Dy rreshta për Henri Çilin

0
408

Nga Dritan Hila

Ka ca ditë që pronari i Universitetit Evropian të Tiranës dhe i mediave MAPO, bën një diatribë të pozicionit të tij publik që e mbështet mbi disa shtylla kryesore, ku nuk mungojnë as përplasjet personale të tij me ish kolegë apo kontraktues të tij.
Duke zhveshur arsyetimin nga pasioni, duhet thënë se Henri Çili është një person që e ka bërë vetë veten. E ka nisur nga hiçi, dhe sot ka para dhe influencë.

Kjo është e vërtetë sa c’është llogjika e kapitalizmit dhe e shoqërisë ku jetojmë, ashtu siç është fals argumenti i Cilit, se kjo është rezultat i tregut të lirë. Treg i lirë është vetëm në SHBA, ndërsa tek ne duhet të kalosh në shtrungën e miqësive, dallavereve dhe pazareve. Dhe Henri Çili nuk bën përjashtim nga ky rregull. Është si gjithë kapitalistët shqiptarë, madje do të thosha ca më korrekt dhe i mirë, pasi ka pasur kurajon të marrë si pedagogë, njerëz të përndjekur nga pushteti i rradhës dhe të jetë korrekt në detyrimet e tij kontraktuale.

Personalisht nuk e kam problemin pse Henri Çili merr më shumë fonde nga shteti, sesa universitetet shtetërore, pasi duke parë kalbësirën e sistemit, më mirë t’i marrë Henri, sesa t’i bëjë rrush e kumbulla Dhori Kule dhe dinastia e tij.

Faji këtu është i Edi Ramës i cili në vend se të promovonte meritokracinë apo kërkimin shkencor (unë besoj se ajo që investojmë në kërkim, është zero), preferon të bëjë pazare elektorale me paratë e shtetit, por jo i Henri Çilit.
Por Çili, nuk ka pse e paraqet këtë si sistem dhe triumf të liberalizmit. Kjo është një pocaqi allashqiptare dhe e kundërta e liberalizmit.

Nuk mund të quhet liberale nga pikëpamja ekonomike një sistem i cili promovon monopolet nëpërmjet koncesioneve; eleminon pronën publike edhe nëse ajo është rentabël, duke i hequr të drejtën e konkurrencës; premion oligarkët, dhe mos harrojmë se i tillë nuk je nga sasia e parave që ke, por nga sistemi që aplikon.
Ndërsa nga pikëpamja politike as Berisha dhe as Rama nuk kanë ndonjë nuancë liberale. Janë thjesht dy autoritarë, aspirantë për diktatorë që konteksti evropian nuk ua mundëson.
Sepse as Kili i Pinoçetit nuk ishte sistem liberal, megjithëse në ekonomi ishte i tillë.
Liberalizmi kërkon disa faktorë, ku më kryesorja është fryma, dhe asnjë prej këtyre nuk ekziston këtu. Ndaj Çili nuk ka pse sforcohet të mbulojë sipërmarrjen e tij me një bosht ideologjik që nuk e ka.
Dhe në këtë kontekst vijmë tek afera e mediave të kontrolluar prej tij. Ai ka plotësisht të drejtë, kur thotë që ato duhet të kenë një linjë editoriale. Madje kjo nuk është gjetje e tij, por është maksimë nëpër botë.

Ashtu sikurse nuk mendoj se Alfred Lela është simbol i luftës ndaj censurës dhe i ruajtjes së pavarësisë editoriale. Lela nuk është revolucionar dhe linja redaksionale e Çilit kjo ka qenë që në krye të herës: interesi personal. Vetëm se Henri duhet të ndajë që interesat e tij si sipërmarrës nuk janë ideologjia e liberalizmit, por thjesht e tij.
Unë e mirëkuptoj se mbase në thellësi të tij ai është liberal, por ambjenti ku jeton nuk ta mundëson. Ka gjithë mirëkuptimin tim. Por këtë mos ta bëjë nën flamurin e liberalizmit duke e djegur si kauzë, ashtu siç Rama rreckosi flamurin e të majtës.
Sa i përket çështjes së personelit të medias që zotëron, ai rrëshket në individualizmëm primitiv.

Sepse një media nuk është një biznes cfarëdo. Në media, aksionerët e saj moralë janë edhe gazetarët që vene emrin dhe fytyrën, ndaj nuk mund t’i trajtojë si rrogëtarë të thjeshtë.
Pastaj sa i takon rrogave, duhet të ishte po ai liberal që unë njoh. Jo Henri, rroga më e mirë e një gazetari në Shqipëri, është sa ajo e një punëtori të kualifikuar në perëndim. Dhe ishte i fundmi Alfred Peza që e vërtetoi se është më mirë deputet, se në media.
Së fundmi një saktësim për shkrimin e tij të fundit që e mbaronte me ngazëllimin se tani që erdhi Donald Trump, erdhi edhe koha e tij, domethënë e liberalëve.
Henri, Trump është përfaqësues klasik i së djathtës, si supremist i bardhë, mizongjin, narcist, etj. Liberalizmi ishte i përfaqësuar nga Klintonët dhe rruga e tyre e tretë më aplikimin në terren të mirëqënies dhe bashkëjetesës për të majtë dhe të djathtë.

Trump është i djathtë. Trump nuk do të përkrahë liberalizmin, përkundrazi, ai po i bën një nder të majtës, duke kristalizuar edhe një herë gjërat. Ç’ka do të thotë që me hir apo pahir, pas tij apo më vonë në pushtet do të vijë e majta. Ashtu siç pas surrogatos që po bën Rama, do të vijë e djathta, pastaj e majta në pushtet. Atëhere ruhu! Sepse e majta, ajo e rracës e kam fjalën, nuk njihet për pazare./dritare.net

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here