Administrata Trump në Shqipëri, preken “soroistët” e reformës kushtetuese për drejtësinë

0
2802

Kur na ndajnë vetëm dy ditë nga betimi i Donald Trump, ceremoni e cila i jep atij zyrtarisht detyrën e President të SHBA-ve, parapërgatitjet për lëvizjet e administratës së re kanë nisur prej kohësh. Kështu krahas politikës së ndryshme që pritet të ndjekë Trump brenda SHBA-ve dhe fqinjëve të saj, priten ndryshime edhe në politikën e jashtme dhe administratën amerikane në të gjithë vendet ku ajo përfaqësohet. Vetëm pak ditë më parë u bë e ditur nga stafi pranë Trump se Presidenti i SHBA-ve ka vendosur të ndryshojë ambasadorët amerikane të emëruar nga Presidenti Obama, duke kërkuar një tjetër politikë nga përfaqësuesit e SHBA në botë.

Kjo valë ndryshimesh pritet të prekë edhe Shqipërinë, si një vend i Ballkanit që ka lidhje strategjike me SHBA-në. Ndonëse nuk dihet nëse do preket ambasadori Donald Lu në detyrën e tij ( pasi është ambasador karriere), mësohet se ndryshime do pësojë orientimi amerikan në disa çështje që lidhen me zhvillimet kryesore në vend. Kështu një burim dioplomatik, që ka njohje jo të pakta me stafin e zgjeruar të Presidenti të zgjedhur Trump, i tha gazetës “standard” se,: “mund t’iu them se ajo që shihet me sy kritik në Shqipëri ka qenë ekipi i “jashtëm” që u mor me paketën e ndryshimeve kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi. Përfshirja e njerëzve të “sponsorizuar” nga George Soros në reformën më të thellë kushtetuese  në Shqipëri nuk shihet me sy aspak të mirë nga stafi i zgjeruar i Presidentit të zgjedhur Trump”.

Po ashtu fill pas zgjedhjes së Trump si President, këshilltari i tij për politikën e jashtme Shannon Burns,  tha se. “Me Shqipërinë do të ngushtojmë marrëdhëniet. Ajo që them unë është se do t’i japim fund korrupsionit të Sorosit në Shqipëri”.

Nga sa më sipër kuptohet se ashtu sic edhe ka deklaruar publikisht Doanld Trump, do ti shkohet deri në fund “luftës” me miliarderin filantrop dhe njerëzve apo organizatave të drejtuara prej tij, të cila deri më tani kanë ndikuar fuqishëm në disa vendimmarrje të vendit. Por cilët pritet të prekë kjo politikë e re?

Reforma dhe “soroistët”

Që reforma kushtetuese u ideua dhe u konceptua nga Fondacioni Soros në Tiranë, kjo tashmë është e provuar. Por ishte Komisioni i Venecias, kundërshtitë e opozitës dhe propozimet e qëLSI qëndrimet e LSI e rikthyen trenin e (sh) drejtuar nga PS në shinat e duhur kushtetuese.  Kështu nëse do rëndisnim shkurtazi disa nga përfshirjet e fondacionit në reformën kushtetuese mund të theksojmë:

Fondacioni hartoi, që në vitin 2013, një plan të qartë strategjik, ku planifikoheshin të gjitha hapat e nevojshëm teknik dhe politik që duhet të ndërmerreshin për të realizuar reformimin e Kushtetutës së Shqipërisë. Mijëra emaile dhe dokumente të rrëmbyera elektronikisht nga rrjeti i organizatave të miliarderit dhe aktivistit politik Xhorxh Soros u bënë publike kohë më parë nga grupimi DC Leaks. Mes tyre gjendeshin dhjetra dokumenta që i përkisnin aktivitetit të Fondacionit Soros në Shqipëri, përfshi një dokument të rëndësishëm të titulluar Plani Strategjik 2014-2017 i Fondacionit Shoqëria e Hapur Shqipëri (OSFA). Dokumenti i hartuar në verën e vitit 2013, pas zgjedhjeve parlamentare, por para miratimit në Kuvend të qeverisë Rama, përmbante strategjinë e Fondacionit Soros në Tiranë për projektet dhe iniciativat kryesore strategjike për periudhën 4-vjeçare, e cila përputhet në kohë me mandatin e qeverisë së majtë. Ndërhyrja kryesore prioritare e planifikuar për t’u realizuar nga Soros në Shqipëri ishte “reformimi i Kushtetutës” së Shqipërisë. Dokumenti strategjik përshkruante në detaje të mjaftueshme përmbajtjen e këtij projekti për “rishikimin e përgjithshëm” dhe ndryshimin e Kushtetutës, si dhe strategjinë e realizmit të tij në praktikë. Dokumenti planifikonte që brenda vitit 2014 të realizohej një vlerësim i thellë i kapitujve të Kushtetutës që duhet të ndryshoheshin dhe të ishin identifikuar praktikat e vendeve të tjera që mund të zbatoheshin në kushtetutën e re të vendit. Fondacioni planifikonte që në vitin 2015 të paraqiste një draft reformë kushtetuese të hartuar nga një “grup përfaqësues i palëve të interesuara.” Plani ishte që ndryshimet kushtetuese të miratoheshin brenda katër vjetësh; por nëse kjo gjë nuk do të arrihej atëhere Fondacioni do ta “përfshinte” reformën kushtetuese si çështje të rëndësishme të fushatës zgjedhore të vitit 2017.

Cilët ishin njerëzit?

Fondacionit Soros në Tiranë  dhe rrjeti i Fondacioneve Soros në Evropë e Amerikë u implikua direkt në paketën e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtë. Fondacioni Soros ishte sponsori i punës së ekspertëve që u quajtën edhe si të “nivelit të lartë” dhe që u konfirmua publikisht nga Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të posaçmë parlamentare për reformën në drejtësi.

Por kush ishin emrat (ekspertët) që u thirrën për të dhënë idetë bazë të draftit të ndryshimeve kushtetuese.

1-Kristaq Traja, ish anëtar i Bordit ekzekutiv dhe kryetar i Bordit të Programit të Ligjit në Fondacion;

2-Gent Ibrahimi, ish-drejtor programi në Fondacion

3- Sokol Sadushi, përfitues projektesh dhe anëtar bordi i programit të ligjit

4-Aurela Anastasi, Anëtare bordi

5-Arben Rakipi, i përfshirë në disa projekte të Fondacionit

6-Ardian Dvorani, i kudo gjenduri i PS, pjesëmarrës në disa projekte të Soros

Rasti i Vettingut

Gjatë diskutimeve të nxehta për reformën në drejtësi, ambasadorja e BE-së në vend Romana Vlahutin, e cila ishte një ndër palët më të përfshira në proces, u kritikua nga opozita dhe mediat lidhur me rolin e saj. Sipas kritikëve, ambasadorja Vlahutin u pozicionua fort në krah të mazhorancës qeverisëse, specifikisht në mbështetje të kryeministrit e kreut të Komisionit për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj. Për të shpjeguar rolin e delegacionit, kujtojmë se ekspertët e huaj që u morën me reformën ishin ato amerikan të OPDAT dhe ato të EURALIUS ( të varur nga delegacioni i BE-së në Tiranë).

Kështu në këtë diskutim, nuk mund të mos përfshijmë edhe rastin e përkthimit të ligjit të Vettingut. Por si ka lidhje zyra e EURALIUS me ekspertët “sorosianë”? Në fakt lidhja nuk është direkte, por se kjo zyrë mbështeti fort gjatë gjithë diskutimeve të reformës qëndrimet e eskpertëve të zgjedhur nga PS, duke pasur kundërvënie të shpeshta me opozitën dhe palët e tjera të përfshira në çështje.

Ç’ndodhi me Vettingun

Ligji i Vettingut, që u miratua vetëm me votat e mazhorancës, u dërgua nga PD për ankimim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit për të pasur një vendimmarrje sa më të saktë kërkoi opinion nga Komisioni i Venecias. Pikërisht në këtë pikë, ekspertët e PD-së mësuan se variant i përkthyer në anglisht i ligjit nga EURALIUS ishte i gabuar në disa pika. Pas këtij konstatimi, Kushtetuesja u detyrua ta përkthente me ekspertë të tjerë ligjin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’ia dërguar sërish Venecias.  Gjatë kësaj kohe, largimi i papritur jashtë vendit i shefit të EURALIUS në Tiranë, Rainer Deville, la shumë dyshime./standard.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here