Rama dhe ministrat e tij e lanë në baltë industrinë e “Call Center”-ave

0

 

Loading...

– Shteti nuk ka asnjë plan ‘shpëtimi’ për ata që do të mund të preken nga sanksionet e që mund të detyrohen të shkurtojnë vendet e punës. Bizneset po përpiqen të çajnë drejt Gjermanisë me forcat e tyre…

Ervin Kaduku

Qeveria e ka lënë krejtësisht në heshtje problematikën e call center-ave, që lindi pas miratimit nga shteti italian të një pakete ligjore proteksioniste. Por duket se 2017-a nuk do të jetë aspak një vit i lehtë për shërbimet call center që veprojnë në Shqipëri. Një vit i cili do të jetë më shumë tranzitor dhe ku do të duhet të vihen pikat mbi ‘i’ nëse zgjidhet që aktiviteti të vazhdojë. Betejat me të cilat duhet të përballen drejtuesit e këtyre shoqërive janë të shumta.

Nga njëra anë është pesha e rëndë që mund të vijë nga zbatimi i sanksioneve nga Italia (aksion i nisur tashmë) për shkak se ligji i ri i miratuar në dhjetor për delokalizimin ka parashikuar fuqi prapavepruese. Në anën tjetër është kërcënimi i vazhdueshëm i humbjes së klientëve. E më pas vijnë sfidat për të mbijetuar.

Në këto kushte, kompanitë po përpiqen të gjejnë forma të reja mbijetese. Një pjesë po diversifikon shërbimet duke shkuar përtej shërbimit call center e duke u futur në tregun dixhital (web marketing), për të ndërmjetësuar klientë të tillë, si Apple apo edhe Google.

Të tjerë, po hapin degët e tyre në Rumani, duke e përdorur atë si një “valvol”. Ka edhe nga ato kompani që po ndryshojnë pronarë. Drejtues të shoqërive call center, duke e ditur se cilat do të ishin efektet që do të sillte ligji i ri italian, nxituan që të shisnin aktivitetet e tyre dhe të kalonin në ofrimin e shërbimeve pa telemarketing, si mirëmbajtje të dhënash etj.

 

Historia

Merita për punësimin e dhjetëra mijëra të rinjve shqiptarë në këtë sektor ishte padyshim e qeverisë së djathtë. Ishte viti 2005, kur shërbimet call center shqiptaro – italiane u dyndën në Shqipëri e ku më vonë thuajse gjetën parajsën. Vit pas viti, tregu rritej me shifra dyshifrore, duke arritur deri edhe në 60%. Konkurrenca gjithashtu po rritet. Në 2015-n, INSTAT-i numëronte rreth 850 subjekte, ndërsa të punësuarit në rreth 25,000. Por, ritmi shënoi ulje në kohën e qeverisë Rama.

Ndërkohë, nga përtej Adriatikut, nga shteti fqinj ka nisur fushata e gjobave. Mediat italiane, duke cituar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, raportuan për 17 masa ndëshkuese në disa mijëra euro. Një situatë që nënkupton se shteti italian nuk po bën shaka dhe se s’kanë ndër mend aspak të falin. Pritet edhe që të mos mungojnë rastet kur autoritetet italiane do të duan të realizojnë kontrolle dhe hetime të detajuara në lidhje me kompanitë që operojnë në Shqipëri, nëse konstatojnë se nuk zbatojnë rregullat. Zyrtarët e shtetit fqinj, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar me palën shqiptare në vitin 2015 (komisioneri për mbrojtjen e të dhënave) kanë të drejtë që të kërkojnë garantimin e mbrojtjes së të dhënave në Shqipëri. Në këto kushte edhe ligji i ri për delokalizimin e shërbimit call center ka fuqi prapavepruese edhe për parimet transitore.

Por, çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar dhe që nuk po e bën, në fakt?

Shteti shqiptar duhet të shohë mënyrat për të ndihmuar me incentiva këtë sektor, në mënyrë që të mund të lehtësohet futja në tregje të tjera me shërbime më të avancuara. Kompanitë shqiptare, në fakt, janë në hapat e para të ofrimit të atyre që njihen si BPO (Business Process Outsourcing), duke qenë se janë shërbime që kërkojnë burime njerëzore të trajnuara, me disa gjuhë të huaja, nga fusha të ndryshme dhe me kapacitete më të mëdha sesa ato të një shërbimi të thjeshtë call center.

Natyrisht nuk mund të flitet për një zëvendësim të tregut italian, por shteti mund të ndihmojë psh me çarjen drejt tregut të Gjermanisë. Kjo mund të jetë një ‘rrugë shpëtimi’, pasi gjatë këtij viti tregu italian i shërbimeve call center në Shqipëri parashikohet të reduktohet në rreth 20-30%. E në këto kushte, duhet të shihen për mundësi të tjera. Futja e gjermanëve më sektor nuk do të ishte e lehtë duke qenë se numri i të rinjve që njohin gjermanishten është shumë herë më i ulët sesa ai që dinë italisht. Por, sipas raporteve të CBI (Qendra për promovimin e importeve nga vendet në zhvillim) e përbërë nga 6.900 vende, Gjermania ka numrin më të lartë të qendrave të kontaktit në Europë, duke përfaqësuar 21% të tregut europian të qendrave të kontaktit.

Ndërsa sipas një studimi të European Contact Center Benchmark, tregu gjerman i qendrave të kontaktit rritet me hap të ngadaltë, por të qëndrueshëm në masën 1.3% në vit. Kjo rritje parashikohet që do të vazhdojë.

 

Nuk bëhet asgjë!

Drejtuesit e shoqërive call center, që më parë patën trokitur në derën e qeverisë për të kërkuar ndihmë, për të amortizuar efektet që do të sjellë ligji i ri italian dhe që morën premtimin se do të negociohej me diplomacinë e qeverinë e vendit fqinj, shprehen se nuk është bërë asgjë. Nuk ka asnjë plan ‘shpëtimi’ për ata që do të mund të preken nga sanksionet e që mund të detyrohen të shkurtojnë vendet e punës. Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë thotë se nuk ka ankesa nga asnjë shoqëri call center dhe se nuk mund të hartohet një plan masash nëse nuk ka një efekt konkret, të prekshëm si pasojë e zbatimit të ligjit të delokalizimit të shërbimit call center nga Italia.

Vendimi i Italisë për të forcuar masat ndaj kompanive të shërbimit call center që delokalizojnë jashtë, e gjeti të papërgatitur shtetin shqiptar, i cili me kohë do të duhej të merrte masa për të shmangur humbjen e vendeve të punës që mund të ndodhin.

Ekspertët e tregut të punës thonë se shteti ka disa mundësi për të mbështetur të rinjtë që mund të rrezikohen. Ish-zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka, sugjeron se në një rast të tillë, shteti mund të bëjë përpjekje për të rritur fondin e pagesës së papunësisë, pasi shumica e të punësuarve në këtë sektor janë formalë e për rrjedhojë, ju lind e drejta për pagesë papunësie. “Në buxhetin e kaluar, në fund të vitit patëm të njëjtën sasi fondi që ishte parashikuar në disa vite me radhë, pra shteti nuk e merr në konsideratë këtë masë të papunësh. Zakonisht, në buxhet parashikohen prej disa vitesh rreth 6,000 persona që mund të marrin pagesë papunësie. Ky është sektor, që ka të punësuar rreth 25,000 persona, ndaj më e pakta fondi do të duhet të shtohet me 50%, pasi mendohet se mund të kemi të paktën 3,000 persona të cilët do të mund të kenë nevojë të përfitojnë pagesë papunësie si rezultat i ndryshimeve në këtë sektor”, thotë z. Sulka. Një masë kjo e cila në gjuhën e ekspertëve të fushës vlerësohet si “mbështetje pasive”.

Sipas tij, për këtë sektor mund të shohë mundësinë për të ofruar incentiva financiare, e cila mund të kompensonte ato që shteti italian mund t’ju heqë atyre që do të duan të vijnë të veprojnë në Shqipëri. Këto incentiva duhet të jenë me afate të përkohshme (le të themi deri 6 muaj në fillim dhe pastaj, përgjysmim i incentivave, etj.). “Gjithashtu unë mendoj se të gjitha skemat e nxitjes së punësimit pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ato të nxitjes së bizneseve të reja pranë Ministrisë së Zhvillimit të Ekonomisë dhe fondet për nxitjen e start-up pranë AIDA-s mund të vihen në dispozicion të projekteve të ndryshme që mund të mbështesnin këto kategori të papunësh, të cilët mund të dalin nga ky sektor”.

Loading...

Lini nje pergjigje