Fabio Fazio, homologu italian i Adi Krastës, një i vdekur i pakallur pakrahasimisht më pak sharmant se Krasta, ku e ku më pak i kulturuar se Sonila Meço, tepër larg aftësive manovrative të energjikut Rezear Xhaxhiu, paguhet mbi 2 milionë Euro në vit. Shefat e tij marrin edhe nga 5 milionë e më tepër. Megjithatë askush nuk i përgojon emrat dhe shifrat e tyre. Për një arësye të thjeshtë, sepse përtej faktit se si janë ata, produkti i tyre gazetaresk në tërësinë e vet, është i pranueshëm, është një supë që audienca nuk e pështyn por e pëlqen, nuk e refuzon por e pranon, nuk e vjell por e ha.
A fiton Henri Çili në muaj më pak apo më tepër se Rupert Murdok, a i ka paguar Fred Lelën apo Artur Zhejin më pak apo më tepër se Silvio Berlusconi Maurizio Costanzon, nuk ka absolutisht asnjë rëndësi, janë konsiderata subjektiviste rudimentare nga koha e pareve inekzistente të diktaturës. Në Demokraci nuk ka “shumë pare” dhe “pak pare”. Në demokraci ka “pare”, dhe garë kush i fiton ato pare.
E njëjta gjë dhe për Aleksandër Frangaj dhe perandorinë mediatike që ka ngritur. Hallall i qoftë Frangajt nëse është apo do bëhet Ted Turner i Shqipërisë. Le ti blejë Frangaj të gjitha grataçielat, supermarketat, kompanitë celulare. Zemra mal na bëhet nga pasurimi galopant i lezhjanit.
Problemi qëndron tjetërkund. Problemi qëndron tek produkti.
Produkti zotërinj mediallarë, produktin si e kini ? A e sugjeroni, apo e impononi ? Sa e interesuar është audienca për produktin tuaj ? A e pëlqen, aprovon, apo e refuzon, e vjell ? Keni strategji, apo veproni në mënyrë spontane të dali ku të dali vetëm paret të na shtohen ? Ka mes jush dhe audiencës një pajtim, një aprovim, një mirkuptim reciprok ? Këto janë problemet, jo fitimiet tuaja, rrogat tuaja, e aq më pak sherret tuaja. Nuk është pra problemi se Henri Çili, Aleksandër Frangaj, Fred Lela, Artur Zheji, Andi Bushati, për pak pare sherrosen dhe për shumë pare pajtohen. Kacafytuni sa të mundni. Sytë nxirrjani njëritjetrit. Askujt nuk i intereson. Ajo çka intereson është çfarë shkruani dhe si e shkruani, nxirrni në ekran njerëz të talentuar, apo monstra.
S’është çudi që nga bulevardi deri në Kashar i vetmi budalla që çdo mëngjez blen gazetën Mapo të jem unë. Mapo nuk shitet. Faktin dëshpërues nuk e justifikon dot asnjë qasje relativizuese, asnjë justifikim sado inteligjent, asnjë arsyetim sado diplomatik. Ku gjysma e popullsisë së një vendi jeton në vila, apartamente të mëdha, përdor makina të fuqishme, karburant të shtrenjtë, bën biznes, vishet e ngjishet me rroba të mira, përgjegjësia për një gazetë që nuk shitet është e tëra e gazetës dhe aspak e lexuesve.
Televizioni i Frangajt ka programe pështirosëse të afta për të helmuar shijet dhe trutë e gjysmës së popullsisë së planetit, Kinën, Indonezinë, Brazilin, Kanadanë. Mos kërkoni emra. Jam aq budalla sa ta blej Mapon çdo ditë. Por jo aq sa të shpall listën e hajvanllëqeve të një televizioni.
Nuk është për tu çuditur. Ka plot raste kur aftësia e spikatur individuale, në skuadër finalizohet me produkt qesharak.
Mediat synojnë përhapje, zgjerim, depërtim, kapilarizim, për tu lexuar apo shikuar sa më larg, për tu ndjekur nga sa më tepër, mundësisht nga të gjithë, edhe nga shqiptari i strukur në skutën më të humbur të katundit më të largët.
Mediat tona operojnë në një simetri të frikëshme me këtë princip elementar. Funksionojnë në mënyrë konverguese, introversive. Gjithë kohës ngjishen, ngushtohen, kolapsohen me të vetmin qëllim tërheqjen e vëmendjes të sa më pak njerëzve, mundësisht njërit, Kryeministrit.
Nga shqiptari anonim i zgëqit më të largët, deri tek i stërnjohuri i kudondodhur Kryeministër, kaq është distanca e mediave tona nga e vërteta.
Media duhet të jetë informim, edukim, zbavitje. Media jonë është kryekrejt dizinformim, çedukim, lodhje, cfilitje.
Në një vend normal, politika bën politikë, media bën media. Në Shqipëri politika bën media, media bën politikë, njerëzit që s’kuptojnë se çfarë bën njëra e tjetra ikin nga sytë këmbët.
A ka ilaç për këto sëmundje, a ka zgjidhje për këto ekuacione, a ka rrugëdalje për “Shqipet e Malit” që janë katandisur në “Qen të Lekut” ?
Ka, posi s’ka. Qen të Lekut, zagarë të Euros, langonj të Dollarit, brejtës të Rublës; Harrojeni Lekun, shporreni Euron, sikteriseni Dollarin, flakeni Rublën. Mos merrni por jepni. Mos vidhni por shpenzoni. Mos fitoni, por humbni. Largojuni materialtitetit. Bëhuni si Shahin Ypi, Abdyl Ypi, Edison Ypi, Dishepuj të Moralit.