Nevoja emergjente për krijimin e një bashkëpunimi ekonomik komplementar çon në hapa konkretë të institucioneve të biznesit të Tiranës dhe Kosovës. Mosbesimi i krijuar dhe mos zbatimi i të gjithë nismave të qeverive të dy vendeve, bëjnë të domosdoshme krijimin e një zyre bashkëpunimi të biznesit. Për këtë qëllim Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë themelojnë Zyrën e Bashkëpunimit të Biznesit për të analizuar me shumë kujdes problematikat e sipërmarrjes private dhe mungesën e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona si dhe adresimin e problematikave të sipërmarrjeve të të dy vendeve. Zyra këto që do të funksionojnë pranë të dy institucioneve respektive që në nisje të javës tjetër.
Ja problematikat e konstatuara:
Mosfunksionimi si duhet i praktikave që mundësojnë lëvizjen e shpejtë të mallrave mes dy vendeve tona.
Mungesa 24 orë e përfaqësuesve fitosanitarë në pikat doganore që e bëjnë të vështirë qarkullimin në kohë të produkteve ushqimore.
Rënia e ndjeshme e eksportit nga Shqipëria drejt Kosovës dhe e kundërta, duke lënë hapësira për vendet e tjera në përmbushjen e boshllëkut të krijuar
Mungesa e planifikimeve konkrete dhe bashkëpunimit konkret nëpërmjet qeverive përkatëse.
Evidentimi i një klime mosbesimi ndërmjet palëve, gjë e cila rrezikon avancimin e bashkëpunimit dhe perspektivën e vendeve tona drejt një ekonomie kombëtare.
Pamundësia e implementimit të tregut të përbashkët energjetik për shkak të pengesave politike të krijuara nga Serbia.