“DW”: Ushtria e policia serbe, një grusht mjerimi

0
202

Nga “Deutsche Welle”
Provokimi me trenin ishte “budallallëk”, thuhet në Beograd. Mediat qeveritare thonë se vetëm politika e “urtë” e kryeministrit Vuçiç e ka evituar konfliktin e armatosur. Por të tjerët paralajmërojnë.

Vetë qeveria e ka krijuar krizën, sepse ajo është përgjegjëse për mbishkrimet dhe provokimet në trenin e nisur për Mitrovicë, thonë kundërshtarët e kryeministrit Aleksandar Vuçiç. Ndërsa tani kryeministri po përpiqet të paraqitet si paqëbërës, me deklaratat se e ka evituar konfliktin. Por mbështetësit e Vuçiçit thonë se “konfliktin e ka evituar politika paqësore dhe nervat e fuqishme të Vuçiç“. Politikani i Rusisë Unike, Sergej Zheleznjak pohon madje se “duke i falënderuar kësaj politike të Vuçiçit, është evituar konflikti i armatosur në zemër të Evropës”.

A mund zjarrvënësi të jetë zjarrfikës?
Mendoj se e gjitha ajo që po ndodhë mes Beogradit dhe Prishtinës është vetëm një vazhdimësi logjike e politikës së qeverisë serbe, e cila ka lidhje me zgjedhjet që po afrohen, thotë për DW Dragan Popoviç, kryetar i Qendrës për politikë praktike në Beograd. “Kjo është një politikë e cila po e shfrytëzon Kosovën dhe të gjitha që lidhen me Kosovën për t’i dërguar mesazhe opinionit të brendshëm dhe të jashtëm. Varësisht nga nevojat, dërgohen mesazhe ashpërsuese apo nënshkruhet ndonjë marrëveshje. Ndaj edhe kjo është një krizë artificiale e krijuar qëllimisht, që dëshmon se ne nuk kemi nisur procesin serioz të normalizimit të raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve”.

Popoviç mendon se treni është përdorur për qëllime të brendshme dhe për të ngritur tensionet, sepse gazetat e Serbisë janë përplot me paralajmërime për konflikte dhe luftë. “Mediat qeveritare me ditë të tëra janë duke zhvilluar një fushatë jo normale, ku njerëzit përgatiten për njëfarë lufte dhe skenarë katastrofash. Ndaj edhe treni nuk mund të konsiderohet ndryshe por vetëm një budallallëk dhe provokim i panevojshëm”, tha Popoviç.

Kush ka fituar në Bruksel?
Kam përshtypjen se të dy palët po përpiqen të zhvendosin vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme në Kosovë apo Serbi, thotë për DW Filip Shvarm, redaktor përgjegjës në revistën “Vreme”. “Ata po përpiqen që Marrëveshjen e Brukselit ta paraqesin si fitore të tyre. Ndaj tani kemi një situatë kur secila anë përpiqet ta prezantojë si fitore për vete atë që është nënshkruar në Bruksel. Në Ballkan kemi pra oligarki të cilat përfitojnë nga ashpërsimi i gjendjes dhe ngritja e tensioneve”, shtoi ai.
Pushteti në Serbi ka dëshmuar edhe në këtë rast se vet krijon probleme, ndërsa pastaj paraqitet si “shpëtimtar”. Në këtë mënyrë përpiqet të përfitojë edhe mbështetjen e Perëndimit. “Qeveria e tanishme paraqitet si faktor stabiliteti dhe paqe në Ballkan. Në fund të fundit, që nuk është e vërtetë. Qeveria po e shfrytëzon këtë paraqitje jashtë vendit për të shkelur lirinë e mendimit dhe të mediave në Serbi si dhe për shkatërrimin e institucioneve. Qeveria e Aleksandar Vuçiç po prodhon pa ndërprerë kriza dhe më pas përpiqet t’i zgjidhë ato. Vuçiç pohon se e ka evituar luftën, ndërsa vet ai e ka dërguar trenin“, pohon Popoviç.

Serbët, viktima më e madhe
Filip Shvarm pohon se kjo lojë me armë dhe kërcënimet e Beogradit kanë një karakter ritual, sepse “Serbia nuk ka potencial dhe dëshirë për një luftë të tëre. Ushtria dhe policia janë një grusht mjerim. Por pushteti po përpiqet që në këtë vit zgjedhor të futet me legjitimin nackiona dhe të paraqite si mbrojtës universal të interesave të serbëve, por edhe si liderë rajonalë“, tha Shvarm.
Ndaj Dragan Popoviç pohon se “humbësi më i madh i këtyre krizave është qytetari serb dhe në veçanti serbët e Kosovës. Ata do të jenë viktimat e para në qoftë se situata del jashtë kontrollit. Ata janë një monedhë e qeverisë për kusur. Qeveria serbe po vazhdon strategjinë e krijimit të tensioneve dhe frikës në prag të zgjedhjeve”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here