Ku shkojnë paratë e fituara nga droga në Shqipëri? 90 % investohen në ndërtim

1
342

Ndërtimi është sektori që lan 90% të parave të drogës. Drejtues pranë strukturave të krimit ekonomik tregojnë skemën që përdorin trafikantët dhe kultivuesit e lëndëve narkotike për të futur në ekonomi paratë e pista. Dy drejtimet e tjera se ku shkojnë këto para janë mjekësia private dhe hoteleria.

Ndërtimi është sektori më informal në ekonominë shqiptare. Si i tillë, së fundi po thith edhe paratë e drogës. Askush sot nuk është në gjendje që të dallojë se cila është vlera reale e një toke përtej çmimit fiskal të saj, apo komponentëve të tjerë që kanë materialet, pajisjet dhe pagesat për punëtorët e pronarët e vendit ku ndërtohet. Gjithë ky konfuzion ka bërë që ndërtimi të jetë makineria që lan 90% të parave që vijnë nga kanabis. Hetimet e nisura nga organet kompetente për pastrimin e parave që vijnë nga droga, përqëndrohen pikërisht te kjo pistë, edhe pse ka vështirësi të mëdha në ngritjen e një akuze të bazuar. Përse ndodh kështu? Është shumë e thjeshtë, janë vetë strukturat e shtetit të cilat pengojnë hetimin në këtë fushë.

Nëse takon persona kyçë që sot hetojnë në fushën e krimit ekonomik, ata do të të thonë se hallkat se si pastrohen paratë e drogës janë shumë të forta për tu vërtetuar. Por këto, nënvizojnë ata, nuk mund të bëhen asnjëherë nëse nuk ka bashkëpunëtorë të të gjitha organeve shtetërore përgjegjëse dhe disa kompanive private. Një pjesë e mirë e të ardhurave që vijnë nga droga shkojnë në tre drejtime për tu legalizuar si para: ndërtim, hotele dhe resorte, investime të reja në spitale private. Sot nuk ka asnjë sqarim publik se çfarë kanë nxjerrë hetimet në këto fusha, por drejtues në polici dhe prokurori, e njohin shumë mirë skemën se si hidhet në ekonominë tonë paraja e kanabis-t, e cila në këto dy vitet e fundit nuk ka qënë e paktë.

Fillimisht, që të arrish të sigurosh të ardhura nga kanabis, nevojiten tre elementë kryesorë: toka, punëtorët dhe paratë për të bërë gati prodhimin tij, siç njihet në terminologjinë e sotme: kashta. E gjithë kjo bëhet përmes një biznesi të mirëfilltë privat, edhe pse nuk është i lejuar. Pronari i tokës në shumë raste ose ka vetë paratë për të financuar mbjelljen me lëndë narkotike, ose në bashkëpunim me dikë tjetër, mbledh shumën e nevojshme për të bërë mbjelljen e bimës. Paratë duhen për blerjen e farës, ujitjen e fidanit, ruajtjen e saj nga policia dhe deri te ardhja e punëtorëve më të mëdhenj në forcë të cilët do të bëjnë korrjen, tharjen dhe paketimin.

Pas shitjes së “të mirave”që realizoi nga parcela e drogës, të dy personat, si pronari i tokës ashtu edhe financuesi tashmë kanë në dorë një shumë të konsiderueshme të cilën nuk dinë ku ta çojnë. Përveç qëllimit të paracaktuar ekonomik që të ardhurat duhen shtuar, një nga problemet më të mëdha që kanë ata, është dyshimi nga organet e drejtësisë se kanë gjeneruar fitime nga shitja e lëndëve narkotike. Në bankë nuk mund të shkojnë për të hapur një depozitë, pasi duhet të deklarohet burimi i të ardhurave. Por edhe nëse fillojnë një biznes, po ashtu, duhet të sqarojnë origjinën e parave që po investojnë. Për vetë specifikën që ka, ndërtimi është bërë sot qëndra magnetike e parave të drogës. Çmimi fiskal i vlerës së tokës, ( jo ai i apartamenteve për m2 ) është shumë i ndryshëm nga ai reali. Drejtues të strukturave shtetërore të krimit ekonomik në policinë e shtetit të tregojnë edhe shembuj konkretë në kryeqytet se si disa qindra metra truall është shitur në të vërtetë për 2 milion euro, kur pronari i tokës e ka deklaruar 200 mijë euro. Kjo është hallka e parë se si pastrohen paratë e drogës. Nëse një tokë kushton shumë herë më shumë se harta e miratuar e çmimeve nga qeveria, e nga ana tjetër ke edhe pronarë të interesuar për të mos deklaruar vlerën reale të fitimit që marrin, për  shkak të tatimit prej 15%, një pjesë e parave tashmë u fut në rrugën e deklarimit. Vetë pronari që shiti truallin nuk ka problem për paratë se si do t’i deklarojë, por ai nuk është as subjekt i dyshuar për vepra dhe krime në fushën e sigurimit të parave nga burime të jashtëligjshme.

Që të ndërtosh – duhet që të dish të ndërtosh. Informacione të mbledhura nga disa departamente që merren me hetimin e krimit ekonomik, prokuroria, policia dhe parandalimi i pastrimit të parave të pista, tregojnë se pjesa më e madhe e pastrimit të këtyre parave bëhet edhe me bashkëpunimin e një ndërtuesi. Shumë ndërtues në Shqipëri, janë bërë edhe investues të parcelave me kanabis për shkak të normës së lartë të fitimit. Ata kanë edhe një përvojë të marrë në vite. Dinë shumë mirë se si të nxjerrin një leje ndërtimi, si të deklarojnë shpenzimet në bilance e të gjejnë po ashtu edhe gjuhën e përbashkët me tatimorët. Goditja nga kriza nga financiare e 2009-ës bëri që disa nga ndërtuesit të bashkëpunonin me investitorë të dyshimtë, edhe duke e parë këtë si mënyrë “shpëtimi” nga kreditë me norma të larta interesi të bankave dhe vonesave të pagesës së kësteve për shkak të “ngrirjes” së shitjeve. Personat që kanë siguruar para me aktivitet të jashtëligjshëm, në pjesën më të madhe të rasteve vihen në kontakte me ndërtues pasi nuk mund të marrin dot lejen e ndërtimit. Këtu hyn hallka tjetër: bashkia. Në shumë raste drejtoritë e miratimit të lejeve dhe inspektoriatet e bashkisë mund të gjejnë të dhëna të shumta për afera që bëhen në këto ndërtesa të reja, por në vend që të denoncojnë, lejet dalin. Për të justifikuar vlerën e investimit, një pjesë e ndërtuesve të kësaj kategorie drejtohen edhe në bankë për të marrë një kredi, që do të justifikonte burimin e të ardhurave për ngritjen e godinës.

Pas pushtetit vendor, janë tatimorët ata të cilët duhet të denoncojnë rastet. Larja e pjesës së dytë të parave pas blerjes së tokës, bëhet pikërisht me materialet të ndërtimit dhe mjeteve që i duhen ndërtimit të një pallati. Inspektorët tatimorë të cilët mbulojnë këtë sektor e njohin mirë sasinë që duhet shpenzuar për të ndërtuar një pallat, por në shumë raste nuk denoncojnë. Këtu, te kjo hallkë, thonë informacionet nga krimi ekonomik, lahen 3-4 milion euro të tjera.

Burimet e këtyre strukturave nuk pranojnë se pastrimi i parave bëhet në bashkëpunim edhe me policinë e shtetit, apo inspektorët e krimit ekonomik. Ata arsyetojnë se kjo strukturë për Tiranën ka 6 inspektorë dhe një fushë me 59 lloje të veprave penale. Çdo vit ata marrin 700-800 referime për shkelje që duhen hetuar në fushën e krimit ekonomik, por ka raste që kanë dyshime dhe marrin edhe hetime kryesisht. Megjithatë, pavarësisht argumentimit të policisë, një pjesë tjetër e zinxhirit që duhet të funksionojë për të parandaluar pastrimin e parave të pista, është edhe ajo e strukturave shtetërore të krimit ekonomik: drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave të pista, strukturat e krimit ekonomik në polici dhe ato në prokurorinë e krimeve të rënda (të cilat hetojnë këto vepra për shkak se konsiderohen krim i organizuar). Kjo është një tjetër shkallë që duhet të ngjitë ndërtuesi që kërkon të lajë paratë. Pasi përfundojnë të gjitha këto, pallati është gati dhe apartamentet janë nxjerrë në shtije.

Ironia më e madhe është se në këtë periudhë, të interesuarit potencialë për të blerë shtëpi të re janë një pjesë e atyre që kanë bërë para përmes korrupsionit, e një pjesë tjetër që kanë punuar në fushat e kanabisi-t, kategoria e tretë janë blerës rastësorë. Në momentin që ata shesin shtëpitë, të ardhurat i depozitojnë në bankë, të cilat janë gjeneruar nga aktiviteti i ndërtimit. Për disa ekonomistë kjo është një nga arsyet kryesore se përse çmimi i banesave nuk ulet. Ndërtuesit e këtij lloji nuk kanë kredi në bankë me këste të papërballueshme, e cila do t’i shtrëngonte ata të sakrifikonin duke ulur normën e fitimit për veten. Koha për ta nuk vlen: le të shiten kur të shiten!

Skema…  Si pastrohen paratë e kanabis në sektorin e ndërtimit.

skema

Masiviteti i kultivimit të kanabis.

Prokuroria e ka të vështirë sot hetimin për financimin e parave të drogës. Ajo nuk ka një strukturë të specializuar për krimin ekonomik, dhe çdo hetim nis në bazë të denoncimeve nga tre burime: drejtoria e parandalimit dhe pastrimit të parave, njësia e krimit ekonomik në policinë e shtetit dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Në rastet e hetimeve të parcelave të gjetura me kanabis, burime të prokurorisë thonë se shumica e rasteve të konstatuara ku është mbajtur edhe proçesverbal për situatën, janë të braktisura dhe nuk dihet pronari. Në këtë mënyrë, ata kanë mungesë informacioni dhe vetëm në situata të rralla mund të zbulohet zinxhiri dhe drejtimi i parave të gjeneruara nga ky aktivitet. Shumica e krimeve që ndodhin në fushën e kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike bëhen në rrethe apo periferi, ku dhe strukturat e policisë nuk kanë forcat e duhura për të ndjekur të gjithë rrjetin e organizatës kriminale. Prokurorë që punojnë në rrethe, shprehen se për shkak të forcave të pakta dhe numrit të ulët të oficerëve të policisë gjyqësore, krimet në këtë fushë mbeten vetëm me akt-konstatime dhe procedime të thjeshta. Të pakta janë rastet kur përfshihen strukturat qëndrore të cilat vijnë në mbështetje të aksioneve kundër kanabis.

Në bazë të të dhënave të përpunuara nga Monitor, për periudhën janar – shtator të këtij viti, janë konstatuar 2632 vepra penale në fushën e drogës, ku 952 janë për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike, ndërsa 1590 për kultivim të bimëve narkotike. Policia ka shpallur 1717 persona si autorë të dyshuar të këtyre veprave, ku 1117 janë të arrestuar. Por pavarëisht numrit të madh të të ndaluarve, kjo nuk ka ngadalësuar ritmin e prodhimit në Shqipëri. Të dhëna nga Shërbimi Informativ Shtetëror konfirmojnë se muajt  shtator dhe tetor kanë patur kulmin e prodhimit dhe trafikimit të këtyre lëndëve, ndërsa vetë autoritet italiane kanë shfaqur disa herë shqetësimin për futjen e drogës në territorin e tyre nga Shqipëria. Gjatë 9 muajve të parë të vitit, policia ka arritur të asgjësojë rreth 2.5 milion rrënjë kanabis, sasia e të cilave ka ardhur në rritje që prej prillit e deri në shtator. Rritja progresive e rrënjëve të korrura nga policia, tregon edhe pikun e sezonit të kësaj lënde që janë muajt gusht dhe shtator, në bazë të shifrave zyrtare të publikuara deri tani. Në total gjatë këtij viti, lënda e sekuestruar e kanabisit, e cila është kapur në transport, apo në momentin që ka qënë e paketuar, shkon në sasinë e 9.18 tonëve.

Milionat e pista të bllokuara nga policia.

Deri në fund të shtatorit janë 47.19 milion euro para të bllokuara nga strukturat e krimit ekonomik. Motivacioni për bllokimin e kësaj shume është “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Të ardhurat e bllokuara ndahen në 20% llogari bankare dhe 80% prona dhe pasuri të paluajtshme. Rastet e dyshuara nga policia për pastrim të parave arrijnë në 265.

Paratë dhe pronat e bllokuara në 2016-ën.

Prokuroria ka filluar hetimin për 61 raste të cilat janë referuar nga policia e shtetit dhe mendohet se janë 67 subjekte të implikuara. Shumica e urdhrave të nxjerra për bllokim nga prokuroria e krimeve të rënda janë apartamente banimi, pallate, njësi tregtare dhe dyqane si dhe tokë “arë” dhe truall.

Por edhe pse pastrimi i parave të pista nga krimet në fushën e narkotikëve, duket të jetë “gangrena” më e madhe për ekonominë e vendit, Shqipëria në luftën brenda vendit është e vetme. Përveç shqetësimeve të autoriteteve në Itali, të cilat janë të interesuara për drogën që kalon në territorin e tyre, shumë nga organiztat ndërkombëtare ku vendi ynë është pjesëmarrës, kanë si prioritare luftën kundër pastrimit dhe financimit  të parave të terrorizmit. Si anëtar i grupit Moneyval, njësi e Këshillit të Europës në fushën e larjes së parave të pista, shqetësimet kryesore të ndërkombëtarëve ngrihen në drejtimin e parave potenciale për financimin e terrorizmit. Për këtë Shqipëria shihet si e rrezikshme, por nuk ka problematika të njëjta me vende si Irani apo shtete të tjera në lindje.

Ndërtimi si sektori më i preferuar për paratë e krimit.

Pastrimin e parave të pista në sektorin e ndërtimit e konfirmojnë edhe të dhënat që vijnë nga drejtoria e parandalimit dhe pastrimit të parave të pista. Gjatë vitit 2015-të, vepra penale që ka patur rastet më të larta për të pastruar paratë është ajo e trafikimit të lëndëve narkotike, e dyta është fshehja e të ardhurave dhe evazionit fiskal ( për shkak edhe të luftës kundër informalitetit) , më pas vijnë trafikimi i qënieve njerëzore dhe korrupsioni.

Pastrimi i parave sipas veprës së origjinës.

Dy subjektet më të penalizuara për këto vepra janë noterët dhe shoqëritë e ndërtimit. Gjobat për fshehjen e burimit të të ardhurave nga këto kompani arritën në vlerën e 147 mijë dollarëve, në një kohë që numri i firmave të ndërtimit që gjobiteshin ishte më i larti për çdo sektor. Përjashtim nuk bëjnë as zyrat e këmbimit valutor, ku nisi hetim për 8 prej tyre gjatë vitit të shkuar.

Si ka reflketuar tregu i pasurive të patundshme nga paratë e pista

Fakti që çmimet e banesave dhe apartamenteve në të gjithë Shqipërinë nuk patur lëvizje të mëdha, tregon se ky sektor gjatë gjithë periudhës është parë si një degë potenciale për të pastruar paratë. Hajredin Fratari, ndërtues prej afro dy dekadash në vendin tonë, e pranon që më parë paratë e drogës kanë qënë të orientuara në këtë sektor, por sot thotë ai gjërat kanë ndryshuar. “ Shteti ka vendosur shumë rregulla. Jo vetëm për kompanitë e ndërtimit, por për të gjitha firmat. Nëse më parë njoftimi të Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave të pista shkonte për depozita bankare, apo shuma transakshionesh në vlerën e 100 mijë dollarëve, sot ky kufi është ulur në 50 mijë dollarë.” thotë Fratari, në një intervistë për Revistën Monitor. Ai shpjegon se në kryeqytet çmimet e vlerës fiskale të një apartamenti janë shumë afër me çmimin real të shitjes, por pranon po ashtu që ndryshimet e vlerës reale të truallit që shitet për ndërtimin e një pallati kanë diferencë të madhe. “ Me çmimin e tokës mund të bëhen manipulime dhe manovrime sepse ka ndryshime të theksuara mes referencës që ka në hartën e pronave të shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave dhe vlerës reale që shitet trualli. Nëse destinacioni i tij është për të ndërtuar një vilë, apo shtëpi, sigurisht që çmimi i shitjes është më i ulët, por nëse ndërton një pallat pronari e shet më shtrenjtë. Dhe për pjesën e kreyqytetit dhe zonave turistike, në tendencë më të madhe janë investimet në pallate.” Sqaron Hajredin Fratari, anëtar i shoqatës Konfindustria. Por ai mohon të ketë dijeni për afera të ndërtuesve me persona që kanë realizuar të ardhura përmes veprimtarisë kriminale. “Nuk kam dijeni për ndërtesa të bëra me para të pista, di gjë dhe rregullat në hipotekë janë forcuar në këtë drejtim.” Përfundon ai.

Lefter Sila, agjent i shitjeve të pasurive të patundshme shprehet se çmimet e banesave që nga viti 2009 kanë pësuar një rënie. Por ai këtë e lidh me uljen e kërkesës dhe mbetjes stok të disa apartamenteve banimi. “ Çmimet kanë rënë më afro 25% që prej vitit 2009-të. Më shumë kanë rënë në zonat rreth qëndrës dhe bllokut, pastaj në periferi mund të themi se janë ulur jme 10%. Çmimi në përiferi është më i ulët. Unë nuk di të them nëse ka afera me pastrimin e parave në këtë drejtim” shprehet Sila. Ai ia ve fajin kërkesës së dobët dhe ofertës më të lartë. “ Tregu është kërkesë – ofertë. Dihet që në momentin që nuk ka interes për të blerë apartamente si më parë, do të detyrohesh të ulësh çmimin. Por nga viti në vit mund të themi se nuk ka një rënie çmimi të theksuar që të bëjë ndryshim të madh. Vit referencial kemi 2009-ën që ndryshoi shumë ky treg! ” Thotë ai. Por pyetja që mbetet pa përgjigje është se përse vijon të ndërtohet, kur kërkesa është e dobët dhe çmimi nuk ulet?

Por ndryshe nga ankesat e imobiliarëve se tregu i shit – blerjeve të pasurive nuk është në ditët e tij më të mira, të dhënat nga hipoteka konfirmojnë të kundërtën. 2015-ta dhe 2016-ta janë dy vitet të cilat kanë patur vlerën më të lartë të transaksioneve, e cila barazohet edhe me periudhën e viteve kur kriza nuk kishte prekur ende sektorin e ndërtimit. Gjatë 2014-ës, numri i transaksioneve ishte modest, duke shkuar në 9058, por duke u dyfishuar për vitin  2015-të dhe 2016-të. ( rreth 40% rritje) Deri në nëntor të 2016-ës, janë kryer 14230 transaksione të pasurive të patundshme, të cilat arrijnë vlerën e 218 milion dollarëve pasuri të shitur.

Revista Monitor- Nga Ola Xama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here