Rikthimi i elitës komuniste, përmes kujtimeve të sajuara

1
389

Nga: Dr. Ndriçim Mehmeti

 Rikthimi i adhurimit për elitën komuniste, ka ndodhur sa herë që qeveria është gjendur në nevojë, ose i duhej një sukses. Një festë në Pezë, shalla të kuq në Përmet, grushtet lart krenar në Gjirokastër dhe pankartat në mes të Tiranës me fotot e diktatorit komunist Hoxha. Pas këtij momenti që ngjall gjoja debat në shoqërinë tonë, dalin në mënyrë frekuente çdo dy muaj,  “krejt rastësisht” kujtimet për takimet me Enver Hoxhën, Mehmeti Shehut, Kadri Azbiun, Feçor Shehut e gjithë kastës komuniste. Nuk bëhet fjalë por të treguar krimet e tyre, as për t’i thënë një brezi që nuk e ka jetuar periudhën e komunizmit, se cilat ishte gjëma që i bëri popullit të vet një kastë kriminelësh, të quajtur komunistë. Bëhet thjesht nga pasioni i disa të ashtuquajturve patriotë, me profesione të nderuar nga profesor universitetesh, inxhinierë, oficerë e deri tel avokat sharlatanë, e bejtexhinjtë e fshatit.

Sa vlerë kanë batuta e Shehut, Hoxhës, Xhuglinit etj, në shoqërinë e sotme?

Për njerëzit që merren me ato që nuk kanë ndodhur kurrë e i thurin vetë ngjarjet me në qendër udhëheqësit komunist, ka shumë vlerë rikthimi i elitës komuniste në diskutimet publike të shoqërisë së sotme. Në emër të qëndrimeve të pavarura ndaj  historisë, ët “kontributeve” të njerëzve të ndryshëm pavarësisht kohës, janë bërë dhe po bëhen përpjekje për të treguar fytyrën njerëzore, të hierarkëve komunist. Ndonëse është e njohur vrazhdësia, shpirti kriminal i tyre, paranoja, ndjenja e mosbesimit, hipokrizia etj., rëfimtarët e epokës qokatarë të komunizmit, kërkojnë të na mbushin mendjen se Mehmeti kishte raste që priste me shumë kënaqësi bashkëfshatarët e vet, Enveri që ndalonte makinën e ulej dridhte nga një duhan, Kadriu që gjuante me fshatarët vendas e hante gjizë e qepë si ata, Nexhmija që mban mend shumë ngjarje nga lufta, por asnjë krim të të shoqit etj. Të gjitha këto ose paraqiten patjetër në mënyrën më të mirë, për ta parë kohën e diktaturës komuniste sa më me ngjyra, o heshtet dhe nuk flitet fare. Nëse kujtimet, rrëfenjat, tregimet, dëshmitë e komunizmit, vijnë si një rrjedhojë logjike e ngjarjeve që duhen parë me sy kritik, për treguar kalvarin e vuajtjeve, apo thjesht për të mos harruar dhe mësuar nga e kaluara, në këtë rast nuk do të kishte asgjë të keqe. Kujtesa në shërbim të shoqërisë është gjithnjë e nevojshme. Ne kemi nevojë të kujtojmë, të flasim hapur e me kurajë për të që ka ndodhur dhe shkaktarët e saj, cili qe roli i njerëzve të thjeshtë dhe i udhëheqësve, rpotri që kishin të shkolluarit, artistët, shkrimtarët, me pushtetin, roli represiv i organeve të Sigurimit të Shtetit etj.

Pse duhet të kalojë para nesh e shkuara, sa herë që ndjejmë boshllëkun e shtetit dhe të mirave të demokracisë?

Për të na kujtuar se kemi pasur edhe kohë më të mira. Kishim një shtëpi që na i siguronte shteti, një punë, një grua ose burrë, dru për sobën, mjekun që nuk merrte lek por nuk të bënte ndonjë gjë të madhe etj. Tani ke plot njerëz që vuajnë për bukë, ka papunësi, nuk ka drita, nuk ka shkollë se nuk ka ngrohje, ka grip, se ka më ftohët në shtëpitë tona. Këto janë rrethanat më të mira, për t’ju rikthyer të shkuarës. Oxhakut që thekte bukën dhe na shijonte thatë ose me shëllirë e qepë, fjalimet e bukura të Hoxhës në Kongrese, takimin në përvjetorin e ish-kryetarit të kooperativës në Krahës, Plasë, e gjetiu etj. Na kujtohet edhe gallata kur bënim aksione, mbrëmjet kur arrinim të fërkonim këmbët në shalët e ndonjë femre, në gjysmë errësirë. Të gjitha këto kanë pasur lezetin e vet. Ndërsa tani “është e vështirë të gjesh kënaqësi të tilla”.

Si mund t’i shmangemi kësaj të “keqe” që na ka zënën  derën?

Duke ju kthyer të kaluarës e duke treguar sa më shumë histori prej saj. Debatet në Byro, çfarë i tha Shehu Azbiut një muaj përpara se të vritej, pse Kadarenë e donte Enveri më shumë se të tjerët, kur i shkoi për herë të fundit Vitua Nexhmijes për vizitë, etj. Kështu që në sytë e publikut do të dali një familje e madhe që punonte për popullin e kishte ndonjë mëkat të vogël. Natyrisht që ata, duhen paraqitur me ngjyrime. Duhet thënë se po të kishin rritur pak rogat dhe të kishte pak më shumë liri, do të ishim si Kina, e nuk kishte çfarë na duhej demokracia. Udhëheqësit tanë komunistë, nuk ishin në asnjë mënyrë, injorantë, përkundrazi të shkolluar e të dhembshur. Me pak fjalë më shumë njerëz normalë sesa diktatorë të pamëshirshëm, si në çdo regjim diktatorial të atij lloji. Justifikimi në këtë rast është fare u thjeshtë: “Unë kështu e gjykoj, ju mendoni si të doni”.

Por kur djalli përpiqet të na vishte me lëkurën e qengjit dhe të na dali si një njeri që ishte i detyruar të bënte ndonjë djallëzi, se në përgjithësi kishte shpirtin e butë, kjo është ligësi. Kjo ligësi, nuk vjen as nga padija, e as nga dëshira për të treguar histori bashkëfshatarësh, apo të idhujve që mund të ketë  një individ apo grup shoqëror. Kjo vjen si rrjedhojë e logjikës që disa njerëz, nuk mund të jetojnë pa parë të keqen e të tjerëve dhe privilegjet që ata duhet të kenë krahasimisht me të tjerët. Ata nuk quhen më pjesa elitare e vendit dhe e vuajnë shumë këtë fakt. Dhe kush e ka fajin? Padyshim që shoqëria e sotme, e cila, ehe pse nuk është demokratike në kuptimin e  plotë të kësaj fjale, nuk i lejon të marrin në dorë frenat e vendit sikurse do të dëshironin këta njerëz.  Padyshim që gjithsecili, mund të ketë këndvështrimet e tij, natyrisht duke renditur argumente. Por vetëm kujtimet, mbi të cilat ka pasur dhe ka gjithnjë dyshime mbi vërtetësinë që ato mbartin nuk mjaftojnë. Në librin e tij “Fytyra e totalitarizmit” Milovan Gjilas shkruan: “Është e natyrshme që kujtesa njerëzore të pastrohet nga gjërat e tepërta duke ruajtur vetëm ato më të rëndësishme për marrëdhëniet e mëvonshme. Por pikërisht këtu qëndron dobësia e saj-kujtesa është gjithmonë e njëanshme, ajo ndryshim patjetër realitetin e së shkuarës. Sipas nevojave të sotme dhe shpresave të së ardhmes. Me gjithë përpjekjet e mia, kujtesa ime nuk është e lirë nga pikëpamjet e mia të sotme.”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Keni te drejte qe behet ne situata krize por MOS HARRONI SE KETA QE QEVERISIN JANE BIJT DHE NIPERIT E ISHEVE<TE ATYRE QE SHKATERUAN VENDIN DHE POPULLIN.NE KETE FORME SUNDUAN BABALLARET E KESHTU SUNDOJNE FEMIJET.NUK MUND TA TRADHETOSH IDEALIN E BABAIK O GHYSHIT !!!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here