Grup anti-Basha në PD?! Detajet e një dreke mes Patozit, Bregut, Rulit dhe Bodes

0

Mesditën e 13 janarit, në restorant ‘IL Tipico’ në Durrës  drekuan së bashku pesë figura të Partisë Demokratike: Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Genc Ruli, Ridvan Bode dhe Igli Cara.

Ndonëse ishte një drekë fundjave krejt e zakonshme (pasi të pestë janë kolegë të vjetër me njëri-tjetrin), ekzsiston mundësia që takimi dhe pjesëmarrësit të mos ketë qenë dhe aq rutinë.

Të pranishmit njihen si grupim që dikur identifikohej si ‘klani Olldashi’, por çfarë është më e rëndësishme është konteksti i tensionuar që një pjesë e drekuesve kanë me lidershipin aktual në PD.

Për shembull, zonja Bregu në vitin e fundit ka sfiduar në mënyrë ekzibicioniste disa nga vendimet institucionale të PD-së. Si me votimin në reformën në drejtësi po ashtu dhe me debatin e tensionuar në Bruksel me Aldo Bumçin.

Zonja Bregu aludohet në PD si një figurë politike e ndikuar nga Rilindja.

Gjithashtu zoti Patozi ka qenë shpesh në pozita kritike me lidershipin e Bashës, por ama është treguar përherë ekzigjent në qëndrimet institucionale, përtej kritikave që mund të ketë pasur.

Ruli dhe Cara njihen gjithashtu si mbështetës të Olldashit dhe duken disi të mënjanuar nga lidershipi aktual i PD-së.

Ridvan Bode është ndoshta një ‘përjashtim nga rregulli’, pasi sot njësoj si dje, ka ditur të veprojë me shumë maturi mes rrymave duke qenë përherë i ekuilibruar.

Dreka e pesë figurave të PD-së vjen në këto kontekste të lidhjes së tyre miqësore, identifikimit të pesë drekuesve si miq të Olldashit, ku secili ka valencë të veçantë sot në raport me lidershipin e PD-së.

A po ri-organizohet ‘klani Olldashi’? Një drekë mes tyre nuk  është se mund të vërtetojë ndonjë gjë, sikundër një tentativë  për mobilizim politik e drekuesve 6 muaj para zgjedhjeve nuk do të ishte diçka e papritur. / Hashtag.al

Lini nje pergjigje