Intervista eskluzive/ Filmi i parë horror në shqip, flet aktorja Xhemalaj: Në prill kemi premierën në Tiranë

0
802

Vjen për herë të parë për publikun shqiptar, por jo vetëm, një film horror shqip më aktorë shqiptarë. Bëhet fjalë për filmin “Bloodlands”, me skenar e regji të Steven Kastrissios. Regjisori Steven frymëzuar nga historitë që kishte dëgjuar për Shqipërinë, vendos që të shkruaj një skenar për të dhe të realizojë një film horror ku xhirimet dhe ngjarjet të zhvilloheshin në trevat shqiptare. Mesa duket filmi është finalizuar me sukses pasi premiera e tij e parë do të jetë në Skoci, pjesë e kategorisë speciale të “Frightfest” në edicionin e radhës së festivalit “Glasgow Film Festival”. “Bloodlands”, dhe pse është realizim australian, kastën e aktorëve e ka shqiptarë dhe i tëri do të jetë në gjuhën shqipe. Aty luajnë edhe Gëzim Rudi, Suela Bako, Emiljano Palali, Alesia Xhemalaj dhe Enxhi Çuku. Në një intervistë për gazetën “Standard” flet aktorja Alesia Xhemalaj, e cila në film ka rolin e Ilirjanës. Alesia ka treguar disa detaje rreth filmit dhe pse ky regjisor Australian vendosi që të realizojnë një film horror në gjuhën shqipe. Ajo ka treguar se “Bloodlands” do vijë premierë në Shqipëri në muajin prill, pasi të ketë realizuar turin në Portugali, Belgjikë etj.

Intervistoi: Irini Meçe

Filmi horror shqiptar “Bloodlands” do të ketë premierën në Skoci. Ju jeni një ndër aktorët që luajnë tek ky film me regji nga Steven Kastrissios. Si ka qenë kontakti juaj i parë me këtë regjisor Australian dhe si u bëtë pjesë e këtij filmi?

Steven erdhi në Shqipëri për të bërë audicion për filmin “Bloodlands”. Nuk kishte të ndarë asnjë aktor. Ai kishte ndërtuar vetëm skenarin e filmit dhe që e dinte që do të xhironte. E vendosi që të bëntë një audicion me të gjithë aktorët shqiptarë. Kjo është pak e çuditshme, por e vërtetë, sepse zakonisht funksionon edhe me miqësira. Por duke qenë se ai ishte australian mund të dëgjonte dhe ndonjë sugjerim. Ai ka bërë një audicion të gjatë rreth 3 javë për të përzgjedhur aktorët dhe i fillonte audicionet që në 7 të mëngjesit dhe i mbaronte në 12 të darkës. Unë në atë kohë punoja në Top Channel , tek “Tjetri” dhe sa kisha mbaruar regjistrimin, shkoj totalisht e lyer e gjitha në audicioni e filmit, ndërkohë që ata të kërkoni  të palyer dhe të pastër në portret. Kur shkova në audicion iu thash “Më falni, nuk kam ardhur për të bërë përshtypje kështu e lyer, por vij nga puna” (qesh). E bëra audicionin dhe nuk mendova se do të fitoja asnjëherë. Më kontaktuan të nesërmen për të bërë një audicion të dytë dhe kur bëra audicionin e dytë ma thotë aty që “mirë se vjen në kast. Je përzgjedhur!”

Pse vendosët që të merrnit pjesë në audicion dhe të ishit pjesë e kastit të filmit?

E para, unë nuk besoj se një aktor që jeton në Shqipëri, ka luksin t’i thotë një filmi “jo”, sepse filma këtu xhirohen shumë pak. Dhe kur të vjen mundësia për të qenë pjesë e një filmi është shumë e artë, për më tepër për një aktor të ri. E dyta ishte tematika e filmit, që ishte totalisht e panjohur, jo vetëm për mua, por për të gjithë aktorët që jetojnë në Shqipëri dhe për  publikun e gjerë. Kështu që menjëherë sa më ra në vesh që ishte një regjisor i huaj dhe kishte në dorë një skenar të një filmi horror m’u jashtëzakonisht interesante.

Ju në këtë film keni rolin e Ilirianës apo jo? Na flisni më shumë rreth rolit tuaj

Po, unë kam rolin e Ilirianës, e cila është vajza e shtëpisë. Pra, ngjarjet zhvillohen në Tiranë, në kohët moderne që ne flasim dhe zhvillohen në një familje e përbërë nga prindërit dhe nga 2 fëmijët: një djalë dhe një vajzë. Unë jam vajza e madhe. Iliriana është një personazh që është mërzitur me jetën që bën, sepse jetojnë dhe në periferi. Është e mërzitur dhe do sa më parë që të largohet nga familja. Ajo ka mbushur dhe moshën 18 vjeç dhe ëndrra e saj e vetme është që të fillojë jetën e saj, pasi nuk do të jetë aty, nuk do që të jetë nën ndikimin e prindërve dhe është gjatë gjithë kohës e pakënaqur për çdo gjë. Ka një natyrë ironike dhe ka një lidhje shumë të veçantë me vëllain e saj.

Mund të na zbuloni diçka rreth filmit, ndonjë detaj dhe se çfarë pritet që të shoh publiku?

Unë mund të them që për publikun ashtu si dhe për ne, do të jetë një surprizë shumë e madhe, për shkak dhe të vet zhanrit që thamë. Mund të zbuloj pak nga subjekti. Në qendër të filmit është një grua, e cila është totalisht e persekutuar nga realiteti dhe nga dikush që asaj i ka shkaktuar dëm dhe një pasojë shumë të madhe në jetën e saj. Për këtë shkak ajo vendos që të hakmerret. Pra, e gjithë dhimbja që ajo mbante përbrenda, i kthehej në hakmarrje, në veprime paranormale dhe e cilësojnë me titullin “shtrigë”. Rreth vetes ajo mbledh dhe njerëz të tjerë që janë të pakënaqur nga jeta dhe kështu formojnë një bandë të tyren. Kjo bandë sulmon herë pas here njerëzit që iu bëjnë keq. Aty fillojnë ngjarjet që të mos e zbuloj më tej subjektin. (buzëqesh)

Pse mendoni se një regjisor i huaj si Steven Kastrissios vendosi që të bashkëpunoj me aktorë shqiptar dhe që ngjarjet të zhvillohen në Shqipëri?

Kjo ishte dhe pyetja ime që i bëra Steven. “Steven pas filmit të suksseshëm që ti pate pse erdhe pikërisht këtu?” Dhe ai më tha që kishte dëgjuar nga miku i tij Dritan Arbana, që është pjesë dhe tek filmi, histori për Shqipërinë, sesi këtu funksionon akoma gjakmarrja . Dhe ai vendos që të shkruajë një skenar për Shqipërinë, ku kjo është për të duartrokitur, sepse të vijë një australian dhe të shkruaj një skenar për një vend që nuk e di çfarë ndodh, vetëm me të dëgjuar, mund të them me të vërtetë që ia ka dalë shumë mirë. Ai mendoi që nuk kishte kuptim ta bëntë më aktorë të tjerë të huaj, ai duhet ta bëntë këtë film në vendin që ndodhte ngjarja dhe me ata aktorë që mbase jo vetëm që e kanë prekur ata realitetin, por dhe janë rritur me atë frymë dhe kështu gjërat do të funksiononin më mirë.

Si ka qenë bashkëpunimi më këtë regjisor? Si ka qenë Steven me ju, si komunikonte duke qenë si ai është dhe i huaj?

Unë më përpara kisha xhiruar 3 filma me metrazh të shkurtër dhe ky film ishte i pari me metrazh të gjatë. Por unë dua të flas më tepër për edukatën e punës të Steven dhe për metodën që ai përdorte, ku me keqardhje e them ishte shumë ndryshe nga këtu në Shqipëri. Ai ishte shumë serioz në punë, e dintë çfarë kërkonte dhe më e rëndësishmja dinte si të të çonte ty tek ajo gjë që kërkonte. Eksperienca ishte shumë e mirë, pavarësisht se ai ishte i huaj të gjithë komunikonim me të, por kishim dhe përkthyes.

20170116090528843646-480x308

Sa vështirë është që të realizohet një film horror këtu në Shqipëri, pasi është lloji i parë i këtij zhanri që zhvillohet në trevat shqiptare?

Unë fillim e mendoja shumë të vështirë. Nuk e dija se si do të shkonte, por xhirimet kanë qenë të jashtëzakonshme dhe për ne aktorët. Ka patur sadifaksion shumë të madh. Pavarësisht se filmi horror do bëj në fund qëllimin e tij dhe është për ngjallur frikë, panik tek të tjerët, pjesa e xhirimeve është gallatë e paparë (qesh). Pasi jo gjithçka që shfaqet në film është ashtu në të vërtetë.

Konkretisht në çfarë vendesh u realizuan xhirimet?

Xhirimet janë bërë në Ibë, që është fshat afër Tiranës, në pyll lart në Krrabë, në Elbasan edhe në Tiranë. Kanë qenë lokacione të ndryshme, por pjesa më e madhe e filmit është zhvilluar në Ibë.

 Kur do të vijë filmi premierë në Shqipëri dhe kur do e ketë mundësinë publiku shqiptar për ta parë?

Mesa kam folur me produksionin, kanë thënë që do jetë rreth periudhës së muaj prill. Nuk e di saktësisht datën, por regjisori vjen në mars në Shqipëri për të qëndruar rreth një muaj dhe besoj do të shfaqet në muajin prill. Direkt pas Skocisë në datën 3 mars është premiera e dytë në festivalin e Portugalisë dhe pastaj është në Belgjikë. Është një tur. (buzëqesh)

Ju jeni një aktore e re që i jeni afruar dhe jeni bërë pjesë e teatrit kohët e fundit si dhe pjesë e kinematografisë. Si e shihni ju aktrimin dhe me çfarë sfidat has një aktor i ri këtu në Shqipëri?

Unë nuk dua që ta filloj me fjalinë “është shumë e vështirë” dhe gati e pamundur. Jo! Nëse ti e dëshiron një gjë aq shumë, patjetër që do të të bëhët realitet. Nëse ti ke një qëllim duhet të bësh gjithçka për të arritur suksesin. (buzëqesh)

Po për sa i përkët mundësive që ka një aktor i ri? Flitet që nuk ofrohen shumë mundësi.

Kjo është e vërtetë dhe ngelet shumë për t’u diskutuar. Përsa i përket teatrit që unë jam dhe më e aktivizuar aty është pak më e lehtë sepse ka shfaqje shumë, sidomos kohët e fundit. Për më tepër të rinjve siç jam unë, Teatri Eksperimental po iu jepet një dorë shumë e madhe. Ndërsa për film, mundësia është më e kufizuar, sepse nuk prodhohen shumë sot.

Nga rolet që ju numëroni, kë rol do të veçonit deri më tani si më të preferuarin?

Roli im i preferuar dhe doja ta veçoja pak është roli im i parë që unë kam bërë. Sepse unë kam qenë akoma në bangat e shkollës dhe regjisori Kiço Londo ka ardhur dhe më ka përzgjedhur ende kur isha në vit të dytë të studimeve, që ne nuk na lejonin as nga shkolla. Kemi zhvilluar shfaqjen “Të njihesh në internet” me teatrin shëtitës. Ky ka qenë roli im i parë dhe unë e kujtoj me shumë nostalgji.

Roli juaj në “sirtar”?

Besoj që çdo aktor e ka një ëndërr të madhe. Dhe roli im që dua shumë dhe uroj që të realizohet është Ana Karenina, që nuk është vënë ndonjëhërë në Shqipëri dhe është shumë i vështirë për t’u bërë mendoj.

16118122_746564835508210_1042869477_n 16143928_746564815508212_492199495_n

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here