Nuk them BDI me Gruevskin se e do Trampi, por se Zaevi është i Sorosit

0
269

Nga: Denion Ndrenika

Kundërshtitë me Bashkimin Demokratik për Integrim, ose më saktë apo personalizuar me kryetarin Ali Ahmeti, tërësisht janë të ligjshme për çdo këndvështrim të cilitdo.

E thënë kjo më shkoqur, normale që kundërshtarët ta kenë “hasëm” në politikë, në ide, në organizim apo çkado tjetër.

Domosdo që synimi i shkrimit nuk është kurrsesi që të mbroj BDI-në apo “Alinë”.

Tjetërçka vërej tërë këtë kohë, ndoshta prej 2001 apo edhe së fundmi prej Marrëveshjes së Përzhinos që i dha shkas ndarjeve të pushtetit me njerëzit dhe votimin e njerëzve për pushtetin.

Ekstremistët e VMRO/DPMNE-së dhe socialdemokratët janë si gjith’herë në mes të tyre me betejën për ta marrë qeverisjen.

Përmbledhtaz ata kanë mungesën e dashurisë, për të mos thënë urrejtje, për shqiptarët.

VMRO/DPMNE megjithatë ka qenë më konkrete në vitet e luftës për ta zhbërë atë shtet dhe për ta ndarë mes shqiptarëve e të tjerëve, qofshin bullgarë, serbë a grekë.

Lidhja Socialdemokrate e maqedonasve nuk ka qenë ndonjëherë xhevahir me vlerë të shtuar ndaj shqiptarëve etnikë në Shqipërinë Lindore që herë i thonë “Republika e Maqedonisë” e herë “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë” me shkronjat “FYROM” ndërkombëtarizuese.

Njohja me emërtesën e parë, pra pa shkronjat, nuk më ka pëlqyer ndonjëherë sepse ai shtet i ka sakatuar kurdoherë shqiptarët, me apo pa armë.

Ai shtet është megjithatë i formatizuar prej fuqisë më të madhe që i ka dalë krah shqiptarëve: Amerikës. Qysh në zanafillën e saj në rolin e patjetërshueshëm autoritar dhe udhërrëfyes botëror me presidentin Udrou Uillson.

Andaj, dashur pa dashur, interesat gjithëshqiptare lidhen kryekëput me Amerikën.

Për të mos mbetur i shkurtër në trajtim dhe as kokëçarë se më sulmojnë me ndonjë kënd shikimi se e dua BDI-në apo “Alinë” i shtoj lidhjes me amerikanët njohjen dhe ndihmën e pakushtëzuar për ndërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare nga ndikimi vrastar grek apo i “Fanarit” në Stamboll, punën me “Vatrën” apo shumëçka tjetër me shqiptarinë, shtetin e Shqipërisë dhe shtetin e Shqipërisë Verilindore, pra Kosovës.

Kështu, që me këtë shpjegim besoj se qartë nuk lë vend keqvështrimi se dua BDI-në apo “Alinë”.

E, po nëse duan le të thonë që e kam mendjen te PDSH-ja apo Menduh Thaçi i ulur në gjunjë nga vota e njerëzve të mi shqiptarë në shtetin disashkronjësh që e njeh me emri kushtetues Amerika.

Dalja nga skaji në qendër e një kandidati për president, Donald Tramp, më dha disi shkas me kohë që të hedh disa radhë shkrim. Mirëpo, shty e shty, thjesht për të kuptuar disi më mirë se ç’po ndodh.

Me apo apa ftesa zyrtare, me apo pa bileta, e t’i quajnë e thonë si ta ndjejnë, një njeri nga BDI-ja ishte në ceremoninë e përurimit të presidentit Tramp.

Bujar Osmani ishte, ndërsa Fatmir Besimi pritej të shkonte e Ali Ahmeti ndoshta ngeci prej negociatave për qeverisjen e re.

Lufta në administratën e re amerikane bëhet për ta këndellur shtetin dhe veçmas për ta shkëputur nga ndikimi i shumëmiliarderëshit Xhorxh Soros, hebre nga Hungaria.
Nuk ka ndonjë të keqe të madhe të kundërvesh interesat, me apo pa arsyetime fajësie.

Rasti e sjell që kundërvënia e interesave të jetë mes presidentit Tramp dhe zotit Soros.

I pari ka mbi vete Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i dyti shumat e parave dhe bizneseve me ndikim të drejtpërdrejtë politik veçanërisht në Europën Lindore të dalë nga nëpërkëmbja dhe dhuna komuniste, qoftë edhe nëpërmjet projekteve për një shoqëri të hapur.

Njeri sosh është interesi me Zoran Zaevin e socialdemokratëve që mëtojnë pushtetin në vendin fqinj të shqiptarëve, pra “FYROM” apo “Republikën e Maqedonisë”.

Dhe, një marrëveshje e mundshme për t’u përshëndetur mes shqiptarëve me votat e cunguara në zgjedhjet e dhjetorit 2016, i bën ata të jenë vendimtarë për qeverisjen mes Zaevit apo Gruevskit.

E thënë shkurt, ne e dimë pse jo armiqësinë e të dy partive të tyre ndaj shqiptarëve. Mirëpo, ne dimë edhe kundërshtitë në themel të politikës së presidenti Tramp prej skajit ku ishte e deri në të paktën 4 vitet e ardhshëm kur është në qendër të Amerikës, apo saktësisht në qendër të botës.

Andaj, deklarata e përbashkët e shqiptarëve të mi në shtetin fqinj, duhet lexuar edhe si mendim për të qenë me Zaevin e zotit Soros apo me kundërshtarin e tij, presidentin Tramp.

Ftoj me kujdes që këtë të mos e lexojnë presidentin Tramp si mbështetës të Gruevskit, sepse thjesht e kanë të pavend. Meqë, nuk kam këtë synim.

Në këto kushte, duam a nuk duam, BDI-a dhe Ahmeti janë të pathemel të zgjedhin socialdemokratin Zaev. Se, nëse bëhet kjo, janë dashur pa dashur, kundër politikës së presidenti Tramp dhe të jesh kundër administratës amerikane pavarësisht udhëheqësit, ngjan se je edhe kundër mbrojtësit më të madh të popullit tënd.

Nuk po them që të bëhesh zagar qeverie pse do Amerika. Mirëpo, do ta kisha të vështirë të shtyja qeverisjen me kundërshtarët e Amerikës. Në këtë rast zoti Zaev është i tillë meqë e lidhin me biznesmenin Soros.

Andaj, BDI-ja dhe Ahmeti ose shkojnë me Zaevin dhe kundër Amerikës, ose me Gruevskin dhe ecin si mbi gjemba, ose hapin rrugën për zgjedhje të reja.

Shkurtimisht dhe përmbledhtaz, me gjithçka të arsyeshme kundër Gruevskit, nuk do ta pajtoja veten për të dalë kundër presidencës amerikane.

*Artikulli eshte shkruar në portalin Illyria.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here