar në Shqipëri në prag të zgjedhjeve. Ndërkohë, ti je përgjegjësi kryesor, në mos i vetmi, për këtë klimë acaruese dhe keqbesimi mes palëve, por edhe mes vetë aleatëve të koalicionit tënd, të cilët po i vringëllijnë shpatat njëri-tjetrit prej shumë muajsh. Sepse, ti e hëngre kohën, të cilën e le të rrjedhë në rënie të lirë, pikërisht, që tani të thuash se jemi në shtrëngesë apo në pamundësi. Por jo vetëm kaq, ti je përgjëgjësi më i rëndëshëm për këtë situatë të rënduar të inkriminimit të politikës dhe të adminstratës, të hashashizimit të vendit dhe të nivele e dramatike të korrupsionit. Sepse ne besojmë se asgjë nuk është rastësi, por ky është projekti yt djallëzor për të kapur dhe vjedhur zgjedhjet në Shqipëri.Tani dy fjalë për votimin elektronik, që duket se e ke pasur shumë të lehtë për ta përjashtuar, me një të rënë të lapsit. Natyrisht, që nuk kam tagër të flas në emër të opozitës, por po e them sic e mendoj unë. Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk gjykoj se kanë ndonjë dashuri të vecantë për makinat e votimit elektronik dhe nuk besojnë se kjo do të sjellë mrekullinë e zgjedhjeve të lira. Për shkak se e kemi provuar në lëkurë, ne e dimë se, edhe po u arrit dakordësia për propozimin tonë, na presin shumë rrengje të tjera të qeverisë tënde, derisa të shpallet rezultati i 18 qershorit.Por ato kanë arritur tek kjo pikë për shkak se, sot për sot, nuk kanë gjetur ndonjë mënyrë më të mirë për të shpëtuar, jo nga të gjitha, por nga disa pisllëqe dhe hilera të qeverisë. është njësoj si kapitalizmi, që është një sistem me shumë defekte, por mbetet ende më i miri, sa kohë nuk ka dalë dicka tjetër për ta konkurruar. Nëse ti gjen dicka tjetër më të mirë se votimi elektronik për të dhënë disa garanci më shumë se nuk do t’i manipulosh votat, bujrum, na e thuaj! Mbase e gjen për të dyja, edhe për zgjedhjet, edhe për kapitalizmin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here