Bankat bllokojnë kreditimin për biznesin e madh

0
201

 

lajmëruan shtrëngim të mëtejshëm të kushteve të kreditimit në tremujorin e parë 2017,sidomos për bizneset e mëdha si rrjedhojë e nivelit të lartë të kredisë me probleme dhe pasiguritë në rritje që kanë bankat për ecurinë makroekonomike të vendit. Në të njëjtën mënyrë ata po veprojnë edhe me investimet në letrat e borxhit qeveritar duke hezituar të investojnë në monedhën vendase.

Banka e Shqipërisë publikoi dje rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues, të cilat treguan për shtrëngim të standardeve të kreditimit për bizneset dhe lehtësim të standardeve të kreditimit të individëve në tremujorin e katërt të vitit 2016.

Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për bizneset është shënuar në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme standardet kanë mbetur të pandryshuara.

Për individët, bankat kanë vijuar të lehtësojnë standardet për kredinë konsumatorë, ndërsa standardet për kredinë për blerje banese kanë mbetur thuajse të pandryshuara nga një tremujor më parë.

Faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten faktorët që lidhen me problemet specifike të sektorit, kreditë me probleme dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike.

Ndërkohë, konkurrenca në tregun bankar, niveli i likuiditetit të bankave dhe mjaftueshmëria e kapitalit, janë faktorë që kanë ndikuar në kahun lehtësues të standardeve të kredisë dhënë individëve. Politika shtrënguese e bankave ndaj kredive për biznese u zbatua kryesisht nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral, ndërsa lehtësimi i kushteve të kredisë për individë u zbatua nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë, zvogëlimit të komisioneve dhe rritjes së raportit të kërkuar të këstit ndaj të ardhurave.

Kërkesa për kredi në tremujorin e katërt të vitit 2016 u raportua me rritje nga ekspertët e bankave, më e dukshme kjo për individët. Rritja e kërkesës së individëve është regjistruar kryesisht për kredi konsumatore dhe në një masë më të ulët për blerje banese. Për sa i takon kërkesës së bizneseve, ajo raportohet thuajse e pandryshuar, me një prirje të lehtë në rritje, kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bankat presin shtrëngim të standardeve të kreditimit për bizneset e mëdha në tremujorin e parë të vitit 2017. Ndërkohë, standardet për bizneset e vogla dhe të mesme dhe për individë pritet të lehtësohen gjatë të njëjtës periudhë. Kërkesa për kredi parashikohet në rritje, si për bizneset ashtu edhe për individët.

Kredia, bankat refuzojnë bizneset e mëdha

Standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar në tremujorin e katërt të vitit. Ky shtrëngim është vënë re kryesisht në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha, në linjë me pritjet e një tremujori më parë. Standardet e kredisë kanë mbetur thuajse të pandryshuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Prirja shtrënguese pritet të vijojë edhe në tremujorin e parë të vitit 2017 për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa pritet lehtësim i standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar si për investime, ashtu edhe për kapital qarkullues. Ato pritet të mbeten në të njëjtin kah edhe në tremujorin e ardhshëm. Nga ana tjetër, konkurrenca në tregun bankar, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe gjendja e mirë e likuiditetit në sistem, janë faktorë që vijojnë të ndikojnë në lehtësimin e kushteve të kreditimit.

Bankat zbatuan shtrëngimin e standardeve të kreditimit të bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2016, kryesisht nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral dhe në një masë më të ulët, nëpërmjet zvogëlimit të madhësisë së kredisë. Ndërkohë, ulja e marzhit mesatar dhe ulja e komisioneve të aplikuara në kreditë e dhëna mbeten ndër faktorët kryesorë që kanë vepruar në kahun e kundërt.

Kërkesa për kredi raportohet thuajse e pandryshuar në tremujorin e katërt të vitit 2016, me një prirje të lehtë në rritje. Kjo rritje e ulët është ndikuar nga kërkesa për kredi e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ndërsa ajo për ndërmarrjet e mëdha ka mbetur e pandryshuar. Sipas perceptimit të ekspertëve bankarë, rritja e kërkesës së bizneseve në tremujorin e katërt ka rezultuar për kapital qarkullues (Grafiku 4). Bankat presin rritje të kërkesës në tremujorin e parë të vitit 2017, të gjeneruar si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe nga ndërmarrjet e mëdha.

Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Bankat raportojnë se kërkesa e pakët e bizneseve për kredi është nxitur si nga nevoja për financimin e investimeve, ashtu edhe për financimin e kapitalit qarkullues. Kushtet e përmirësuara të kreditimit, situata makroekonomike, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe burimet alternative të financimit janë gjithashtu faktorë me ndikim pozitiv në rritjen e kërkesës së bizneseve për kredi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here