– Hije dyshimi për koncesionin korruptiv të qeverisë, veç tarifës së kalimit, shteti do të paguajë subjektin privat 65 milionë euro…!
Ervin Kaduku
Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi dje se qeveria shqiptare do të subvencionoje me 64.9 milionë euro konsorciumin “Catalyst” që tashmë është shpallur fitues për administruar me koncesion rrugën e Kombit. Përveç taksës që do të marrë nga automjetet, koncensionarit do ti paguhet kjo vlere në 13 vitet e para të kontratës si pagesë direkte nga buxhetit i shtetit, si një kompensim për trafikun e munguar në autostradë. Kjo pjesë e rëndësishme e kontratës që kaloi në mungesë të plotë të transparencës nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare i ngarkon qytetarët me një taksë të dyfishte. Se pari taksa do të paguhet në mënyrë të drejtpërdrejte nga përdoruesit e rrugës dhe së dyti do të paguhet nga të gjithë takspaguesit shqiptare pasi 4-5 milionë euro nga taksat e tyre do ti paguhen koncesionarit ne një vit fiskal, i cili në vërtete nuk ka asnjë angazhim për të plotësuar investimet e paplotësuara në aks, por vetëm do të realizojë mirëmbajtje rutinë.
Ekspertët e sektorit më herët kanë dhënë alarmin për këtë fakt për shkak se rruga e Kombit po paguhet shtrenjtë nga qytetarët dhe se ndërtimi i saj ka ndikuar rritjen e borxhit publik të vendit me të paktën 2% të PBB-së.
Për shkak se Rruga e Kombit nuk përcakton kriterin e trafikut, qeveria shqiptare ka marrë përsipër të kompensojë kompaninë fituese për 13 vitet në vijim, periudhë në të cilën pritet që trafiku të arrijë nivelin e maturimit. Gjatë kësaj periudhe, buxheti do të alokojë një shumë ndërmjet 4-5 milionë eurove në vit ndaj kompanisë fituese. Kur qeveria shpalli fituesin e koncesionit koncorciumin e përfaqësuar nga kompania turke Vendeka, nuk e sqaroi se, tarifa e subvencionit nga buxheti do të ishte vjetore dhe për një periudhë 13-vjeçare. “Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 euro. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Catalyst Viva Das General Constructing LLC” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 4,995,000 euro”, thuhej në njoftimin e ministrisë, pa specifikuar vitet që do paguhej ky subvencion.
Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar vendimin që shpalli turqit fitues duke lënë fitues automatikisht kompaninë e dytë në garë Catalyst, vendim që u ankimua sërish nga Ministria e Transporteve. Oferta në fuqi, ajo e Catalyst, kërkon kompensim nga buxheti 64.9 milionë euro.
Sipas ekspertëve, standardi maksimal ndërkombëtar për mirëmbajtjen e 100 kilometrave kërkon një tarifë 2.5 euro. Rruga e Kombit, në të gjithë gjatësinë e saj, është 116 kilometër, ndërsa vetëm gjysma e saj ka përfunduar (60 kilometër Rrëshen Kalimash). Ekspertët pohojnë se tarifa e koncesionit, përveçse është shumë e lartë, duhet që të përfshinte me patjetër ndërtimin e pjesës së mbetur të saj, zgjerimin e aksit Milot-Rrëshen dhe ndërtimin e dy by-paseve.
Nga ana tjetër, drejtuesit paguajnë taksë qarkullimi mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen. Kështu, vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.
Kostot
Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në verilindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë-Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën. Dhënia e mirëmbajtjes me koncesion në këtë aks synon një tarifë 5 euro pa TVSH për një periudhë 30-vjeçare.
Nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhurë vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta se 6 euro që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve). Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore të vendit, kosovarëve dhe bizneseve që tranzitojnë dhe eksportojnë mallra nga kjo rrugë. Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro.
Mirëpo kjo pagesë është e treta që qytetarët po bëjnë për Rrugën e Kombit. Së pari, taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ndërsa pagesa e tretë që qytetarët e Shqipërisë po bëjnë për Rrugën e Kombit janë interesat që paguhen në mënyrë indirekte nga taksat për të shlyer huan mbi 300 milionë euro që u mor në vitin 2008 për ndërtimin e saj. Shoqata e Hidrokarbureve i ka bërë thirrje qeverisë që në momentin që do vihet taksa e koncesionit mbi Rrugën e Kombit duhet të ulet taksa e qarkullimit mbi naftën, pasi do të ishte jashtë logjike që qytetarët të paguajnë më shumë se dy herë për një shërbim.
Kosova
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, gjatë një interviste tha se as gjatë vitit 2017, qeveria e Kosovës nuk është duke planifikuar vendosjen e ndonjë takse për shfrytëzimin e autostradës “Ibrahim Rugova”, nga fshati Gjurgjicë e deri në pikën kufitare në Morinë.
“Së paku deri në fund të vitit 2017 nuk po planifikohet të vendoset ndonjë taksë për shfrytëzimin e autostradës. Ta them të drejtën aktualisht nga Gjurgjica e deri në Morinë janë 60 kilometra autostradë, dhe, edhe sikur tani të shpallim një tender, unë besoj se nuk do të kemi ndonjë ofertë serioze. Kështu që po presim edhe pak”, ka thënë ministri Zharku.
Ai më tej thotë se gjatë vitit që vjen qeveria e Kosovës do të fillojë përgatitjet për koncesionimin e autostradës, pasi sipas tij, gjatë vitit 2018 do të përfundojë edhe ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi”, autostradë kjo që lidh Kosovën me Maqedoninë.
“Kur të kryhet edhe autostrada e dytë atëherë po besoj se do të kemi më shumë interesim”, ka thënë më tej ministri Zharku. Ai thotë se Qeveria e Kosovës po ashtu është duke pritur edhe përfundimin e procesit për koncesionimin e autostradës në territorin e Shqipërisë. “Po presim ta shohim se si po funksionon në atë anë, pasi që deri tani, atyre, procesi për këtë qëllim, iu ka dështuar dy herë”, shtoi ministri Zharku.
Sipas tij, gjatë këtij viti qeveria e Kosovës po planifikon të përmbyllë procesin e vendosjes së 8 pikave të shitjes së derivateve në të dyja anët e autostradës. Sipas tij, katër pika do të jenë në njërën anë dhe katër të tjera në anën tjetër.
Ai shpreson se vendosja e pikave të derivateve në autostradë do të ndalë edhe vjedhjet e shumta në autostradë që janë duke ndodhur në vazhdimësi. “Po besoj se këtë do të vendosen pikat e karburanteve në autostradë. Janë parashikuar gjithsej 8. Aktualisht jemi në shqyrtim të dosjes së tenderit. Unë mendoj se aty duhet të vendoset ai që paguan më së shumti për shtetin”, ka thënë Zharku.