Situata e gripit alarmante, 7500 persona përfundojnë në spital në Tiranë nga 1 dhjetori (Video)

0

Mbi 7500 qytetarë i janë drejtuar Urgjencës së Tiranës për ndihmë gjatë muajit dhjetor dhe në ditët e para të janarit, kohë që përkon me shpërthimin e epidemisë gripale.

“Gjatë muajit dhjetor janë bërë rreth 6 mijë vizita, kurse në vitin 2016 ku ende nuk është mbushur dyjavëshi janë bërë rreth 1700 vizita. Veç vizitave për gripin, janë shtuar edhe rastet nga aksidentet që ndodhën gjatë kohës së ngricave. Njerëzve që janë të braktisur deri tani u kemi shërbyer ne. Ata që kanë patur nevojë i kemi çuar në spital, e të tjerët sipas mundësive. Në rastin konkret duam të falënderojmë Bashkinë e Tiranës që në këtë kohë të ftohtë u ka shërbyer këtyre personave”, thotë mjeku i Urgjencës së Tiranës, Kosta Nestori.

Loading...

Gjatë sezonit gripal në terren kanë dalë 4 ekipe mjekësore në turn, nga tre që shërbejnë në një situatë normale.

“Medikamentet nuk na kanë munguar gjatë kësaj periudhe. Po kështu edhe kapacitetet njerëzore. Këtu ka ardhur shtesë personeli, por automjetet janë ato që kanë qenë”, vijon mjeku.

Fluksi i lartë i thirrjeve për ndihmë që vijnë minutë pas minute në telefonin e shërbimit të Urgjencës përballohet me të njëjtat automjete të vjetruara, 5 në total, që nuk e meritojnë fjalën autoambulancë dhe që ngjajnë si furgona malli pasi nga brenda janë bosh.

Autoambulancat e reja u panë nga stafi i Urgjencës së Tiranës vetëm për pak minuta, aq sa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të bënte këtë deklaratë për mediat që mban datën 5 shtator 2016.

“Kemi fuqizuar kapacitetet rreth 20 autoambulanca. Një investim rreth 300 mijë dollarë, për të vendosur në këto mjetë pajisje bashkëkohore, defibrilatorë, dhe jetëshpëtuese. Janë pajisje të cilësisë së lartë që kanë mundësi të kryejnë disa veprime”, tha ministri Beqaj.

Të njëjtat autoambulanca fringo që nuk mbërritën kurrë në shërbimin e Urgjencës së Tiranës i kishte inauguruar një vit më parë kryeministri Rama.

“Është një përpjekje që ne do ta bëjmë pareshtur, përditë, përnatë, pavarësisht cinikëve”, tha kryeministri.

Urgjenca e Tiranës është fajësuar jo në pak raste për mbërritje me vonesë në destinacion, por pakkush është ndalur të analizojë braktisjen e këtij shërbimi jetik që nuk njeh investime serioze në 5 vitet e fundit. Milionat e eurove Qeveria i investoi për ndërtimin e një godine të re që do të luajë rolin e Qendrës Kombëtare të Koordinimit të Urgjencave, e cila ende nuk është funksionale pavarësisht premtimeve në kohë të ndryshme.

Loading...

Lini nje pergjigje